Certifikimi i zgjedhjeve: KQZ-ja, apo Kolegji Zgjedhor?

Nga Niazi Jaho June 17, 2013 11:33

Certifikimi i zgjedhjeve: KQZ-ja, apo Kolegji Zgjedhor?

Me afrimin e zgjedhjeve, rritet dhe shqetësimi se kush do t’i certifikojë zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Kjo ndodh sepse KQZ-ja ka ngelur me 4 anëtarë. Ka nga ata (megjithëse të paktë) që janë shprehur (por pa argumente ligjore), se ato çështje që nuk ka mundësi t’i zgjidhë katërshja e KQZ-së, mund t’i zgjidhë Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit Tiranë.

Në asnjë nen të Kodit Zgjedhor nuk thuhet një gjë e tillë. Ligjbërësi ka dashur një KQZ me 7 anëtarë. Ai nuk ka parashikuar dhe nuk mund të parashikonte atë që ndodhi me KQZ-në. Një gjë është e sigurt: një organ kolegjial duhet të funksionojë në bazë të disa rregullave të caktuara më parë dhe jo jo të krijojë rregulla të reja.

Kompetencat caktohen me ligj

KQZ-ja është organi më i lartë shtetëror i ngarkuar me administrimin e zgjedhjeve në përputhje me rregullat e caktuara në Kodin Zgjedhor.

Në rrugë administrative, KQZ shqyrton ankimet kundër vendimeve të komisioneve zgjedhore, ndërsa Kolegji Zgjedhor në rrugë gjyqësore, shqyrton ankimet kundër vendimeve të KQZ-së dhe pavlefshmërinë e tyre.

Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të ankohen në Kolegjin Zgjedhor kundër vendimeve të KQZ-së kur pretendojnë se u janë cenuar të drejtat e tyre të ligjshme. Në Kolegjin Zgjedhor, ata mund të ankohen gjithashtu kur KQZ-ja nuk merr vendim brenda afatit ligjor (Neni 145, pikat 1 dhe 2 të Kodit)

Vendimet me 4 dhe 5 vota ‘pro’

Mbledhjet e KQZ-së janë të vlefshme kur marrin pjesë jo më pak se 4 anëtarë të saj, me përjashtim të rasteve kur kërkohet shumicë e cilësuar për marrjen e vendimit sipas nenit 24 të Kodit Zgjedhor (Shih Nenin 22, pika 5 e Kodit).

Të gjitha vendimet e KQZ-së janë të rëndësishme, por, me sa duket, ligjbërësi për disa vendime që i ka konsideruar më të rëndësishme ka kërkuar që ato të miratohen me votim të cilësuar (‘pro’ tyre duhet të votojnë jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së). Në këto raste synohet që shqyrtimi të jetë sa më transparent, sepse kjo do t’i shërbente konsensusit.

Në nenin 24, pika 1 e Kodit Zgjedhor janë parashikuar çështjet për të cilat votimi duhet të jetë i cilësuar. Përmendet këtu: shpërndarja e mandateve për çdo zonë zgjedhore, vendimet për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve për çdo zonë zgjedhore, deklarimi i pavlefshëm i zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, shpallja e pavlefshme e zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin, aktet me karakter normativ etj.

Aktet me karakter normativ të KQZ-së kanë fuqi mbi të gjithë territorin e vendit dhe janë të detyrueshme për të gjithë (Neni 23, pik 2 e Kodit). Ato kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet (Neni 24, pika1, shkronja ‘d’ e Kodit).

Ka disa nene në Kodin Zgjedhor ku shprehimisht thuhet se kjo apo jo çështje zgjidhen me akt normativ.

Disa akte normative, në vend që të miratoheshin me 5 vota ‘pro’ janë miratuar me 4 vota, megjithëse në aspektin ligjor ato nuk janë në përputhje me ligjin, quhen të pa miratuara, janë absolutisht të pavlefshme. Mendoj se në këtë rast, justifikimi është i forcuar, jo bindës, prandaj kemi dëgjuar të thuhet: nuk ju pëlqen, drejtojuni kolegjit zgjedhor.

Nuk besoj të veprohej në këtë mënyrë edhe në shqyrtimin e çështjeve në vazhdim kur duhen marrë vendime veçanërisht të rëndësishme që përmendëm më lart. Si mundet që edhe këto vendime të miratohen me votat e 4 anëtarëve kur edhe vetë mbledhja nuk do të ishte e ligjshme?! Si mund të ishte i ligjshëm vendimi që edhe vetë ligji (Neni 24 i Kodit) e konsideron të pa miratuar?!

