Çfarë është demenca?

March 1, 2018 16:02

Çfarë është demenca?

 

Demenca nuk është një sëmundje në vetvete, por është një term i përdorur për të përshkruar një grup simptomash. Këto përfshijnë humbjen graduale të kujtesës, rënien e aftësisë për të menduar dhe arsyetuar, si dhe probleme me komunikimin. Këto simptoma shkaktohen nga disa gjendje dhe çrregullime.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), thonë se rreziku për zhvillimin e demencës rritet në mënyrë dramatike me moshën. Por, gjithashtu shtojnë se ka shumë persona që mund të jenë me moshë të re, por që kanë nisur të manifestojnë probleme demence.

“Në fakt, demenca konsiderohet ndër sëmundjet më të keqinterpretuara ditët e sotme. Shumë njerëz, në shumë vende, besojnë se demenca është një rezultat i paevitueshëm i moshës dhe për pasojë nuk kërkojnë trajtim për familjarët e tyre, kur ata shfaqin shenja të humbjes së kujtesës, apo simptoma të tjera të demencës. Të tjerë mendojnë se çdo episod harrese i atribuohet demencës, por asnjë nga këto përcaktime nuk është i saktë. Shpesh demenca ngatërrohet me sëmundjen Alzheimer”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së.

Rreziku për demencë

Rreziku për demencë përfshin moshën, histori familjare, përdorim të tepruar të alkoolit, rëndim të arterieve, presion të lartë të gjakut, nivele të larta kolesteroli dhe duhanpirjen. Po sipas bluzave të bardha, shkaqe të demencës janë faktorët të cilët çojnë në dëmtim të neuroneve. Kur qelizat e trurit dëmtohen, ato humbin aftësinë e tyre për të komunikuar me qelizat e tjera duke shkaktuar mosfunksionim.

Tipet më të përhapura të demencës janë:

  • Demenca Alzheimer. Sëmundja Alzheimer është forma më e zakonshme e demencës. Shkaku nuk është identifikuar ende.
  • Demenca vaskulare është forma e dytë më e përhapur e demencave dhe i detyrohet goditjeve të shumëfishta që ndodhin në tru.
  • Demenca frontotemporale është e lidhur me një atrofi të dukshme, apo tkurrje të lobeve frontale dhe temporale në tru.
  • Demenca e trupit Lewy. Sëmundja e trupit Leëy shkaktohet nga trupat Lewy, të cilat janë disa lëmshe anormale të proteinave të caktuara të vendosura brenda neuroneve.
  • Sëmundja “Creutzfeldt-Jakob”, është një gjendje e rrallë, ku një proteinë jonormale shkakton shkatërrimin e qelizave të trurit dhe demencë.
  • Sëmundja Huntington shkakton te pacientët e prekur lëvizje karakteristike jonormale, të quajtura “chorea”. Këto lëvizje përcaktojnë edhe diagnozën. Gjithsesi, në disa raste mund të shfaqen edhe probleme me kujtesën.
  • Demenca alkoolike shkaktohet kur pacientët pinë shumë alkool dhe zhvillojnë mungesë të një prej vitaminave B.
  • Demenca e përzier i referohet pacientëve që kanë të dhëna për dy, ose më shumë tipe demencash. Sëmundja Alzheimer dhe demenca vaskulare janë kombinimi më i zakonshëm në demencat e përziera.

Stadet e demencës

Përgjithësisht demenca kategorizohet në kategorinë e lehtë, e moderuar dhe e rëndë. Ndonjëherë pacientët mund të duket sikur janë në dy stade në të njëjtën kohë, gjë që varet nga simptomat që ata shfaqin. Stadet e ndryshme të demencës nuk mund të përdoren për të parashikuar se sa shpejt gjendja e dikujt mund të avancojë, dhe nëse pacientët mund të qëndrojnë në një stad për shumë vjet apo edhe për pak muaj. Çdo pacient ka progres të ndryshëm të sëmundjes. Në mënyrë më specifike janë përcaktuar edhe stadet e mëposhtme të demencës, të cilat përdoren shpesh kur diagnostikohet një demencë progresive.

Këto stade përfshijnë:

Stadi 1: Nuk ka dëmtim, pacienti nuk ka probleme.

Stadi 2: Ka dyshime për dëmtime të mundshme; pacienti fillon të ketë vështirësi, por gjithashtu mund të funksionojë mirë në mënyrë të pavarur.

Stadi 3: Dëmtim i lehtë, pacienti fillon të ketë probleme që të funksionojë i pavarur.

Stadi 4: Dëmtim i moderuar, pacienti ka nevojë për ndihmë në kujdesin për veten sikurse edhe për aktivitetet e përditshme.

Stadi 5: Dëmtim i rëndë, pacienti është krejtësisht i paaftë të funksionojnë në mënyrë të pavarur.

 

p.k/dita

March 1, 2018 16:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin