Çfarë i duhet Kosovës sot

 Nga Bedri Islami August 16, 2014 14:26

Çfarë i duhet Kosovës sot

Kaluan kaq javë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë dhe hiset e pushtetit ende nuk janë ndarë. Prova që u bë , duke zgjedhur kryetarin e parlamentit, shefin e LDK-së, Isa Mustafa, u bllokua hë për hë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila, për herë të dytë del në rolin e forcës vendosëse. Disa vite më parë ajo hodhi poshtë vendimin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, megjithëse atë e mbështeste Hashim Thaçi dhe PDK-ja; herën e dytë bllokon vendimin për shefin e parlamentit dhe kësaj here është i një mendje me të edhe Hashim Thaçi.

Aktualisht në Kosovë kemi një qeveri në detyrë, vendimet e së cilës kontestohen çdo ditë nga grupimi politik LAN, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Jashtë saj kemi një qeveri tjetër, ende në hije, e cila pret që të marrë detyrën, dhe si duket të gjitha variantet janë të parashikuara: me ose me Vetëvendosjen; por jo me ose pa Listën Serbe. Ndërsa këto dy grupime, nga të cilat, e para ka në vete partinë me numrin më të madh të votave dhe liderin më të votuar, dhe e dyta numrin më të madh të deputetëve, por jo sa të mund të ngritin një qeveri tripalëshe, shfaqet, herë brenda tyre e herë jashtë tyre, vizioni i Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo e fundit aktualisht ka hyrë rëndshëm në lojën politike të ditës dhe të perspektivës; ajo, më mirë se gjithë të tjerat po bën llogaritë politike, jo vetëm të momentit, por edhe tej saj; dhe duke luajtur me litarin e kompromisit, herë tërhiq e herë lësho, po gjen terren gjithnjë e më të gjerë në lëmën e politikës në Kosovë. Përfundimisht, pavarësisht luhatjeve për ta pranuar ose jo, tashmë lëvizja e Albin Kurtit, liderit karizmatik, është në lojën e madhe të politikës me të gjitha kartat që të lejon kjo lojë, pa pasur drojë se nga lëshimet se kompromiset mund të dëmtohet. Teza e saj, ” me të gjithë, kundër Hashim Thaçit”, duan apo nuk duan ta pranojnë liderët e tjerë, është tezë e të gjithëve. Lidhja”antithaç” është tashmë një fakt i kryer dhe pret që të bëhet edhe realitet konkret.

Sidoqoftë, deri tani, të gjitha llogaritë po bëhen në tryezat e takimeve, në të cilat po bisedojnë edhe ata që deri dje ishin të papajtueshëm. Një vit më parë ishte e vështirë të mendohej se Lima mund të ishte këmbëkryq bashkë me Isa Mustafën, kur për më tepër dosjet e para të tij i bënë pikërisht njerëzit e LDK-së, përmes njerëzve të strukturës famëkeqe, “Sigurimi i Atdheut”. Kush mund të mendonte se Jakup Krasniqi pret edhe miratimin e Listës Serbe, kur është njëri nga të burgosurit politikë më të hershëm shqiptarë. Por politika është arti i të mundshmes dhe mëria e së djeshmes nuk duhet të mjegullojë një ditë të së nesërmes. Edhe disa javë më pas, gjithçka është ende në bisedime, herë dypalëshe e herë tri, herë optimiste e herë të menduara, por gjithnjë në të njëjtën fazë.

Bisedimet do të zgjaten deri në atë ditë kur zyra e presidentes do të bëjë hapat e mëtejshëm, duke dhënë bekimin për një kandidat, të cilin edhe ajo vetë, jam i bindur, se nuk e di se cili është, dhe emrin e të cilit mund ta dërgojnë, ashtu si dërguan edhe emrin e saj, përmes një zarfi të mbyllur. Lojrat që po luhen, mllefi që po hidhet, ndasitë që po krijohen, thellimet që po bëhen edhe më të thepisura, të gjitha së bashku dhe secila veç e veç, nuk janë në dobi të Kosovës. Ata humbin edhe më shumë kohë nga sa është humbur, ajo i lë terrenin e hapur çdo lloj shprishje të shtetit, bën që lëngata të jetë edhe më e thellë dhe kujet e politikës nuk mund të kthehen kurrë në oshëtima fitoresh.

Kosovës i duhen sot dy gjëra.

Së pari, të zgjidhë sa më parë ngërçin politik që sjell edhe zgjidhjen e strukturave të institucioneve të rëndësishme, jetike: të Kuvendit dhe të Qeverisë. Për të gjithë ata që e ndjekin lëvizjen politike në Kosovë, janë të bindur se lëshimi që bëri shefi i LDK-së, duke i lënë postin e shefit të ardhshëm të qeverisë, zotit Haradinaj, ishte e vetmja zgjidhje e mundshme e jetës së tij politike. Ndryshe, për dy humbjet rradhazi, si kryekomunar i Prishtinës dhe si partia e dytë në Kosovë, ai duhej të largohej ose do e largonin. Para partisë së tij ai tundi kumborën e pushtetit dhe zërat kundërshtues heshtën. Të paktën tani për tani. Synimi i zotit Haradinaj për të qenë shefi i qeverisë është në logjikën e ngjarjeve, të cilat e kanë fillesën në dy risi politike: ai pa nguruar ishte i pari që bëri koalicionin qeverisës me LDK-në, kur ishte ende Rugova shefi i saj; dhe , po ashtu, ishte i pari dhe i fundit shef i qeverisë së Kosovës që e la detyrën, jo nga votimet e reja, por nga që ia ndërprenë mbi bazën e një akuze që dy herë doli se ishte një ngrehinë e sajuar. Dyshja Limaj-Krasniqi, me gjithë kohën e paktë, ia dolën të jenë parti parlamentare, ndoshta edhe nga vizioni i saktë i Bilal Sherifit dhe militantizmi i njohur i Xhevat Bislimit, e më shumë nga votat që Malisheva i dha Limajt, duke i besuar më shumë si bir i Malishevës se sa lider i të gjithë Kosovës.

Grupimi tjetër është i njohur: aty duket fryma lideriste e Thaçit dhe Kadri Veselit, mendimi racional politik i Xhavit Halitit, por edhe , si për çudi të të gjithë stafit analist opozitar, PDK-ja, përsëri doli se ishte forca kryesore politike në Kosovë, dhe se, qëndrimi në qeveri, nuk i kishte larguar njerëzit prej saj.

Ngërçi politik është hapi i parë që duhet zgjidhur. Gjykata Kushtetuese i ka dhënë hapësirë të madhe vendimit të saj, pasi është vetë një kohë kur nuk mund të pritet. Enver Hasani, kryetari i kësaj gjykate, qoftë edhe nga fakti se përmes figurës së tij mund të hidhen gjithfarë aludimesh, duhet të shpejtojë për të sqaruar gjërat. Në fazën e përgatitjes së fushatës e gjatë saj, por edhe tani, kur ndjehet boshllëku qeveritar, më shumë se asnjëherë ka buluar lëvizja vehabiste e xhihadiste në Kosovë, përmasat e saj, me gjithë përbetimin e liderëve, po bëhen më të ndjeshme, dhe çdo përqik që i lëshohet asaj, është e barabartë me humbjen e lirisë të të gjithë të tjerëve.

Së dyti, Kosovës i duhet një qeveri e fuqishme dhe një lider i fortë. Një qeveri gjysmake që nuk dihet se kur do të rrëzohet dhe që për hir të mbajtjes në këmbë mund të bëjë lëshime pa fund, sidomos ndaj Listës Serbe, nuk i duhet askujt. Po ashtu, një lider që nuk ka forcë të vendosë, dhe, që për çdo vendim duhet të pyesë gjithë ditën 30 vetë të tjerë, dhe në mbrëmje përsëri të mos ketë vendosur, edhe ky nuk i duhet Kosovës. Kosovës nuk i duhet një qeveri, si i thonë, as mish e as peshk, dhe as një kryeministër që, më falni për krahasimin, ” as sherri i kaurit, as hajri i turkut”.

Sido që të thonë dhe sido që vijnë mesazhet nga jashtë apo nga brenda Kosovës, atë, sot, aktualisht, mund ta qeverisin vetëm dy vetë, të cilët kanë jo vetëm votat, por edhe njerëzit e duhur për t’i mbështetur. Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. Të tjerë, nuk ka. Le të më ndjejnë për sinqeritetin, por kjo është e vetmja mënyrë për të qenë i hapur. Në Kosovë ka dhjetra e dhjetra intelektualë, të të gjithë fushave, të mençur, të vyer, atdhetarë, që janë më të ditur se të gjithë liderët politikë; por atyre u mungon ajo që duhet sot: forca e liderit. Cili prej tyre do t kishte pa drojën që të merrte përsipër bisedimet me shtetin serb, në këtë fazë acaruese ku janë; cili prej tyre mund të siguronte bashkësinë ndërkombëtare se ligji i pritshëm parlamentar për Gjykatën Speciale do të miratohet domosdo; cili prej tyre mund të ndalonte shpërthimet që mund të ndodhnin? Personalisht nuk njoh ndonjërin prej tyre, megjithëse ata gëzojnë të gjithë respektin tim.

