Çfarë ka ndodhur në MD (mbi tenderat e konfliktit Kryemadhi-Gjonaj)

February 11, 2019 10:02

Çfarë ka ndodhur në MD (mbi tenderat e konfliktit Kryemadhi-Gjonaj)

Më 29 dhjetor 2016, Ministria e Drejtësisë shpalli një tender për të siguruar pajisje për  mbikëqyrjen elektronike të personave që vuajnë dënime alternative-të cilat njihen gjerësisht  si byzylykët elektronikë. Por grupi i punës nuk përgatiti specifikime teknike dhe zgjodhi t’u drejtohej operatorëve në treg për të caktuar fondin limit.

Zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë morën oferta nga tre kompani dhe përmes një mesatareje të thjeshtë matematikore e vendosën fondin limit në rreth 233 milionë lekë.

Tenderi u fitua nga bashkimi i tre operatorëve “Fastech sh.p.k, Ratech sh.p.k dhe Soft & Solutions”, dy prej të cilave kishin kontribuar me oferta për përcaktimin e vlerës së tenderit.

Por një hetim i Prokurorisë së Tiranës, i nisur nga një raport auditi i Ministrisë së Financave tregon se tenderi dështoi të ofronte pajisje që garantonin siguri në mbikëqyrjen e të dënuarve.

Tenderi i byzylykëve elektronikë ishte më i kushtueshmi, por jo i vetmi që dyshohet se u zhvillua përmes shkeljeve dhe në fund dështoi të ofronte shërbimet e kërkuara. Sipas Prokurorisë së Tiranës dhe raportit të auditit të Ministrisë së Financave, pesë tendera të zhvilluar në vitet 2016-2017 nga Ministria e Drejtësisë me vlerë rreth 550 milionë lekë [4.4 milionë euro] janë kryer në shkelje të procedurave dhe nuk kanë sjellë rezultate në përmirësimin e shërbimeve.

Pjesë e hetimeve janë bërë tenderat për mirëmbajtjen e sistemit ICMIS të Gjykatave Administrative, ai i sistemit të Regjistrit Noterial, tenderi i sistemit të monitorimit me kamera të burgut të Lezhës dhe atij të Fushë-Krujës, i sistemit elektronik të Përmbarimit si dhe ai i byzylykëve elektronikë.

Javën që kaloi, Prokuroria e Tiranës ngriti akuza dhe lëshoi urdhër-arreste për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera për sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha, drejtorin Aurel Lamçe dhe specialistët e IT-së, Arlind Alikaj dhe Lysien Ali. Gjykata vendosi masën e “arrestit shtëpiak” për tre zyrtarët, ndërkohë që Ali është shpallur në kërkim.

Tetë nëpunës të tjerë, pjesë e grupeve të punës apo komisioneve të vlerësimit të ofertave janë gjithashtu në hetim. Organi i akuzës deklaroi se po verifikon edhe mbi përgjegjësinë e ish-ministrave të Drejtësisë, Petrit Vasili dhe Ylli Manjani për tenderat e mësipërm.

Por hetimi i Prokurorisë së Tiranës u shoqërua me debate politike të enjten në Kuvend. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi akuzoi ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj se kishte shantazhuar prokurorë dhe gjyqtarë për të arrestuar punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë. Përmes një deklarate për shtyp, Gjonaj u përgjigj se mbështeste prokurorinë në luftën kundër korrupsionit, “për të vënë para përgjegjësisë këdo që ka hedhur firmën në ato tenderë”.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ironizoi Prokurorinë përmes një statusi në Facebook, ndërsa u shpreh i hapur për verifikim.

“Nëse ky pushtet ka mbaruar punë me trafikun e drogës, kanabizimin e vendit, koncesionet e PPP, tenderat…le ti verifikojnë edhe shërbimet mbështetëse të Ministrisë së Drejtësisë. Biles edhe të kohës së sotme, se i njëjti personel është…,” reagoi Manjani.

Ardian Visha, avokati i të akuzuarve Lamçe dhe Alikaj nuk pranoi të komentonte mbi akuzat e ngritura ndaj klientëve të tij.

Mangësitë e tenderave

Pajisje të mbikëqyrjes elektronike në Shërbimin e Provës.

Dosja hetimore për abuzimet me tenderët në Ministrinë e Drejtësisë u iniciua nga një audit i Ministrisë së Financave, i kryer në përiudhën tetor-nëntor 2018. Grupi i inspektimit hartoi një raport prej 127 faqesh për shkeljet e pretenduara dhe ia dorëzoi atë në formën e kallëzimit penal Prokurorisë së Tiranës.

Hetimet paraprake verifikuan parregullsitë në procedurat e prokurorimeve të pesë tenderave, por edhe abuzime me likuidimet e kryera gjatë vitit 2018, të cilat sipas raportit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit.

Sipas dosjes së auditit të Ministrisë së Financave që BIRN e disponon, të pestë tenderat e audituar kanë nxjerrë fitues operatorët ekonomike me vlerat më të larta, ndërkohë që konkurrentët në garë janë paraqitur pa ofertë ose pa dokumentacion-një praktikë kjo që ngre pikëpyetje për paracaktimin e fituesve.

Për tenderin me objekt “Përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale”, auditi ka konstatuar si shkelje përcaktimin e fondit limit në mungesë të një studimi dhe përmes marrjes së ofertave në treg. Edhe pse grupi i punës është justifikuar se nuk kishte kontata të mëparshme të këtij lloji, audituesit kanë konstatuar se për këtë shërbim Ministria e Drejtësisë ka lidhur dy kontrata të mëparshme, ku shërbimi është kryer me partnerë ndërkombëtarë.

Përveç këtij tenderi, kompanitë Fastech dhe Soft & Solution kanë fituar një tjetër kontratë në shkurt 2017 për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të menaxhimit elektronik të çështjeve të Përmbarimit me vlerë 67 milionë lekë dhe me afat zbatimi një periudhë 51 mujore. Të dhënat e siguruara tregojnë se për këtë tender është skualifikuar oferta më e ulët dhe është shpallur fituese ajo më e larta, me argumentin se plotësonte kushtet për kualifikim.

Nga verifikimet ka rezultuar se likujdimi i kontratës është realizuar në shkallën 89.6% dhe pjesa e mbetur në vlerën 6.900.000 lekë është shërbim mirëmbajtje deri më 9 mars 2021. Tenderi i mësipërm rezulton të jetë zhvilluar pa pasur në dispozicion fonde për vitet 2020-2021.

Probleme janë konstatuar edhe në tenderin për pajisjen me kamera të burgut të Lezhës dhe Fushë-Krujës, tender i cili nuk u zhvillua nga Burgjet por nga Ministria e Drejtësisë përmes një udhëzimi të ish-ministrit Petrit Vasili.

“Ministri mund të nxjerrë udhëzim, por në këtë rast ka urdhëruar kryerjen e procedurave të parashikuara nga një autoritet varësie, që është autoriteti kontraktor përgjegjës për prokurimin e fondeve publike të akorduara për këtë institucion,” thotë grupi i audituesve.

Për tenderin që lidhej me dixhitalizimin e Regjistrit Noterial, audituesit kanë vërejtur se mungonin specifikimet teknike dhe se ka pasur bashkim mekanik të fondeve.

“Ky bashkim mekanik i fondeve ka rritur në mënyrë fiktive vlerën e fondit limit të prokuruar…,” thuhet në raport.

Probleme të ngjashme janë hasur edhe në tenderin për sistemin elektronik të Gjykatave Administrative, ku fondi limit është përcaktuar mbi bazën e ofertave të dhëna nga operatorët në treg.

“Bazuar në mesataren e ofertave të tre subjekteve, fondi limit për këtë projekt është përllogaritur në vlerën 12 405 400 lekë pa TVSH,” thuhet në raport.

Realizime gjysmake

Auditi i Ministrisë së Financave ka arritur në përfundimin se shkeljet ligjore në përgatitjen e tenderëve dhe shpalljen e fituesve nuk janë të vetmet.  Rezultatet e ofruara nga kompanitë fituese konsiderohen gjithashtu të mangëta dhe të vonuara, duke mos sjellë përmirësime të sistemeve të prokuruara. Për shembull, audituesit e kanë pasur të vështirë të dokumentonin produktin e dorëzuar nga fituesit e tenderit për sistemin e kamerave në burgun e Lezhës dhe atë të Fushë-Krujës.

