Cektësia e papërballueshme e garës në PD

July 14, 2017 18:35

Cektësia e papërballueshme e garës në PD


Gëzim Basha

Beteja për kreun e PD-së ka dukjen e parezistueshme të një gare kallpe. Eliminimi me vendim personal i një elite të shkëputur nga populli, politikisht të atrofizuar, pa ide a platformë të qartë politike përveç kombinimit për mbijetesë, ushqeu për pak kohë shtypin dhe mediat, por mbetet ende pak për të mbajtur ndezur debatin e ringritjes. Dy kandidatët e zyrtarizuar, Lulzim Basha dhe Eduard Selami, njëri i vetëngrirë e tjetri i sapozgjuar nga një letargji katërvjeçare, hezitojnë ta venë gishtin në plagë, rezistojnë ndërhyrjen In Medias Res-në thelb të çështjes siç thonë latinët- duke e shtyrë për në kalenda reformimin real të PD-së.
Gara për kreun e PD-së mbetet një garë e cekët e pa reliev mes dy personalitetesh të retushuar e pa individualitet të qartë politik dhe intelektual. Mungesa e karizmës së nevojshme politike të tyre si edhe sfondi i një anëtarësie konfuze e të dekurajuar me shkak humbjen shokuese, ndjell pesimizëm e pezm tek ata që e duan Partine Demokratike në nivelin e misionit historik për të cilin edhe u themelua: Europianizimin e Shqipërisë.

I larguar pa kriter, ose më saktë me kriterin jodemokratik të luftës së brrylave, Eduard Selami duket sot pa kontakt real me anëtarësinë e gjerë. 21 vjet më parë, “hijenat e PD-së” sipas fjalëve të të ndjerit Teodor Keko, e shqyen në ajër Selamin në një garë të egër kush e kush të merrte më parë dëshminë e luajalitetit pa kushte prej kryetarit real me seli në Presidencë. Qëlloi stinë listash edhe at’here, Selami më shumë se një individ, u kthye në kriterin pro & con kryetarit real, Presidentit Berisha. Shumica dërmuese në PD-në e at’hershme, u përfshi nga sindromi i Shën Pjetrit dhe nxituan ta mohojnë, më shumë se tri herë, duke rrahur gjoksin me një patetikë buratinosh të neveritshëm.

Selami nuk duket ai i dikurshmi!
Mes fenomeneve politike më të pakuptueshëm në Tiranën e sotme, kreun e listës e zë metamorfoza e tij e çuditshme. Ai që pati guximin ta etiketojë Dr. Berishën, në vitin e largët 1995, si një politikan pa stabilitet psikologjik, sot duket i braktisur nga fjalët. Me një retorikë të mbushur me përkujdesi të tepruar për korrektesë politike, Selami duket se e ka harruar kryeartikullin Fletë-Rrufe kundër tij në faqen e parë të RD-se, Jagot e Demokracisë, një tiradë pa emër, por me autor presidentin e at’hershëm. Selami refuzon të kuptojë se, nga klani i gjerë e laraman i kryetarit historik, ai ende konsiderohet, Jago. Ripranimi i tij në PD, nuk ishte amnisti politike, as falje e blasfemisë, por detaj për dekorin e madh të farsës së sforcuar, medemek hapjen e madhe të PD-së.

Edhe sot, më shumë se kandidat real, Selami mbetet detaj për të legjitimuar garën me rezultat të paracaktuar, përmbushës i kriterit formal për të pasur më shumë se një kandidat. Me të, PD-ja, humbet shansin për hapjen e debatit real, kurse Selami pritet të koleksionojë humbjen politike më të thellë në plan personal, përdorimin si kapak për Kutinë e Pandorës! Inkursioni i tij politik në këtë garë verore, mund t’a shpërblejë me një vend në listën e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme, por ajo do të jetë një fitore si e P…ollos ose Tritanit! Ne, përkrahësit e tij të paktë në dimrin e 1995-s nuk i patëm uruar një fitore të tillë, në asnjë rrethanë.

Basha, Kryetari i (vetë)ngrirë në pik të zhegut mesdhetar, vazhdon të ushtroje rolin e parathënë për të si figurë tranzitore drejt trashëgimtarit real; nuk ka rëndësi në është vajza a dhëndrri. Synimi për dinasti politike familjare nuk është fantazi e imja por fenomen me një dosje të trashë evidence historike; kujtoni dinastinë Nehru-Indira-Rajiv në Indinë e largët apo po deshët edhe dinastitë Papandreu, Karamanlis e Mitsotaqis në Greqinë fqinje. Dinastitë, veçanërisht në vende të vogla si Shqipëria, e asfiksojnë demokracinë dhe shndërrohen në rrezik real për të.

Historia e jetëve politike me ndikim, ofron bujarisht një leksion të vlerë: individualiteti politik krijohet vetëm në përplasje me traditën paraardhëse, nuk ka rrugë tjetër! Mungesa e këllqeve ndëshkohet, politika nuk është art i kollajtë. Për fat të keq, Basha nuk jep shenja për konfrontim me traditën jo demokratike të PD-së, konformizmi i tij me të shkuarën po kthehet në handikapin e tij politik, duke e kthyer garën për rikonfirmim në një cekëtinë politike që as frymëzon e as premton.
Për fat të keq!

July 14, 2017 18:35
Komento

2 Komente

  1. Pal Pill Noi pri Dukagjini July 15, 12:06

    “E djathta” dhjeRtoriste

    Korbi erdh’ nga bolshevizmi,
    që ju tha: “Do hani bar”!
    Me llogjikë prej Nastradini,
    Gjys’ hajvan, e gjys’ barbar (!)

    Hëngrët bar me tonelata,
    Për sevap edhe tërfil,
    Mbushnit gojët me lopata,
    Sa dhe sot dhisni jeshil…

    Vetëm kjo do kish mjaftuar,
    Që korbi te mos guxon’,
    Mirëpo ju o të mbaruar,
    Na e hypët dhe mbi fron (?!)

    O “e djathtë” u shofsh me ujë!
    Siç u shove pesëdhjet’ vjet,
    I ke rënë korbit në gjunjë,
    Si të ishte feja vetë…

    Ç’është ky “idh” që vjen si hije,
    Në mes natës si lugati,
    S’paske ti një zot shtëpie,
    Që të zgjojë e ngrerë nga shtrati?

    Reply to this comment
  2. Lora July 17, 14:05

    EMAJTA DHE E DJATHTA JANE JASHTE KRITEREVE KLASIKE DHE PERFAQESOJEN VETEM VETVETEN E TYRE;RAMA ME BATUTA, BASHA ME boshelleqe e qe pasohen nga Like Skrapalliu. ne gare per te premtuar dhe per te fituat votat, pastaj bien ne letargji per 2-4 vjete sa vijne zgjedhjet e reja.politikane qe vetem premtojne dhe bejne pake e aspak per popullin dhe mireqenien e tij.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim