Çfarë po ndodh me tarifat e ujit? ERRU paralajmëron rritje të çmimit në të gjithë vendin

February 2, 2018 09:20

Çfarë po ndodh me tarifat e ujit? ERRU paralajmëron rritje të çmimit në të gjithë vendin

Reformimi i sektorit të ujësjellës-kanalizimeve dhe pretendimi për të pasur një furnizim më të mirë për qytetarët, lë hapësira për rritje të mëtejshme të çmimit. Një vlerësim të tillë bën Enti Rregullator i Ujit (ERRU), i cili ka paralajmëruar në raportin vjetor të vitit 2017, se ka ende hapësira për të rritur tarifat që lidhen sidomos me pjesën e shërbimeve.

Në analizën e saj ERRU konfirmon se ende situata mbetet problematike me një humbje në rrjet prej 67 për qind të ujit dhe ku lidhjet e jashtëligjshme zënë një pjesë të konsiderueshme në të paktën 20 për qind të totalit.

Nga përshkrimi i gjendjes së sektorit më sipër vihet re relativisht një përqindje e lartë e mbledhjes së faturave, ndërkohë që përgjithësisht sektori është në gjendje jo të mirë financiare. Kjo tregon që krahas problemit të lidhjeve të paligjshme, faktor tjetër kryesor për gjendjen e dobët financiare janë edhe tarifat e ulëta të shërbimeve, që kanë mjaft hapësirë për rritjen e tyre. Këtë fakt ERRU e ka një ndër konsideratat kryesore gjatë analizës, vlerësimit dhe miratimit të tarifave që propozojnë shoqëritë UK”, thuhet në raport.

Të gjithë këtë ERRU e argumenton me mundësinë e përballueshmërisë që është kriteri që përdor ky institucion për mundësinë që ka një familje për pagesën e faturës së shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve. Niveli që përdoret në këtë rast është 5 për qind e të ardhurave mesatare për familje.

“INSTAT vlerëson se të ardhurat mujore mesatare të përgjithshme të një familjeje janë rreth 70,000 lekë/muaj, që i korrespondon një niveli të përballueshmërisë së tarifave prej rreth 300 lekë/m3. Tarifat aktuale të shërbimeve UK janë akoma mjaft më të ulëta se kjo vlerë”, thuhet në raportin e ERRU.

Staf i mbingarkuar, mungesë përgjegjshmërie

Por një pikë tjetër që vlerëson raporti është stafi i mbingarkuar që ka ky sektor dhe mungesa e përgjegjshmërisë së tyre. Kështu në raport renditen disa nga pikat më problematike: ku sistemi i administrimit të sektorit është i decentralizuar me përgjegjësi direkte nga pushteti vendor, është mjaft i fragmentarizuar dhe i pabalancuar financiarisht me borxhe të konsiderueshme, ku vetëm 19 shoqëri mbulojnë shpenzimet e operimit, ka një mungesë përgjegjësie nga pushteti vendor dhe stafi drejtues i shoqërive të UK, ngaqë deficiti në bilancet financiare të shoqërive kompensohen nga qeveria qendrore me subvencione.

Raporti sjell në vëmendje edhe faktin që sot Shqipëria ka një cilësi të ulët shërbimi me furnizim me ujë mesatarisht 12/24 orë në ditë vetëm në pak ujësjellës. e.sh

 

February 2, 2018 09:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*