Çfarë do të ndryshonte “Uber” në Shqipëri?

December 3, 2017 20:58

Çfarë do të ndryshonte “Uber” në Shqipëri?

Vetëm një celular dhe mund të udhëtosh kudo që dëshiron. Kjo është ajo që ofron “Uber“ për përdoruesit e saj, duke premtuar të eliminojë sikletin e thirrjes së një taksie, shpjegimin e destinacionit ku do të shkosh dhe pagesën, ku ndonjëherë shoferi nuk ka as të të kthejë kusur. Fitimi më i madh sipas disave është fakti që mund të shohësh menjëherë se sa do të kushtojë rruga, ndërsa vlerësimet e marra nga drejtuesi i mjetit të tregojnë se çfarë eksperience të presësh. Pavarësisht famës së keqe të kohëve të fundit prej zhvillimeve si bllokimi në Londër apo skandaleve të kompanisë, përsëri janë të shumtë ata që duan të shohin një shërbim të tillë të shtrihet edhe në Shqipëri.

Ndonëse për mundësinë e ardhjes së kompanisë në vendin tonë nuk diskutohet më prej dy vitesh, kur përflitej se “Uber“ do të vinte njëherazi në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, një deklaratë e kompanisë nuk e përjashton këtë opsion. “Ambiciet e “Uber“ janë të jetë kudo, në çdo qytet progresiv, që mendon përpara dhe që ka nevojë për transport të sigurt, të besueshëm dhe eficient, ne duam të jemi atje. Ne jemi gjithmonë duke eksploruar opsionet tona, përfshirë ato në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni”, shprehej zëdhënësi i kompanisë.

Nëse në fillesat e aplikacionit, tregu i transportit në vend ishte mbrapa në zhvillim teknologjik apo vuante nga një moshë e lartë e flotës së automjeteve, sot liberalizimi i shërbimit taksi me futjen e kompanive të mëdha ka mundësuar arritjen e ofertës në këtë nivel. Përfitimet kryesore të futjes në Shqipëri të “Uber“ do të ishin padyshim çmimi për përdoruesit dhe fleksibiliteti i orëve të punës për ata që kërkojnë një punë të dytë, apo duan të angazhohen tërësisht.

“Uber“ ofron katër lloje kryesore shërbimesh: ekonomik, ku udhëton me makina të zakonshme; Premium, ku mund të zgjedhësh makinën e zezë, makinën luksoze ose një fuoristradë; i aksesueshëm, i cili ofron lehtësira për njerëzit me aftësi të kufizuara; dhe carpool, ku ndan rrugën dhe kostot me udhëtarë të tjerë që ndjekin të njëjtin itinerar.

Ndërkohë për shoferët, “Uber“ ofron mundësinë të zgjedhin ata vetë kohën kur janë të disponueshëm, pra nuk ka orare fikse apo ditë të përcaktuara. Ata mund të zgjedhin vetë rrugët që do të marrin përsipër, do të marrin të dhëna statistikore për pagesat dhe xhiron, ndërsa çdo javë fitimet do të hidhen në llogarinë e tyre bankare.

Pikëpamje të ndryshme

Megjithatë, kur vjen puna tek “Uber“, pavarësisht shtetit ku ky aplikacion funksionon, janë gjithmonë dy palë që ndajnë mendime të kundërta nëse ky shërbim ka më shumë të mira apo të këqija. Nga njëra anë janë klientët, të cilët krahas një mënyre transporti më të lirë apo më luksoze, më të qetë apo më argëtuese, gjejnë tek programi një mënyrë të thjeshtë dhe cool për të lëvizur. Ndërsa nga ana tjetër janë shoqatat e taksive që paralajmërojnë protesta dhe kaos, nëse nuk ndalohet shërbimi i konsideruar nga ata i jashtëligjshëm. Nuk është çudi që edhe në Shqipëri kampet të pozicionohen në këtë mënyrë.

Të pyetur nga “scan”, shumë të rinj u shprehën se do të preferonin të udhëtonin me “Uber“ se sa me një taksi tradicionale, pavarësisht se koncepti i aplikacionit nuk ishte i qartë për të gjithë.

“Mendoj se me zhvillimin që po merr Tirana, futja e kompanive të huaja si “Uber“ është çështje kohe. Do të na hynte në punë jo vetëm ne të rinjve, por edhe të huajve ndoshta që vijnë këtu edhe nuk flasin shqip dhe hasin probleme të komunikojnë me shoferët e taksive”, shprehet studenti Merxhan Daci.

Ndërsa për Dritanin, 25-vjeç që punon si shofer mallrash, kur i shpjeguam për mënyrën e rekrutimit të shoferëve, “Uber“ iu duk si një shans i artë për të mos u ndier i kushtëzuar nga puna.

“Është super alternativë, sidomos për punën e orarit dhe faktit që zgjedh vetë se kë do marrësh. Gjithsesi në fillim nuk do e lija punën, por do e mbaja si diçka shtesë për të provuar se sa do më leverdiste”, thotë ai.

Por, nëse pyesim kompanitë e taksive, futja e një aplikacioni si “Uber“ është i panevojshëm aktualisht, pasi sipas tyre shërbimi i ofruar nga vetë ato arrin të plotësojë më së miri kërkesat e tregut, si në madhësinë e flotës, ashtu edhe në tarifa.

Aktualisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezultojnë të regjistruar 18 subjekte që kanë marrë licencën e ofrimit të shërbimit taksi. Një pjesë e mirë e tyre kanë mbi 20 automjete dhe dhjetëra të punësuar, ndërsa krahas shërbimit radiotaksi, ofrojnë edhe mundësi prenotimi përmes faqes së internetit apo aplikacionit në celular.

Ne ofrojmë shërbimin me telefon, me aplikacion, tarifat janë të përcaktuara dhe shoferët i kemi të shtrirë në të gjithë Tiranën. Nuk shoh asnjë përfitim nga “Uber“, madje do falimentojë disa nga kompanitë më të vogla, apo taksistët e thjeshtë”, shprehet drejtuesi i një prej kompanive të taksive që operon në të gjithë vendin.

Por, çuditërisht taksistët e vegjël kanë një qëndrim disi pozitiv për futjen e shërbimit.

“Nuk ka si ta prishë tregun “Uberi“ se tregu është i prishur në momentin që kompanitë e taksive qarkullojnë si të duan në Tiranë, kanë shërbimin radiotaksi dhe ndajnë rrugët. Po të abonohem në radiotaksi përqindja që më mbajnë është shumë e lartë, zëre se bëhem punonjës i tyre dhe s’më leverdis. Meqë “Uber“ ka aplikacionin falas, për mua është një burim më shumë klientësh dhe barazohem me kompanitë”, thotë Bledi, taksist prej 8 vjetësh.

Madje taksistët që veprojnë me licencë nuk u druhen as shoferëve shtesë që pritet të regjistrohen në program.

“Ata s’na ndikojnë dot në fitime se ne më së shumti kemi të bëjmë me klientë të rregullt. Shoferët që do futen do e bëjnë disa orë, nuk do jenë tërë ditën në punë si ne. Unë mendoj se do na shtohet puna madje, për shkak se futemi edhe në tregun e klientëve që nuk janë pranë vendqëndrimeve tona”, shton Fatosi, që e bën këtë profesion prej 10 vjetësh.

Pengesat ligjore që mund të hasë

Krahas kundërshtimit të mundshëm të konkurrencës, funksionimi i “Uber“ në vendin tonë do të mund të hasë edhe në pengesa ligjore, mbi bazën e të cilave shteti mund të vendosë për ndalimin e shërbimit. I tillë është neni 9 në ligjin “Për transportet rrugore”, i cili shprehet se “Transporti i udhëtarëve lejohet vetëm me mjete origjinale të prodhuara për këtë lloj transporti”. Kjo do të binte ndesh me parimin bazë të shërbimit, ku shoferët përdorin makinat e tyre personale.

Por me një interpretim ndryshe të Kodit Rrugor, “Uber“ mund të argumentojë se shërbimi i ofruar nuk është transport i pasagjerëve, por dhënie me qira e automjetit bashkë me drejtues mjeti. Kjo konsiderohet përdorim vetjak dhe neni 84 saktëson se për këtë qëllim mund të përdoren të gjitha autoveturat që kanë kaluar kontrollin teknik.

Gjithçka do të duhej në këtë rast do të ishte marrja e një licence për ushtrimin e veprimtarisë. Edhe nëse shteti do të donte të ndërhynte, hapësira që mund t’i lërë ligji është futja e detyrimit për të përmbushur disa kritere të veçanta për shoferët, të ngjashëm me “dëshminë e taksistit”.

Sipas këtij dokumenti, mund të kërkohet që shoferët e “Uber“ të kenë disa njohuri specifike, të cilat do të vlerësohen në bazë të një testimi, si dhe të jenë të pajisur me leje drejtimi të kategorisë D. Në këtë rast, numri i shoferëve potencialë do të reduktohej, duke lënë më së shumti si kandidatë ata që operojnë aktualisht si taksistë. Por a do të duhet të ishte shteti shqiptar kundër? Shumica e qeverive të vendeve të tjera ku ka hasur polemika për aplikacionin kanë mbajtur një qëndrim neutral.

Politikisht qeveria fiton në këto tre pika, kur vjen puna tek “Uber“: shtohet një tatimpagues i madh, krijohen disa qindra vende pune dhe qytetarët janë më të lumtur prej tarifave më të lira.Për të hulumtuar se si do të ishte një eksperiencë në vendin tonë, nuk është nevoja të shkojmë deri në Londër, Itali, Danimarkë apo Barcelonë. Fare pranë Shqipërisë, Bullgaria dhe Hungaria mund të shërbejnë si shembuj të përshtatshëm.

Bullgaria e quajti shërbimin si “praktikë tregtare e padrejtë” dhe nëse aplikacioni do të rikthehet në tregun bullgar, do të duhet të përmbushë kërkesat minimale të ligjit dhe të regjistrohet si shërbim taksi.

Ndërsa në Hungari, pasi operoi për 2 vite e gjysmë, qeveria vendosi se shoferët e “Uber“ kishin shkelur rregullat që firmat e taksive duhet t’i përmbahen. Masat shkuan deri atje saqë autoriteti i komunikimeve ka të drejtë të bllokojë aksesin në internet për “shërbimet ilegale të shpërndarjes”.

Por duhet thënë se ndalimi i shërbimit nuk që një veprim që kaloi pa protesta në asnjë prej vendeve. Në Bullgari madje mbështetësit mblodhën 21 mijë firma në një peticion për kthimin e tij. 77% e qytetarëve nuk bien dakord me ndalimin e “Uber“ dhe shprehen se duhet të jenë të lirë të zgjedhin mënyrën se si udhëtojnë. Kompania është ende në përpjekje për të propozuar ndryshime në ligj, që do i lejonin rikthimin në këtë vend.

Nuk dihet nëse apo kur “Uber“ do të shtrihet në Shqipëri, por nga praktika është e thjeshtë të hamendësojmë se do të funksionojë për disa vjet, derisa të merren ose jo masat ligjore për ta bllokuar. E meqë mbështetja e qytetarëve është e garantuar, ndikimin final do ta ketë rezistenca e taksistëve, apo pranimi nga ana e tyre./ scan

December 3, 2017 20:58
Komento

3 Komente

  1. Eli December 4, 00:40

    Sherbim si Uber ka ne Shqiperi quhet ADDO dhe besoj se eshte nje sherbim qe i nevojitet shume vendit tone. Shume me lire se nje Taxi. Cdo vend i botes ka nje sherbim te tille, si psh: Uber dhe Lyft (USA), Zaleou (France), MyTaxi (Germani), Careem (Dubai), Didi (Kine), Grab (Indonesi, Malajzi, Philipine, Singapore, Tailand, Vietnam), etc. Nqs funksionon ne gjith vendet e botes pse jo ne Shqiperi?

    Reply to this comment
  2. xxx December 4, 02:03

    se Uber ka mangut shqiperia,
    shkoni mor se ju mori me qafe majmuneria ndaj perendimit
    keni idene ne c’vend jetoni, ne kuptimin cfare nevojash imediate ka ai

    Reply to this comment
  3. Unitedalb December 4, 17:47

    Ka sherbim si uber dhe quhet ADDO

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*