Çelësi i përgjigjeve të sakta për matematikën

June 16, 2017 09:33

Çelësi i përgjigjeve të sakta për matematikën

Pranvera Kola – DITA

Pavarësisht kontrolleve dhe masave të marra, rrjedhja e informacionit mbi përmbajtjen e tezës së provimit duket se ka qenë e pamundur të shmanget. Ndonëse nga organet zyrtare të arsimit nuk ka pasur asnjë reagim, maturantët kanë pohuar se teza që ka qarkulluar në rrjetet sociale rreth një orë pas nisjes se provimit, ka qenë e njëjtë me testin që kanë plotësuar.

Mbi 37 mijë është numri i maturantëve që janë paraqitur gjatë ditës së djeshme në shkollat e mesme të përzgjedhura për të dhënë provimin e tretë të Maturës Shtetërore 2017.

Sikundër e përcakton edhe rregullorja e maturës, pak orë pas zhvillimit të provimit, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka shpallur edhe çelësin e përgjigjeve të sakta për të gjitha variantet e tezave të plotësuara nga maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme, profesionaleve, shkollave artistike, sportive dhe gjimnazit me kohë të shkurtuar.

Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar skemën e përgjigjeve të sakta për provimin e matematikës, nëpërmjet të cilës mund të orientoheni në lidhje me nivelin e pikëve që do të siguroni nga ky testim.

Dy orë e gjysmë ishte afati i lënë në dispozicion të maturantëve për të plotësuar përgjigjet e 25 pyetjeve të testit të matematikës, prej të cilave 13 kërkesa kërkonin përgjigje me alternativë, të cilat vlerësohen me një pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje të tjera ishin me zhvillim që vlerësohen në total me 37 pikë.

Sipas kushteve të vendosura nga MAS, për të qenë kalues edhe në provimin e matematikës, duhet të siguroni me përgjigjet e dhëna, detyrimisht 10 nga 50 pikët totale, me të cilat vlerësohet testi.

Kandidatët që nuk sigurojnë këtë nivel të kërkuar pikësh, e humbasin të drejtën për të qenë pjesë e garës së pranimeve për studimet në shkollat e larta, përgjatë raundit të parë të pranimeve që do të zhvillohen në mbyllje të muajit korrik.

Këta kandidatë duhet të presin sezonin e vjeshtës për të dhënë sërish këtë testim dhe vetëm në rast se rezultojnë kalues do mund të përfshihen në garë për studimet larta duke aplikuar në raundin e dytë të pranimeve që do të zhvillohet përgjatë mesit të muajit shtator.

Aktualisht po vijon procesi i korrigjimit të provimeve të letërsisë, teksa vlerësimet për gjuhën e huaj bëhet me dije se kanë shkuar drejt fundit, pasi po bëhen përgatitjet finale për shpalljen e rezultateve të marra nga secili kandidat. Maturantëve tashmë u ka mbetur edhe një provë e fundit për të kaluar, që janë pikërisht provimet me zgjedhje, të cilat do të zhvillohen javën e ardhshme në datën 23 qershor. Në këtë datë, secili maturant do të plotësojë testet e dy lëndëve që i ka përzgjedhur vetë si më të preferuara për t’i dhënë si provime me zgjedhje.

Testet që po hartohen nga ekspertët për 2 lëndët që jepen si provime me zgjedhje, do të përmbajnë 20 pyetje në total, të cilat do të jenë të kombinuara në sasi të barabartë ndërmjet pyetjeve me alternativa dhe atyre që do të kërkojnë shtjellim. Vlerësimi maksimal i testit do të jetë 40 pikë. Ndërkohë që për të qenë kalues, maturantëve u duhet të sigurojnë me përgjigjet e dhëna detyrimisht 8 pikë.

Pas mbylljes së të gjitha provimeve dhe shpalljes së rezultateve përkatëse, maturantët që plotësojnë kriterin e mesatares së gjimnazit të kërkuar nga qeveria do mund të vijojnë më tej procedurat e konkurrimit për të fituar të drejtën e vijimit të studimeve të larta në një nga universitetet publike, apo private të vendit përgjatë vitit të ri akademik 2017-2018.

Gara e përzgjedhjes së degëve do të nisë zyrtarisht me 20 korrik, sipas skemës së aplikimit online të konfirmuar në udhëzimin e miratuar nga MAS në mbyllje të muajit të shkuar.

Shiko pergjigjet: Matematike (Gjimnazi)

Shiko pergjigjet: Matematike (Gjimnazi gjuhesor)

Shiko pergjigjet: Matematike (Gjimnazi profesional)

 

June 16, 2017 09:33
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*