Karteli i naftës fiton 12 milionë euro në muaj nga mosreflektimi i çmimit ndërkombëtar

Edlira Shehu September 18, 2013 11:53

Karteli i naftës fiton 12 milionë euro në muaj nga mosreflektimi i çmimit ndërkombëtar

Denoncimi i kohëve të fundit i vjedhjes me peshën tek pikat e karburantit me pakicë tregoi majën e ajsbergut të një prej karteleve në ekonominë shqiptare. Pse nëse vjedhja në peshë shkon në disa dhjetëra gramë për litër, vjedhja me çmimin shkon 200-300 lekë për litër. Këtë vjedhje ka vite që e kryen i qetë karteli i naftës. Bëhet fjalë për një marrëveshje të paligjshme mes importuesve kryesore të naftës tek ne, për të mbajtur artificialisht më të ngritur çmimin e shitjes së naftës dhe benzinës në tregun shqiptar, ngasa duhej të ishte realisht, në bazë të konjukturës së tregjeve ndërkombëtare.

Në të gjitha vendet e botës çmimi i naftës në katër muajt e fundit ka rënë, për shkak të pasojave të krizës botërore ekonomike dhe financiare, të uljes së konsumit të naftës në SHBA, por edhe në Kinë, Indi dhe vendet e BE-së. Në Itali nafta është ulur 18 përqind, në Francë po ashtu, në Gjermani me 21 përqind. Edhe në Maqedoni dhe Mal të Zi nafta është ulur me mbi 10 përqind. Vetëm tek ne tregu i ka veshët e shurdhër dhe sytë qorr. Operatorët e tij (tregtarët me shumicë e pakicë të karburanteve) të nxjerrin me qindra qarje e justifikime për ditët e sotme, po t’i pyesësh.

Akcizë e lartë, kosto transporti, etj. Por asnjë prej tyre nuk është në gjendje të përgjigjet se përse kur depozitat e naftës janë 2-3 javore (pra tek e fundit zgjasin vetëm për tre javë maksimumi), pas tre javësh çmimi i naftës në tregun tonë nuk ulet me ritmin e sasisë së re të importuar. Ngrejnë supet, si të ishin engjëj të pafajshëm. Rezultati i kësaj “mosdijeje” është se nga një mijë e nëndëqind lekë të vjetra litri në kohën e çmimit rekord, nafta në Shqipëri është ulur vetëm me pesëdhjetë lekë të vjetra litri deri më sot, kur duhej të ulej me të paktën dyqind lekë, sa dhe është ulja ndërkombëtare. Kjo dëshmon se tregu i naftës në Shqipëri ka trajtën e një karteli (të zi). Çmimi i sotëm i naftës tek ne është rrjedhojë e një marrëveshje të fshehtë midis firmave oligopoliste që kontrollojnë tregun. Loja lehtësohet nga një kontroll sipërfaqësor i strukturave fiskale të qeverisë së ikur.

Askush, që nga OJF-të e deri tek tatimorët, policia tatimore dhe vete deputetët e Parlamentit, nuk kanë guxuar ta denoncojnë. Rezultati është një abuzim e vjedhje masive ndaj mbi 460 mijë pronarëve të automjeteve në Shqipëri. Me një shifër të frikshme parash të humbura. Kështu, nëse abuzimi (me çmimin ndërkombëtar) llogaritet dyqind lekë të vjetra për litër në ditë dhe marrim një mesatare prej pesë litrash në ditë që konsumojnë dhe blejnë (ose dy milionë litra në nivel vendi) qytetaret tanë, atëherë vjedhja është pesëqind milionë lekë të vjetra në ditë. Ose rreth 360 mijë euro në ditë. Që bëjnë rreth 12 milionë euro në muaj ose 360 milionë euro në vit!

Kjo është vjedhja më e madhe dhe e përbindshme që i bëhet ekonomisë së këtij vendi, fuqisë blerëse të qytetarëve tanë. Qeveria në ikje ka bërë sehir. Gjatë 8 viteve të fundit, nafta është ulur të paktën 15 herë ne tregjet ndërkombëtare dhe po aq herë konsumatori shqiptar është abuzuar e vjedhur. Askush nuk e ndalon këtë lojë. Tani qeveria e re mund ta bëjë këtë. Nje komision parlamentar për abuzimet në tregun e naftës mund te ngrihet. Prej zbulimeve befasuese që mund të bëjë ky komision, vjedhja ndaj qytetarit mund të ulet edhe në fusha të tjera, ku ajo kryhet sot intensivisht. Si në çmimin e paketave të duhanit, të telefonisë celulare, në përqindjet e kredive bankare, etj. Me këto veprime jeta do të bëhet më pak e shtrenjtë.

Pse makinën e përdorin sot gati të gjithë shqiptarët, edhe familjet e varfëra detyrohen ta bëjnë këtë për shkak të mungesës së një transporti urban dhe interurban cilësor. Është detyrë dhe sfidë e qeverisë së re të bëjë transparencë të plote, duke thirrur në komisionin parlamentar edhe struktura që duhet të kishin zbuluar me kohë bashkimet e paligjshme të karteleve, si Autoriteti i Konkurrencës. Edhe në rast se shumë gjëra nuk do të arrijnë të zbulohen, vetëm frika që do të ndiejnë të “shtatë motrat” (kompanitë kryesore importuese të naftës në Shqipëri, do të bëjë që nafta të ulet me të pakten 100 lekë të vjetra litri tek ne. Dhe kjo do të ishte një arritje e pamohueshme e shtetit të së drejtes dhe shtetit social në Shqipëri.

 

 

 

Edlira Shehu September 18, 2013 11:53
Komento

2 Komente

  1. sabri September 18, 11:17

    Problemi vetem sa eshte cikur dhe e verteta lidhet me korrupsionin ne nivelet e larta: ministri, Kuvend, komisione parlamentare.
    Dhe ja pse:

    Ceshtja lidhet se pari me tregun grosist;
    si ka mundesi qe ne Shqiperi te funksionojne 7 kompani te medha(jane dhe dhjetra te tjera te licencuara per kete qellim), kur ne SHBA jane vetem 4 te tilla dhe disa dhjetra mijera ne trehun e pakices? Kjo ndodh sepse vetem keshtu kontrollohet ky treg!
    Bejeni vete krahasimin ju lutem.
    Ne shume vende ka nje Ent rregullator (e ka dhe Maqedonia), qe nxjerr cdo mbremje cmimin me te cilin do te tregtohet karburanti per tregun me pakice.
    Ketu nuk eshte bere.
    Si funksionon sot Porto Romano, kush e kontrollon? Pse jashte kesaj qendre depozitash mbeti kontrolli nga shteti? Kush e la dhe pse?
    krijimi i rezervave ne cdo kompani ne bote nuk ka me pak se 30-60 dite. Tek ne, fale korrupsionit, nga kaq qe ishte ne nisje, sot ka arritur deri ne dy jave. Pse, kush e ka bere, kush ndikoi ne kete favorizim gjigand korruptiv ndaj grosisteve?
    Jane shume pyetje te tjera, qe konkludojne ne nje: ky abuzim behet nen autoritetin sheteror dhe ne Kuvend, ku vendosen ligjet.
    DUHEN NDRYSHUAR URGJENTISHT!

    Reply to this comment
  2. shoferi September 18, 17:10

    Cdo gje funksionon sipas organizimit mafioz per te zhvatur popullin e varfer shqiptar.Pse nuk I publikojne vjedhesit e kapur nga kontrolli ?Pergjigja eshte e ditur : sepse duan te vazhdojne vjedhjen pa e ulur asnje dite ritmin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*