Të dy personalitet e përmendura më sipër, prej më shumë se 18 viteve, janë ndër miqtë e mi të afërt, e po ashtu jam ndër miqtë e tyre. Ndaj njërit jam borxhli, për pritjen që më ka ofruar, miqësinë pa asnjë kusht, afërsinë e treguar edhe me njerëzit e mi, edhe kur ka qenë e rrezikshme apo e ndaluar, sidomos me nënën time, prirjen për të qenë pjesë e stafit të tij drejtues e këshillues, tjetri është më shumë borxhli ndaj meje, por edhe unë ndaj tij, si ndodh në miqësitë e vjetra, të cilat herë i zbeh politika dhe herë i ofron më shumë mendimi i përbashkët. Vitaliteti i Thaçit ka qenë domosdoshmëri historike për kohën e Kosovës. Figura e tij karizmatike ndikoi në mendimin ndërkombëtar për shpalljen de fakto të republikës së Kosovës. Shumë vendime, të cilat sot duken të aplikueshme dhe të pranueshme, kanë rrjedhur përmes autoritetit të tij. Le të sjell një shembull: flamuri i Kosovës dhe himni i saj, të cilin sot nuk e mban mend njeri. Flamuri është me shumë pak domethënie dhe para tij, e ofruar si ide nga zoti Rugova, ishte ai që quhet Flamuri i Dardanisë. Ky i fundit, duam apo nuk duam, ishte shumë më kombëtar se sa flamuri kozmopolit i sotëm, por edhe një herë që provuan ta bëjnë legjitim, ai u zhduk nga të gjitha fasadat. Në se ideja e flamurit të sotëm do të vinte përmes një autoriteti shkencor, me siguri do të hidhej poshtë, por erdhi përmes figurës së një lideri të luftës dhe njerëzit i besuan liderit e jo njeriut të politikës. Kështu edhe në bisedimet me Serbinë, të cilat, duke i ndjekur nga afër, kam mendimin se ata dëshmuan se Thaçi ishte lideri që mund të vendoste, edhe pse mund ta dinte se jo çdo gjë do të duartrokitej.

Në fund të fundit, unë do të sillja mendimin e një miku të përbashkët vjenez, i lidhur ngushtë me Kosovën, i cili më thoshte se “Thaçi ndoshta e kaloi kohën e tij, por kush është tjetër?”

Tjetri është Haradinaj. Nuk dua të bëj paralelizma mes njërit e tjetrit. Ata, si kanë qenë miq, kanë qenë edhe kundërshtarë; si kanë pasur të përbashkëta, kanë pasur edhe të veçantat. Mes tyre herë-herë ka qenë besimi i pakufishëm, dhe herë-herë dyshimi fillestar. Kjo ndodh me të gjithë njerëzit e politikës, edhe me ata që vijnë nga lufta çlirimtare. Ramush Haradinajn e kam ndjekur në ditët kur ishte kryeministër i Kosovës. Pasionant ndaj punës, praktik, njeri i fjalës së dhënë dhe fjalës së mbajtur. Mbi të gjitha, me gjithë periudhën e shkurtër, ai krijoi një vizion të lakmueshëm edhe në diplomacinë ndërkombëtare.

Njerëzit duhet të zgjedhin..Kalimi në zgjedhje të reja do të ishte një përparësi e ndjeshme për PDK-në. Shumë e ndjeshme. Me siguri, pas zhvillimit të tyre, nëse ndodhin,ajo do të kishte më shumë se 46 deputetë, pasi, jo gjithnjë teza e Kurtit “të gjithë, kundër Thaçit” zë vend tek njerëzit e tjerë.

Dikush mund të më sjellë ndër mend një thënie të mikut të shqiptarëve të Kosovës, Rubin, se ” ka shkuar koha që të qeverisin liderët e luftës”. Votimet treguan se njerëzit nuk ishin të një mendje me dëshirën e një miku,pasi rreth 65 për qind votuan pikërisht për liderët e luftës. Një tjetër mund të më thotë se në Kosovë ka edhe të tjerë që mund të qeverisin më mirë se dy liderët e cituar. Jam i një mendjeje, mund të qeverisin, por nuk mund të vendosin. Ndërsa Kosovës i duhen sot njerëz, që duke qeverisur, të mund të vendosin.

 Nga Bedri Islami August 16, 2014 14:26
Komento

1 Koment

  1. adem August 16, 15:44

    Dikush mund të më sjellë ndër mend një thënie të mikut të shqiptarëve të Kosovës, Rubin, se ” ka shkuar koha që të qeverisin liderët e luftës”. Votimet treguan se njerëzit nuk ishin të një mendje me dëshirën e një miku,pasi rreth 65 për qind votuan pikërisht për liderët e luftës. Një tjetër mund të më thotë se në Kosovë ka edhe të tjerë që mund të qeverisin më mirë se dy liderët e cituar. Jam i një mendjeje, mund të qeverisin, por nuk mund të vendosin. Ndërsa Kosovës i duhen sot njerëz, që duke qeverisur, të mund të vendosin. (B.I.)

    Edhe ne Kosove, si ne Shqiperi, duhen njerez qe jane te afte te vendosin, jo thjeshte te qeverisin.Zotri Islami,ke qene dikur shefi i tyre politik,pse nuk behen bashke “nxenesit” e djeshem qe kishe…per ekonomi,per pushtet,per lavdi…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*