“Afati i lëvrimit është caktuar të jetë 4 vjet dhe 3 muaj nga data e nënshkrimit dhe hyrjes së saj në fuqi. Nuk ka rezultuar të dokumentohet që të jetë kryer ky shërbim nga kontraktori zbatues brenda afatit të ekzekutimit të kontratës, që ka nisur nga data 25 shtator 2017 e në vazhdim,” thuhet në raportin e auditit, ku shtohet se personat përgjegjës janë mjaftuar vetëm me përmbajtjen e proces-verbalit të marrjes në dorëzim. Për tenderin me objekt “Përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale” është vlerësuar se kontrata e nënshkruar mes sekretares së Përgjithshme, Juliana Hoxha dhe bashkimit të operatorëve fitues nuk ka qenë e rregulllt, pasi nuk ka qenë në gjendje i gjithë fondi i tenderuar.

Probleme janë evidentuar edhe gjatë zbatimit të kontratës. Në procesverbal është nënvizuar se grupi i punës dhe magazinierja kanë kontrolluar mallin nga ana vizuale për sasinë apo dëmtime të ndryshme ambalazhimi në secilën prej kutive. Por në fund, pajisjet nuk janë konsideruar të sigurta.

“Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës ka arritur në përfundimin që bashkimi i operatorëve ekonomikë nuk jep garanci për funksionimin e rregullt të mbikëqyrjes elektronike. Për pasojë, ky shërbim nuk garantonte sigurinë publike dhe ekzekutimin efektiv të vendimeve gjyqësore,” shkruhet në raport. Grupi i auditit e konsideron pagesën prej 150 milionë lekësh ndaj kompanive Fastech, Ratech dhe Soft & Solution si dëm ekonomik.

Lidhur me kontratën për sistemin ICMIS të Gjykatave Administrative, inspektorët e Ministrisë së Financave kanë vlerësuar se mosrealizimi i dhjetëra trajnimeve që duhej të ishin kryer në gjykatat administrative ka shkaktuar dëm ekonomik.

Programet e trajnimit dyshohet të mos jenë kryer as për noterët lidhur me sistemin e Regjistrit Noterial. Lidhur me këto shërbime të padokumentuara ose likuidim të kryera jashtë afatit kohor, audituesit kanë identifikuar një dëm ekonomik në total që kap vlerën e 12 milionë lekëve.

Audituesit e konsiderojnë si përfitim të padrejtë këtë vlerë, pasi në disa raste shërbimet nuk janë dokumentuar dhe në raste të tjera likuidimi është kryer jashtë afatit kohor të përcaktuar në kontratë, gjë për të cilën vlerësojnë se krijon efekte financiare negative për Ministrinë e Drejtësisë.

Edmond Hoxhaj / BIRN. Titulli është i redaksisë

February 11, 2019 10:02
Komento

5 Komente

  1. korçari February 11, 11:03

    Jam kurioz te degjoj komentet e mistrecit Manjani apo shkollshumit Vasili pasi kane rene ne heshtje absolute ,hajduteria e tyre eshte çeshtje ditesh te konfirmohet dhe keta maskarenj pa din e iman te dalin para drejtesise (se reformuar) dhe te kthehen ne anonime apo zero siç jan ne te vertete.Dhe t’a terheqin kemben zvare per Like floririn dhe Monen me çizme.

    Reply to this comment
  2. mirel February 11, 14:08

    Cfare behet ketu. Dmth Ministria kerkon te bleje pajisjet, dhe nuk e di cfare fondi do caktoje per blerjen, (vjedhjen), dhe eshte kaq e painformuar sa gjen ne “rruge” dy kompani dhe u thote..percaktoni nje cmim..jepini dmth-sa te doni.. Dhe ne fund del qe vlera e blerjes qenka me e larte se e tregut.
    Skandali qe vazhdohet me tej eshte e njejta praktije si e Unazes, ku rruga kushton 18 milione euro per Km.
    RiPiset jane ne ekstaze te gjithe, sikur nuk vjedhin asnje tender. Te kapur me preshe ne dore si LSI kane moral dhe bejne fushate. Si Petrit Vasili, si Manjani si Gjiknuri dhe Ahmetaj duhet te shkojne ne burg te gjithe. Bashke me Ramutin, si autorin e Tepsise qe kur perzuri LSIne i doli me mire ta ndante per vete.
    Ikin qindra miliona dhe ceshtja ngrihet per gjykim vetem pse u prish pazari midis Rames e Metes. Sikur mos te ishte prishur, Ramuti do vazhdonte tju jepte bekimin me gjithe pjesen e tepsise.
    Ramuti duhet te jete i pari ne fakt qe duhet te procedohet si kryetari i Kartelit, vete deklarata e tepsise e ben fajtor ne dijeni te pazareve me tenderar dhe korrupsionin.

    Reply to this comment
    • Feniks February 11, 15:43

      O mirel pse habitesh?
      A nuk i thane edhe atij centralistit te spitalit,qe pregatit dosjen me fotokopje dhe tenderat i ke te fituar!
      Ne marrim pulen,ndersa ti do marresh thelen tende!
      Ja keshtu jane bere tenderat ketu dhe tani na hiqen se po na cojne ne Europe!
      Mortja qe s’i ha se te gjithe jane hajdute dhe kriminele!
      Europa do bej gabim te madh ne se hap negociatat me harbutin e korruptuar ,se ndryshe budallenjte e PS prap ate do votojne!
      Te ggjithe ne burg qe nga Berisha,Basha,Nanoi,Meta dhe ky sharlatani Rama!

      Reply to this comment
  3. Bubulllimasi February 11, 15:43

    Te jeni te sigurt qe te akuzuareve ne kete afere nuk do tu futet as edhe nje gjemb ne kembe. Cdo hetim e gjykim ne Shqiperi, madje dhe ato parlamentare, jane nje rishperndarje e parave te vjedhura dhe shantazh per kundershtarin politik. Miljona euro u vodhen nga hajdutet profesionise te LSI-se ne rrugen Tirane – Elbasan,me buje u filluan hetimet mbas arrestimit te dy drejtoreve, tani nuk ndihet asgje. Pa tjeter prokurore, gjykates dhe pse jo qeveritaret e tepsise se rilindjes kane mar nga kjo vjedhje pjesen e tyre dhe se shpejti ata do te shijojne ne liri miljonat qe u kane ngelur mbas rishperndarjes. Edhe zyrtaret hajdut profesioniste te ministrise se drejtesise do ti neneshtrohen te njejtes procedure, mbasi te tundin nje pjese te miljonave nga thesi i megahajduterise LSI-ste, prokuror , gjykates bile edhe keta ministra rilindas te revoltuar do ti zere bajalldija dhe, edhe ne qofte se do te kete denime, ato do te jene pseudo denime.Keshtu ka ndodhur me pare, keshtu po ndodh aktualisht, keshtu do te ndodh ne te ardhmen; hajdutet tane kane vene jo miljonat por miljarrdat, dhe ata do te blejne jo vetem SPAK. dhe Byrone e hetimeve por edhe FBI-ne e SHBA. Qofsha i gabuar!

    Reply to this comment
  4. ETHEM February 11, 17:31

    Dakort me BUBULLIMASIN.Ketu nuk ka drejtesi.Ajo ka vdekur me urdher te Saliut qe me kursin 6 mujor te plepave.
    -Dhe leku i popullit po rrjedh si l u m ne xhepat e hajduteve te tmerrshem qe nuk kan te ngopur.
    -Edhe kjo afer korruptive do shkoi si te tjerat siç u veprua me Lulin,Liken,zenin…qenin..dosen..bini burra se nuk ka zot ky vend.
    Dhe bota tallet me ne.Se Europa eshte ne agoni.
    -Se Trampi fitoi zgjedhjet nga Putini..!
    -Dhe populli eshte ne halle..! Ndaj po merr arratine gjer ne fund te Botes..!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*