Çfarë janë dhe si duhen trajtuar spazmat e fshikëzës urinare?

September 10, 2018 11:58

Çfarë janë dhe si duhen trajtuar spazmat e fshikëzës urinare?

 

Spazmat (tkurrjet) e vezikës urinare janë ndër shqetësimet e shpeshta mjekësore që hasen pothuajse tek të gjitha grupmoshat. Këto shqetësime bëhen më të shpeshta tek fëmijët dhe moshat më të rritura. Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon për “Dita”, se janë një sërë faktorësh që ndikojnë në tkurrjen e fshikëzës së urinës. Në vijim të shkrimit do të gjeni edhe këshillat se si duhet të veproni për trajtimin e hershëm të tyre, me qëllim, shmangien e ndërlikimeve që sjellin në shëndet.

Çfarë janë spazmat e vezikës urinare?

Veshkat, pasi e filtrojnë gjakun e kthejnë atë të pastër në qarkullim, ndërsa elementët e panevojshëm i eliminojnë nëpërmjet urinës. Urina e prodhuar në veshka nëpërmjet dy tubave të quajtur ureter grumbullohet gradualisht në vezikën urinare (fshikëza e urinës). Nga secila veshkë del një ureter dhe të dy së bashku e derdhin atë në vezikë, proces ky që kryhet në mënyrë të pavullnetshme. Ndërsa procesi që eliminon urinën nga vezika urinare në ambientin e jashtëm kryhet nëpërmjet një tubi  të vetëm që del nga vezika dhe që quhet “retra”. Ky është një proces i vullnetshëm. Në kushte normale, fshikëza mbushet ngadalë me urinë dhe po gradualisht njeriu bëhet i vetëdijshëm për nevojën e urinimit. Në rastin e spazmave (tkurrjeve) të vezikës, nevoja për të urinuar ndodh papritur dhe shpesh edhe me ashpërsi. Pra spazmat në vetvete janë një shtrëngim i papritur dhe i pavullnetshëm i muskujve. Spazmat mund të jenë të forta sa të shkaktojnë edhe rrjedhje të pavullnetshme të urinës. Kjo situatë quhet “mosmbajtje e urinës”, ose “fshikëza tepër aktive”. Njerëzit që kalojnë spazma të tilla i përshkruajnë ato si dhimbjet e “ngërçit”, ndonjëherë edhe si djegie. Gratë ndonjëherë i përshkruajnë si dhimbjet gjatë menstruacioneve dhe në rastet kur janë tepër të forta janë të ngjashme edhe me dhimbjet e dhimbjet e lindjes.

Nga se shkaktohen spazmat e vezikës urinare?

Çdokush dhe në çdo moshë mund të provojë spazma të vezikës urinare. Tek fëmijët e vegjël këto spazma ( e quajtur ndryshe dhe fshikëza e paqëndrueshme pediatrike, ose fshikëza e paplotësuar) janë shkaku kryesor i urinës gjatë ditës. Sidoqoftë, ka më shumë gjasa që të përjetoni këto spazma nëse jeni të moshuar, ose gratë gjatë periudhës së menopauzës. Një ndër shkaqet më të zakonshme të këtyre spazmave mbetet infeksioni i traktit urinar që shoqërohet pothuajse gjithmonë me dhimbje dhe ndjesinë e djegies. Një shkak tjetër i shpeshtë është edhe cistiti intersticial, i quajtur edhe si “sindromi i dhimbjes së fshikëzës”. Kjo gjendje i referohet fshikëzës dhe dhimbjes gjatë urinimit që nuk është për shkaqe të tjera, siç është infeksioni i aparatit urinar. Dhimbja në këto raste është e përsëritur dhe shpesh e rëndë. Arsye tjetër është kateteri. Kateteri është një tub i hollë që futet nëpërmjet uretrës në vezikë dhe eliminon urinën kur i sëmuri nuk e realizon dot vetë në mënyrë të vullnetshme për shembull si pasojë e sëmundjeve të ndryshme, ose pas operacioneve. Në këto raste spazmat janë një ndërlikim i zakonshëm dhe nganjëherë shqetësues i përdorimit të kateterit.

Po dëmtimet e sistemit nervor a ndikojnë?

Çrregullimet e sistemit nervor çojnë gjithashtu në spazma të vezikës urinare. Ndjenja që marrim për nevojën e zbrazjes së fshikëzës. Ndjenja që marrim për nevojën e zbrazjes së fshikëzës është e pavullnetshme. Truri sinjalizon muskujt e fshikëzës së urinës kur është koha për t’u kontraktuar (shtrënguar) dhe për lirimin e urinës. Megjithatë, disa çrregullime të sistemit nervor shkaktojnë dëme të nervave që dërgojnë sinjale ndërmjet trurit dhe fshikëzës. Kur kjo ndodh, vezika nuk funksionon si duhet. “Fshikëza neurogjene” është termi i përgjithshëm që përdoret për problemet e fshikëzës për shkak të dëmtimit të nervave. Shkak për dëmtimin e nervave mund të jenë tumoret e trurit, paralizat cerebrale, Herpes zoster (zjarri i natës) kur prek zonën e belit dhe të barkut, sëmundja e Parkinsonit, lëndimi i shtyllës kurrizore, neuropatia diabetike (kur nervat janë të dëmtuar nga diabeti).

Po në lidhje me ndikimin e medikamenteve të ndryshme, apo ndërhyrjeve kirurgjikale çfarë mund të themi?

Po ashtu edhe kirurgjia në zonën e poshtme të barkut mund të dobësojnë muskujt e barkut, të fshikëzës, të legenit ose të shkaktojë dëme tek nervat që kontrollojnë fshikëzën. Gjithashtu edhe mjekime të ndryshme që merren për periudha të gjata mund të shkaktojnë spazma të vezikës urinare prandaj duhen pasur parasysh efektet anësore të medikamenteve, dozimi i tyre dhe kohëzgjatja sipas këshillimit të mjekut.

Po ushqimet që konsumojmë gjatë përditshmërisë përfshihen në grupin e faktorëve që mund favorizojnë tkurrjet e fshikëzës së urinës?

Po edhe ushqime të caktuara listohen si faktorë risku. Konkretisht, ndër ushqimet që favorizojnë spazmat e vezikës urinare do të përmendja ëmbëltuesit artificialë, çajrat, kafeina, alkooli, coca-cola, pijet nga agrumet (lëngu i portokallit, limonit kur pihen me shumicë), turshitë, domatet, etj.

Si trajtohen spazmat e vezikës urinare?

Sigurisht që trajtimi do të ishte ideal nëse do të eliminohej shkaku i spazmave. Në përgjithësi terapia realizohet e kombinuar. Çka do të thotë se paralelisht me përdorimin e terapive medikamentoze, duhet të kujdesemi edhe për regjimin ushqimor, duke mënjanuar ushqime të caktuara, të mos lëmë pas dore kryerjen e ushtrimeve të caktuara fizike, si dhe ndjekjen e terapive stimuluese dhe akupunkturës.

Përzgjedhja me kujdes e ushqimeve

Së pari rekomandohet ndryshimi në dietë, i cili mund të ndihmojë në parandalimin e dhimbjeve të vezikës urinare. Është e rëndësishme të mbani një ditar të rregullt për ushqimet që ju japin shqetësime të tilla dhe t’i eliminoni nga dieta juaj.

Ndihma e ushtrimeve fizike dhe medikamenteve

Gjithashtu, ushtrime të ndryshme fizike ndihmojnë në forcimin dhe relaksimin e fshikëzës dhe të muskujve të tjerë që ndihmojnë organizmin të mbajë urinën. Të tilla janë ushtrimet “Kegels” që janë një mënyrë e mirë për pakësimin e këtyre lloj spazmash. Për të forcuar muskujt e legenit tuaj, shtrëngojini ato në mënyrë sikur po përpiqeni të ndaloni rrjedhën e urinës, ose sikur të ndaloni daljen e gazrave nga zorra e trashë. Që këto ushtrime të realizohen sa më mirë  duhet të konsultoheni më mjekun fizioterapist, sepse edhe shtrëngimi i muskujve të gabuar mund të rrisë më shumë presionin në fshikëzën tuaj. Dhe natyrisht në këto raste, në varësi të rëndesës së gjendjes nevojiten terapitë përkatëse medikamentoze që ndihmojnë në relaksimin dhe zbrazjen plotësisht të saj.

Stimulimi elektrik i lehtë dhe akupunktura

Kohët e fundit ka gjetur përdorim të gjerë edhe stimulimi i lehtë  elektrik i vezikës përmes lëkurës. Ky stimulim rrit furnizimin me gjak të muskujve përreth duke i bërë ata më të fortë, gjë e cila redukton spazmat dhe rrjedhjet e urinës. Disa studime kanë sugjeruar si terapi alternative akupunturat specifike të fshikëzës që mund të reduktojnë ndjeshëm kontraktimet e muskujve të saj dhe të lehtësojnë dhimbjet. / Pranvera Kola – DITA

 

September 10, 2018 11:58
Komento

2 Komente

  1. MH September 10, 12:55

    Per te ushtruar ushtrimin fizik pa ndikue ne presionin e fshikzes te keshillohet nga ana e juaja pacientve te kryhet mbas urinimit.
    Per tu ba doktor i vetvetes:
    Ndersa ato mashkuj qe vuajn nga urinimi keshilloj;Urinimin ta bajne ulur si gjinia femnore.Mbasi per ta boshatise ngarkesen nga fshikza e urines kalohet me etapa.2 – 3 deri ne kater here.
    Nese urinimi do bahesh ne kembe do urinote vetem njihere dhe dhimbjet nuk do hiqeshin.Pasojat e mos urinimit te plote duke mbajtur nen presion fshikzen nuk jane pozitive.Kete nga ketu ta spjegoje mjekesia.

    Reply to this comment
  2. Dori September 10, 13:41

    Artikulli duhet te shpjegonte se cfare jane “ushtrimet “Kegels”?! Lutemi ndihmoni kush e di!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*