Çfarë rrezikon realisht Greqia ?

January 29, 2016 14:39

Çfarë rrezikon realisht Greqia ?

Greqia është venë sërish në fokus në lidhje me efikasitetin e ruajtjes së kufijve të jashtëm të Unionit, si edhe mbi çështjen e menaxhimit të fluksit të refugjatëve. Projekt raporti i vlerësimit të Shengenit, ka konstatuar në terren neglizhime të rënda nga pala greke, të detyrimeve të saj, duke përfshirë si mangësitë e rënda në ekzekutimin e kontrolleve në kufijtë e jashtëm, por edhe mos kryerjen e detyrimeve, që lidhen me identifikimin, kontrollin dhe regjistrimin e të gjithë të dhënave të kërkuara, në lidhje me refugjatët, që penetrojnë në territorin e saj. Por, a po rrezikon realisht Greqia daljen e vendit nga zona Shengen?

Fillimisht duhet kuptuar se, në përgjithësi ekziston një predispozitë për të trajtuar në dy mënyra të ndryshme çdo situatë politike.

Mënyra e parë, është kryesisht një mënyrë e thjeshtë, me tendenca për anashkalim të racionales, rrëshqet lehtësisht në subjektivizëm, dhe më e rëndësishmja është se ka një “dobiprurje” të lartë politike, pasi krijon debat, polarizim, duke e instrumentalizuar tërësisht situatën. Në rastin konkret, theksimi gjithnjë e më i fortë i idesë se, “Greqia rrezikon daljen nga Shengeni”, sigurisht që e merr shtysën nga deklarime të caktuara politike evropiane si nën zë, por edhe publike, të cilat japin karburantin e caktuar për instrumentalizim. Kjo shkakton si pasojë, jo vetëm krijimin e një gjendje alarmi të pabazë, që nuk e ndihmon aspak ekonominë greke, por mbart efektet e saj dhe në vendet fqinje me të, që kanë lidhje të ngushta ekonomike apo tregtare me Greqinë.

Nga njëra anë, është e rëndësishme të kuptohet se “goditja” ndaj radikalëve të majtë, është në favorin e dy grupimeve kryesore politike të jetës evropiane, si majtas, por edhe djathtas, që të përbashkuar kërkojnë daljen e radikalëve nga skena, për të ndihmuar kthimin e partive, apo anëtarëve të familjeve të tyre. Historia e politikbërjes evropiane ka treguar se, familjet e mëdha politike, vetëm për të ndihmuar anëtarët e familjeve të tyre në momente të vështira, kanë shkuar shumë larg, duke nëpërkëmbur jo vetëm sundimin e ligjit, demokracinë, dhe shtetin e së drejtës, por duke mohuar edhe vetë vlerat mbi të cilat ngrihet dhe mbështetet morali dhe ekzistenca e tyre politike. Nga ana tjetër, vërehet se edhe radikalët e majtë të Greqisë, po e shfrytëzojnë maksimalisht këtë situatë, duke u rebeluar ndaj presioneve të forta të Evropës, që kërkojnë të izolojnë vendin. Dhe jo vetëm me fjalë, por me fakte, shifra dhe statistika konkrete, mbi rolin e lartë të Greqisë në përballje me këtë situatë. Pra, shndërrimi në viktimë e goditjeve të padrejta evropiane, që kërkojnë shkatërrimin, izolimin dhe përzënien e Greqisë nga BE, sigurisht që përkthehet në mbështetje publike dhe rritje të elektoratit, që ka demonstruar vazhdimisht kundërshtime të forta ndaj politikave imponuese evropiane. Në tërësi kjo mënyrë këndvështrimi është e thjeshtë, e lehtë, populiste, me interes të lartë politik, me dobi të padiskutueshme mediatike, por nuk ndihmon as ekonominë dhe as vetë qytetarët e këtij vendi.

Mënyra e dytë, e vëzhgimit të kësaj situate është objektiviteti, pra një ndërthurje e domosdoshme në logjikë, nga njëra anë, mes faktit se çfarë presupozon mekanizmi evropian tashmë i vënë në lëvizje në lidhje me Greqinë dhe nga ana tjetër, se si ndërthuret ky mekanizëm, me një sërë lëvizjesh të fundit politike në nivel evropian, në lidhje me këtë situatë.

Shengeni njeh një sistem vlerësimi sistematik të krijuar në vitin 2013, që do të thotë se, ekziston një mekanizëm, që mundëson verifikimin e aplikimit të rregullave të Shengenit në formë sistematike, tek vendet anëtare. Ky verifikim i aplikimit të rregullave, bëhet në dy forma, ose nëpërmjet kontrolleve të paralajmëruara, ose nëpërmjet kontrolleve të befasishme. Ekipet e kontrollit drejtohen  nga Komisioni dhe përbëhen nga ekspertë të shteteve anëtare dhe Frontex.

Pas çdo kontrolli, apo inspektimi, përpilohet një raport ku evidentohen problematikat si edhe propozohen masat korrigjuese, që duhet të aplikohen brenda një afati të caktuar kohor dhe më tej është Komisioni, që i prezanton rekomandimet Këshillit për miratim. Më pas, është shteti anëtar në fjalë, që duhet të propozojë një plan veprimi, që parashikon mënyrën se, si mund të zgjidhen këto problematika. Komisioni, Frontex apo organizmat e tjerë të Unionit mund t’i kërkojnë ndihmë shteteve anëtare, në ekzekutimin e rekomandimeve duke ndërmarrë masa praktike ose financiare.

Por, nëse lexohet me vëmendje komunikimi i Komisionit aty theksohet se, edhe raporti i tetë semestral mbi funksionimin e hapësirës Shengen të 15 dhjetorit 2015, bënte me dije që në funksion të rezultateve të vlerësimit Shengen në Greqi, masa specifike të parashikuara nga neni 19 bis dhe neni 26 të Kodit Shengen mund të rekomandohen. Që do të thotë se, nëpërmjet hapësirës që krijon neni 19 bis, Komisioni mund të rekomandojë që shteti të marrë masa specifike, ku përfshihet ndër të tjera zhvendosja e ekipeve evropiane të ruajtjes kufitare, ose prezantimi i një plani strategjik, që përcakton modalitetet e zhvendosjes së këtyre trupave. Dhe këto propozime duhet të miratohen më pas nga një Komitet i përbërë nga shtetet anëtare, që votojnë me shumicë të cilësuar.

Pra, shteti në fjalë ka tre muaj kohë për të ekzekutuar masat korrigjuese. Nëse pas tre muajsh, situata ngelet ende e përkeqësuar dhe masat rezultojnë të pamjaftueshme (ato që përfshin neni 19 bis) atëherë Këshilli ndërmerr si masë të fundit apo të skajshme, pas propozimit të Komisionit, aplikimin e nenit 26. Pra, futjen e kontrolleve të brendshme kufitare apo pjesëve të tij. Ky rekomandim i Këshillit kalon në votim me shumicë të cilësuar. Por, siç shpjegon edhe vetë Komisioni, neni 26, që parashikon vendosjen e kontrolleve kufitare në situata të jashtëzakonshme, i lejon ato për një periudhë jo më shumë se 6 muaj, e cila mund të shtyhet sërish, duke kapur maksimumin, një kohëzgjatje dy vjeçare. Por, çdo shtyrje kërkon zbatim rigoroz të vlerësimit të situatës, raportimit të saj dhe gjykimit evropian në lidhje me këtë situatë, ndryshe nga çfarë kanë vendosur një sërë vendesh, në forma krejtësisht të njëanshme për vendosjen e kontrolleve të brendshme kufitare.

Siç edhe kuptohet, synimi kryesor është që, nëse situata e ruajtjes dhe menaxhimit të kufirit të jashtëm të Unionit në Greqi nuk është efikase dhe masat e ndërmarra nuk sjellin rezultatin e pritur, përgjatë tre muajve të caktuar si afat, atëherë në këto zona kufitare do të zhvendosen ekipet evropiane të ruajtjes kufitare, që do të menaxhojnë situatën. Vetëm para pak kohësh në muajin dhjetor, Athina zyrtare do të shprehte pakënaqësinë e saj në lidhje me idenë për zhvendosjen e këtyre trupave evropiane në kufijtë e saj, pasi sipas autoriteteve greke Greqia është një vend sovran dhe kjo bie ndesh me ligjet ndërkombëtare.

