Çfarë do të ndodhë në shtator? Manastirliu: Aktivitetet që do jenë të mbyllura pas heqjes së “shtetrrethimit”

June 24, 2020 08:07

Çfarë do të ndodhë në shtator? Manastirliu: Aktivitetet që do jenë të mbyllura pas heqjes së “shtetrrethimit”

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaron se heqja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk do të thotë se gjendja e pandemisë ka kaluar, pasi disa aktivitetet do të vijojnë të mbeten të mbyllura. Ministrja përmendi këtu dasmat, këndet e lojërave në ambiente të mbyllura, kinematë dhe teatrot.

Por, lajmi pozitiv është se me kalimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore vendi nuk do të ketë më rikthim në karantinë.

“Heqja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të thotë se nuk ka rikthim mbrapa në mbylljen dhe kufizimin e lëvizjes, por kjo nuk do të thotë se gjendja e pandemisë ka përfunduar. Ndaj qëndrojnë të gjitha masat në kuadër të gjendjes së epidemisë, që janë vendosur për të mos lejuar përhapjen. Kufizimet që mbeten në fuqi janë ato që lidhen me aktivitete që kanë risk të lartë, klubet e natës, këndet e lojërave me ambiente të mbyllura dhe pishinat. Gjithashtu kinematë dhe teatrot nuk do të hapen”, tha Manastirliu në një intervistë për Euronews Albania,

Ajo theksoi më tej se do të ketë vlerësim hap pas hapi për këto aktivitet që janë të mbyllura. Të ndaluara do të vijojnë të mbeten edhe dasmat të cilat ishte parashikuar se do të lejoheshin pas 23 qershorit. Sipas ministres grumbullimet familjare janë rrezik për infektimin zinxhir dhe shtyrja ka ardhur gjithashtu dhe për shkak të rritjes së numrit të të prekurve.

Sa i takon transportit publik, ministrja e Shëndetësisë tha se çdo udhëtar do të jetë i detyruar që të mbajë maskë dhe respektimi i protokollit do të monitorohet nga subjektet që do të ofrojnë këtë shërbim.

“Normaliteti i ri na dikton që të jetojmë në rregulla të reja dhe sot kërkohet më shumë se kurrë një ndërgjegje e lartë. Vendosja e maskës gjatë përdorimit të transportit publik është një detyrim”, tha Manastirliu.

E pyetur lidhur me shkakun e rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 pas lehtësimit të masave, ministrja e Shëndetësisë tha se, kjo ka ardhur kryesisht për shkak të mos respektimit të masave nga ana e qytetarëve pas heqjes së karantinës dhe kufizimeve.

E pyetur lidhur me infektimet e ndodhura së fundmi në QSUT, ministrja refuzoi t’i quante ato mungesë të vigjilencës në gjithë sistemin, por raste sporadike të cilat sipas saj nuk kanë munguar as në spitalet e vendeve më të zhvilluara si Italia e Gjermania, ndërsa siguroi se mjetet mbrojtëse për të garantuar sigurinë e mjekëve dhe infermierëve jo vetëm nuk kanë munguar, por kanë ardhur duke u shtuar.

Ministrja Manastirliu siguroi se sistemi shëndetësor në Shqipëri ka furnizimet e duhura sa i përket tamponëve për COVID-19, ndërsa e lidhi numrit e vogël të testimeve që kryhen në vendin tonë me atë që e cilësoi ‘smart testing’ apo testim sipas një strategjie.

“Ne kemi furnizim të tamponëve në vazhdim. Kemi synuar të kemi sasi të testimeve, por edhe cilësi. Nuk është vetëm çështja e testimit në vetvete. Por është edhe ‘smart testing’; ne testojmë për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit. Nuk do të ketë mungesë të testimeve molekulare dhe po hapim një laborator për testim molekular në QSUT. Kemi një plan për ta shtrirë, por po bëjmë testim, sipas një strategjie për të këputur zinxhirin e infeksionit”, tha ministrja e Shëndetësisë.

Ajo theksoi se sjellja e deritanishme e virusit COVID-19 është e paparashikueshme, çka e bën të pamundur hartimin e planeve për atë se çfarë mund të ndodhë në shtator, por shtoi se nga ana e qeverisë janë duke u ndërtuar të gjithë skenarët e mundshëm që nga shëndetësia deri arsimi.

“Ky virus është i paparashikueshëm dhe ne nuk mund të bëjmë dot plane afatgjatë dhe afatmesëm. Por ajo çka ne ndërtojmë janë skenarë të bazuar mbi projeksione. Ne jemi duke punuar fort që sa i përket shëndetësisë të kemi gati skenarët edhe për më të keqen, duke shpresuar gjithmonë më të mirën. Por gjithashtu edhe për shkollat, për t’ju përgjigjur jo vetëm me mësimin në shkolla, por edhe me mësimin online dhe për të gjitha ato aktivitete që janë të nevojshme, por që nëse do të duhet të përballemi me një vështirësi, duhet t’i përgjigjemi me një alternim të shërbimeve. Për riizolimin nuk mund të them sot, sepse situata është shumë dinamike dhe nëse një vaksinë do të zbulohet do të jetë shumë më e lehtë. Në rast të mungesës së një vaksine, masat e distancimin fizik, maskat, higjiena personale do të vazhdojnë të jenë masa që do të kenë shumë vlerë, si e vetmja armë që kemi në dorë kundër virusit”, tha ministrja.

o.j/dita

June 24, 2020 08:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim