Çfarë fshihet pas zgjedhjes së drejtuesve të rinj të BE-së ?!

September 1, 2014 09:42

Çfarë fshihet pas zgjedhjes së drejtuesve të rinj të BE-së ?!

Ndonëse debati mbi zgjedhjen e funksionarëve të lartë të BE-së, që prej mbarimit të zgjedhjeve evropiane, është shoqëruar me një lloj zhvlerësimi mbi kompetencat e zbehta që mbartin këto poste, shtetet anëtare kanë lobuar pareshtur ndaj kandidaturave të tyre të preferuara. Zgjedhja e Federica Mogherinit, për postin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe zgjedhja e Donald Tusk, si President i Këshillit Evropian, shfaqen si ekuilibrues të disa faktorëve sa gjeopolitikë, por edhe historikë. Elementi kryesor, ekspozohet ndaj balancimit në kërkesat e palëve për një ndarje kompetencash mes dy kampeve kryesore politike. Nga ana tjetër, zgjedhja e Tusk, plotëson pretendimet mbi një ekuilibrim gjeopolitik përballë vendeve të ish-lindjes komuniste, të cilat kanë kërkuar vazhdimisht një përfaqësim më të lartë ne nivele politike në drejtimin e BE-së. Por, me zgjedhjen e Tusk, krijohet edhe një klimë e përkohshme qetësie ndaj kuadrit të rebelimit britanik, që mori forma të skajshme me zgjedhjen e kreut të KE-së, Juncker, një personalitet i gjykuar si tejet federal dhe konservator për të mundësuar reformat e kërkuara nga Britania e Madhe.

Me zgjedhjen e Mogherinit në krye të diplomacisë evropiane, kryeministri italian Matteo Renzi, arriti të përafroj kampin e majtë, në mbështetje të kandidaturës së tij. Por, a do të mund Federica Mogherini të jetë një zë i fuqishëm i politikës së jashtme evropiane? A do të arrijë shefja e re e diplomacisë së BE-së, të kontribuojë për pasjen e një kohezioni në politikën e jashtme të BE-së, ndërsa eksperienca e ka ekspozuar këtë fushë si tejet problematike me një objektiv thuajse të pamundur, daljen me një zë të vetëm në skenën ndërkombëtare?! Këtu shtrihet dhe sfida që ky post përmban në vetvete. Tashmë është e konfirmuar, se politika e jashtme e BE-së, ka qenë gjithmonë me prirje kombëtare dhe me disa institucione të Brukselit, që luajnë rolin e dorës së dytë dhe të tretë. Edhe Traktati i Lisbonës, që krijoi zyrën e përfaqësueses së Lartë, nuk synonte aspak të ndryshonte këtë politikë të jashtme, tejet kombëtare. Edhe zyra e Shërbimit të Jashtëm Evropian, thjesht vlerësohet se konsiston në kompetenca koordinuese për një politikë më koherente mes vendeve anëtare.

Nga ana tjetër edhe eksperienca e drejtimit të Ashton, si funksionarja e parë pas Traktatit të Lisbonës në këtë post, është gjykuar se përveç disa përjashtimeve, nuk ka impresionuar aspak vendet anëtare. Shërbimi i jashtëm evropian, pavarësisht kompetencave të siguruara nga ky traktat, nuk ka mundur dot të paktën deri në këto momente, të profilizohet me karakteristikat e një force, që unifikon qëndrimin e BE-së, duke përcjellë në skenën ndërkombëtare autoritetin e saj. Çdo situatë krize, (shembulli i fundit kriza në Irak), emergjence apo konflikti ka konfirmuar se vendimmarrja e politikës së jashtme të BE-së, nuk ka mundur dot të influencohet nga institucionet e reja të krijuara nga Traktati i Lisbonës, pasi pozicionimet janë tejet të fuqishme në rang kombëtar.

Zgjedhja e Donald Tusk, duket se ka përmbushur kërkesat, që vinin nga vendet e ish-lindjes komuniste për një përfaqësim në nivele të larta politike. Qëndrimi i prerë dhe autoritar ndaj Moskës zyrtare në konfliktin e Ukrainës, shkaktoi një rritje të popullaritetit të tij në Poloni. Në marrëdhënie tejet të mira me Berlinin zyrtar, me mbështetje pa rezerva ndaj SHBA-së dhe me një distance elegante ndaj Francës, Donald Tusk është mbështetur gjerësisht edhe nga kryeministri britanik Cameron. Sipas vizionit politik të Cameron, Tusk, do të jetë figura ideale, që do të mund t’i sigurojë Britanisë një mundësi ekuilibri në kërkesat e saj, përballë figurës të gjykuar si tejet federale dhe anti-reformatore të kreut të KE-së, Juncker. Gjatë deklaratave të tij, Tusk është shprehur se, është kundër ndarjeve dhe grupimeve, duke nënkuptuar veçimin e eurozonës. Ai është shprehur gjithashtu, se nuk e imagjinon dot Evropën pa Britaninë.

Por, elementi që tërheq vëmendjen në zgjedhjet e dy kandidaturave, është tendenca ekuilibruese ndaj faktorëve gjeopolitikë dhe historikë. Kjo përqasje vërehet edhe ndaj kontekstit të krizës aktuale në Ukrainë. Nuk duhet nënvlerësuar pesha e rëndë ekonomike, në këtë kohë krize dhe ngecje ekonomike në Evropë, nga vendosja e kundër-sanksioneve ruse, si edhe afrimi i një dimri, i cili kërkon rrjedhjen e gazit në një pjesë të mirë të rubineteve evropianë. Pavarësisht mos tërheqjes së Rusisë, dhe kërcënimit evropian për sanksione të tjera, tendenca e Berlinit shfaqet drejt një qetësimi të mundshëm të situatës. Zgjedhja e Mogherinit, e cila u konsiderua gjerësisht si nga shtypi evropian, por edhe nga disa shtete anëtare për qëndrime pro-ruse, konfirmon edhe vullnetin e saj të shprehur paraprakisht, se është pro thjeshtëzimit të dialogut dhe mbajtjes hapur të rrugës diplomatike me Rusinë, duke konfirmuar, se opsionet ushtarake nuk ekzistojnë. Nga ana tjetër, zgjedhja e Donald Tusk, mbështetës i hapur i Ukrainës dhe me qëndrime të qarta dhe kontestuese përballë Moskës, përmban në vetvete elementë të qartë balancimi. Duket se klima e zgjedhjes së drejtuesve kryesorë të BE-së, ka pajtuar më së miri ambiciet historike, gjeopolitike, me realitetin politik të krizës aktuale me Rusinë./im.ta/

 

September 1, 2014 09:42