BE nuk synon aspak nxjerrjen e Greqisë nga zona Shengen. Leximi objektiv i komunikimit të Komisionit Evropian, bën të mundur shpjegimin shumë të saktë të kësaj situate. Por, jo më larg se dje, kemi edhe një iniciativë të re politike që vjen nga Holanda, shteti që mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, ku synohet arritja e një Marrëveshje të dytë me Turqinë. Një Marrëveshje që do të bëjë të mundur, një kompromis mes Unionit dhe Turqisë për marrje të planifikuar të 250 mijë refugjatëve në vit, që hyjnë në tokën turke, por me kushtin e vetëm që Turqia të pranojë në territorin e saj, kthimin mbrapsht të të gjithë imigrantëve, përfshirë edhe azilkërkuesit, që hyjnë në mënyrë të parregullt në territorin grek. Pra, në rast se do të shkohet drejt arritjes së kësaj Marrëveshje, kemi një lehtësim thuajse të konsiderueshëm të flukseve, që synojnë territorin grek, për të ardhur më pas në Union, çka e rrëzon tërësisht idenë se, presioni politik evropian për të nxjerrë Greqinë nga Shengeni është real.

Nuk duhet harruar, se nuk ka shumë kohë që BE nënshkroi një Marrëveshje me Turqinë, në lidhje me çështjen e refugjatëve, që do të mundësonte mbajtjen e tyre në territorin turk dhe integrimin gradual të tyre në Turqi, duke i penguar këto flukse të vazhdonin itinerarin për në territorin evropian. Një Marrëveshje, që la një shije të hidhur, sa për arsyen se krijon një deformim të vullnetit, logjikës apo frymës imponuese të ligjit ndërkombëtar, në lidhje me të drejtat e refugjatëve, po aq edhe për faktin që vërtetoi sërish se politikat e zgjerimit mund të instrumentalizohen lehtësisht, duke i vënë tërësisht në dyshim ato. Për të mos përmendur këtu, tërheqjen e fortë të vëmendjes nga organizmat e të drejtave të njeriut, që i rikujtuan BE-së, në dhjetor 2015 se, me paratë e saj po financohet keqtrajtimi, burgosja dhe përzënia, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare, të azilkërkuesve që hyjnë në territorin turk.

Është i rëndësishëm fakti, që edhe pse Marrëveshja e parë e kryer me Turqinë në këtë drejtim rezultoi e shumë kritikuar, kemi sërish përpjekje të qarta politike të iniciuara nga Holanda, për kryerjen e një marrëveshje të dytë me të. Përpjekje, që jo vetëm parashikohet të lehtësojë Greqinë nga barra e menaxhimit dhe administrimit të flukseve të larta të refugjatëve, që penetrojnë në territorin e saj, por konfirmojnë edhe njëherë tendencat për zgjidhje pragmatike politike edhe pse ato mund të jenë të kritikuara se, bien ndesh me kuadrin e të drejtave të njeriut. Jo më larg se dje, në Konferencën vjetore të GJEDNJ, Presidenti i Gjykatës të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi do të deklaronte se, po përgatit një plan-veprimi për t’u përballuar me një hapësirë të re ankimesh në Gjykatë dhe që lidhen me zhvendosjen e pavullnetshme të refugjatëve, në vende të ndryshme të BE-së. Konkretisht bëhej fjalë për 24 ankime në Gjykatë të azilkërkuesve, për zhvendosje kundër vullnetit të tyre, në Hungari. Në një vend tejet problematik në fushën e zbatimit të të drejtave të njeriut, sidomos të të drejtave të azilkërkuesve. Gjithsesi ngelet ende për t’u parë në vijim, nëse vullneti holandez për arritjen e një Marrëveshje të dytë me Turqinë do të konkretizohet, në muajt në vijim./im.ta/

 

 

 

 

 

 

 

January 29, 2016 14:39