Çfarë e shkakton erën e keqe të gojës dhe si duhet trajtuar

December 4, 2017 16:28

Çfarë e shkakton erën e keqe të gojës dhe si duhet trajtuar

Pranvera Kola-DITA 

Halitosis ka të bëjë me erën e keqe që vjen nga goja. Kjo mund të ndodhë në disa raste të caktuara, ose mund të jetë një gjendje kronike. Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita”, se janë të shumtë shkaktarët që mund të çojnë drejt erës së keqe të gojës. Sipas saj, mund të shkaktohet nga ushqime të ndryshme që hamë, nga higjiena e dobët e gojës, sëmundje të ndryshme, apo edhe faktorë të tjerë. Në disa raste edhe njerëzit e shëndetshëm kanë erë të keqe të gojës. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara të gjithë faktorët që ndikojnë në erën e keqe të gojës, si dhe këshillat se si mund të parandalohet.

Ndikimi i ushqimeve
Ushqimi është së pari burimi kryesor i erërave të këqija që vijnë nga goja. Disa ushqime, të tilla si: hudhra, qepë, ushqime me aromë, erëza ekzotike, disa lloje djathërash dhe peshku, por edhe kafja, mund të lënë një erë të pakëndshme të gojës dhe të vazhdueshme. Në shumicën e rasteve, era e keqe e shkaktuar nga ushqime të ndryshme është për një kohë të shkurtër. Por mbeturina të ushqimeve mund të ngecin nëpër dhëmbë duke nxitur shumimin e baktereve dhe kariesit dentar, gjë që shkakton erë të keqe të frymëmarrjes. Prandaj është shumë e rëndësishme higjiena e lartë e gojës.

Dieta e varfër në karbohidrate, rrezikojnë më tepër diabetikët
Po ashtu ndikojnë edhe dietat e varfra me karbohidrate (sheqerna) në shfaqjen e Halitosis. Dihet që karbohidratet janë një burim i rëndësishëm energjie për organizmin tonë. Në rast se ato nuk merren në sasinë e duhur, trupi i njeriut fillon të djegë dhjamin si burim energjie. Produkti përfundimtar i përfitimit të kësaj energjie janë ketonet, të cilët janë përgjegjës për aromën e pakëndshme të frymëmarrjes, një erë kjo e ngjashme me acetonin. Kjo erë “frutash të thartuara”, është karakteristike për personat që vuajnë nga diabeti dhe në këtë rast mund të na orientojë për çrregullimin e nivelit të sheqernave në gjak.

Pirja e duhanit
Faktor tjetër që ndikon në erën e keqe të gojës është edhe prirja e duhanit, e cila përveç erës së keqe që lidhet me nivelin e nikotinës në organizmin e njeriut, dihet që rrit probabilitetin e kancerit të mushkërisë, por edhe të pjesëve të ndryshme të gojës.

Higjiena e dobët
Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm që ndikon në krijimin e erës së keqe të gojës është edhe higjiena e dobët e gojës. Nëse dhëmbët nuk pastrohen rregullisht (minimumi dy herë në ditë, në mëngjes dhe në darkë para gjumit, atëherë mbeturinat e ushqimit që mbeten në dhëmbë do të kalben dhe do të çojnë në shumëzimin e baktereve dhe kanë një erë karakteristike.

Kariesi dentar
Kariesi dentar acaron shumë mishrat e dhëmbëve dhe mund të çojë në sëmundje të tyre. Forma e butë e sëmundjes quhet gingivitis dhe nëse kjo fazë nuk mjekohet, atëherë sëmundja përparon dhe quhet periodontitis (infeksione më të thella).

Ndikimi i sëmundjeve
Ndër problemet shëndetësore që ndikojnë në erën e keqe të frymëmarrjes përmendim: sinusitet, faringitet, bronkopneumonitë, tonsillitet (bajamet e infektuara), diabeti, refleksi gastroezofageal (kthimi i ushqimit mbrapsht), probleme të stomakut dhe të tretjes, sëmundje të mëlçisë, apo edhe të veshkave.

Goja e thatë
Një shkaktar tjetër mund të përmendim të ashtuquajturën “goja e thatë”, ose “xerostomia”. Pështyma ndihmon që të laget goja dhe të pastrohet njëkohësisht. Në rast se trupi nuk prodhon mjaftueshëm pështymë, atëherë mund të marrë si rezultat erën e keqe të gojës. Pamjaftueshmëria mund të vijë si rezultat i problemeve të gjendurave të pështymës, çrregullimet e indit lidhor, si edhe nga disa medikamente siç janë ato të alergjisë. Karakteristike edhe për njerëzit e shëndetshëm është era e keqe e gojës në mëngjes, kur sapo jeni ngritur nga gjumi. Kjo për faktin se gjatë natës, prodhimi i pështymës pothuajse ndalet duke i lejuar kështu bakteret të shumëzohen.

Mbajtja e protezave
Personat që mbajnë proteza e kanë rrezikun e shfaqjes se Halitosis më të lartë prandaj duhet të kujdesen për një higjienë shumë të lartë të gojës. Kjo kategori duhet që të kryejë edhe vizita tek mjeku stomatolog.

Shtatzania
Gjithashtu, gjatë shtatzënisë si rezultat i ndryshimeve të forta hormonale, apo edhe ndryshimit të ushqyerjes mund të kemi shfaqjen e Halitosis. Përveç erës jo të këndshme të gojës mund të kemi edhe ndryshime të shijes, gojë të thatë, ose praninë e shtresave në gjuhë.

Kur duhet të shqetësoheni për erën e keqe të gojës?
Nëse higjiena e duhur e gojës nuk e heq erën e keqe, atëherë së pari duhet të shkoni te një dentist për të kontrolluar komplet gojën. Po ashtu, duhet të vëreni nëse keni plagë të vazhdueshme në mukozën e gojës, bajamet e skuqura dhe me pika të bardha, vështirësi në përtypje ose në gëlltitje, raste për të cilat duhet të paraqiteni te mjeku i familjes. Gjithashtu, duhet të jeni të vëmendshëm nëse era e gojës shfaqet pas marrjes së ndonjë ilaçi të ri.

Si trajtohet Halitosis?
Trajtimi së pari varet nga shkaktarët të cilët duhen analizuar me kujdes nga mjeku dhe pacienti. Së pari rekomandohet mbajtja e një higjiene të rreptë të gojës, kryesisht nëpërmjet larjes së shpeshtë të dhëmbëve, por nuk duhet të lihet pas dore edhe larja e gjuhës me furçë për të hequr bakteret nga sipërfaqja e saj.

Janë të rekomanduara kontrolle të rregullta te dentisti çdo 6 muaj për të pastruar gurëzat, apo për të kontrolluar protezat. Ndaloni duhanin dhe alkoolin nëse vuani nga një problem i tillë. Edhe kafja duhet pakësuar.

Rekomandohet përdorimi i çamçakizave pa sheqer për të stimuluar prodhimin e pështymës. Rekomandohet një dietë ushqimore me ushqime që kërkojnë më shumë përtypje (molla, karota) për të mbajtur të vazhdueshme rrjedhjen e pështymës. Pini vazhdimisht ujë për të mbajtur organizmin vazhdimisht të hidratuar. Nëse fryma e keqe është një efekt anësor i ndonjë ilaçi, atëherë diskutojeni këtë më mjekun specialist. Asnjëherë mos e ndaloni ilaçin pa u konsultuar me mjekun. Për pacientët që vuajnë nga “goja e thatë” (xerostoma) mund të përshkruhet nga dentisti edhe pështyma artificiale.

Cila është ecuria e halitosis?
Në shumicën e rasteve aroma e keqe e gojës mund të eliminohet dhe të parandalohet me higjienën e duhur të gojës. Ecuria është e mirë dhe rrallëherë përbën problem serioz për shëndetin. Megjithatë, aroma e keqe e gojës mund të jetë një ndërlikim i një situate shëndetësore që duhet trajtuar me kujdes. Prandaj mos ngurroni të konsultoheni së pari me mjekun tuaj të familjes, ose me një dentist.

 

December 4, 2017 16:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*