Çfarë duhet bërë për menaxhimin e problemeve psikologjike pas tërmetit

December 3, 2019 10:22

Çfarë duhet bërë për menaxhimin e problemeve psikologjike pas tërmetit

Pranvera Kola

E ndërsa bilanci i dëmeve fizike të shkaktuara nga tërmeti i rënë rreth një javë më parë vijon të shtohet me kalimin e ditëve, ajo që mbetet edhe më shqetësuese është vështirësia që shfaqet në menaxhimin e frikës dhe panikut që po shkaktojnë lëkundjet e herëpashershme sizmike.

Përballë gjendjes së krijuar, ekspertët e Institutit të shëndetit Publik vijojnë të apelojnë për kujdes, duke identifikuar edhe disa masa që duhet të ndjekim në reduktimin e frikës dhe ankthit të shkaktuar nga tërmeti dhe paslëkundjet e tij, kjo veçanërisht tek fëmijët.

Si duhet të veproni

Për të menaxhuar sa më mirë situatën duhet të ruani qetësinë sa më shumë që të jetë e mundur. Konkretisht, lidhur me pyetjen se çfarë mund të bëjmë me menaxhimin e problemeve psikologjike pas tërmetit, ekspertët e shëndetit publik theksojnë se është shumë e rëndësishme që të përpiqeni për t’u përfshirë në rutinat normale të jetës së përditshme.

Kjo gjë ju largon mendjen gradualisht nga situata e krijuar, duke lehtësuar kështu edhe ndikimin që ka shkaktuar në shëndetin mendor. Mjaft e rëndësishme në kalimin e këtyre problemeve është edhe ndarja me miqtë, apo të afërmit e tjerë e ankthit dhe frikës që tërmeti ka shkaktuar tek ju.

“Mundohuni të relaksoheni dhe të ndiqni një stil jete të shëndetshëm që ka të bëjë kryesisht me ndjekjen e aktiviteteve të caktuara fizike, si dhe konsumin e ushqimeve të shëndetshme. Duhet të mendoni me qetësi në lidhje me masat se si duhet të reagoni nëse ndodh që situata të përsëritet”, shtojnë më tej ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik. Po sipas tyre, një tjetër këshillë që nuk duhet neglizhuar është edhe ajo e përdorimit korrekt të medikamenteve.

Në këto situata, ju duhet të shmangni përdorimin e alkoolit dhe të medikamenteve, në rast se nuk ua ka rekomanduar mjeku juaj. Në asnjë rast nuk duhet të merrni qetësues për të larguar frikën, apo ndjesitë e këqija që keni, pa u konsultuar më parë me një mjek specialist të fushës.

Ndikimi tek fëmijët

Specialistët e shëndetit thonë se janë fëmijët ata që kanë nevojë për më shumë kujdes dhe vëmendje në situata të tilla. Sipas tyre, është normale që fëmijët të kenë reagime të forta emocionale për ngjarje të tilla. “Fëmijët shfaqin sjellje të tilla, të cilat mund t’i mësojnë nga prindërit dhe media.

Ndaj, duhet të kufizoni eksesin e fëmijëve në media për materialet të lidhura me situatën sa më shumë që të jetë e mundur. Kujdesuni për bisedat që bëni në prani të tyre. Përpiquni të vendosni një balancë ndërmjet lejimit të tyre për të folur lidhur me atë që ndodhi dhe vazhdimit të rutinave, sipas mundësive që lejojnë rrethanat”, sqarojnë specialistët e ISHP-së.

Për të lehtësuar gjendjen emocionale të fëmijëve të tyre, disa nga masat që prindërit duhet të kujdesen që: të dëgjojnë fëmijët rreth shqetësimit që kanë, t’i inkurajoni të shprehin të shprehin frikën, ankthin apo zemërimin, thojuni vazhdimisht fëmijëve që kjo është një situatë e përkohshme, qëndroni pranë tyre dhe shprehuni afeksion”. Në rast se këto masa janë të pamjaftueshme dhe vëreni se fëmija juaj nuk po reagon më mirë ndaj situatës, duhet që të kontaktoni shërbimet profesionale nëse vlerësoni që duhet ndërhyrje e specializuar.

Kujdesi për higjienën

Ruajtja e higjienës jo vetëm individuale, por edhe në nivel komunitar është shumë e rëndësishme në kushtet e emergjencës që ka mbërthyer vendin. Për të shmangur ndërlikimet në shëndet që mund të vijnë nga kujdesi i kufizuar për higjienën, kjo veçanërisht në vendstrehimet e përkohshme, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik janë shpërndarë në terren për t’iu përgjigjur çdo nevoje të qytetarëve.

Ndërkohë që vijon ofrimi i shërbimit shëndetësor 24/7 për qytetarët e mbetur pa strehë që janë strehuar në pikat e emergjencës.

Autoritetet e dikasterit të shëndetësisë bëjnë me dije se ka nisur puna në terren sipas një plani të mirëpërcaktuar edhe për vaksinimin kundër gripit, kjo veçanërisht për të sëmurët kronikë, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në 5 vjeç, për t’i mbrojtur ata nga viruset stinore.

Trajtimi në spitale dhe qendrat e emergjencës

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme se numri i qytetarëve të lënduar nga tërmeti që po marrin trajtim në spitale ka ardhur në ulje (aktualisht janë 20 të shtruar në spitalin e Traumës, 4 në spitalin e Durrësit dhe 3 po kurohen jashtë vendit).

Sipas ministres, ekipet mjekësore janë përqendruar tashmë në dhënien e ndihmës mjekësore në terren, pranë banorëve të strehuar në hotele, apo në pikat e tjera të emergjencës. “Jemi përqëndruar në ofrimin e ndihmës mjekësore pranë hoteleve dhe pikave të emergjencës ku janë vendosur banorët dhe po garantojmë shërbim 24/7 dhe kemi siguruar barnat për të sëmurët kronikë”, deklaroi ministrja Manastirliu dje gjatë vizitës së zhvilluar në Shëngjin.

Ajo ka bërë të ditur se janë kryer 1990 vizita dhe trajtime mjekësore në hotele ku janë vendosur banorët e mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit. Gjithashtu janë kryer 3100 vizita dhe trajtime mjekësore në qendrat shëndetësore 24/7 pranë zonave të prekura nga tërmeti. Janë pajisur me medikamentet e nevojshme 376 të sëmurë kronikë.

Krahas ofrimit të kujdesit shëndetësor në të gjitha pikat e emergjencës të ngritura për banorët e prekur nga tërmeti, nuk ka munguar ofrimi i kujdesit psiko-social për fëmijët dhe të gjithë banorët që kanë pasur nevojë. Janë më shumë se 1500 fëmijë në këto ambiente që po marrin kujdesin e duhur psiko-social nga 300 psikologë dhe punonjës social në bashkëpunim me Shërbimin Social Shtetëror, Agjencinë e Fëmijëve, Urdhrin e Psikologut, organizatat si: UNICEF, Save the Children, World Vision.

Për më shumë siguri gjatë tërmeteve!

Duke qenë se lëkundjet vijojnë të përsëriten, ekspertët e ISHP-së ritheksojnë masat që duhet të mbani nën vëmendje për më shumë siguri gjatë tërmeteve. Nëse një situatë e tillë përsëritet, fillimisht duhet të përcaktoni pikat më të sigurta të banesës, për t’u strehuar në rast tërmeti. Shmangni vendosjen e mobilieve të rënda pranë.

“Siguroni në mure, raftet, bibliotekat, pikturat dhe pasqyrat dhe vendosni objektet më të rënda në katet e poshtme të mobilieve. Sigurohuni që dyert e rafteve, ose sirtarëve ku mbani pjatat, gotat, filxhanët dhe thikat të mos hapen në rast të lëkundjeve të tërmetit. Mësoni si të mbyllni rubinetat e gazit, ujit dhe automatit kryesor të energjisë elektrike. Mbani gjithnjë në shtëpi kutinë e ndihmës së shpejtë, elektrik dore, radio me bateri, etj. Nuk duhet të neglizhoni as këshilla të tilla si: mos qëndroni para shtëpisë pasi muret mund të bien dhe xhamat mund të thyhen, mos qëndroni poshtë shtyllave elektrike, apo pemëve që mund të bien. Duhet të shmangni përdorimin e ashensorëve”.

Këshillat që duhet të ndiqni:

  • Përpiquni të jeni të përfshirë në rutinat normale të jetës.
  • Shprehni ndjenjat dhe frikën me miqtë dhe të afërmit tuaj.
  • Mundohuni të relaksoheni, bëni një stil jete të shëndetshëm, përfshihuni në aktivitet fizik dhe ushqehuni shëndetshëm.
  • Mendoni me qetësi se si duhet të veproni nëse situata përsëritet.
  • Shmangni përdorimin e alkoolit dhe të medikamenteve pa rekomandimin e mjekut. Mos merrni vetë qetësues të parekomanduar.

Për më shumë siguri nga tërmetet duhet të:

  • Përcaktoni pikat më të sigurta të banesës, për t’u strehuar në rast termeti.
  • Shmangni vendosjen e mobilieve të rënda.
  • Siguroni në mure, raftet, bibliotekat, pikturat dhe pasqyrat dhe vendosni objektet më të rënda në katet e poshtme të mobiljeve.
  • Siguroni që dyert e rafteve ose sirtarëve ku mbani pjatat, gotat, filxhanët dhe thikat të mos hapen në rast të lëkundjeve të tërmetit.
  • Mësoni si të mbyllni rubinetat e gazit, ujit dhe automatin kryesor të energjisë elektrike.
  • Mbani gjithnjë në shtëpi kutinë e ndihmës së shpejtë; elektrik dore, radio me bateri etj.
December 3, 2019 10:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim