Çerekshekulli miqësi që i kanë rrënjë shumë kohë përpara

February 18, 2016 19:01

Çerekshekulli miqësi që i kanë rrënjë shumë kohë përpara

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare, Kryetari i Knesset, Parlamentit të Izraelit, Yuli-Yoel Edelstein, ndoqi punimet e Seancës Plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Yuli-Yoel Edelstein mbajti një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë.

 

Fjala e Kryetarit të Knesset, Yuli-Yoel Edelstein në seancë plenare

Të nderuar ministra, të nderuar kolegë!

Përshëndetje miq të Izraelit!

25 vjet është një periudhë domethënëse gjatë së cilës ndërtohet një marrëdhënie, të fuqizohet ajo deri në pjekuri. Sivjet ne festojmë 25 vjet të marrëdhënieve të larta diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë dhe unë jam krenar të them që lidhjet tona nuk kanë qenë kurrë më të mira.

Shteti i Izraelit e konsideron Republikën e Shqipërisë si një vend mik të vërtetë në komunitetin ndërkombëtar. Ne jemi krenar që të mbështesim politikën Euroatlantike të Shqipërisë dhe e kemi mirëpritur pranimin tuaj gjithnjë e në rritje në çështjet europiane, edhe me anën e anëtarësimit në NATO dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.

Ne do të jemi të kënaqur dhe të lumtur që ta ndihmojnë Shqipërinë që të marrë atë pritje që meriton në arenën ndërkombëtare.

Lidhjet ndërmjet dy vendeve tona janë të forta dhe po bëhen gjithnjë e më të forta, ashtu siç duket qartë edhe nga çelja në Tiranë e ambasadës së përhershme të Izraelit në vitin 2012 dhe vizita reciproke të zyrtarëve të nivelit të larë, të ministrave, duke përfshirë Kryeministrin Rama, Presidentin Nishani, dhe Ministrin e Jashtëm të Izraelit z. Lieberman si edhe drejtues të ndryshëm të sektorit të bizneseve dhe të teknologjisë.

Ka qenë nder të mirëprisnim Kryetarin e Kuvendit, z. Meta, dhe delegacioni ne tij në Parlament, ose Knesset siç e quajmë ne, përpara dy vjetësh dhe e falënderoj z. Meta që më ka mirëpritur mua dhe delegacionin tim shumë qartë sot dhe më ka dhënë nderin të flas përpara jush.

Me dashamirësi dëshiroj të ftoj të gjithë deputetët dhe deputetet e parlamentit shqiptar, të cilët nuk e kanë përjetuar mirëpritje e Izraelit, që të vizitojnë Izraelin dhe të ndihmojnë më tej në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe që kemi. Dëshiroj të falënderoj homologët e mi shqiptar për një ditë shumë të rëndësishme të shkëlqyer dhe produktive diskutimesh dhe shpresoj që puna jonë do të japi një kontribut të mëtejshëm pozitiv për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona.

I nderuar z. Kryetar!

Më duhet të them që u preka shumë që mu dha Dekorata e Urdhrit të Skënderbeut. Faleminderit për nderin dhe për ceremoninë aq emocionuese!

Lidhjet e forta që ne kemi zhvilluar dhe kemi ushqyer gjatë 25 viteve të fundit dhe të cilat ne i festojmë sivjet, bazohen në demokraci, në tolerancën fetare dhe në respektin për të drejtat e njeriut, pra në vlerat tona të përbashkëta.

Gjatë çerekshekullit të fundit ne kemi arritur që të identifikojmë shumë fusha të interesit reciprok dhe në veçanti ato që kanë të bëjnë me sigurinë dhe luftën kundër krimit. Për më tepër, këto themele që janë ndërtuar na kanë çuar në marrëdhënie shumë të fortë ekonomike në fusha si për shembull energjia, uji dhe bujqësia. Kemi bërë ecuri dhe progres të rëndësishëm sidomos gjatë viteve të fundit në zhvillimin e marrëdhënieve tona. Por unë besoj se ka ende shumë që ne mund të bëjmë bashkë. Shpresoj që ne ta shtojmë gjithnjë e më tej këtë partneritet në fusha të tjera dhe në teknologji të tjera gjatë viteve në vijim.

Këto lidhje që kemi ne janë të bazuara në marrëdhënien e thellë që kanë zhvilluar dy popujt tanë gjatë qindra viteve, që në herën e parë kur shqiptarët i dhanë strehë hebrenjve kur u larguan nga Spanja. Këto lidhje tona u testuan gjatë Holokaustit, siç e përmendi z. Meta, kur në fakt vlerat unike të shqiptarëve me anën e besës bëri, që nga udhëheqja e vendit, ashtu edhe njerëzit e thjeshtë, të siguronin mbijetesën e hebrenjve të Shqipërisë dhe të refugjatëve që kishin ardhur. Unë nuk di asnjë shembull tjetër , të një shoqërie tjetër në botë, në të cilën të gjithë pa përjashtim, të kenë qenë aq vetëmohues dhe aq të përkushtuar ndaj ruajtjes së jetës së tjetrit. Për rrjedhojë Shqipëria ka qenë i vetmi vend i pushtuar në botë ku popullsia e hebrenjve dhe numri I hebrenjve në vend u shtua gjatë viteve të luftës. Shteti i Izraelit dhe populli i Izraelit do t’ju jetë gjithnjë mirënjohës juve, popullit shqiptar për kurajon e madhe që keni treguar dhe për besnikërinë e shenjtë që ju treguat për miqtë, për fqinjët tuaj, por dhe për të huajt. 70 vjet pas Holokaustit, këto vlera janë ende të vërteta në Shqipëri.

z. Kryetar

Dëshiroj t’ju përgëzoj ju për angazhimin tuaj për të qëndruar i paepur kundër antisemitizmit dhe diskriminimit. Në një kontinent ku hebrenjtë janë paksa të shqetësuar, ku antisemitizmi është në rritje, unë besoj se Shqipëria mund të shërbejë si fanar i tolerancës shumë kulturore për të bërë të pamundur që të mos harrohen mësimet e historisë.

Fatkeqësisht, ka ende shumë punë për të bërë në këtë fushë. Gjatë vitit të fundit, fushata të ndryshme për t’u larguar nga Izraeli dhe për t’u bërë bojkot mallrave tona janë shtuar nën petkun e protestave legjitime kundër politikave izraelite. Në fakt, Izraeli nuk do asgjë tjetër sesa të jetojë në paqe me fqinjët e vet. Ajo që nuk është shumë e qartë ama, mbetet nëse këta fqinjë tanë kanë të njëjtët synime paqe si ne. Në fakt, bojkotet u japin krahë ekstremistëve të cilët kanë bërë thirrje për ditët e kryengritjes kundër Izraelit dhe ju bëjnë thirrje ndjekësve të tyre që të godasin me thikë izraelitët kur kalojnë në rrugë. Pra ne e dimë që paqja e vërtetë mund të arrihet vetëm në rast se ne bashkëpunojmë me fqinjët tanë. Për këtë arsye, ne do të ishim shumë të lumtur që Shqipëria të ndihmojë të zhvillohet një partneritet apo partneritete rajonale dhe Lindja e Mesme të bëhet një vend më i mirë për të gjithë.

Vitin e shkuar kemi parë edhe një dëshirë dhe shpejtësi për të negociuar me Iranin për t’u marrë me kapacitet e veta bërthamore. Dhe me dëshirën e madhe për të përfunduar një marrëveshje, bota ka injoruar fytyrën e vërtetë të Iranit. Për shembull, lideri supreme i regjimit ka thënë pas arritjes së marrëveshjes, që nuk do të ketë asgjë si Izraeli pas 25 vjetëve. Kjo nuk është një lajthitje e cila vjen nga personi që vë në pikëpyetje holokaustin dhe që e quan Izraelin tumor me kancer. Të mos harrojmë Iranin dhe historikun e vet, më sponsorizimin e terrorizmit, të Hamasit dhe të Hezbollahut dhe të grupeve të tjera të cilat mesa duket bota i ka harruar.

Le të jemi të qartë, Irani nuk e ka harruar lëkurën e vet thjesht se ka vënë firmën në marrëveshje. Duke qenë këtu përpara jush sot, unë jam i bindur se lidhjet dypalëshe midis dy vendeve tona do të vazhdojnë të rriten duke u bazuar në bazën e fortë të marrëdhënieve që ne kemi dhe të vlerave që ne ndajmë.

Ne mund të punojmë së bashku për të zhvilluar mundësitë e ndryshme që do na jepen për partneritetet tona dhe për fuqitë që kemi për ta shndërruar botën në një vend më të mirë. Nëpërmjet këtyre përpjekjeve ne mund ta bëjmë botën një vend më tolerant, më të qëndrueshëm, më të sigurtë, në të cilin të rriten fëmijët tanë së bashku.

 

Fjala përshëndetëse në Seancë Plenare e Kryetarit të Parlamentit të Izraelit, Yuli-Yoel Edelstein

 

February 18, 2016 19:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*