Çfarë duhet të bëjmë për të ulur presionin e gjakut?

February 23, 2018 16:31

Çfarë duhet të bëjmë për të ulur presionin e gjakut?

Pranvera Kola-DITA 

Një hipertension i patrajtuar mund të çojë deri në pasoja fatale për jetën. Përkundrejt shifrave në rritje të numrit të pacientëve që manifestojnë ndërlikime të shkaktuara nga rritja e presionit të gjakut (hipertension), ekspertët e ISHP-së, apelojnë që gjithsecili prej nesh duhet të jetë i kujdesshëm në njohjen e vlerave të presionit të gjakut, të cilat më pas diktojnë edhe shpeshtësinë e kontrolleve që duhet të kryejmë për të parandaluar rreziqet e mundshme shëndetësore.

Kjo pasi duke ulur presionin e gjakut, reduktohet edhe rreziku për të pasur një atak në zemër, apo goditje në tru. Në këto kushte, rekomandohet që në asnjë rast të mos neglizhoni kontrollon e presionin tuaj të gjakut. Kur vlerat janë më të ulëta se shifra 120/80mmHg, kontrollet për hipertension duhet të bëhen rregullisht çdo dy vjet. Ndërsa në rastet kur vlerat tuaja variojnë nga 120-139 mmHg dhe 80- 90 mmHg, kontrollet duhet të jenë të rregullta çdo vit.

Çfarë është presioni i gjakut?

“Presioni i gjakut është forca me të cilën gjaku lëviz nëpër arterie. Enët e gjakut mbartin gjakun nga zemra në të gjithë trupin, dhe zemra me kontraktimin e saj pompon gjakun në të gjithë trupin me anë të arterieve. Presioni i gjakut përbëhet nga dy komponentë: Presioni sistolik i gjakut, i cili është niveli më i lartë i presionit të gjakut që arrihet kur zemra rreh, apo pompon gjakun në arterie.

Vlera normale e tij është e barabartë ose më e ulët se 120 mmHg. Ndërsa komponenti i dytë është presioni diastolik i gjakut, i cili është niveli më i ulët i presionit të gjakut që arrihet kur zemra relaksohet midis dy rrahjeve të saj. Vlera normale e tij duhet të jetë e barabartë ose më e ulët se 80 mmHg”, theksojnë specialistët e ISHP-së, në udhëzuesin shpjegues të përgatitur mbi masat që duhet të merrni për parandalimin e kësaj sëmundjeje.

Kur ndodh hipertensioni?

Hipertensioni zhvillohet kur muret e arterieve të mëdha humbasin elasticitetin e tyre dhe bëhen të ngurta, apo kur enët e vogla të gjakut ngushtohen. Në qoftë se tensioni juaj i gjakut është 140/90mmHg ose më lart, për disa ditë, atëherë ju mund të keni hipertension.

Ju mund të keni hipertension edhe nëse njëri nga numrat është më i lartë se norma. Hipertensioni zakonisht nuk ka simptoma, apo shenja klinike. Ai është quajtur ndryshe dhe një vrasës i heshtur. Prandaj në asnjë rast nuk duhet të neglizhoni matjen e vlerave në mënyrë rutinë. Kjo me qëllim për të zbuluar në kohë rreziqet shëndetësore që kjo sëmundje mund të sjellë tek ju.

Lidhur me rreziqet që shkakton një hipertension i patrajtuar, ekspertët e ISHP-së sqarojnë se: “Me kalimin e kohës presioni i lartë i gjakut dëmton organet e trupit, rrit rrezikun për atak në zemër, goditje në tru, insuficiencë kardiake, insuficiencë renale, si dhe sëmundje të sistemit periferik të enëve të gjakut. Këto probleme shëndetësore mund të shmangen nëse presioni juaj mbahet nën kontroll”.

 

Kush e shkakton hipertensionin

Zakonisht nuk ka vetëm një shkaktar për hipertensionin. Sipas ekspertëve të ISHP-së janë shumë faktorë që mund të ndikojnë në zhvillimin e kësaj sëmundjeje. Ndër to përmenden të jenë: “mbipesha, konsumi i madh i alkoolit, konsumi i kripës mbi normën e lejuar, moskonsumi i frutave dhe i zarzavateve, mosha, si dhe historia familjare me hipertension, atak në zemër dhe goditje në tru, të cilat të kombinuara së bashku rrisin rrezikun për të pasur hipertension”.

Gjithashtu, duhet të dini se duke u rritur në moshë, edhe presioni i gjakut rritet. “Nëse keni hipertension mos e injoroni atë. Duke ulur presionin e gjakut ju ulni rrezikun për të pasur një atak në zemër, apo goditje në tru. Në vijim gjeni të detajuara 6 masat që duhet të merrni për të mbajtur nën kontroll presionin e gjakut”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së.

Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara shkaqet që ndikojnë në shfaqjen e hipertensionit, si dhe kujdesin që duhet të tregoni për të shmangur pasojat e rënda që sjell në shëndet.

 

  1. Mbani një peshë të shëndetshme

Sikundër u theksua pak më lart, mbipesha rrit presionin e gjakut. Ndaj mjekët rekomandojnë që të mbani një peshë trupore të shëndetshme nëpërmjet ndjekjes së aktivitetit fizik të rregullt dhe një ushqyerjeje të shëndetshme.

Nëse jeni obezë, apo mbipeshë humbja 10 për qind të peshës suaj mund t’ju ndihmojë në uljen e presionit të gjakut.

  1. Konsumoni më pak kripë

Konsumi i tepërt i kripës rrit presionin e gjakut. Reduktoni sasinë e kripës në ushqime, si dhe konsumoni më pak ushqime të përpunuara, të cilat kanë sasi të madhe kripe.

Gjithmonë kontrolloni etiketat e ushqimeve dhe merrni produkte që kanë më pak se 0.25 g kripë për 100 gram.

  1. Konsumoni më pak alkool

Konsumi i sasive të mëdha të alkoolit mund të rrisë presionin e gjakut me kalimin e kohës, si dhe të dëmtojë zemrën dhe mëlçinë. Rekomandimet janë për 3-4 porcione alkool në ditë për meshkujt, dhe 2-3 porcione për femrat.

  1. Konsumoni më shumë fruta dhe zarzavate

Ngrënia e 5 ose më shumë porcioneve me fruta dhe zarzavate çdo ditë, mund t’ju ndihmojë të ulni presionin tuaj të gjakut.

Këto mund t’i konsumoni të freskëta, të ngrira, të thata dhe të konservuara por kujdes, kontrolloni sasinë e kripës, sheqerit dhe yndyrave në to. Një porcion është 80 gram.

  1. Bëni një jetë më aktive

Kryerja e një aktiviteti fizik të moderuar, 30 minuta në ditë 5 herë në javë, do të ulë presionin tuaj të gjakut. Lëvizja në këmbë apo biçikletë, noti dhe kërcimi janë aktivitete shumë të mira. Të gjitha lëvizjet si loja, ecja, punët e shtëpisë dhe kërcimi kanë rëndësi. Ju duhet të jeni më aktiv gjatë ditës si përshembull duke marrë shkallët në vend të ashensorit, të ecni apo të përdorni biçikletën në vend të makinës. Ushtrimet bëjini me shokët dhe familjen, pasi kjo është më argëtuese dhe ju do të ndiheni më të motivuar. Para se të vendosni për të filluar ushtrimet, ju duhet të konsultoheni me personelin shëndetësor apo mjekun tuaj të familjes.

  1. Merrni ilaçet rregullisht sipas rekomandimit të mjekut

Nëse ju jeni diagnostikuar me presion të lartë të gjakut/hipertension dhe merrni ilaçe, ato duhet t’i pini në mënyrë të rregullt për të mbajtur presionin tuaj të gjakut nën kontroll. Medikamentet të cilat merren për të ulur presionin e gjakut parandalojnë plakjen e shpejtë të enëve të gjakut dhe të zemrës, si dhe reduktojnë rrezikun për goditje në tru.

 

p.k/dita

February 23, 2018 16:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*