Çfarë ka ndodhur realisht në Kumanovë: Pse shtëpitë e rrënuara nuk kanë shenja luftimi nga brenda?

May 15, 2015 14:01

Çfarë ka ndodhur realisht në Kumanovë: Pse shtëpitë e rrënuara nuk kanë shenja luftimi nga brenda?

Nga i dërguari i DITA-s në Kumanovë, Bedri Islami

 

Aktualisht, të gjitha rrugët të çojnë drejt qytetit të Kumanovës. Ata të cilët duan të shkojnë, pyesin vetëm se cila është rruga më e shkurtër, por sidoqoftë gjithnjë e gjejnë një mundësi për të qenë sa më shpejt. Ndërsa rruga që të çon drejt Lagjes së Trimave është vetëm një dhe për të nuk ka nevojë të pyesësh: Gjithçka rreth e rrotull të tregon se cila është udha për atje dhe, do apo nuk do, ajo që sheh, fillimisht të trondit, të trondit aq shumë sa që të shkojnë të dridhura, pastaj të vë në mendime, përse ndodhi e gjithë kjo. Sepse Kumanova sot, më saktë, Lagja e Trimave të këtij qyteti, më shumë i ngjan një vendi të porsa dalë nga lufta, se sa një lagjeje normale të një qyteti normal.

Dhe Kumanova nuk është sot një qytet normal: Ai është gjysmë i asfiksuar, pasi gjysma e tij, pjesa shqiptare e qytetit, është ende nën terrorin e asaj që ka ndodhur pak ditë më parë dhe të mbështjellë me enigmën e shumëfishtë; mes së cilave më themeloret, cilët janë të vrarët e pse u vranë ata dhe përse ndodhi e gjithë kjo.

Qytetarët ende janë nën shokun e goditjes. Janë të zemëruar me të gjithë ata që janë shqiptarë politikë, pavarësisht se kujt i takojnë, dhe çuditërisht më pak të hasmëruar me pjesën maqedonase të qytetit. Shkakun përse janë të zemëruar me liderët shqiptarë e gjejnë në vetminë ku u ndodhën, në heshtjen e atyre ditë-netëve, kur gjithçka ishte nën shënjestrën e goditjeve, pa marrë parasysh nëse aty ka njerëz të armatosur, ndërsa liderët shqiptarë ishin larg tyre. Në pushimin mes njërës ditë dhe natës së ditës tjetër ata kishin pritur një mesazh, pasi kishin besuar se do të kishin një të tillë, por kur ai nuk erdhi, ose erdhi gjysma e asaj që prisnin, ata e gjetën shkakun. Njerëzit kishin besuar se do të mund të kishte një ndarje mes asaj që po ndodhte dhe të vërtetës, por edhe këtë besim, më pas, si kishin rrjedhur ngjarjet, e kishim humbur. Dy ditëshi i pasardhjes kishte qenë i vonuar, për më tepër për njerëz që prisnin me zemrën e thyer nga dhimbja dhe shpirtin e rënduar nga tmerri. Shtëpitë e rrënuara deri në themel, të tjerat që po kriseshin dhe grimcoheshin nuk do të jenë asgjë në krahasim me thyerjen e besimit, i cili, edhe kur ndërtesat të ringrihen, përsëri do i ndjekë pas në shumë e shumë vite. Më në fund, qëllimi i parë i politikës nacionaliste maqedonase kishte arritur të merrte një gjë të madhe për vete, por bjerrëse për politikën shqiptare të një të tretës së popullsisë; humbjen e besimit tek një lider dhe tashmë në Kumanovë askush nuk të flet për figurën karizmatike të një lideri dhe do të dojë kohë që gjërat të sheshohen e të jenë më të ndriçuara.

Pse ndodhi Kumanova?

A mund të kishte ndodhur kjo edhe diku tjetër, ta zëmë në Gostivar, në Kërçovë, në Zajaz, në Dibër? Edhe kishte mundur, por Kumanova, për vetë pozicionin e saj mes viseve shqiptare të Kosovës dhe viseve shqiptare nën Maqedoni, ishte fortesa që duhej shembur, dhe kjo duhej bërë pa dhimbje. Politika maqedonase, e cila kishte pjesën e saj në ngritjen e kësaj fortese, e bëri dhunimin e saj pa marrë parasysh pasojat; as pasojat e ushtarëve dhe të policëve të vrarë, të cilët mund të mos vriteshin, as pasojat mbi popullsinë e zakonshme, as pasojat në politikën e saj ndërkombëtare.

Kumanova e ka një fillesë: Marrëveshjen e Ohrit. Para 14 viteve është bërë kjo marrëveshje dhe politika ende i sillet dhe i përsillet asaj: Të zbatohet ajo. Që do të thotë se edhe pas 14 viteve ende nuk është zbatuar.

Marrëveshja e Ohrit është sot një letër pa vlerë politike, jo vetëm se i ka kaluar koha, por edhe sepse, pas 14 viteve të diskutosh ende nenet e asaj marrëveshjeje, kur gjërat po evoluojnë marramendshëm shpejt, është miopi politike. Maqedonia si pjesë e NATO-s, si pjesë e Bashkësisë Europiane, si vend i qytetëruar – të gjitha synime të saj politike, që ende diskuton për ndërjetesën me një të tretën e popullsisë së saj, është diçka anormale.

ali-ahmeti-dhe-menduh-tha-ccedil-i-kapen-se-bashku-n-euml-pushim-video_hdMarrëveshja e Ohrit kishte një fillesë të mbrapshtë, një vazhdim të mbrapshtë dhe po përfundon në mbrapshti. Kishte një fillesë të mbrapshtë, pasi atë e hartuan, e diskutuan dhe në fund e firmosën ata që ishin në pushtet. Lideri politik i UÇK-së, Ali Ahmeti, duke besuar në forcën e mendimit politik të Arben Xhaferit, që ishte gjatë luftës pjesë e pushtetit, nuk mori pjesë, dhe, sado që ishte i pranishëm nga larg, përsëri, mungesa e ciklimit të kësaj Marrëveshjeje nga ata që e kishin sjellë gjendjen deri aty, pra nga ata që ishin fitues në fushën e betejës, solli mangësitë e para. Marrëveshja e Ohrit, e përcaktuar si një gjë kalimtare, ishte në fakt një fillesë pa fund, pikërisht sepse ndërkombëtarët, duke besuar tek roli i tyre, harruan mendësinë ballkanike, dhe mbi të gjitha, harruan mendësinë politike ballkanase të sllavëve të jugut, të cilët humbjen e përjetojnë si gjëmë kombëtare, ndërsa popujt pjesë autoktone e shtetit të tyre, i perceptojnë si raja.

Të presësh 14 vite për të zbatuar një marrëveshje, e cila nuk donte as kohë të gjatë dhe as përplasje kaq të gjata politike, do të thotë të mos e vësh ujët në zjarr për të bërë të mundur atë që është në dobi të vendit tënd.

Kjo “harresë” ishte vazhdimi i mbrapshtë i kësaj marrëveshjeje dhe sado që BDI, partia bashkëqeverisëse, shkëputi, herë me presion dhe herë me normalitet, disa përparësi të rëndësishme, që solli disa komuna nën qeverisjen e shqiptarëve, si Struga, Kërçova etj, përsëri, ata gjithçka e kanë marrë nën presion.

14 vite iu deshën Ali Ahmetit dhe strukturës së tij politike për të përgatitur dhe për të bërë luftën e domosdoshme, 14 vite pushteti maqedonas nuk realizon esencën e marrëveshjes së nënshkruar prej tyre, kur në fakt ajo duhej quajtur e tejkaluar prej kohësh dhe tashmë duhet të ishim nën një gjendje të re. Personalisht unë i besoj deri në fund Ali Ahmetit, pasi kam qenë jo vetëm pjesë e përgatitjes së asaj që ka ndodhur më parë, por herë pas here edhe drejtues; por i besoj sepse e di krejt mirë se synimi i tij për të mos humbur në paqe atë që kishte fituar gjatë luftës, është dukshëm progresiv. Por, në një vend ku përplasen konflikte të hershme politike dhe etnike dhe, mbi të gjitha, nën një shef qeverie që i nxit këto konflikte deri në skajshmëri, nuk mund të kesh gjithnjë atë që ke synuar.

Me ngjarjet në Kumanovë problemi “Marrëveshja e Ohrit” është një kapitull i mbyllur. Palët politike tashmë duhet të shohin urgjentisht sipër saj, të jenë mbi atë që është nënshkruar asaj kohe, 14 vite më parë, dhe tash, politika ndërkombëtare duhet të ketë mësuar të vërtetën se nuk mund të futesh në një godinë të mbyllur nga çatia, por duhet të jesh pjesë e zgjidhjes së saj. Nëse edhe më tej do të besohet se vetë të zotët e shtëpisë do i hapin dyert përjetimit të përbashkët, do të kemi një gabim të ri. Në politikën ballkanase, ai që hyn i pari, ai është edhe zot, për të tjerët nuk ka vend.

aarrest_kumanovPërse u lejua të ndodhte “Kumanova”?

Shteti maqedonas e ka ditur prej shumë kohësh se gjërat janë vënë në lëvizje dhe se, në mos një ditë, në një ditë tjetër, do të ndodhë diçka. Për më tepër, përmes njerëzve të saj në politikën shqiptare, të cilët i betohen për besnikëri të përjetshme deri në vdekje, shefit të madh të sigurimit maqedonas, ata kishin njeriun e tyre në mesin e të rebeluarve, të cilët e kishin matur durimin e tyre jo vetëm me vitet që po kalonin, por edhe me mjerimin që kishte ardhur. Çdo qeveri duhet të trembet nga njerëzit e uritur, e për më tepër duhet të trembet nga njerëzit e uritur që kanë një vizion. Në rastin e Kumanovës ajo kishte përpara vetes njerëz që vërtet nuk ishin të uritur, por që e kishin marrë rënien e jetesës si një shkak për të ndrequr punë të tjera. Shërbimi sekret maqedonas është takuar në disa raste me njerëz të rebeluar, është takuar jo vetëm indirekt, por edhe drejt për së drejti, kanë pasur biseda telefonike, të cilat janë të regjistruara, dhe përmes linjës shqiptare janë ndjekur veprimet e tyre. Pra, e gjitha mund të ishte trajtuar ndryshe që në fillimet e saj, ashtu si do të mund të kishte pasur trajtesa serioze në shfaqjen e tyre para shërbimeve të tjera. Fakti që shpesh herë, ajo që është thënë tek relatorët ndërkombëtarë nuk ka qenë e njëjtë me të vërtetën, ka bërë dyshimin e madh e më pas ka afruar të vërtetën se, duke luajtur një lojë të madhe, shteti maqedonas po e ruan të gjithë këtë si një kartë politike shpëtuese për linjën e tyre.

Por çfarë lidhjeje kanë banorët e Kumanovës me të gjithë këtë linjë pushteti dhe ndëshkimi? Është fakt se, duam apo nuk duam sot, Kumanova ishte njëra ndër trevat më të angazhuara në luftën e para 14 viteve; për më tepër djem të kësaj zone kishin qenë që në fillimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më pas, si edhe pritej, në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Më i shquari prej tyre, Ismet Jashari, ishte bërë simbol i luftës në Kosovë. Pra, sipas mentalitetit shtetëror maqedonas, ishte një zonë që duhej ndëshkuar. Të ndodhte e kundërta e asaj që kishte qenë para 14 viteve. Dhe ndëshkimi kishte qenë i plotë. Të gjithë atë që sheh në Lagjen e Trimave e mban gjatë me vete, por edhe e përjeton njëlloj si banorët e saj. Të pakta kanë qenë ato familje që nuk e kanë përkrahur Ali Ahmetin 15 vite më parë; edhe sot, të pakta janë ato familje që nuk kanë pasur ndëshkimin e shtetit maqedonas, ndëshkim i ardhur furishëm, pa pasur asnjë dallim se ku është e vërteta dhe se ku është e pavërteta. Njëra nga shtëpitë që arrita të shoh nga brenda, shtëpi e madhe trekatëshe, e bërë shoshë nga plumbat, por edhe nga predhat të cilat kishin hapur vrima të mëdha, nuk kishte asnjë shenjë lufte nga brenda. Pra, askush nuk kishte qëlluar mbi policinë apo ushtrinë maqedonase. Kishte qenë vetëm një shtëpi e dyshuar, dhe kjo kishte mjaftuar për të shprazur gjithë zemërimin pushtetor.

Jo rastësisht kjo ngjarje i ka bashkuar njerëzit në Kumanovë. Megjithëse koha ime e qëndrimit aty ishte tepër e shkurtër, më dukej budallallëk nëse do të kisha pyetur për një strukturë partiake. Të gjithë e kishin pësuar njëlloj. Por, në hisen e këtij ndëshkimi pushtetor është edhe pjesa e politikës shqiptare. Në të vërtetë ne, shqiptarët, kudo që të jetojmë, politikisht jemi më të ndarë se askush tjetër. Por, në Maqedoni, kjo kalon çdo kufi ndarjeje. Një sprovë e bërë në vitin 2001 me krijimin e një strukture të përbashkët politike, ide e Ali Ahmetit dhe e Arben Xhaferit, ishte një shpresë e madhe, deri sa hyri në lojë klani politik mafioz i Mendu Thaçit. Krijimi i një njësie të vetme politike do i bënte shqiptarët domethënës në jetën politike. Do i bënte ata të kishin diçka rreth një të tretës së parlamentit, dhe vetëm përmes tyre mund të frymonte një qeveri. Shembja e kësaj strukture dhe rikthimi në dhjetëra parti e partiza ishte një luks që e nxiti edhe pushteti, sepse i duhej kjo ndarje. Tani, ta zëmë në PDSH fërkojnë duart se të dërguarit e Ali Ahmetit nuk u pritën mirë në Kumanovë dhe shohin se si të zbardhin përfitimet partiake. BDI-ja, nga ana e saj, hallin e Kumanovës e sheh si pjesë të saj, por mesazhin e përcolli me shumë vonesë, për më tepër, pasi kishte nisur misionin e tij lideri i opozitës maqedonase.

kumanove11maj2015-3Çfarë kërkonin shqiptarët e Kosovës në Maqedoni?

Kjo ishte pyetja e parë që bënë disa nga mediat e huaja, por edhe institucione të shërbimit të posaçëm. Prania e shqiptarëve të Kosovës në këto treva, qoftë si njerëz të armatosur, si luftëtarë apo si të zakonshëm, ka qenë prej kohësh një fakt i ditur. Disa nga emrat e bërë publikë në këto ditë, qoftë si të arrestuar, të vrarë apo të shpëtuar, janë të njohur që nga lufta në Kosovë, në Preshevë dhe në Maqedoni. Pra, nuk ishin të panjohur; dhe fakti se për ndonjërin prej tyre u gjetën delikte penale, nuk ka të bëjë me arsyet e sulmit. Ndoshta jam i gabuar, por në këtë rast nuk është thjesht një lojë e kufizuar. Që para një muaji, në gazetën DITA kam treguar se do të ndodhnin ngjarje tronditëse në Maqedoni, se trysnia mbi pushtetin po rritet dhe pushteti do e shfrytëzojë këtë rast për të shmangur problemin e vërtetë. Shqiptarët e Kosovës në Kumanovë, më shumë se sa të dërguar, mendoj se ishin ende me konceptimin e zgjidhjes së problemit përmes luftës, si kishte ndodhur më parë. Ndoshta pa e ditur se kështu gjërat nuk mund të përsëriten dy herë. Por edhe interesa më të ndjeshme janë në këtë furi. Tentimi për të spostuar vëmendjen, dikush nga gjendja pushtetore, kjo në Maqedoni, dikush nga Gjykata Speciale, kjo në Kosovë, nuk është më një temë tabu. Për fat të mirë, dhe e theksoj se është fat i mirë, që liderët kryesorë të jetës politike në Kosovë, nuk duken të jenë të pranishëm në atë që ndodhi.

Njeriu që na shoqëroi, mik i im i vjetër, së bashku me shokët e mi të një Instituti të rëndësishëm, e shihte shtëpinë e tij gjysmë të dëmtuar, por nuk e kishte hallin tek ajo, e cila mund të ringrihej. Më shumë se gjithçka tjetër ai ndjente se tashmë përmes njerëzve në Tetovë dhe atyre në Kumanovë pushteti kishte arritur të krijonte një boshllëk që do kohën e tij të mbushet, por kurrë më si më parë.

Lagjja e Trimave në Kumanovë ka pasur këto ditë më shumë se gjithçka tjetër, njerëz të mirëpritur. Të duket e çuditshme se në gjithë atë katrahurë njerëzit e gjejnë kohën të të thonë fjalën e mirë, të të urojnë mirëseardhjen, të të bëjnë vend për të pirë një çaj, të të kthejnë bisedën sikur nuk kishte ndodhur asgjë dhe, sado pak që do të rrish, mendja të shkon përherë e më shumë në atë vend që u bë ndëshkimi i pushtetit, i cili, ndërkohë e kishte ditur gjithçka dhe kishte zgjedhur rrugën e dërrmimit për të ruajtur pushtetin e tij.

Koha ishte e paktë. Kumanova është disi larg Ferizajt ku do të duhej të isha pas pak, për të nisur rikthimin. Unë mora me vete një pjesë të asaj lagjeje që e kisha parë dikur bashkë me mikun tim të vyer, Ali Ahmetin; e kisha parë në një moment kur e gjithë lagjja ishte sulur për të rimarrë veten përmes shembëlltyrës së tij, ndërsa tani ishte një lagje ende nën tymin e shkatërrimit, e djegur dhe… më mungonte jashtëzakonisht shumë miku im.

Jam i bindur se do të rikthehem përsëri. Njerëzit do e kuptojnë të vërtetën se kjo nuk ishte harresa e politikës shqiptare, por ndëshkimi që erdhi nga pushteti, i cili, edhe pse kishte në vete një pjesë të politikës shqiptare, gjithçka e mbajti në grushtin e katër vetëve, dy nga të cilët sapo u larguan nga pushteti dhe tjetri, shefi… është po ashtu, gati të ikë. Por, edhe kur të ikë, pas vetes do të lërë këtë lagje gërmadhë, të cilën e dogji për të qëndruar edhe pak kohë në pushtet.

Kumanova është një qytet që frymon. Edhe pse duket e rënduar nga ajo që ndodhi, ajo ka filluar ringritjen.

 

Kumanovë, 14 maj 2015

May 15, 2015 14:01
Komento

12 Komente

  1. I.Troplini May 15, 06:28

    Kumanova e ka nje “fillese”,

    tek tradhtia e shqiptarit dallkauk, qe per hir te karrikes se pushtetit, behet pale edhe me bythen e dreqit, duke i shkaktuar popullit te tij deme materiale dhe njerezore. Kumanova, eshte vetem nje nga shume e shume raste te pastra TRADHETIJE, qe e kaluara jone shqiptare, i ka te dokumentuara ne arkivin e saj te pergjakshem. Kjo eshte arsyeja, pse shqiptaret e Kumanoves, nuk shohin problemin tek pjesa maqedonase e qytetit.
    I qofte dheu i lehte, te gjithe atyre djemve, qe e paguan me jeten e tyre, kete kurvllek shqipfoles.
    Prej armikut tend, pret cdo te zeze. Ndaj e ke armik. Por, kur e zeza te vjen nga gjaku yt, qe ka vendosur ti sherbeje hasmit,,,, atehere cdo gje behet edhe me e kobshme.

    Reply to this comment
    • roberto May 15, 14:54

      Mos e mburr ALI AHMETIN se behesh edhe ti FAJTOR E TRADHETAR si ai,o Bedri Islami!!
      Si mundet qe u ndodh prane shqiptareve shefi i OPOZITES maqedonase e jo nje shqiptar,per me teper minister i qeverise??
      Si mund te japin doreheqje 2 ministra KRIMINELE te qeverise e te MOS JEPNIN DOREHEQJEN TE GJITHE MINISTRAT SHQIPTARE duke bere te mundur RREZIMIN E QEVERISE FASHISTE???
      PSE RRI NE QEVERI AKOMA ALI AHMETI kur nuk i ka bere ndonje AKUZE FASHISTIT GRUEVSKI???
      ALI AHMETI ESHTE TRADHETAR I SHQIPTAREVE!!!

      Reply to this comment
  2. Iliri May 15, 10:38

    Kjo ngjarje edhe njehere deshmoi per perqarjet dhe kundershtite mes shqiptareve.Deshmoi nje fakt trondites sidomos per ata qe besonin se trathetia brenda qenjes shqiptare i takonte historise.Ne fakt kkjo ngjarje krahas injorances politike dhe perqarjeve brendashqiptare deshmoi edhe njehere se fatkeqesia shqiptareve u vjen nga veteja e tyre ,nga mercenare dhe argate te cilet shume lehte shiten tek armiku.Per kete beteje te Kumanoves sot ka qindera pikepyetje dher dilema e kontradikta.Ekziston droja se nuk do te zbardhen shume rrethana ,motive e shkaqe.Por nje gje dihet:Shqiptaret qe luftuan ne Lagjen e Trimave kishin brenda radheve te tyre trathetine,pra nje apo me shume argate te Grujevskit,bashkepunetore te sherbimit sekret maqedon.Me afer se vertetes eshte se shqiptari qe tregoi vendndodhjen e armeve dhe me pas u “iku” forcave speciale maqedone ,nese jo i vetmi ,ishte njeri nga ata qe trathetuan bashkeluftetaret ne KUmanove.As M.Thaqi e as A.Ahmeti nuk e bene kete ,me siguri kane gabime politike ,por trathtia luftetaret e Kumanoves i goditi nga brenda,ashtu si ka ndodhe shpesh gjate historise me shqiptaret.

    Reply to this comment
  3. Bureto May 15, 15:05

    Eshte vertet e trishtueshme, qe tamam kur duket se problemet e shqiptareve ne Ballkan po marrin rrugen e zgjidhjes te ndodhemi para ngjarjeve te tilla kryekeput ne demin tone. Te vdesesh dhe digjesh per liri e per vendin tend eshte nder e krenari, por te shkosh per dhjame qeni se je i tradhetuar, kjo eshte e dhimbshme. Jemi po vete qe u veme shkelmin disa arritjeve ne çeshtjen kombetare, duke bere lojen e atyre qe nuk na kane dashur dhe nuk na duan. Pse jemi keshtu te ndare e te perçare ne? A mos valle eshte ky nje mallkim, qe na ben te paguajme ate qe historia dhe shkruarsit e saj na kane cilesuar si mercenare, te atyre qe na paguajne me shume? Te ndare ne pese shtete, me mbi 100 parti qe luftojme njëri-tjetrin dhe, siç thote populli, kur zihen dy, eshte i treti qe perfiton. Dhe kjo ka ndodhur ne historine tone sidomos pas luftes se dyte boterore. Ende vazhdon lufta me partizane e me balliste, por asnjehere me armiqte e vertete te kombit. 7% e popullsise eshte shqiptare ne Mal te Zi dhe as komunen e Ulqinit nuk qene ne gjendje shqiptaret ta fitonin, edhe kur kjo u be, u arrit si rezuotat i nje kompromisi pas zgjedhor, prapa kulisave. 30.000 shqiptare atje kane 10 parti, po keshtu ne Kosove, Maqedoni dhe me zi akoma ne Shqiperi. Partite ketu në trojet tona nuk kane qellim interesat kombetare dhe ato sociale te popullit shqiptar por bejne nje lufte te ndyre per pushtet dhe per kete jane gati te bejne aleanca te hapura apo okulte edhe me djallin, kur te bashkuar, sidomos ne trevat ku jane pakice si ne Maqedoni, M.Zi, dhe Serbine Jugore, do te kishin arritur me shume qofte dhe ne funksion te pushtetit te lakmuar. Mallkuar qofshin keta bastarde.

    Reply to this comment
  4. Durimi May 15, 15:22

    Duke qene pjese e dhimbjes se madhe kolektive me lejoni ta shpreh opinionin tim rreth ketij akti tragjik por qe ne sfond ka shume pikepyetje . Bindja ime eshte kjo , cdo levizje e amatosur duhet te jete e udhehequr nga nje qender politikberese shqiptare . Koha e organizime e klandestine ka perfunduar ! Pse , pse i japim mundesi te na i vrasin djemt me te mire qe kemi ? Nese ndonje “shqiptar ” ka dore ne kete loje qofte i mallkuar ne 7 breza ….

    Reply to this comment
  5. Vuthjani1 May 15, 16:15

    Nuk due dhe nuk e deshiroi tiketimin qe disa komentues shqiptar i bejn liderit qe la emer ne dy lufta kombtare siq ishte ajo e kosoves dhe prijes i ushtris kombtare ne maqedoni Ilirid Ali Ahmeti bashkveprimtar i heroive fehmi e Xheve Lladrovci Ismet Kumanova,Xhemajl Fetahaj , Iljaz Kodres e Shum deshmorve te kombit qe esht njeriu i par i Futur mbrenda ne teritorin e kosoves me Shum luftetar ,por si ndodhi Kumanova nga kush u tradhtue koha do e tregoj Shum shpejt.Por qe me brengos vendimi per nejur ne at qeveri fashisoide te Grujevskit kte sdo e kisha dashur mbase qelsat i ka ne dor Ali Ahmeti dhe mund e mbyll sa qel e mshel at qeveri te kalbur dhe fashiste.Aliu nuk esht i rangut te liderit te PDSH Menduh Thaqit i cili ne gjith periudhat ishte ne anen e pushtuesve maqedonomdhej Aliu edhe ne LPK e ka tregue vehten dhe besoi qe di ta kaloj edhe ket dhimbje qe i ndodhi ne pjesen shqiptarve dhe nje pjes e shokve te ti si komandant Sokoli dhe Shum tjer ,di qe ate e mundon Shum edhe ramja e disa lufterave dhe burgosja e disave prej tyre.Dhe tashi dihet dhe shifet qe mundsit jan Shum ma te vavrshme per kombin ton kur dihet qe pushtetin ne shqipri esht ne duer te pastra ,jo sikur ne qeverin Berisha i perzier kemb e krye me shovenet serb.

    Reply to this comment
    • Agron May 16, 07:49

      te lumt vuthjani 1

      Besoj qe njerzit nuk e njefin Ali Ahmetin.

