Ceni ynë, kulti i individit

Dilaver Goxhaj May 13, 2016 10:35

Ceni ynë, kulti i individit

Në intervistën e fundit të tij, Prof.Dr.Pëllumb Xhufi, midis të tjerave shprehet: “Ky është shteti esadist i fanatikëve, i të paditurve, i njerëzve të liq, pa ndërgjegje e pa atdhe, që vazhdojnë edhe pas 25 vjetësh…”. Kjo çka na thotë z.Xhufi është thjesht një konstatim, diçka që e ka të qartë secili prej shqiptarëve që nuk ka emigruar. Por cili është shkaku i vërtetë që Shqipëria, por edhe Kosova, janë shndërruar në një lloj shteti të tillë? Mirë kur në pushtet është njëra forcë politike, po kur nuk është më ajo në pushtet, pse administrata shtetërore dhe institucionet e tjera shkencore mbushen përsëri me të liq, me fanatikë, me të paditur, me njerëz pa atdhe e pa ndërgjegje? Nuk ka fuqi mazhoranca tjetër politike t’i pastrojë gjithë strukturat e shtetit nga të tillë njerëz, aq më shumë kur mazhoranca parlamentare ka edhe 2/3 e votave? Prandaj duhet gjetur shkaku pse shtetin e drejtojnë të liqtë e njerëzit pa ndërgjegje e pa atdhe.

Dhe unë mendoj se shkaku qëndron tek fakti se ne shqiptarët  respektojmë ende individin, njëshin, që do të thotë se nuk jemi shkëputur ende nga ndjenja e ndërtimit të jetës mbi bazën e fisit dhe të klanit, dhe jo mbi funksionimin e institucionit. Shihni përbërjen dhe funksionimin e partive politike. Që të gjitha janë ndërtuar mbi bazën e fisit dhe të klanit krahinor ose fetar, dhe aspak mbi baza aftësish profesionale dhe intelektuale. Rrjedhimisht, duke u ndërtuar partia mbi këto baza, edhe përbërja e institucioneve ligjvënëse, administrative dhe shkencore të shtetit do të jenë të ndërtuara mbi këto baza, fisnore dhe klanore. Duke qenë se Shqipëria, si dhe Kosova, drejtohen nga fiset dhe klanet, natyrshëm që secili fis e secili klan do të mendoi si e si të fuqizohet më shumë ekonomikisht. Mirëpo, ky është shkaku kryesor pse ka lindur korrupsionin, i cili ka ardhur dhe do të vijë gjithmonë në rritje, prandaj edhe kur ndërron pushteti, tenderat i fitojnë të njëjtët persona.

Mirëpo korrupsioni është ai që lind krimin e organizuar. Shumë e thjeshtë. Në këta 25 vjet demon-kraci gjithkush nga ne është dëshmitar se askush nuk mundet ta zgjidhi hallin, apo të gjejë të drejtën, po qe se nuk paguan. Madje as nuk shërohesh edhe kur shtrohesh edhe në spitalin shtetëror, po nuk pagove. Që do të thotë, se politikanët dhe shtetarët e kanë kaluar një stad më tej të privatizuarit e shtetit. Këtë e vërteton fakti që ata çdo vend pune në shtet e shesin disa herë. Po ta kishin kthyer shtetin thjesht në shtet privat, do t’i merrnin vetëm një herë para qytetarit, pasi ai vend pune që kërkon e merr qytetari me ryshfet, andej e tutje do të mbetej pronë e qytetarit. Por këta që i kanë marrë para për ta emëruar dikë në një vend pune në shtet, ose për t’i dhënë drejtësi, pas një periudhe të caktuar, ose kur vjen mazhoranca tjetër në pushtet, i kërkojnë përsëri pagesë; dhe, nëse nuk i paguan, e heqin “për arsye të ristrukturimit” të institucionit dhe vendosin një tjetër. Që do të thotë se shteti për këta është një leckë pa vlerë dhe asgjë tjetër.

Atëherë qytetarit, duke qenë se s’ka ku e gjen të drejtën, i mbetet vetëm një rrugë: të kërkojë ndihmën e dikujt që ta mbrojë nga shtetari apo politikani me influencë. Dhe këtë mbrojtje aktualisht në Shqipëri dhe në Kosovë qytetari mund ta gjejë vetëm tek ata që quhen “të fortët”. Pra, është vetë sistemi që kemi ngritur mbi baza fisnore e klanore, ai që e pjell krimin e organizuar, dhe jo thjesht pse administrata është mbushur me të liq, me fanatikë, me të paditur, me njerëz pa atdhe e pa ndërgjegje. 

Që të bindemi se si janë partitë tek ne, le të shohim se si bëhet edhe anëtarësimi nëpër parti. Ai bëhet me thirrjen: “Ejani sa më shumë në partinë tonë”, se vetëm ashtu  do të gjeni punë, vetëm tek ne do të gjeni mbrojtje. Dhe kjo do të thotë ashiqare se nuk ka kritere për të qenë anëtar partie dhe, ai që i serviloset më shumë kryetarit të partisë, ai emërohet dhe fuqizohet me pushtet dhe me pasuri. Dhe kjo ndodh ngaqë kryetari i partisë nuk i jep llogari asnjë lloj forumi të partisë dhe asnjë institucioni shtetëror kur është kryeministër, sepse është ai që i ka zgjedhur dhe është po ai që i heq nesër ata që punojnë nëpër këto institucione, prandaj ata i rrinë sus edhe kur ky bën sikur jep llogari. Madje votimet bëhen hapur, me ngritjen e dorës apo të kartonit. Për këto arsye, çdo lloj reforme që është ndërmarrë dhe ndërmerret është thjesht mashtrim, ngaqë “realizimi i reformave vjen nga politikat e gabuara, me bazë antipopullore  e antidemokratike…”, sikundër shprehet z. Xhufi.  

 

Dilaver Goxhaj May 13, 2016 10:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*