Kolegji Zgjedhor nuk mund të investohej në shqyrtimin e çështjeve të tilla. Ai, për mendimin tim, do të duhej të konstatonte pavlefshmërinë absolute të këtij akti.

Më sipër përmendëm se subjektet zgjedhore kanë të drejtë të ankohen në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrjen e vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja. Për afatet bëhet fjalë në nenet 124, 125, 130 dhe 143 të Kodit Zgjedhor.

Por theksojmë: për mosmarrje vendim brenda afatit, jo për thelbin e çështjes.

Kolegji Zgjedhor, në këto raste vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim jo më vonë se 10 ditë (Neni 158, pika 4).

KQZ-ja, në rastet kur votimi i cilësuar është i domosdoshëm, vendimin nuk mund ta marrë sepse kërkohet vota ‘pro’ e jo më pas se anëtarëve të KQZ-së. Në këtë vështrim nuk bëhet fjalë për afate (dmth, për mosmarrje të vendimit brenda afateve ligjore) por për pamundësi të marrjes së vendimit. Kolegji Zgjedhor nuk mund të detyrojë katërshen e KQZ-së të marrë vendim në rastet kur duhen votat ‘pro’ të 5 anëtarëve, sepse ndryshe vendimi quhet i pa miratuar.

Interpretimet subjektive ose të sforcuara, për të kapërcyer “ngërçin” në kundërshtim me ligjin, kanë pasoja të dëmshme. Ato nuk i shërbejnë mbarëvajtjes së zgjedhjeve në aspektet e ndryshme të procesit zgjedhor. Anëtari i KQZ-së voton në përputhje me ligjin (Neni 17, pika 2 e Kodit).

Ç’duhet bërë? Si duhet zgjidhur ky problem?

Çdo ditë që kalon zgjidhjen e bën më të vështirë. Por çdo ditë që kalon, zgjidhjen e saj e bën të domosdoshme. Krejt procesi zgjedhor do të kulmojë në shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve, mbas shqyrtimit të të gjitha ankesave të mundshme. Këtë situatë e krijoi politika, ajo duhet ta zgjidhë. Pozicionet e ndryshme mund të afrohen me vullnet të mirë dhe me dialog. Zgjidhja është tepër e vonuar, por e mundshme. Këtë rekomandojnë edhe ndërkombëtarët, në mënyrë të veçantë OSBE/ODIHR-i që ndjek procesin dhe e monitoron atë. Siç del nga raportet dhe deklaratat e tyre, ata nuk janë pajtuar as me faktin se disa vendime që duheshin miratuar me 5 vota, janë miratuar me 4 vota. Por shqetësimi më i madh i tyre është situata e tanishme në KQZ. Në këtë drejtim, ndoshta do të ishte e nevojshme të kalohej nga thirrjet për zgjidhjen urgjente të kësaj çështjeje, në hapat e një asistence konkrete qoftë edhe rekomanduese. Për këtë ndihet nevoja sidomos në atmosfera të tensionuara. Nuk ka dyshim se predispozicioni i faktorit të brendshëm është i një rëndësie të veçantë.

Bëhen deklarata për zgjedhje të lira, të ndershme, të pakontestuara dhe të standardeve ndërkombëtare. Kërkohet pjesëmarrje e gjerë në zgjedhje. Po cilat janë garancitë e këtyre synimeve?

Nga Niazi Jaho June 17, 2013 11:33
Komento

4 Komente

  1. TROJA June 17, 14:12

    Perse lodheni tani ne pleqeri.Mos e vrisni shume mendjen i nderuar Jurist.Jane mare masat;rruga me e drejte,me e paster,me e thjeshte,e pranushme nga BE,SHBA,( jo nga OSBE)
    eshte bojkutimi i zgjedhjeve.Pa KQZ,pa komisioniere ne qendrat e votimit,me 320 mije njerez pa adresa,me presione te jashtezakonshme ndaj administrates,deri ne kercenime te hapura per largim nga puna,me blerje votash(sidomos kur varferia ka aritur shkallen me te larte),me futje ne pune per dy muaj ne shkembim te votes,etj,forma qe po planifikon PD,perse te votosh?
    Edhe numurimi elektronik,me 4-5 milion euro te hedhura ne hava,nuk dha rezultat,mbasi u planifikua qe nga Presidenti,KQZ,qeveria dhe Saliu,a nuk eshte nje faktor me shume qe po pregatitet vjedhja dhe shkaterimi i zgjedhjeve.Cila do jete vlera dhe morali i opozites,kur te dali shesheve,por te mos njohur zgjedhjet,kush do sakrifikohet,per mendjemadhesine e parise se opozites?
    Me e ndershme,me e ligjshme,nje bojkot sot,se remuje,shkaterim,e gjak neser.Europa qe ne nuk po kuptojme sot eshte per demokracine apo per fashizem,po hesht,OSBE,pranon te gjitha poshtesite e KQZ,te qeverise dhe mbeshtet me forma te ndryshme shkeljet e ligjeve qe ka qene dakort edhe vete,ose i ka hartuar vete,ShBA,dergon emisare,qe si hije vine e si hije shkojne,flene nje nate ne hotelet e shtrenjta,hane e pine dhe dine te thone OK,OK,vrisni veten…..Opozite e ke mare me shume zell kete pune,por mos haro,se me ke te besh.TERHIQUNI SA NUK ESHTE VONE,ARGUMENTAT,FAKTET DHE LIGJET JANE TE MOS HYSH NE ZGJEDHJE,MOS SHKATERO 75% TE POPULLIT SHQIPTAR.NUK MUND TE BEHEN ZGJEDHJE ME SALIUN KRYEMINISTER.

    Reply to this comment
  2. Alpini June 17, 21:31

    Eshte tratheti kombetare te futesh ne zgjedhje me keto standarte.Opozita ka kaluar ne ekstaze, duke menduar se pushteti do ti vije ne pjate. Per 20 vite shqiptaret e kan pare se si eshte votuar dhe si eshte marre pushteti nga PD dhe Sali Berisha.Shembulli me i fresket eshte marrja e Bashkise se Tiranes ne zgjedhjet e fundit lokale.Zgjedhjet jane komprementuar teresisht,listat zgjedhore me mijera votues pa adresa, me qindra familje fantazem ,me presione te tipit fashist ndaj administrates dhe familjeve te tyre, me blerje vote e shitje te kartavete te identitetit, me nje KQZ totalisht partiak, qe merr vendime pa asnje reference ligjore, me… me…. skan te numerauar marifetet e skiles, prandaj flet kaq serbes, mbasi skenari i zi tashme ka filluar te zbatohet.E vetmja mase parandaluese mbetet bojkoti i kesaj farse.Shqiptaret nuk i kan borxh politikes qe edhe pas 22 viteve tranzicion te derdhin gjak ne sheshe e rruge ne kerkim te drejtesise se mohuar nga gangsteret e politikes.

    Reply to this comment
  3. Kol Tivari June 18, 13:39

    Edi Rama se bashku me drejtuesit e tjere te opozites duhet ti thirrin mendjes.Ne rast se nuk i fitojne keto zgjedhje (qe ne fakt jane te fituara),por varet se kush i numeron duhet te marrin masa sa nuk eshte vone.Eshte me e lehte ta parandalosh nje semundje se sa ta kurosh ate thone mjeket.Prandaj nese nuk i fitojne te certifikuara zgjedhjet nuk duhet te hyne ne to.Mjaft u derdh gjak nga ky popull per demokraci.E nese perseri zgjedhjet i certifikon dhe i vjedh sali berisha,atehere keta drejtues duhet te kuptojne se nuk kane se cfare te bejne me ne shqiperi,duhet te humbin pa nam e pa nishan.Populli voton ,por duhet ti sigurohet vota dhe te shkoje atje ku e ka derguar populli,ne te kunderten kot qe flasim per gjera te tjera.

    Reply to this comment
  4. Xhema nga Tirana June 18, 21:48

    I nderuar Z. Niazi Jaho. Mundohem që t’i lexoj shkrimet që po botoni në të përditshmet Shqiptare. Jeni shumë i saktë. Gjithmonë, arsyetimi Juaj është i bazuar më Ligj. Jeni një shëmbull real për të gjithë ata që “kanë sy dhe vëshë për të parë e dëgjuar”. Shqtësimi im është : A DO TË HETOHEN ME SERIOZITETIN MË TË MADH, TË GJITHA SHKELJET LIGJORE TË PUSHTETARËVE TË SOTËM ? Në se nuk do hetohen, në këtë Shqipëri, KURRË NUK DO KETË DEMOKRACI.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim