“Çfarë lojtari!”, elozhe për yllin e ri shqiptar nga mediat italiane

September 12, 2018 15:50

“Çfarë lojtari!”, elozhe për yllin e ri shqiptar nga mediat italiane

 

Kombëtarja U-21 luajti të martën pasdite ndeshjen miqësore ndaj Italisë. Në sfidën e zhvilluar në Kaljari, kuqezinjtë e vegjël u mundën me rezultatin 3-1, por pjesa e dytë e lojës tregoi se ekipi i Shpresave ka “shpresë” pasi elementët cilësor dhe talentet nuk mungojnë. Mediat italiane kanë vlerësuar pozitivisht paraqitjen e kuqezinjve, duke marrë si bazë pjesën e dytë të lojës. Kështu faqja “Tuttomercatoweb” ka vlerësuar me nota kaluese futbollistët e përfaqësues sonë.

Portieri Gentian Selmani është vlerësuar me notën 6. “I kujdesshëm në gjuajtjet e të kaltërve, ndoshta pak i befasuar nga gjuajtjet e Murgias”. Me 6 është vlerësuar dhe mbrojtësi Kryeziu. “Mbyll mirë në pjesën e parë, por i pavëmendshëm në pjesën e dytë. (zëvendësohet nga Ndreu në të 86`, ky i fundit pa vlerësim)”.

I vendosur në qendër të mbrojtjes edhe Marash Kumbulla është vlerësuar me notën 6. “Për mbrojtësin e ri të Veronës kjo ishte një provë pozitive në qendër të mbrojtjes. Për pothuajse gjatë gjithë lojës ai lufton kundër bluve”. Gjashta është nota që vlerësohet edhe Tafa. “Gjithmonë i gatshëm për të mbyllur hapësirat, lufton në çdo moment”. Të njëjtin vlerësim merr dhe Hakaj, mbrojtësi tjetër kuqezi. “Shtyn vazhdimisht në pjesën e dytë të lojës edhe në momentet më të vështira. (Nga 79` futet Ndau, nuk ka vlerësim)”.

Në mesfushë gjithashtu nota është pozitive. Lindon Selahi është vlerësuar me notën 6, duke ndihmuar shumë skuadrën të shtyhet përpara, por njëherazi duke penguar kundërshtarët të depërtojnë në mbrojtje. Me 5.5 është vlerësuar Mucolli. “Ka ritëm të ngadaltë në veprim, mundohet të përballet me kundërshtarët. (Nga minuta e 46` luan Abazaj. Meriton notën 7-të. Me të është një tjetër Shqipëri, efiçent dhe për pak prek golin me një trajektore të bukur)”. “Pasdite e shkëlqyer për mesfushorin”, shkruan Tuttomercatoweb, duke e vlerësuar Kedji Baren me notën 6.

I njëjti vlerësim edhe për Ademin, që vlerësohet kryesisht për pjesën e dytë të lojës. Ndërsa Taulant Seferi është vlerësuar me notën 5 nga mediat italiane. “Nuk shkakton probleme, gjuajtjet  e tij ndalen siç duhen. (Nga minuta e 46` futet Ramadani. Meriton notën 6.5)”. Notën më të lartë e ka marrë dhe Xhakomo Vrioni, që debutoi në ndeshje miqësore ndaj Italisë. Me 7 është vlerësuar sulmuesi i talentuar. “Çfarë lojtari i mirë! Jo vetëm për gjuajtjet me mjeshtëri, por për punën e madhe që u hapi mbrojtësve italianë”, përfundon vlerësimi për futbollistët kuqezi.

a.s/dita

September 12, 2018 15:50
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*