Cezari, populli dhe lejet e ndërtimit

Eri Çobo August 14, 2015 12:00

Cezari, populli dhe lejet e ndërtimit

Ka disa ditë që lajmet mbi hartimin e planeve territoriale dhe vendimmarrjen e lejeve të ndërtimit janë bërë pjesë e artikujve të gazetave së bashku me pushimet e vip-ave shqiptarë… Për fat të keq siç ndodh rëndom me informacionet që konsiderohen “jo të nxehta mjaftueshëm politikisht”, lexohen shkaraz dhe shpesh herë transmetohen në mënyrën e gabuar.

Bëhet fjalë për Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.672, që sjell ndryshime në vendimin e mëparshëm 408 “Për miratimin e rregullores së zhvullimit të territorit”. Në disa artikuj u shkruajt se: “Edi Rama fut në dorë lejet e ndërtimit/ Pezullimi është i pjesshëm”, “Qeveria bllokon edhe për një vit lejet për të ndërtuar pallate”, “Bllokimi i ndërtimeve, ja 14 bashkitë ku do të jepen lejet me firmë të Kryeministrit”, etj.

Edhe pse personalisht mendoj, se janë bërë gabime përsa i takon vendimeve të marra mbi çështje të planifikimit të territorit, dhe theksoj është mendimi im personal që shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë e të tjera mos të ishin bërë fare, por në këtë rast duhet që ca gjëra të lexohen dhe thuhen siç duhet, vlen t’i jepet Çezarit atë që i takon!

Duhen lexuar dispozitat ligjore për të cilat bëhet fjalë, e që më pas janë interpretuar ashtu si kanë dashur disa media… Ligji në fuqi numër 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” si dhe aktet nënligjore përkatëse, orientojnë zhvillimin e territorit mbi bazën e instrumentave të planifikimit; kjo do të thotë që, të paktën ligjerisht, në këtë vend nuk mund të ndërtosh pa plan! Dhe kjo është shumë e drejtë, e nuk besoj që dikush arrin të argumentojë të kundërtën.

Por çfarë ka ndodhur vitet e fundit në Shqipëri me politikat e zhvillimit të territorit?

Përveç faktit që janë ndyshuar disa herë instrumentat ligjorë përkatës, (ky është një debat tjetër shumë më i gjatë e teknik), një pjesë e njësive vendore kishin ndërmarrë procesin e hartimit të atyre që quhen instrumenta planifikimi vendor, që s’janë gjë tjetër veçse planet në të cilat përcaktohen rregullat dhe mënyra e zhvillimit të gjithçkaje që lidhet me territorin, e jo vetëm të ndërtimit të pallateve që sot përfliten aq shumë. Bazuar në legjislacionin në fuqi ndërkohë që bashkitë ishin në procesin e hartimit të planeve përkatës, mund të zhvillonin territorin e tyre mbi bazën e përcaktimeve të asaj që quhej Rregullorja Model e Planifikimit, e cila përcaktonte lejimin e zhvillimeve kryesisht për interes publik, dhe që kishin një ndikim minimal në territor duke mos ndryshuar kategorinë e përdorimit ekzistues të tokës apo rritur intensitenin e ndërtimit në zonë; e përkthyer kjo në një terminologji më të thjeshtë: lejohej ndërtimi, pra dhënia e lejeve, për ndërtimin apo rikonstruksionin e rrugëve, lulishteve, ndërtimeve me funksion ekonomik, si dhe ndërtimi dhe rikonstruksioni i banesave individuale. Dhe është mëse normale që ndërkohë që bashkitë janë duke analizuar territorin dhe parashikuar zhvillimin e ardhshëm të tij lejet e ndërtimit të kufizohen, personalisht jam e mendimit që duhet të pezullohen, se ç’kuptim do të kishte që ndërkohë që punohet për të hartuar një plan që parashikon çfarë do të bëhet me një territor të caktuar, paralelisht të jepen leje pallatesh në tym pa ditur nëse na duhen e ku na duhen!

Deri para ndryshimeve të kufijve administativë ishin 14 bashki që kishin punuar dhe kishin miratuar planet përkatëse, kuptohet për territoret e atëhershme, ndërsa sot kur të gjitha njësitë vendore kanë ndryshuar përmasat si pasojë e ndarjes së re administrative, është e nevojshme ri-planifikimi i të gjithë territorit. Vendimi nr.672 i miratuar rishtaz nga qeveria qartësisht thotë që: e para të gjitha njësitë vendore duhet të nisin hartimin e planeve, (çka është detyrim ligjor, dhe e drejtë e vetë bashkive, ndaj nuk është e nevojshme mendoj që t’jua urdhërojë Këshilli i Ministrave); e dyta, për ato njësi vendore që kanë patur një plan të miratuar para ndryshimeve të kufijve, pra ato 14 bashkitë e sipërpërmendura, lejohen zhvillimet sipas përcaktimeve të planit për një kategori punimesh që kanë kryesisht interes publik, ekonomik, industrial, turistik, banesa individuale; dhe e treta, gjithë të tjerët që nuk kanë plan, sigurisht që për të ndërtuar duhet të marrin leje në organin më të lartë vendimmarrës që është KKT.

Në gjithë këtë histori nuk ka asgjë të paqartë, çdo lloj zhvillimi në Shqipëri duhet të bëhet i planifikuar! Pra në këtë rast Kryeminsitri nuk ka ndërmarrë asnjë vendim “armiqsor” ndaj ndërtuesve. Dua të mendoj pozitivisht që vendimmarrësi në këtë rast po përpiqet të shkojë në drejtimin e duhur! Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që deri më sot në Shqipëri është ndërtuar aq shumë, sa jam e bindur që nuk ka më nevojë të ndërtohet, por njëkohësisht është ndërtuar dhe aq keq sa nuk duhet të përsëritet më!

Më qëllon shumë shpesh, edhe nga kolegë, të dëgjoj të thuhet: “E ka pronën e vet, ndaj i takon të ndërtojë…”

Fatkeqësisht pjesa më e madhe e jona nuk e ka kuptuar që të posedosh një pronë do të thotë që jo vetëm ke përfitime, por edhe detyrime; që të jesh pronari i një cope tokë, do të thotë që ke të drejtë ta shesësh, ta trashëgosh, ta mbjellësh nëse toka është e kategorisë arë… por në rast se toka jote është e kategorisë TRUALL, kjo nuk do të thotë abolutisht që ti me të drejtën e pronës gëzon dhe të drejtën e ndërtimit të një pallati! Sipas përcaktimeve të Kodit Civil – Ligji Nr. 7850, datë 29.7.1994:

“Neni 149 – Pronësia është e drejta për të gëzuar dhe disponuar lirisht sendet, brenda kufijve të caktuar nga ligji.

Neni 160 – Pronarët duhet t’u përmbahen rregullave të caktuara në planet rregulluese ose në dispozita të veçanta, për ngritjen e ndërtesave të reja, për rindërtimin ose ndryshimin e tyre, për largësitë ndërmjet ndërtesave, për çeljen e dritareve, puseve, gropave e të punimeve të tjera të kësaj natyre.”

Pra qartësisht “e drejta e pronës” nuk është e barabartë me “të drejtën e ndërtimit” sepse janë RREGULLAT e përcaktuara në PLANE që vendosin: mundësinë, llojin dhe sasinë e ndërtimit të lejuar në çdo pronë!

Do të doja që t’ja shpjegoja një pronari që “do të ndërtojë pallate” këtë fakt, njësoj sikur t’ja shpjegoja një fëmije 5 vjeç:

Ajo copa e tokës që ti ke trashëguar nga gjyshi, apo e ke blerë, është një copëz puzzle në një territor akoma më të madh që quhet qytet… dhe se çfarë, dhe se si ndërtohet në këtë organizëm të madh, nuk mund ta vendosi çdo pronar i çdo parcele, nëse do të ndodhte kjo do të kishim një pallat gjigand me sipërfaqe kati sa gjithë sipërfaqja e qytetit, sepse çdo pronar e do një pallat në truallin e vet! Përfitimi nga ndërtimi në pronën tënde shkon vetëm në xhepin tënd, ndërsa kostot e ndikimit që ka ai ndërtim në territor i ndajmë të gjithë ne si banorë të asaj zone!

Për fat të keq sot, në debatet më të mira mbi planifikimin e territorit, arkitekturën apo konkurset, nuk diskutohet asnjëhërë për qytetin si një pronë e përbashkët, si një organizëm i gjallë, që ka nevojë për hapësirat me funksione të mirëpërcaktuara, njësoj si trupi ynë për të gjitha organet dhe gjymtyrët!

Rëndom debatet, ashtu si edhe ky i fundit, janë për lejet e ndërtimit, pezullimin apo lejimin e tyre…sinqerisht mendoj që është pjesa më e panevojshme e diskutimit sot…nëse analizojmë problematikën: çfarë janë lejet e ndërtimit? – ka këndvështrime të ndryshme: dikush thotë: janë para që qarkullojnë në biznesin e ndërtimit…punë për arkitektë, inxhinierë dhe ndërtues… dikush thotë janë m³ beton që zaptojnë sipërfaqe të gjelbra… Industria e ndërtimit sot në vend, ka interes të ndërtojë objekte banimi shumëkatëshe, ku kosto e ndërtimit dhe çmimi i shitjes është në përpjestim të zhdrejtë.

Sigurisht në planifikimin e një qyteti garantimi i hapësirës së banimit është e rëndësishme, por kjo gjithmonë në raport të drejtë me parashikimin e rritjes së popullësisë. Në Tiranë e ngado nëpër Shqipëri, nuk guxojmë të llogarisim rritjen e pritshme të popullësisë në vitet e ardhshme dhe të bëjmë krahasimin me nevojat për akomodim dhe me stokun aktual të banesave, pasi qartësisht treguesit do të jenë: Ky vend aktualisht ka nevojë për 0m² ndërtim pallatesh!

Jam e ndërgjegjshme që me këtë pohim kam kundër gjithë industrinë e ndërtimit, por ky është fakt, dhe dëmet e bëra janë të pakthyeshme! Mjafton të shofësh zonat ku të gjithë banojmë, të mbi populluara me pallate, me nje intensitet ndërtimi marramendës, ku mungojnë totalisht hapsirat e pushimit, ku rrjeti rrugor është luks, dhe parkimi është një ëndërr për banorët… dhe nuk jam duke folur vetëm për Tiranën, edhe nëse spostohemi në një qendër tjetër urbane, lehtësisht has pallate shumëkatëshe të pabanuara, me të njëjtën problematikë, dhe ndërtues që ankohen se nuk marrin dot leje per të ndërtuar pallatin e radhës…

Kjo situatë sigurisht ka fajtorë, ka vendime të marra në mënyrë abuzive; dhe absolutisht nuk jam kundër dënimit të tyre, por ndërkohë jemi ndëshkuar të gjithë duke jetuar në qytete të vdekur! Zgjidhjet e këtij problemi shkojnë përtej prishjeve të ndërtimeve pa leje, legalizimeve, apo mbjelljes tek tuk të ndonjë peme, nevojitet edukimi qytetar mbi të mirat e përbashkëta! Sigurisht është utopike e gjithë kjo në këtë moment, por me keqardhje dhe e dorëzuar tashmë përballë ‘partisë të betonit’, duhet të paktën të përgatisim brezat e ardhshëm për ta dashur qytetin, dhe për t’i mësuar të jenë të përgjegjshëm!

Jemi një vend shumë i vogël për ti falur vetes gabime kaq të mëdha sa ç’janë bërë me qytetet tona! Trualli është vërtet një pasuri e paluajtshme, por është edhe e fundme; e çfarë ështe bërë e nuk është bërë, në 25 vitet e fundit në Shqipëri, ka qenë çdo gjë përveç se planifikim!

Ka ardhur koha që qytetet t’u kthehen njerëzve; që planet e tyre territoriale mos të përdoren vetëm për llogaritjen e intensitetit për ndërtim, por për percaktimin e indikatorëve të cilësisë së jetës; duhet të ndryshojmë totalisht këndvështrimin mbi hapësirat dhe funksionet publike të qyteteve. T’u japim njerëzve atë që u takon njerëzve!

 *Arkitekte/ Urbaniste

 

Eri Çobo August 14, 2015 12:00
Komento

2 Komente

  1. drino August 14, 12:30

    Zonja arkitekte, per ju nuk ka rendesi te permendni dy vendime te KM dhe KKT te datave 29 dhe 30 korrik qe kane ndaluar edhe dhenjen e lejeve te ndertimit nga Bashkite qofte edhe per banesa individuale edhe ne fshatrat me te humbura te ketij vendi, biles as edhe per te shtuar nje kat ne keto banesa por kane vene nje kufizim qe mund te shtohet vetem 50% e siperfaqes totale e asaj qe ka d.m.th. ne se ke nje banese ne fshat prej 60 m2 mund te te japin nje leje te shtosh jo me shume se 30 m2 ndersa kur banesen e ke 300 m2 mund te shtosh 150 m2( llogjike e çuditshme) dhe te gjitha lejet duhet ti aprovoje angjesia kombetare e territorit ne Tirane. Nuk flitet vetem per ndertimin e pallateve ne qytete por jane ndaluar gjithe ndertimet private ne çdo fshat , kjo eshte kuje!

    Reply to this comment
  2. tekniku August 14, 17:13

    Shkrim siperfaqesor, dhe bindja e autores se e di mire demografine e qyteteve eshte qesharake. Nevoja per ndertim nuk mbaron kurre, sidomos ne kete vend ku levizja nga fshati ne qytet nuk ka mbaruar, por edhe prej rrirjes se popullsise dhe standartit te banimit. Cilesia e qyteteve rrefullohet nga ligjshmeria, tregu rregullohet nga liria (brenda “binareve”, kuptohet). Problematika me e madhe eshte tek shperdorimi i hapesirave te perbashketa ne nivelin truall – gjelberim, trotuar, parkim publik apo privat, etj. Keto hapesira jane masakruar rregullisht. Dhe dicka – ndertimi ne lartesi respekton me teper resurset: token, infrastrukruren, rendimentin energjitik; edhe pse ironikisht “ambientalistet” ulerasin ne kor kunder pallateve dhe indirekt idealizojne vilat…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*