Çfarë do ndodhë pas pandemisë?

March 30, 2020 22:44

Çfarë do ndodhë pas pandemisë?

Nga Bedri Islami

 

Që bota nuk do të jetë e njëjtë pas kalimit të pandemisë, kjo është tashmë është e qartë për të gjithë. Do të ketë ndryshime të ndjeshme në aleancat e krijuara, në ndërlidhjet mes shteteve, do të ndryshojnë përparësitë e grupimeve të mëdha politike, por edhe të çdo shteti; forca të caktuara do të ringrihen e të tjera do të bien, për të mos u ringritur më dhe, është krejt e natyrshme që, pas gjithë kësaj që po ndodh, të ketë edhe strukturime të reja politike.

Bashkimi Europian, për fat të keq, dëshmoi se më e dukshme është fasada e tij, se sa përmbajtja. Në pak ditë shumë iluzione që lidheshin me përparësitë e strukturës më të fuqishme në botë, ranë dhe tabloja që doli befas, tronditi njerëzit. Më e dukshme ishte ndarja, se sa bashkimi. E çara e parë, e krijuar me BREX-it, do të jetë një gjë e zakonshme, krahasuar me atë që ndodhi në thelbin e vetë Bashkimit, ndarjen e copëzimin e tij, duke qenë brenda të njëjtit grupim.

Një gjest i gjetur solidariteti i shtetit shqiptar, duke dërguar 30 mjekë dhe infermierë në shtetin fqinjë, në Itali, ngjalli një jehonë të pazakontë, pikërisht nga heshtja e të tjerëve.

Po në Shqipëri çfarë do të ndodhë? A do të jetë gjithçka e njëjtë si më parë, apo, pas kësaj, si ndodh shpesh pas përplasjeve apo ngjarjeve të pazakonshme, do të kemi një klimë të re të politikës, do të ketë mendësi më të kohës dhe përjetime më njerëzore?

Vështirë t’a thuash, por, e gjithë kjo që po ndodh, kjo mbyllje masive, e paparë asnjëherë, e të gjithë njerëzve në shtëpitë e tyre, fashat gjithnjë e më të ngushte të lirisë së daljes, perceptimi që po bëhet gjithnjë e më i pranishëm se, dashje pa dashje, ndodhemi në një luftë që është e të gjithëve dhe ku asnjëri nuk është i sigurtë, partitë politike që kanë zënë llogoret e tyre dhe kanë nisur të bëjnë përllogaritjet e së ardhmes, domosdo do të kenë ndikimet e tyre.

Megjithëse përgjithësisht kemi një klasë parapolitike, kokëmushkë dhe të ngjeshur në rresht pas shefave, përsëri, kjo që po ndodh, nuk do ikë pa lënë gjurmët e saj.

A ka mësuar gjë klasa politike shqiptare nga e gjithë kjo që po ndodh? Vështirë ta thuash, kur krejt mirë e di se në këtë “klasë” shumica janë të mbetur dhe të aftët janë larguar prej kohe, për më tepër, edhe shumë nga ata që janë, edhe po të duan, nuk janë të zotë të mësojnë.

Mësimi i parë duhet të ishte dhe mendoj se do të jetë për shefin e qeverisë, nëse lufta që e ka shpallur dhe që erdhi, nuk do ia marrë mendtë.

Në shtatë vitet e qeverisjes së Rilindjes politike gjithnjë e më shumë ajo ka ecur në të djathtën, e cila, edhe pse nuk ka qenë ekstreme e së djathtës, ka qenë ekstreme e përkrahjes së një grupimi financiar, që tashmë ka krijuar kastë dhe po kthehet në oligarki politike e financiare.

Në shtatë vite qeveria rendi drejt dy shtresave që janë aktivë dhe të fuqishëm në politik-bërje: ndaj “të fortëve” dhe ndaj oligarkëve. Të fortët u bënë ose deleguan njerëzit e tyre në politikë, në parlament, në bashki, në struktura të rëndësishme të shtetit. Të larguar për ndjenjë despotizmi dhe lidhje me klane të njohura të krimit u ulën në parlament ose u rikthyen në struktura të strukturave të sigurisë. Ata u bënë aq të fortë sa nuk kishin droje të përgjonin edhe funksionarë shumë të lartë të shtetit, deri ministra, të krijonin dosje të rreme për to, të krijonin lëvizje qeveritare dhe të paraqitnin, përmes kabinetit, ligje që u shkonin për shtat vetëm atyre.

Megjithëse e së majtës, qeveria bëri sikur harroi ata që e kishin votuar, që i kishin besuar, herën e parë në vitin 2013 dhe herën e dytë pas katër viteve, dhe, çuditërisht, në vend të rritjes ekonomike, gjetjes së politikave favorizuese, përkrahëse , nxitëse dhe rrugë-hapje, gjeti të vetmen rrugë: kërcënimit me burg dhe gjoba për gjithçka që mund të ndodhte. Kjo vijë sjellje kishte edhe marrëzirat e mëdha që kushtuan jo pak; një i burgosur për 12 mijë lekë të reja qëndron me javë në paraburgim, deri sa vret veten, ndërsa falsifikuesit e proceseve dhe hajdutët e mëdhenj të tenderëve bëhen ortakë të qeverisë.

Pandemia i bën të gjithë njëlloj dhe kjo mund të jetë shenja më themelore e një qeverie që të kthehet nga njerëzit, nga ata, shumicë, njerëzit me gjendje sociale të mesme apo të varfër, nga punëtorët dhe bujqërit, të cilët kanë vetëm pagën mujore si mundësi jetese.

Rikthimi në binarët e së majtës, duke qenë partner me botën e biznesit, por jo të nënshtruar ndaj tij, mund të jetë mësimi i parë i pandemisë.

Nuk mund të bësh politikë dhe të synosh pushtetin përmes një politike të verbër, të ngutshme, të ankthshme dhe pa kokë. Në këto javë opozita ka rendur pikërisht pas këtij nguti: të gjejë me çdo kusht fajet e një qeverie që kishte hyrë në luftë dhe këtë nuk e kishte bërë përmes njerëzve të mendjes, që gjenden edhe tek ajo, por përmes të njëjtave figurave politike, disa nga të cilët janë bërë përtej të padurueshmes.

Edhe mendimet dhe propozimet e sakta që mund të sillte opozita humbën në mllefin me të cilin paraqitet gjendja, në dërdëllitjet e gjithsecilit që kërkon të afishohet tek shefi i tyre politik dhe vetë ajo, si tërësi, megjithë përpjekjet këshilluese, nuk gjeti dot të mesmen e artë që duhet në këto raste: të bëjë opozitën duke dëshmuar se është pranë qeverisë në këtë moment të papërsëritshëm.

Opozita është e ndarë sot në tre rryma: në atë që po merr terren përmes shefit të presidencës, Meta, që, si duket kërkon me çdo çmim rigjenerimin e figurës së tij politike, nga një njeri që ishte gati për vetësakrifikim në mbështetës, duke e lënë luftën për më vonë; në radikalizmin e luftës politike edhe në këtë situatë, që ende ka të njëjtin përfaqësues politik, Berisha dhe mllefi i tij, më shumë se të dëmtojë figurën e tij politike, sjell dëme në të gjithë imazhin e vendit e sidomos të opozitës dhe, në përpjekjet e drejtuesit të opozitës që kërkon të rrijë në dy këmbët, duke u paraqitur herën e parë si Meta dhe pastaj befas, si Berisha. Natyrisht opozita nuk është aty për t’i bërë fresk qeverisë, por është koha e duhur për të kuptuar se kur duhet thënë “mjaft”. Ravijizimi i saj në të njëjtin portret politik si disa analistë, të njohur për lidhjet me të dhe sidomos për qëndrimin antiranë, radikalizmi i të cilëve shkon edhe përtej çdo gjendje normale politike, i sjell dëm, e bën edhe më të distancueshme dallimin mes saj dhe pozitës, që, edhe nëse nuk duan, është tani e vetmja adresë për daljen nga gjendja.

Opozita nuk është në kohën e duhur për t’i rënë me grushte tavolinës. Në fund të fundit as nuk i shkojnë.

Kërkesat populiste të opozitës heqin mënjanë edhe idetë e arsyeshme të saj, kur, për më tepër, ende nuk është harruar se koha e tyre në qeveri nuk ka qenë shumë e largët dhe se nuk janë njerëz të paprovuar në qeverisje.

Shtojcat e tjera politike, si nga e majta, ashtu edhe djathtas, po bëjnë mirë që nuk po dëgjohen dhe kanë rënë në heshtje. Edhe po të flasin, nuk i dëgjon askush, megjithë kërcëllimet e Nard Ndokës.

Ndryshimi më i madh që duhet sjellë pas-pandemia është ajo që po ndodh aktualisht: shikoni,një tufë e madhe e deputetëve, drejtorëve, të ashtuquajtur liderë, shefa të mëdhenj e të vegjël, oligarkë, nuk ndjehen. Ata janë mbyllur si të tjerët dhe askush nuk e dëgjon fjalën e tyre. Në radhë të parë se janë të padijshëm dhe, së dyti, sepse askush nuk ia ka ngenë. Të qenurit deputetë, njerëz që kanë në dorë të duken, të bëjnë një favor, një nder, të të gjejnë një vend pune, i bën përkohësisht të rëndësishëm, por jo të njohur. Ata qëndrojnë jo nga dijet, por nga vendi ku i kanë dërguar ose që e kanë blerë.

Në këtë luftë të parët, ata që vendosin janë specialistët. Të njohurit, të aftët, të përkushtuarit. Të tjerët nuk ndjehen dhe askush nuk ka nevojë për to.

Këto specialistë, në këtë rast mjekë, po bëjnë të pamundurën dhe në fakt, pikërisht këto, po drejtojnë qeverinë. Ata kanë gjetur një emër ku mbështeten ministren e shëndetësisë, zonjën Manastirliu, dhe prej saj kalojnë jo në paradhomën e kryeministrit, por drejt në vendimet e tij, të cilat ai i shpall, pasi nuk mund të bëjë gjë tjetër.

Këto specialistë këtu kanë qenë, ata vetëm se koha i bëri më të shfaqshëm dhe, po të mos ishte një kohë e tillë, ata do të ishin përsëri të padukur, të nënvlerësuar e jo pak herë të përbuzur.

Këto njerëz, që sot janë de fakto qeveria shqiptare, asnjëherë më parë nuk janë thirrur në strukturat e larta të shtetit, të pyeten se çfarë duhet bërë, jo tani, kur i erdhi koha vezës për të dalë, por që në krye të herës.

Qeveria ka qenë e gjithëditur, edhe pse nuk ka pasur rreth vetes njerëz me mend dhe më të duhurit.

Por , sot është radha e mjekëve. Pa pandemisë do të jetë radha e financiarëve, e ekonomistëve, e ndërtuesve, e specialistëve të minierave, të naftës, të bujqësisë.

I pyeti kush deri më tani se çfarë duhet bërë; çfarë duhet bërë që pasuria nëntokësore e naftës të mos shkojë në një grusht duarsh përfituese dhe tek njerëzit asgjë dhe vazhdojmë të kemi çmimin më të lartë të karburanteve në të gjithë Europën; askush nuk pyet specialistët e bujqësisë se çfarë duhet bërë me prodhimet e tepërta,qeveria nuk ka para për të investuar në fabrikat e prodhimit të lëngjeve të frutave apo në përpunimin e produkteve bujqësore, ku është punësuar thuaj gjysma e Shqipërisë, por edhe në kohë pandemie shpërndan miliona tek “ miqtë “ e vjetër, që, edhe pse e dinë se në çfarë gjendje po zvarritet shteti, nuk ndihmojnë askënd dhe janë strukturë në vilat e tyre apo jashtë shtetit.

A do të thirren specialistët, njerëzit e mençur, të aftët, pavarësisht moshës, ndërtuesit e shtetit, për të marrë mendimin e tyre dhe, më të rinjtë e më të ndershmit, të jenë pjesë e politikës, që të mos sundohemi nga mediokrit dhe “të fortët”.

Atëherë kjo do të ishte e mira e kësaj të keqe dhe ndoshta do të kishim dobi edhe nga kjo pandemi.

 

*****

Botuar në Dita. Ndalohet kategorikisht ribotimi i plotë apo i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

March 30, 2020 22:44
Komento

11 Komente

  1. Erhard March 30, 23:26

    Asgje me rendesi nuk ka per te ndodhur!
    Nja gazetar i “Zerit te Popullit” shkoi me sherbim ne nje rreth malor i degjuar per trimerite e tij ne lufte kunder pushtuesve!
    Duke kaluar me makine buze nje are pa tek punonin 4-5 fshatare dhe ndaloi makinen!
    Pasi i uroi “Pune e mbare” u tha:
    -A ka ndonje trim ketu qe te flas me mua?
    -Me i mocmi prej tyre ia ktheu:
    -Ata trimat qe kerkon zotrote RANE NE LUFTE!
    -Te mencurit,jane transferuar ne Tirane!
    -Po deshe budallenj,ja ku na ke llafos sa te duash!

    Nga sa shikohet aktualisht ketu nuk ka asnje nga ata trimat qe t’i bejne politikanet qe t’u dridhen kembet!
    Ketu kane mbetur vetem ata qe thone tere diten se ,

    -Po iku Rama do vije Basha!
    -“Ate qe ka bere Rama nuk e ka bere njeri para tij!
    -“Ne PS nuk ka njeri me te zotin se Rama”! etj!

    Besoj se kjo do jete edhe pergjigja me e sakte e pyetjes se mesiperme!

    Nuk mund te ndryshoje dot asgje nje antaresi,qe gjykon si femijet kur zihen me njeri tjetrin se,

    -“Dashnori i mamit tim eshte me i mire se dashnori i mamit tend!”

    Reply to this comment
  2. Zigur Qarri March 30, 23:57

    Bedri Islami thote:”Një gjest i gjetur solidariteti i shtetit shqiptar, duke dërguar 30 mjekë dhe infermierë në shtetin fqinjë, në Itali,
    ngjalli një jehonë të pazakontë, pikërisht nga heshtja e të tjerëve”.
    Te tjeret nuk kan heshtur,Kuba ka derguar 52 Mjeke ne Itali,ndersa Gjermania me Avione speciale ushtarake,ka marre paciente te
    infektuar nga Franca dhe Italia per ti trajtuar ne Spitalet gjermane,megjithese gjendja atje perkeqesohet çdo dite e më shume.
    Se çfar do te ndodhi pas pandemise,dihet,ajo qe ndodh me vendet qe nuk kan nje strategji kombetare ne ekonomi kur goditen
    nga fatkeqesite natyrore.Leku ka humbur shume pike vetem ne dy Jave..

    Reply to this comment
  3. Cuf Plloçi (lumjon pa tesër partie) March 31, 00:50

    Po ata 30 mjekë e infermierë sipas shtypit italian s’kishin asnjë dokument përkatës shoqërues, ku të justifikohej shkollimi dhe aftësia e tyre profesionale o Bedro?

    Do thuash ti që shkrimin e kishe postuar para se të bëhej publike autogoli i radhës i kryepinokut.

    Hajde se po ta falim pakujdesinë, po me të ashtuquajturën opozitë (!?) pse u zgjate tej mase? Të jesh vërtet aq naiv, sa mos të arrish ta kuptosh se monizmi i pardesybardhëve ramizalistë rallë e në të dendur po shfaqet bash cullak?

    Cfarë i lidh humbamenot salinistë me pandeminë? Kush po di t’ja dijë sot për ca looser, të cilëve nuk u dimë as emrat dhe jo më veprat, kur “pandemia” që ka pllakosur e ka paralizuar dukshëm aktivitetin e glasës parapolitike është shpërngulur dhe ka zënë rrënjë ke sivëllezërit e tyre siamezë?

    Sidomos pas paktit të çadrës dhe shkartisjes së letrave prej liderit të saj de juro, opozitarët pëdëistë duket se kanë rënë squk. Atyre ka vite që s’po i ndihet zëri fare, a thua se janë pajtuar me situatën dhe favoret që u ka krijuar “kali i trojës” i vendosur me hir e me pahir në hollin e selisë rozgë.

    Sot vetëm tek-tuk mund të gjesh ndonjë zë të ngjirur opozitar, i cili mund të ngjallë një fije shprese të paktën ke ata pak kaqola që i besojnë ende verbërisht gojëdhanave të dygishtorëve për gjoja “ndryshim”.

    Ndryshe janë përkatësitë dhe interesat e grupimeve politiko-shoqërore në Kosovë. Pak më ndryshe duket sikur janë dhe vetë deputetët. Nga fjalimet dhe debatet e forta politike në parlamentin e Kosovës, ku pas “puçit koronal” që i bënë obskurantistët qeverisë së sapo zgjedhur të Albin Kurtit, ajo që spikati më shumë ndër të tjera ishte dhe retorika e znj. M. Kusari Lila dhe fjalimi dinjitoz i Vjosa Osmanit.

    Nuk e di se ç’përshtypje kanë të tjerët, pro kur bëj në mënyrë krejt spontane krahasimin mes politikanëve të atjeshëm me sharlatanët tanë që s’dinë të formojnë rjedhshëm dhe me domethënie as edhe një fjali të vetme, të them të drejtën sikur të përzihet.

    Kështu Bedri, për ty sot është radha e mjekëve, kurse nesër ajo e specialistëve të të gjitha fushave. Bukur! Po radha e klasës (jo para) politike kur mendon se do të vijë? Më 36 gusht, apo kur të qethen viçat?

    Reply to this comment
  4. ? March 31, 01:31

    Eh, ç’te thuash foli edhe Orakulli i Delfit, ish-Zerpopulist.

    Reply to this comment
  5. Veshi March 31, 07:13

    Alarmi eshte boteror, pas Alarmit ch’fare do ndodhe?
    Une do te desheroja te ndodhnin keto :
    1) Pajtimi i perhershem i myslymanevd me chifutet.
    2) Pajtimi i shtetit grek me shqiptaret e greqise te debusr nga greqia si te poshter me emrin balliste dhe cham.
    3) charmatim global dhe bashkepunim global.

    Reply to this comment
  6. Veshi March 31, 07:17

    Alarmi eshte boteror, pas Alarmit ch’fare do ndodhe?
    Une do te desheroja te ndodhnte vetem kjo “Pajtimi i perhershem global dhe mirekuptim pa konflikte te armatosura.

    Reply to this comment
  7. h March 31, 16:08

    Pas epidemisë do ndodhi që,
    -Basha do bëhet kryeministër
    -berisha do flasi anglisht,dhe Italisht,
    -Meta intelektual,
    -Peka do zëvëndësojë Montanellin.
    -Lubonja do kthehet në Spaç,
    -Monika do mësojë edukatën,
    -Bushati do mohojë parimet e dajës,
    -Shehi do lejë rakinë dhe ploncat,
    -Vasili do vejë dhëmbë të reja,
    -Shqipëria do organizojë olimpiadën.

    Reply to this comment
    • ? March 31, 18:22

      -Edvin Rama do kthehet ne origjine dhe do te filloje te qihet ne bythe.

      Reply to this comment
      • h April 1, 16:08

        ? shpresojmë të kthehesh edhe ti në origjinë dhe të shkosh tek shpella nga dole.

        Reply to this comment
        • ? April 1, 18:13

          Une kam dale e jam ne kryeqytetin e botes or car me zile. (Mos je gjo ti ai qe qin Ramen per sevap o h?)

          Reply to this comment
  8. Gzim Kulufi March 31, 18:20

    A u pyeten specialistet, njerezit e ditur, ata te zanatit, e bla-bla-bla, pyet Bedriu. Jo zoti Bedri, sepse KM-ja pyet ata qe i japin parate nga jashte dhe e zhysin kete vend gjithnje e me teper ne gremine e ne varesi te tyre. Edi i ndritur ka nuhatje te jashtzakonshme per para, e jo per te ardhmen e vendit. Ai mendon per tash, dhe nuk i plas menderja per te ardhmen. Kaq gje nuk e ke kuptuar?!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim