Ç’do të thotë të jesh i ri në BE ?

April 28, 2015 14:27

Ç’do të thotë të jesh i ri në BE ?

Të rinjtë në përgjithësi kanë konceptime të ndryshme mbi mënyrën e të jetuarit dhe pavarësinë financiare. Perceptime, që ndikohen si nga kultura vendase (familjare, sociale dhe kombëtare), por edhe nga faktorët ekonomikë, që kushtëzojë apo mundësojnë zgjedhjet në jetën e çdo individi. Si shfaqen këto perceptime në vende të ndryshme të BE-së dhe ç’reflektim imponojnë për një terren shqiptar?

Teksa java evropiane e rinisë është duke u zhvilluar, me një përqendrim aktivitetesh mbi tematikat e përfshirjes sociale, pjesëmarrjes dhe punësimit tek të rinjtë, Eurostat ka prezantuar studimin e tij “Të jesh i ri sot në Evropë”. Një studim, që fokusohet mbi demografinë, familjen dhe shoqërinë, shëndetin dhe arsimimin, aksesin dhe pjesëmarrjen në tregun e punës, kushtet e jetës, si edhe botën numerike.

Por, teksa studimi është i gjerë, janë dy momente që tërheqin vëmendjen, kultura e krijimit të pavarësisë financiare tek të rinjtë, si edhe kombinimi i studimit me punësimin.

Në të gjithë Unionin, mosha mesatare kur të rinjtë vendosin të shkëputen nga banesa familjare, për të jetuar në mënyrë të pavarur, është rreth 26,1 për vitin 2013. Por, diferenca të ndjeshme konstatohen, ndërmjet shteteve anëtare. Në vendet nordike, të rinjtë krijojnë një shkëputje nga trungu familjar dhe pavarësi financiare më herët, si në Suedi (19,6), në Danimarkë (21) dhe në Finlandë rreth moshës 21,9. Përveç vendeve nordike, dallim bëjnë edhe vendet e tjera, si Holanda (23,5), Franca (23,6) dhe Gjermania (23,9).

Teksa, të rinjtë e vendeve të mësipërme spikasin në zgjedhjen ndaj pavarësisë financiare, studimi shfaq edhe ekstremin tjetër, ku të rinjtë preferojnë të jetojnë deri rreth moshës 30 vjeçare së bashku me prindërit, si në Kroaci (31,9), Sllovaki (30,7), Maltë (30,1) dhe Itali (29,9).

Një tjetër element interesant, shfaqet teksa të rinjtë e grupmoshës 20-24 vjeç, në disa prej këtyre vendeve preferojnë të kombinojnë studimet me punësimin. Të rinjtë në Holandë dhe në Danimarkë (42%) kryesojnë në zgjedhjen për të ndjekur studimet dhe për të punuar paralelisht. Edhe në vendet jashtë BE-së, kjo tendencë kryeson, si në Islandë, Zvicër dhe Norvegji. Studimi shfaq edhe ekstremin tjetër, ku kjo zgjedhje nuk është e preferuar për të rinjtë në vende si Italia (vetëm 4%), Hungaria, Greqia, Kroacia, Sllovakia dhe Rumania në një nivel prej vetëm 3%.

Arsyeja pse tërheqin vëmendjen elementët e mësipërm, është sepse përveç faktorëve ekonomikë, që arrijnë të mundësojnë zgjedhjet e mësipërme, apo të mos i favorizojnë ato, kultura duket se luan rolin më të rëndësishëm në këtë drejtim. Kultura apo edukimi familjar mbi dobinë, që sjell punësimi herët i të rinjve, si nga këndvështrimi financiar, por edhe nga një këndvështrim ndërgjegjësimi, rritje përgjegjësie dhe formësim shumëplanësh i karakterit të të rinjve, është shumë i rëndësishëm. Kjo kulturë familjare zhvillohet paralelisht me kulturën sociale si dhe politikat shtetërore në këtë drejtim. Kjo kulturë e dobishme mbi punësimin e hershëm, shoqërohet gjithashtu edhe me edukimin mbi një kursim të nevojshëm financiar dhe shmangie të kulturës së dukjes. Kulturë, e cila jo vetëm që është sipërfaqësore dhe nuk përmban asnjë vlerë të veçantë në vetvete, por ajo shndërrohet në faktor shpenzimi të panevojshëm financiar, që shpeshherë përpiqet të fusë në konkurrencë vlerat me të kundërtat e tyre.

Ndonëse terreni shqiptar, për të rinjtë nuk është shumë favorizues, për sa i përket aspekteve ekonomike, në krahasim me vendet e BE-së, vëmendja shkon edhe ndaj kulturës familjare. Siç konstatohet rëndom, ekziston një tendencë e gjerë, për të fokusuar shkollimin e fëmijëve në fusha ku tregu tashmë është i mbingopur dhe nuk mund të sigurojë dot punësimin e tyre. Fokusimi ndaj degëve të shkollimit, më tepër se, sa në raport me kërkesat e tregut, vjen si rrjedhojë e favorizimit të dëshirës dhe ëndrrës personale si edhe familjare, prezantimit, shfaqjes dhe dukjes ndaj rrethit të ngushtë, ndaj të tretëve, por edhe më gjerë. Pra, duket se ka një influencë të fortë përgjatë procesit të zgjedhjes, të faktorëve të kulturës së prezantimit dhe të dukjes. Kjo përforcohet edhe nga fakti, se ekziston paralelisht një trajtim social “përbuzës” përballë profesioneve të ndryshme, çka konstatohet me refuzimin për t’u punësuar qoftë edhe përkohësisht në një sektor më pak të vlerësuar. Pra, preferohet një boshllëk financiar më tepër se, sa një e ardhur ekonomike, që mund të ndikojë sadopak në mirëqenien e individit.

Kjo kulturë reflektohet gjerësisht edhe tek mentaliteti i studentëve, të cilët teksa ndjekin studimet në x degë, e konsiderojnë ulje të figurës personale nëse paralelisht do të punonin për të siguruar të ardhura për vetveten, në një profesion “të rëndomtë” si kameriere apo ndihmës kuzhine, etj. Por, a duhet të ketë më shumë rëndësi çfarë të tjerët mendojnë për ne, se, sa mirëqenia jonë reale ? Sigurisht që jo, por kjo kulturë nuk shfaqet vetëm tek të rinjtë, por është pjesë e të menduarit të përgjithshëm në një shoqëri, ku shembujt e pasurimit të menjëhershëm sfidojnë, duke u ekspozuar si vlera të patjetërsueshme. Është një kulturë që fatkeqësisht është zhvilluar paralelisht me zbehjen e rolit shtetëror në fusha të ndryshme dhe një konceptimi të pamjaftueshëm edukues që në strukturat e hershme shkollore, në sistemin e mëtejshëm akademik, në edukimin e domosdoshëm mediatik, si edhe nëpërmjet instancave të tjera sa politike, por edhe sociale. Modeli nordik, ndonëse i paarritshëm, duhet të shërbejë të paktën si model frymëzimi për të zhvlerësuar kulturën e përbuzjes profesionale, për të zhvlerësuar rëndësinë e kulturës së dukjes, si edhe për të kuptuar rëndësinë e vlerave reale, për shoqërinë, familjen dhe individin./im.ta/

 

 

 

April 28, 2015 14:27