      Njerzit u vjen ma leht te kritikojn, te bojn te keqija se sa me u bashku mes veti.

      Shumica merren me Facebook, me prralla, me thash e them.

      Un besoj vetem ne Ali Ahmet, njeriu i luftes esht

      Reply to this comment
  6. kanan tafili May 15, 17:48

    Perqa_ dhe Sundo kjo eshte formula qe armiqte e shqiptarve e kane perdorur me qindra vjet kunder nesh dhe me sukses,???? Kjo tregon se ne jemi e keqja e vetvetes dhe ketu ka vend nje fabul e lashte,,,,,,,,,, Dy vellezer i shpetuan jeten mbretit te tyre, dhe mbreti i thirri ne pallatin e tij per ti falenderuar, u fut vellai i pare tek mbreti i cili i tha kerko qfar deshire ke dhe une ta plotesoj , vellai i pare kerkoi 20 krere lope, u fut vellai i dyte dhe mbreti i tha te kerkonte qfar te donte vellai i dyte e pyeti mbretin se qfar ka kerkuar vellai i pare ai i tregoi dhe ky tha se deshira ime eshte te mos ja japesh lopet vellait te pare ………….

    Reply to this comment
  7. kuq e zi May 15, 18:14

    u shkaterrua kumanova dhe jo veles… ky eshte fakt se cfare ndodhi do e shohim me vone
    por per ali ahmetin ka vetem nje pyetje
    pse rrine akoma ne qeveri?????
    qe ti japesh mundesi gruevskit te djege dhe tetoven ??
    pra ti zotri kur thua pushteti e mbajti sekret aleatit shqiptar dhuraten e kumanoves po tani qe aleati shqiptar e mori vesh cben????
    i jep akoma jete gruevskit

    ZOT NA RUAJ NGA TRADHTARET SE SLLAVIT I BEJME BALLE VETE

    Reply to this comment
  8. Zani Burimi May 15, 19:31

    Bedri, kane te drejte komentuesit: Miku yt Ali Ahmeti edhe me vonesen per daljen nga qeveria e Gruevskit, po e tregon veten se eshte “dhjamosur”, nuk eshte ai qe ishte para 14 vitesh edhe si i shkathet, por eshte bere tipik perfitues per BDI dhe per vete. Shkurt, ti mbaje per mik, se ashtu te leverdis, por per ne dibranet te pakten ai tani emertohet thjesht e shkurt Spiun i Maqedonasve me te keqij dhe paterice e thyer e Gruevskit. Ali Ahmeti e di mire se nderkombetaret i jane bere mbrojtes Gruevskit, se opozita eshte e dobet atje. Mania e Europes dhe Amerikes per te perkrahur me te fortin demin me te madh ua ka bere shqiptareve te Maqedonise. Po te kete dokola ndermjet shqiptareve atje, duhet bere nje kryengritje dhe te shkeputen nga gjelat maqedonas qe na u bene demek komb pas te vjelave. Nuk them se nuk do te te lexoj, Bedri, por ama tash e tutje do te me kesh kritik me lente per çdo artikull.
    Ngushellime familjareve te te reneve, deshmoreve idealiste qe na forcojne bindjen se Shqiptaria eshte e Gjalle dhe do te te fitoje!

    Reply to this comment
  9. studenti May 15, 22:56

    Qeveria mbahet në këmbë nga miku yt Ali Ahmeti. Ajo qeveri bombardoi shqiptarët. Po përshkruan tragjedinë, duke shpallur të pafajshëm njeriun që ka mundur në çdo çast ta rrëzojë atë. Ajo që është shkërdhyer një herë, nuk mund të quhet e virgjër…

    Reply to this comment
  10. mirel May 16, 04:31

    ketu ka tradheti burra..
    aliu dhe mendui duhet te paguajne cmimin e tradhetise
    gjakun e shqiptareve te vrare dhe terrorin qe iu be banoreve dhe Kumanoves.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*