Çfarë jemi ne shqiptarët (për një moral të ri politik)

April 25, 2018 09:36

Çfarë jemi ne shqiptarët (për një moral të ri politik)

Aleksandër Meksi*

Çdo popull ka veçantitë e tij, psikologjinë e tij kolektive, dallimet e veta antropologjike, madje ekspertët thonë se dhe në analizat tepër të imta të gjakut, çdo komb i veçantë ka shenjat e tij dalluese. Unë e besoj këtë. Duhet të jemi të veçantë në më shumë se një aspekt. Është jashtë çdo dyshimi që ne jemi të ndryshëm nga të tjerët dhe në këtë s’ka asgjë të keqe, ose së paku deri më sot unë nuk shoh. Këtu qëndron edhe besimi im (për ndonjërin i tepruar) se shqiptari nuk çbëhet me një e dy qindvjeçarë.

Megjithatë, unë mendoj se ka ardhur koha për të ndryshuar, të luftojmë për një mënyrë tjetër të qënies dhe sjelljes sonë, për një moral të ri politik. Në këto muaj ne shqiptarët iu shfaqëm papritur botës (edhe shumë kujt prej nesh), kur askush nuk e priste, në një mënyrë krejt të ndryshme nga ç’flisnim e besonim se ishim, nga çfarë mundoheshim t’u shprehnim të tjerëve, nga çfarë dëshironim të ishim. Duhet ta pranojmë këtë. Si në përrallën e Andersenit, dolëm aq lakuriq dhe vetëm me vullnetin tonë (për gjëra të tilla nuk vlen justifikimi se na shtynë të tjerët), sa që nuk kemi si të gënjejmë të tjerët se jemi të veshur me rroba heronjsh apo në rastin më të mirë, të mbrohemi në sytë e botës. Aq më tepër, kur vetë ne mezi besojmë të vërtetën, jo këtë që ndodhi që ishte marrëzi sheshit.

Nëse jemi të pakënaqur me veten tonë (fatin tonë, siç e themi ne),  meqenëse të tjerët nuk na pranojnë të tillë, duhet patjetër të ndryshojmë, sigurisht për më mirë, sepse sado që e keqja nuk ka fund, nuk na pranon kush dhe këtu ku jemi (apo kemi arritur). Nëse jemi të bindur, duhet ta bëjmë këtë sa më parë.

Aleksandër Meksi

A e kemi këtë mundësi për t’u bërë më të mirë? Le të mendojmë se e kemi, le të tentojmë atëherë të bëhemi më të mirë, kjo është e vetmja provë se dhe raca shqiptare është pozitive si dhe të tjerat. Të jemi të sigurt që nuk humbim asgjë në këtë sprovë. Është e vetmja shpresë që na mbetet apo mundësi për të mbijetuar, përndryshe e kemi të sigurt dekadencën e shpejtë dhe shuarjen si racë e vend. Nuk janë të pakët popujt që gjatë historisë njerëzore mijëravjeçare janë zhdukur ose asimiluar nga të tjerë më vitalë e më pozitivë.

Ka vetëm një mënyrë për të mbijetuar: të ndryshojmë të qënët dhe po për të njëjtën arsye, të bëhemi siç e kërkon koha dhe ajo çka synojmë, më tolerantë, më pozitivë e më ndërtues. Shumë gjëra, struktura e praktika duhet të zhduken nga mjedise dhe shoqëria shqiptare. Ato duhet të zëvendësohen me forma të huazuara nga qytetërimi perëndimor, nga forma të provuara në më shumë se në një vend, të cilat duhet t’i bëjmë realisht e me kënaqësi tonat. Kjo është e vetmja gjë për të cilën duhet të vendoset konsensusi me bazë të gjerë, d.m.th. duhet të jenë të një mendje shumica e shqiptarëve, shumica e forcave politike. Nuk do të dëshiroja (nuk do të më pëlqente), por mbase dhe mund  të kishte pakica, që në integralizmin e tyre mund të mos duan qytetërimin perëndimor apo qoftë dhe vetëm demokracinë perëndimore. Një shmangie e tillë duhet quajtur më se normale, nuk ka pse të biem ne në pozitën e një grupimi integralist. Mendoj, dhe për këtë kam bindjen e plotë, se as është e mundur dhe as është e nevojshme që të biem të gjithë dakord për gjithçka (100% nuk arrihet kurrë në një vend të lirë). Por për çështje të mënyrës së punës dhe të gjykimit, duhet të jemi të një mendjeje paraprakisht. Edhe në një ndeshje sportive vendosen dhe pranohen rregullat nga kundërshtarët, pastaj bëhet ndeshja dhe gjykohet sipas rregullave.

1.     Marrëdhëniet individ-shtet

Qëndrimi pozitiv ndaj shtetit dhe ligjeve është një detyrë e çdo qytetari që kërkon mbrojtjen nga shteti dhe bashkëjetesën e qytetëruar me të tjerët. Në një shoqëri moderne e të përparuar, dëshira për të mos pasur marrëdhënie të paravendosura me shtetin realizohet vetëm nëpërmjet largimit e vetizolimit nga shoqëria dhe jo nëpërmjet prishjes së shtetit dhe luftës kundër tij. Një bashkëveprim i shtetasve dhe i shtetit është i domosdoshëm për përparimin e vendit dhe rreshtimin e tij me vendet e qytetëruara. Prova e fundit e tregoi mjaft qartë këtë.

Individi dhe shteti vendosin nëpërmjet ligjeve një ekuilibër veprimesh, mundësisht të dobishëm për të dy palët dhe ky ekuilibër është përherë i ndryshueshëm, përgjithësisht me pëlqimin e të gjithëve. Liria e gjithsecilit mbaron ku cenon lirinë e të tjerëve. Është e vjetër sa edhe vetë shoqëria njerëzore: Mos i bëj tjetrit atë që nuk dëshiron të ta bëjnë ty. Nuk ka rregull morali më të saktë se kjo, nuk ka rregull më të sigurt për të gjykuar veprimet tona ndaj të tjerëve. Ligjet, rregullat dhe normat juridike e morale nuk bëhen vetëm për të tjerët, ato janë njëlloj të detyrueshme edhe për ne. E duhet t’i zbatojmë të parët përpara se t’u flasim të tjerëve. Duhet të japim shembullin tonë e të luftojmë të shtojmë radhët e atyre që zbatojnë ligjet, që janë për një shoqëri të ligjit, jo të dhunës e kaosit. Nëse bashkërisht shoqëria shqiptare vendos ligje e rregulla të sjelljes, ato duhet detyrimisht të zbatohen, përkundrejt penalizimit të shkelsave. Askush nuk mund të marrë mbi vete, në asnjë rast, të drejtën për shkeljen e ligjit e nëpërkëmbjen e shtetit, cilido qoftë ankimi apo pakënaqësia që ka. Njerëzit e shtetit janë kalimtarë, por jo shteti. Po kështu, nuk duhen respektuar ata që na nxisin e shtyjnë për dhunë kundër shtetit, as dhe ata që i përkrahin (u qëndrojnë prapa).

Krijimi i kaosit përbën dhe për vendin më të përparuar një katastrofë gati të pariparueshme, që merr jetë njerëzish të pafajshëm, vlera të pallogaritshme materiale, krijon armiqësi ndërmjet njerëzve që duan kohë të harrohen (nëse nuk kthehen në hakmarrje) dhe largon Shqipërinë nga vendet dhe popujt e tjerë. Këtë sapo e provuam dhe po e përjetojmë në më të keqin e më të turpshmin e varianteve.

Shqiptarët një herë e mirë duhet të kuptojnë se kur vendosin rregulla, ato zbatohen, për sa kohë që ato nuk janë ndërruar. Ka vende ku makinat ecin në krahun e djathtë, por ka dhe vende ku ecet në të majtë (Angli, Australi, Japoni) dhe kjo është normale, por nëse ndokush do të  ndërronte kahjen, do shkaktonte katastrofë. Prandaj, njerëzit për t’iu shmangur, i përmbushin rregullat e pranuara e vendosur nga të gjithë. Këtë duhet ta bëjmë dhe në punët e shtetit, në punët e përbashkëta. Është i marrë ai që na shtiret si “prift i ri me kartëra të reja” dhe kërkon që të ecim ndryshe.

Në një kontekst të tillë kemi të drejtë të kërkojmë, për të mirën e shqiptarëve dhe mbijetesën e Shqipërisë, një shtet të fortë e demokratik, një shtet që i del për zot jetës dhe pasurisë së shqiptarëve, emrit e krenarisë kombëtare të tyre. Por kemi po kaq të drejtë të dënojmë, të nxirren jashtë shoqërisë shqiptare ata që pengojnë, po kështu dhe ata që nuk kryejnë detyrat e marra mbi vete.

Ashtu siç ka shteti detyrime ndaj shtetasve, që burojnë nga arsyeja e të qenit të tij, ashtu dhe shtetasit veç të drejtave kanë dhe detyra, pa plotësimin e të cilave shteti mbetet pa kuptim dhe i pafuqishëm. Detyrimi i parë është zbatimi me rreptësi i ligjeve; detyrimi i dytë është mbrojtja e shtetit; detyrimi i tretë është i natyrës ekonomike (taksa, dogana etj). Është plotësimi i këtij detyrimi të fundit që mundëson funksionimin e shtetit në dobi të shtetasve dhe të përparimit ekonomik e shoqëror të vendit.

Për të ekzistuar dhe funksionuar shteti duhet administrata, ushtria dhe forcat e rendit publik, ndërsa për të përparuar vendi, shteti merr përsipër arsimin dhe shërbimin shëndetësor, infrastrukturën dhe së paku rregullimin e shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe pasurive publike, rregullimin e territorit dhe ruajtjen e ambientit e të tjera veprimtari që u interesojnë të gjithëve si dhe brezave të ardhshëm e që mund të përballohen vetëm nga bashkësia dhe me kontributin e të gjithëve.

Të gjitha vendet e përparuara, që në kohërat më të lashta, njohën si forma të vetme të sigurimit të të ardhurave për të përballuar shpenzimet e mësipërme, tatimet dhe taksat, të ardhurat nga doganat, të ardhurat nga prona publike dhe shërbime të tjera që ofron shteti, që janë prerogativa vetëm të tij. Mund të diskutohet për përmasat e detyrimeve fiskale, doganore apo për shërbimet dhe për mënyrën e shpërndarjes së tyre popullsisë (kontribuesve), por jo të paguajnë ose jo taksa, taksa të ulta e të tjera përralla që liderët e partive i tregojnë popullit për vite me radhë, të bindur që këto lloj tregimesh pëlqehen nga shqiptarët, veçse mbeten me shkolla, spitale, rrugë, ujësjellës etj. në gjendje të keqe e nivel të ulët shërbimi që, veç të tjerash, pengojnë dhe investimet e huaja.

Në të gjitha vendet perëndimore ka një tregues mjaft të qartë që quhet barra fiskale, që tregon se sa përqind të FDP përbëjnë të ardhurat e shtetit. Nëse në vendet e përparuara kjo është 40-45%, në vendet në tranzicion rreth 30-35%, ne e kemi rreth 17%, që do të thotë se deficiti buxhetor do të rezultojë mjaft i lartë, meqenëse vetëm një pjesë e tij mbulohet nga ndihmat e huaja. Mosvendosja në nivelet e duhura të një sërë taksash tradicionale (mbi tokën, truallin, trashëgimitë dhe dhuratat) dhe evazioni fiskal janë shkaqet kryesore. Në të njëjtën kohë doganat tepër të larta për të mbuluar kontrabandën, janë në kundërshtim me detyrimet e atyre vendeve që dëshirojnë të asociohen e më vonë të hyjnë në BE.

Pa taksa nuk do të ketë kurrë ujë 24 orë, rrugë të mira, spitale e shkolla të denja për shqiptarët e shekullit XXI. Taksat dhe kosto e një shërbimi publik duhet t’i paguajë, në përputhje me pasurinë, ai që përfiton nga shërbimet publike dhe të administratës. Do të ishte absurde t’i kërkojmë fshatarit të Shëngjergjit prapa Dajtit apo atij të Starjes së Kolonjës të paguajë për asfaltimet e rrugëve të Tiranës. Për to duhet të paguajnë zotëruesit e makinave që qarkullojnë në rrugët e Tiranës. Një taks suplementare (70-150 USD në vit sipas automjeteve) vetëm për dy vjet, do të bënte që Tirana të ketë menjëherë rrugë moderne e të ndërrojë fytyrë. E njëjta gjë vlen dhe për mbajtjen pastër të qyteteve dhe heqjen e mbeturinave. E njëjta gjë duhet thënë për ujin dhe energjinë elektrike.

Publikut i duhet thënë që çka nuk paguhet nga konsumatorët, përballohet indirekt po prej tyre (fatkeqësisht jo në përputhje me mospagimin). Shtetit i takon që kjo të përballohet brenda fshatit apo qytetit në kurriz të investimeve publike. Është e vetmja rrugë e zgjidhje së këtij problemi krahas vendosjes së matëseve të konsumit të ujit apo energjisë dhe refuzimit të shërbimit dhe masa të tjera të rrepta ndaj atyre që shkelin ligjet. Vetëm në këtë mënyrë do të bëhet e mundshme arritja e vlerës së plotë të këtyre dy pasurive të mëdha kombëtare, kusht i domosdoshëm dhe për privatizimin e tyre. Vazhdimi i mospagimit të energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm do të shkaktojë brenda një kohe të shkurtër, për pamundësi të investimeve të mëtejshme, bllokimin e tyre deri në rrënimin e plotë (askush nuk do të na ndihmojë me kredi, përderisa ato nuk kthehen dot). Ka ardhur koha të mbajmë qëndrimin e duhur, të mos gënjejmë veten se po ia hedhim shtetit, ndërkohë që po dëmtojmë e gënjejmë vetëm veten tonë..

  1. Plotësimi i detyrimeve shtetërore

Kur flasim për detyrime ndaj shtetit, duhet të gjithë të pranojmë plotësimin e të gjitha detyrimeve që duhen konsideruar normale në të gjitha vendet demokratike dhe sigurisht gjithnjë të përballueshme për nivelin e vendit tonë, çka do të thotë që kategori të caktuara përjashtohen tërësisht ose pjesërisht nga këto detyrime (ose rimbursohen apo kompensohen). Për këtë dhe ka ndihmuar bota. Të tilla janë shpenzimet për telefonat e shërbimin postar, shkollën e lartë, licencat dhe patentat etj.

Mosplotësimi i detyrimeve ndaj shtetit nuk duhet të lejohet dhe duhet të jetë i vetmi kriter gjykimi për ata që kërkojnë nga shteti. Në shumë vende të botës, mos plotësimi i detyrimeve ndaj shtetit shoqërohet me sanksione si dënime dhe gjobë, ashtu edhe me privimin nga shumë shërbime të shtetit (patenta, licenca, leje ndërtimi etj). Ky mentalitet duhet të bëhet dhe i yni, duhet të ndryshojmë mendje për këto gjëra dhe sa më parë. Mirëpo, askush për inat të palës tjetër nuk duhet të dalë në mbrojtje (apo të heshtë) të shkelësve të ligjit dhe atyre që nuk përmbushin detyrimet.

Vijon…

*Botuar në gazetën “Koha Jonë” më 7 Dhjetor 1997

April 25, 2018 09:36
Komento

8 Komente

  1. Kris April 25, 09:57

    Shume uje! Akoma tek gjurmet kur ujku dhe ujkonja Sal-Meta po behen gati dhe i urti ish K/minister akoma po na tregon.. cfare?

    Reply to this comment
  2. gjermani i fundit April 25, 10:17

    ky eshte shkrimi i njemilionte, i dobishem, padiskutim, nga nje shqiptar qe mendon drejt se çfare duhet te bejne shqiptaret. Duhet te zbatojne Ligjin, te kontribuojne bashkarisht(duke paguar per ngritjen dhe efiçencen e sherbimeve), te sillen mire,te punojne shume qe te rrojne me mire.. Megjithese me duket fotokopje e doktrines marksiste, nese edhe kapitalizmi sugjeron po keto gjera jemi dakord qe ngado te bredhesh boten qielli qenka ngado bojqielli. Po he pra, pse nuk ndoqe keto keshilla kur ishe kryeminister, dhe qe i paske ditur, por hape kushtet per firmat piramidale, beje biznes kriminal me kompanine monopol te PD “Shqiponja”, shite ne menyre kriminale arsenalin luftarak te ushtrise shqiptare, per te cilen Enveri te ishte gjalle te rripte te gjalle, ndave pasurine e perbashket me duart e xhambazit. Pse o zoteri? çerekun e gjerave po t’i fal nga mungesa e eksperiences dhe çerekun tjeter se rrota e kishte filluar rrotullimin perpara teje e s’e ndalje dot, plus siper teje vepronin forca madhore me ne krye berishet dhe hajdaret, por gjysma e fajeve mban firmen tende zoteri. Me dashje apo pa dashje, çfare rendesie ka? Nuk pi uje te justifikohesh sikur nje shofer qe shtyp dike e thote se nuk e dinte qe shtypja shkaktoka vdekjen.

    Reply to this comment
  3. seat vlora April 25, 10:24

    Ky flet sikur nuk ka qene kryeministri i piramidave qe zhvaten shqiptaret, nepermjet te cilave nisi dhe fuqizoi biznesin e ndertimit te pallateve 8-9-10 kateshe ne qender te Tiranes?!!!!!!!!!!!!!!!!! Ky duhet te rrefehet, nese ka lidhje me shkaterrimin dhe zhdukjen e dosjeve te spiuneve te sigurimit qe ishin ne krye te PD, PS, PSD, PR dhe te atyre qe u bene ministra e deptyete nga te gjtiha partite e po keshtu dosjet e hetuesve dhe te vendvarrimeve te pushkatuarve qe nuk po u gjenden varret as sot pas 27 vitesh, mbasi kur ishte kryeminister, kishte gruan drejtore te arkives se Ministrise se Puneve te Brendshme??????????

    Reply to this comment
  4. Kris 1 April 25, 11:57

    Aleksandri i madh qe mbajti ne preher kolopucet faraone dhe vogelushen Sude ka pare enderra me Saliun dhe po i sheh te realizuara me Edvinin

    Reply to this comment
  5. Konti Sbalta April 25, 17:08

    Vetingu te veproje edhe mbi keta birbo , qe e nisen te paret grabitjen e pasurive te vendit . Ky edhe gruaja e tij pervetesuan tokat e fidanishtes se Laprakes qe ishte toke shteterore dhe ngriten nji lagje te tere , duke u bere miliarderet e pare ne Shqiperi ; dhe sikur te mos mjaftonte kjo, Ky kopetenti kryesoi grupin me te madh te piramidave dhe duke pasur mbeshtetjen e Saliut u xhvati shqiptareve te gjithe pasurine qe u kishte mbetur ; prandaj shumica e shqiptareve muaren arratine pa kthim mbas katrahures se ’97.Ky eshte “akademiku’ i Sudes , prandaj mos na ndot faqet e kesaj gazete qe ka mbetur “oaz” per ne !

    Reply to this comment
  6. Konti Sbalta April 25, 17:12

    Vetingu te veproje edhe mbi keta birbo , qe e nisen te paret grabitjen e pasurive te vendit . Ky edhe gruaja e tij pervetesuan tokat e fidanishtes se Laprakes qe ishte toke shteterore dhe ngriten nji lagje te tere , duke u bere miliarderet e pare ne Shqiperi ; dhe sikur te mos mjaftonte kjo, Ky kopetenti kryesoi grupin me te madh te piramidave dhe duke pasur mbeshtetjen e Saliut u xhvati shqiptareve te gjithe pasurine qe u kishte mbetur ; prandaj shumica e shqiptareve muaren arratine pa kthim mbas katrahures se ’97.Ky eshte “akademiku’ i Sudes , prandaj mos na ndot faqet e kesaj gazete qe ka mbetur “oaz” per ne !Dhe flet ky per “moral”, cfar hipokrizije?!

    Reply to this comment
  7. zgalem April 26, 01:11

    Nje ish kryeminister , qe duhet ta konsideronte turp detyren e larte , qe ju dhurua dhe e perdori , per eprorin e tij , per xhandaret dhe per biznesin fitimprures . Nje roja i tij eshte bere milioner , mbase dhe te tjere , por nje qe e kam njohur . Zgalem

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*