Ç’do të thotë të jesh hero në ditët tona

July 14, 2017 10:30

Ç’do të thotë të jesh hero në ditët tona

Nëse na duhet të zgjedhim mes një jete të përkushtuar me pasion dhe një jete të lehtë, duhet zgjedhur pasioni në vend të një jete të rehatshme. Ajo që ka më shumë rëndësi është ushqimi i shpirtit; kjo na dallon dhe na ndan, në fund të fundit, ne, njerëzve, nga kafshët

 Prof. Fatos Tarifa

 Për javë me radhë kisha menduar se ç’duhet t’u thoja studentëve të mi, ditën e diplomimit të tyre në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë, në cilësinë e Rektorit të këtij universiteti, por edhe në rolin e një prej mësuesve të tyre. E kam pyetur veten se ç’do të kisha dashur unë vetë të dija ditën e diplomimit tim dhe ç’mësime të rëndësishme kam marrë në këto 40 vite që kanë kaluar nga ajo ditë. Dilema, pra, ishte se ç’mund t’u mësoja më tej studentëve të mi, pas katër viteve shkollim, ditën e diplomimit të tyre. Si mund t’u isha i dobishëm sado pak për atë çfarë vjen më pas në jetët e tyre. Pas meditimesh të gjata, kuptova se unë vetë kam mësuar shumë nga urtësia e grekëve të lashtë, të cilët kanë inspiruar tek unë kurajën dhe forcën intelektuale për të jetuar një jetë sa më të vërtetë. Unë i jam, pa dyshim, mirënjohës profesorit tim të historisë së filozofisë dhe mentorit tim, të ndjerit Zija Xholi, që injektoi tek unë pasionin për klasikët dhe për dijen e filozofëve të lashtë grekë. Sa herë jam ndeshur me një dilemë morale, ose thjesht më është dashur një këshillë e urtë, këto i kam gjetur, veç të tjerash, edhe tek ai thesar intelektual që na kanë lënë trashëgim mendimtarët e shquar të Greqisë së Lashtë, e cila u bë djepi i mahnitshëm i qytetërimit europian.

Fatos Tarifa

Natyrisht, shoqëria e sotme është radikalisht e ndryshme nga shoqëria e Greqisë së Lashtë, por filozofia, tragjeditë dhe komeditë e grekëve të lashtë përmbajnë shumë të vërteta universale. Nga Sokrati kam mësuar se ne nuk mund t’u mësojmë të tjerëve asgjë; ne vetëm mund t’i ndihmojmë ata që të mendojnë vetë, duke zgjuar tek ata atë dije që çdo individ e ka të fjetur brenda vetes. Në këtë mënyrë, ne vetëm i ndihmojmë të tjerët të zgjohen e të kuptojnë se ata janë lindur me krahë dhe mund të shkojnë aq larg, sa ç’duan ata vetë të shkojnë.

1.

Për këto arsye, mendova të ndaja me studentët e mi, ditën e diplomimit të tyre, një pjesë të asaj diturie që na kanë lënë grekët e lashtë, me shpresë se mësimet e tyre do t’u jenë të vyera në jetë, ashtu siç kanë qenë për autorin e këtyre radhëve dhe për miliona njerëz të tjerë në botë.

Së pari, jetët tona janë të shkurtra e të brishta, ndaj edhe shumë të çmuara për të mos i shpërdoruar. Dhe, të mos harrojmë, kjo jetë mbi Tokë është e vetmja jetë që kemi dhe është vetëm këtu, mbi Tokë, ku mund t’i kërkojmë e t’i marrim të gjitha të mirat e saj.

Së dyti, askush nga ne nuk e di se cilët jemi derisa zbulojmë dhe kuptojmë se çfarë mund të bëhemi. Brenda secilit prej nesh fshihet individi që ne ende s’jemi bërë. Ne bëhemi ai individ që mundet të bëhemi vetëm përmes përpjekjesh të shumta dhe një lufte të vazhdueshme. Ka, pa dyshim, faktorë dhe forca të shumta që na pengojnë të bëhemi ato qenie humane që mund të bëhemi, por kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga përpjekjet tona; përkundrazi, kjo do të thotë se duhet të përpiqemi edhe më shumë. Këtë kishte parasysh Gëte, kur, në faqet e fundit të Faustit, shkruante: “Liria dhe jeta fitohen vetëm nga ata që triumfojnë mbi to çdo ditë”.

Së treti, çdonjëri nga ne ka një odise shpirtërore të vetën, një udhëtim që kryhet jo në hapësirë, por në oqeanin e kohës. Kjo është një odise që na sfidon t’u kthehemi vlerave të një të kaluare të largët dhe t’i bëjmë ato pjesë integrale të jetës sonë të përditshme. Në këtë odise ne s’mund t’ia dalim të vetëm; që të arrijmë portin ku duam të vemi, kemi nevojë për ndihmën dhe dashurinë e të tjerëve. Ata, gjithashtu, do të kenë nevojë për ndihmën dhe dashurinë tonë, nëse duan të na bashkohen në këtë udhëtim.

Së katërti, në këtë odise do të ndeshemi me pengesa të shumta dhe do të joshemi nga gjëra që na pengojnë të shkojmë përpara. Mund të ndodhë që të lodhemi e të dorëzohemi përpara vështirësive, duke u përpjekur me dallgët, duke lënë të na marrë rryma dhe duke hequr dorë nga ëndrrat tona. Sidoqoftë, pengesa më e madhe – dhe, njëkohësisht, rreziku më i madh – nuk është jashtë nesh, por brenda nesh. Kjo është dobësia jonë përpara vështirësive për të ndryshuar te vetja atë që jemi dhe për t’u bërë ata që mund të bëhemi.

Së pesti, jetët tona duhen jetuar me pasion, por duhet bërë kujdes ndaj atyre gjërave që na ndjellin joshje. Nëse na duhet të zgjedhim mes një jete të përkushtuar me pasion dhe një jete të lehtë, duhet zgjedhur pasioni në vend të një jete të rehatshme. Ajo që ka më shumë rëndësi është ushqimi i shpirtit; kjo na dallon dhe na ndan, në fund të fundit, ne, njerëzve, nga kafshët.

Grekët e lashtë, natyrisht, nuk kishin një përgjigje për çdo gjë. Ata dështuan shumë herë. Por, ata shtruan pyetje – shumë pyetje – dhe i formuluan ato me një intuitë të habitshme në filozofi, në letërsi dhe në arte me aq pasion e mënçuri, sa asnjë popull tjetër i lashtësisë. Talentet, veprimtaria dhe arritjet e tyre, ka thënë Engelsi, u kanë siguruar grekëve të lashtë “një vend të tillë në historinë e zhvillimit njerëzor, të cilin nuk mund ta pretendojë asnjë popull tjetër”. Përveç kënaqësisë së të jetuarit, grekët e lashtë e merrnin jetën seriozisht – jo seriozisht në kuptimin që ata nuk qeshnin me jetën dhe dobësitë e tyre, por seriozisht mjaftueshëm për ta drejtuar forcën e arsyes e të inteligjencës kritike ndaj vetes dhe ndaj mangësive të tyre. Kërshëritë dhe pyetjet e tyre fondamentale janë pikërisht trashëgimia e çmuar që ata na kanë lënë ne, brezave të sotëm.

2.

Sot jetojmë në një shoqëri materialiste, mes një bollëku që asnjë shoqëri tjetër nuk e ka njohur më parë. Në këtë shoqëri, përparësi u jepet pushtetit dhe posedimit të pasurisë, pra gjësë materiale dhe jo diçkaje kaq të padukshme, si shpirti human. Çdo ditë na thuhet se ne, si njerëz, jemi ajo ç’ka posedojmë, prona që kemi, se lumturia jonë buron nga fitimi, nga prona, nga gjërat që kemi në përdorim, dhe se sa më shumë pronë të kemi, aq më të lumtur do të jemi. Ky mesazh na përcillet në mënyrë të përsëritshme, çdo ditë, me fjalë, përmes reklamave komerciale, por edhe përmes imazheve që na rrethojnë ngado, nga mëngjesi në mbrëmje, dhe përmes rasteve të individëve që na paraqiten si shembuj suksesi.

Sot jetojmë në një shoqëri teknologjike, që karakterizohet nga një ritëm marramendës, dhe nën presionin e këtij ritmi. Për këtë shkak, shumë herë bëhet e vështirë të mendojmë në mënyrë kritike e të reflektojmë mbi kuptimin dhe qëllimin e jetës sonë. Në fakt, ky ritëm na pengon të reflektojmë, pasi e bën të vështirë të shohim perspektivën e gjërave. Kompjuterat që përdorim janë të mbushur me të dhëna, por të zbrazur nga dituria. Ne kemi sot të gjitha përgjigjet që do të na duhen ndonjëherë; ato çfarë na mungojnë janë pyetjet, ato pyetje, të cilat, nëse i gjejmë, mund t’u jepnin kuptim dhe qëllim të gjitha fakteve të zbrazëta që posedojmë.

Ne jetojmë në një hiperkulturë, një kulturë që lëviz shumë shpejt për të qenë humanisht e dobishme. Në jetët tona sundohemi nga pushteti i së tashmes, nga pushteti i një së tashmeje insistuese, që s’njeh asnjë dimension tjetër kohor. Në një shoqëri të tillë, pak gjëra zgjasin, ose mendohet se duhej të kishin jetëgjatësi. Në të kundërt, ne rrethohemi nga një fluks i pandërprerë dhe, për rrjedhojë, duket se nuk ka vend për një përkushtim pasionant, përsa kohë që nuk ka asgjë të përhershme së cilës t’i përkushtohemi. Rrallë shohim një ndjenjë obligimi ndaj njëri-tjetrit, ose një ndjenjë obligimi ndaj çdo gjëje që është jashtë Unit tonë tranzitor. Kudo që shkojmë, sundohemi nga një urgjencë në bërjen e gjërave. Kjo nuk është një urgjencë e natyrshme, por një urgjencë elektronike, që invadon jetët tona dhe që kërkon prej nesh t’u përgjigjemi me shpejtësinë e dritës të gjitha kërkesave e nevojave që na imponohen nga jashtë. Është e njëjta urgjencë false që po e çjerr përherë e më shumë fabrikën e jetëve tona.

Filozofët e lashtë grekë na mësojnë që të gjejmë mundësi të mendojmë në mënyrë kritike e të reflektojmë përpara se të humbasim në ritmin marramendës të shoqërisë në të cilën jetojmë, përpara se t’i humbasim mundësitë për t’u bërë ato qenie humane që mund të bëhemi. Ata na mësojnë që ta shndërrojmë këtë hiperkulturë frenetike në një kulturë humane përpara se të jetë shumë vonë. Dhe, nëse nuk mundemi dot që ta shpëtojmë këtë botë, thoshin ata, atëherë le të fillojmë duke shpëtuar veten tonë dhe ata që duam, pasi vetëm përmes ndryshimeve të vogla e të pjesëshme mund të krijojmë një botë të re. 

3.

Kreativiteti dhe qëndrueshmëria e mësimeve të grekëve të lashtë mishërohen në disa parime esencialë, çdonjëri prej të cilëve përfaqëson një ide të vetme e dinamike. Së bashku, ata përbëjnë një vizion që mund të transformojë jetët tona, siç ka transformuar edhe jetët e shumë gjeneratave të tjera në Europë, që nga Rilindja e këtej. Këto parime dhe mesazhet e tyre mund të formulohen si më poshtë:

Humanizmi – Të jemi krenarë për aftësitë tona, si qenie humane, dhe të kemi besim se falë këtyre aftësive mund të arrijmë gjëra të mëdha;

Kërkimi i përsosmërisë -Të përpiqemi të bëhemi çdo ditë më shumë se ç’ishim dje, dhe nesër më shumë se ç’jemi sot;

Moderacioni – Ekstremet janë të rrezikshme, ndaj duhet të ruhemi prejt tyre e të jemi të moderuar në gjithçka;

Njohja e vetvetes – të njohim e të kuptojmë si dobësitë tona, ashtu dhe aftësitë dhe forcën që kemi;

Racionalizmi – Të kërkojmë të vërtetën duke u mbështetur jo në autoritetet, por në aftësinë e mendjes sonë;

Kurioziteti – Të përpiqemi të mësojmë se si janë gjërat në të vërtetë, jo thjesht si na duken ato;

Liria – Vetëm në kushtet e lirisë ne, njerëzit, mund të realizojmë potencialet tona dhe të përmbushim qëllimet e dëshirat tona;

Individualizmi – Çdonjëri nga ne, pavarësisht origjinës ose përkatësisë, duhet të jetë krenar për atë që është si një qenie njerëzore unike.

Këto ide të vyera të grekëve të lashtë na mësojnë që të përpiqemi gjatë tërë jetës për të qenë individë të lirë, kuriozë për të mësuar, të përdorim arësyen tonë për të njohur më mirë veten dhe të tjerët, të jemi të moderuar në përpjekjet tona për të jetuar një jetë të suksesshme dhe për të përmbushur premtimin që na ofron humaniteti ynë.

4.

Marksi thoshte se “rrethanat i bëjnë njerëzit po aq sa njerëzit vetë krijojnë rrethanat e tyre”. Edhe pse askush nga ne nuk është në gjendje që t’i zgjedhë rrethanat e jetës së vet, çdonjëri prej nesh e ka vetë në dorë formimin e karakterit të tij. Janë aftësitë tona relative dhe dobësitë tona relative ato që na mundësojnë të parashikojmë fatin tonë. E ardhmja e secilit prej nesh nuk është domosdoshmërisht diçka që përcaktohet nga jashtë nesh, ajo është në dorën tonë. Siç thoshte Shekspiri, fati ynë përcaktohet “jo nga yjet, por nga vetë ne”.

Sigurisht, edhe nëse çdonjëri nga ne do të përpiqet të arrijë përsosmërinë, jo të gjithë do të jenë fitues. Njëlloj si në rastin kur pi shumë verë, përpjekjet për të arritur përsosmëri nuk garantojnë një rezultat të lumtur. Në festivalet konkurruese të Dionisit, ashtu si dhe në Lojrat Olimpike, kishte më shumë humbës sesa fitues. Përpjekjet konkurruese kanë nënkuptuar kurdoherë rrezikun e humbjes, por grekët e vjetër ishin, nga natyra, “risk takers”. Sigurisht, jo çdokush mund ta hedhë diskun më larg, ose të vrapojë më shpjejt sesa të tjerët, dhe jo çdokush mund të shkruajë një roman apo një poezi që të fitojë çmimin më të lartë, por jeta nuk kërkon këto prej çdonjërit nga ne. Ajo që kërkohet nga ne është që të zbulojmë e të kuptojmë ato gjëra, që ne mund t’i bëjmë më mirë dhe t’i bëjmë ato me mendje dhe me shpirt. Grekët e lashtë kurrë nuk e shihnin fitoren si heroizëm. Ashtu si Hektori, në Iliadën e Homerit, një individ mund të ishte një hero edhe nëse e humbiste luftën.

Të jesh një hero, ose të kërkosh përsosmërinë, do të thotë të jesh një prind i dashur e i përkushtuar, ose një mësues i pasionuar, do të thotë ta kryesh mirë punën që bën – cilado qoftë ajo – me ndershmëri, me integritet, me pasion. Të veprosh në këtë mënyrë do të thotë që të përmbushësh gjërat më të mira të natyrës tënde. Të bësh më pak se kaq do të thotë që të humbasësh shansin tënd për të provuar kuptimin më të plotë të jetës.

Kushdo nga ne duhet të dijë se cilat janë anët tona më pozitive, aftësitë tona më të spikatura dhe cilat janë ato gjëra që ne i bëjmë më mirë. Këto janë ato gjëra, në të cilat duhet të përqendrohemi dhe t’i përsosim më tej, ndërsa përpiqemi të arrijmë përsosmërinë. Dhe nëse lista e aftësive dhe e meritave tona personale nuk është e gjatë, nuk ka arsye të shqetësohemi. Kjo vetëm do të thotë se ne ende nuk kemi arritur ta njohim shumë mirë veten tonë. Me këtë kam parasysh forcën dhe aftësitë tona personale, jo domosdoshmërisht heroike, ashtu si dhe dobësitë tona personale, të cilat mund t’i shndërrojmë në forcë. Të përpiqesh të arrish përsosmërinë do të thotë të bësh më të mirën e mundur në çdo gjë që merr përsipër të bësh. Edhe nëse të tjerët nuk e çmojnë përpjekjen tonë dhe nuk shpërblehemi për atë që bëjmë, kjo s’duhet të na bëjë të përpiqemi më pak. Në fund të fundit, kënaqësia që ndjejmë ne vetë për gjërat e mira që arrijmë në jetë është shumë më e rëndësishme sesa pëlqimi prej të tjerëve për atë që bëjmë.

5.

Përpjekjet për përsosmëri nuk janë kurdoherë arritje. Woody Allen thotë se nëntëdhjetë për qind e suksesit varet nga të qenët i pranishëm aty ku krijohet një mundësi. Pra, jini të pranishëm kudo dhe kurdoherë që shfaqet një mundësi! Mos e humbni rastin për të qenë i pranishëm atje dhe atëherë kur një mundësi shfaqet për ju. Sepse, në fund të fundit, jetët e të gjithëve ne përbëhen nga momente të veçanta. Duke humbur një moment të dhënë, ne nuk mund ta dimë – dhe ndoshta kurrë nuk do ta mësojmë dot – se ç’mundësi kemi humbur bashkë me atë moment. Bota drejtohet nga ata që shfaqen në momentin e duhur dhe shfrytëzojnë mundësitë që u jepen, jo nga ata që presin t’ua ofrojnë këto mundësi.

Aleksandri nuk u lind “i Madh”; ai u bë i Madh. Si? Përmes edukimit të tij, dhe edukimi i tij është domethënës edhe për brezat e sotëm, për të kuptuar se si një individ mund t’i realizojë potencialet e tij humane. Karakteri i Aleksandrit të Madh u formua nga një baba që shërbeu si një model për të, nga një nënë që e mësoi të ëndërrojë, nga një mësues që rrënjosi tek ai vlera inspiruese dhe, natyrisht, nga miti. Kushdo nga të rinjtë e sotëm duhet të kërkojë jo më pak nga vetja dhe nga mësuesit e tij. Edhe pse askush nuk ka e nuk do të ketë një Aristotel si mësuesin e tij, mençuria e këtij filozofi të shquar të lashtësisë mund t’i jetë e dobishme kujtdo që lexon veprat e tij.

Arsimimi dhe edukimi i njeriut nuk përfundojnë me diplomimin e tij, por janë një mision që vazhdon tërë jetën. Ky mision vijon – përmes leximeve të pavarura, përmes reflektimit, të menduarit kritik dhe diskutimeve – atë që Robert Maynard Hutchins, dikur President i Universitetit të Çikagos, e quante “the great conversation”, një dialog “që filloi me lindjen e historisë dhe që vazhdon në ditët tona”.

July 14, 2017 10:30
Komento

5 Komente

  1. Toni July 14, 11:44

    artikull(eshte pak ta quash keshtu/eshte me shume se ese) i ndritur. I shkruar nga nje intelektual i verte dhe i kompletuar(nga te paktet filozofe qe kemi)

    Reply to this comment
  2. demo July 14, 11:53

    Ti na ke munguar Aristotel! Shikoje Edi Rama cfare filozofi dhe dergoje ambasador ne SHBA te lyeje ambasaden!

    Reply to this comment
  3. thana July 14, 12:13

    Profesor Tarifa a e shikoni se sa te kunderta jane mesimet e grekeve te lashte me ato mesimet e nenes parti?
    Lexoni me vemendje veprat “Rrno per me tregu” te At Zef Pellumbit dhe “Rruget e Ferit” e “Ferri i Care” te Visar Zhitit, se ketu do te gjeni mesime shume me te vlefshme per t’ua thene studenteve tuaj shqiptare ne diten e diplomomit.
    Edhe gjate vitit shkollor mesojuni studenteve filozofine e vjeter duke treguar dhe shkaterimin moral qe solli diktatura komuniste midis shqiptareve 2000 e ca vjet me vone.
    Asgje nuk u vlen te rinjve shqiptare me shume se sqarimi dhe denimi i krimeve te diktatures se proletariatit tek ne, Por ju bijte e pushtetareve komuniste nuk mund ta beni kete, prandaj ju lutem dejni sa me pare ne pension dhe mjaft i trulloset studentet tane…

    Reply to this comment
  4. Lola Komimi July 14, 12:40

    Përshëndetje, prof. Tarifa. Tema që ju keni dashur ta vini në qëndër të vëmendjes, është shumë e drejtë dhe e domosdoshme, sidomos për momentin që po kalojmë. Duket sikur vazhdon stresi i fushatës elektorale, vazhdojnë intrigat kundër fituesit me votat e popullit, dhe fituesi, që në pamundësi të qeverisjes, ndërmer hapa qeverisje në një formë tjetër nga ajo klasike, e cila ka sjellë dhe reagime të shumëllojshme në publik, e pritshme sidomos në rrethet e analistëve, intelektualëve që luftojnë për të drejtat e njeriut etj. Por e veçanta e kësaj dukurie është se, si dhe në zgjedhje, Edi Rama pretendon, se çfarë ka marrë përsipër të bëjë është, të afrojë popullin tek qeverisja, pra të krijojë një lloj bashkqeverisje, me anë të një bashkë-kontrate parazgjedhore. Kjo ka sjellë një furtunë komentesh positive, e shumë më pak negative në drejtim të mënyrës së zgjedhur nga Kryeministri, por që, pavarësisht nga qëllimi i drejtë, ka sjellë me vehte ashpërsim “të luftës së klasave” midis shumicës së popullit, që në vend të parajsës, në këto vite, ka përfunduar në rrugë, pa të drejtën e punës, dhe një pakice të vogël njerzish, që nëpërmjet pozitave shtetërore janë pasuruar aq sa nuk kanë ndjeshmërinë më të vogël ndaj pjesës tjetër të popullit, që I paguan. Këtë dukuri të ashpërsimit të situatës brenda shoqërisë sonë, unë kuptoj se Prof. Tarifa dëshëron, që t’i japë një drejtim tjetër atë të zgjidhjes së problemeve, duke ju drejtuar shpirtit, ushqimit të tij nga personi, duke ju referuar “Kulturës Greke”. Një popull duhet dhe dallon nga standartet zakonore e morale të palëkundshme nga ndryshimet që mund të pësojë shoqëria ku jeton’ e që varet dhe nga ligjet dhe shteti që e drejton . Në këto 27 vjet, populli ynë , që dallohej nga një sërë veçori të standarteve morale të larta, në mënyrë të dhunshme, me një program të përcaktuar shumë mirë, u drejtua në rrugën e shbërjes së këtyre standarteve, në arsim ,kulturë, ndjeshmëri, familje e shoqëri, dhe kryesorja në dashurinë ndaj Atdheut e krenarisë së të qënurit Shqiptar. Filluam të përbuzim vendin e bashkëkombasit, sikur ne nuk kemi një histori të lavdishme , përkundrazi vinim nga barbarët, si na quanin në lashtësi grekët, të cilët i përmend aq me adhurim Profesori i nderuar. Pa diskutim , në këtë kohë të vështirë, e mbushur vetëm më debate politike , premtime të rreme dhe ngjarje nga më të rënda , pjesë të shkatërrimit të familjes dhe shoqërisë në përgjithësi, një intelektual serioz, si z.Tarifa, mundohet dhe kërkon dhe rrugë të tjera, të lidhura me ndjeshmërinë e brëndshme, karakteristikë e popullit. Por , unë mendoj, se shpirtin e shqiptarit mund ta drejtosh duke u mbështetur në traditat e mbrekullueshme të tij, në arritjet dhe kulturën e tij të lashtë, në personalite të vendit që kanë bërë e sakrifikuar shumë për Shqipërinë, e jo në autoritete të shquar për të huajt e vendet e tyre. Të përmëndësh të pakrahasuarin Marks, për t’ju drejtuar ndërgjegjes së Shqiptarëve , nuk arrin asgjë, dhe kur i drejtohesh filozofëve grekë për të ndezur frymën e ndjeshmërisë tek shqiptarët, ke bërë të kundërtën. Mendoj, se përmendja e filozofëve grekë ( shumë të diskutueshëm në kombësi, se mund të jemi të një gjaku, sipas shumë studiuesve të huaj) , nuk ka as një të mijtën kontribut, nga mund të kishte analiza e punës titanike që kanë bërë Rilindasit tanë për ngritjen e ndërgjegjes Shqiptare , të vrarë e shbërë nga Turku, në 500 vjet, por dhe nga dredhitë , vrasjet e tradhëtitë e fqinjëve tanë, e për më shumë Grekët. Kam vënë re dhe ndjerë, se emocionet që sjellin vargjet e tyre, në ditët e sotme, kanë njëmiherë më shumë efekt, se dhe fjalimi më i bukur i një politikani të sotëm ( që nuk urrehet). Krenaria për Flamur, shihet qartë se ka efektin më të madh, duke u nisur nga Stadiumet e futbollit e në të gjitha evenimentet artistike ku i këndohet Shqipërisë. Në këtë moment të gjithë bëhen një, dhe nuk shikojnë “ Kisha e Xhamija”, në këtë moment “Feja e Shqiptarit ësghtë Shqiptaria”. Por kjo ndodh vetëm për pak çaste, më tutje vijnë lajme për drogë, prostitucion, vrasje…. Problemi që ju ngrini Profesor është vërtet shumë i drejtë, shpirtrat e njerzve duhen zbutur , duhen arsimuar, duhen kulturuar. Por , kur nuk ka punë, kur shkolla,mjeksia çalon, pjesa kryesore e popullsisë nuk do të dëgjojë për filozofët grekë por për stomahun, për ekonominë, se ashtu si thotë shkenctari Marks, “ njeriu kur nuk ka se ç’të hajë, mendon vetëm si e si të gjejë mënyrën për të siguruar të ngopë barkun”. Dhe kjo ëhtë filozofia e jetës, prandaj dhe “Politika është shprehje e koncentruar e Ekonomisë”. Prandaj, nuk e di në Kryeministri ka gjetur kohën e duhur ( pisku i vapës dhe për atë ) , por pa bërë NDRYSHIME (reforma) në çdo drejtim të zhvillimit shoqëror, pa i lënë në mes,duke vënë drejtësinë të parën në listë, shqiptari s’ka për të gjetur qetësi dhe kohë, për të parë brenda vehtes se tij, se do jetë duke u egërsuar më shumë , për të gjetur kafshatën për fëmijët e vehten.

    Reply to this comment
  5. Artan Sejko July 14, 17:21

    Edhe vetem nje qiri e mund eresiren.
    Faleminderit

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim