Çfarë u bë me 40 bandat? Eksperti: Paratë e krimit nuk po bllokohen

August 21, 2018 19:59

Çfarë u bë me 40 bandat? Eksperti: Paratë e krimit nuk po bllokohen

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Pëllumb Nako thotë se organet kompetente kanë sekuestruar  në një vit shumë më pak para krimi nga ç’duhej bllokuar në të vërtetë.

I pyetur nga Top Channel mbi gjendjen e rendit në vend, ai e nis nga krimi i organizuar. Nako merr si shembull rastin e 600 kg kokainë të kapur në Durrës.

“Vlerësimi që kanë bërë specialistët në vlerën e investuar, vlerën e parave që janë harxhuar për ta marrë këtë sasi, është te 120 milionë euro. Pra kemi vetëm një grup, i cili deri tani, të paktën sipas hetimit, përbëhej nga 4 persona, që ka kryer një investim kriminal prej 120 milionë eurosh. Ndërkohë, të gjitha institucionet e shtetit tonë kanë sekuestruar një sasi që është në vlerat e 60 milionë eurove.”

Ai pohon se vet drejtuesit e lartë të institucioneve shtetërore kanë deklaruar disa muaj më parë se në vend ekzistonin 40 grupe kriminale. Por sot, Pëllumb Nako thotë se askush nuk po i përmend më.

“Po të shikoni faqen e internetit të Policisë së Shtetit, para disa kohëve e reklamonte punën e Task Forcës në drejtim të kapjes së këtyre grupeve kriminale. Në mos gabohem ishin 6 apo 7 grupe. Tani, kjo faqe nuk e paraqet më këtë problem. Pra, duket qartë që është një dështim. 33 grupet e tjera kriminale ku janë? U reklamua për disa muaj edhe e famshmja Task Forca ‘Forca e Ligjit’. U reklamua për disa muaj dhe u la përgjysmë. Në muajt e fundit nuk flet njeri për të.”

Nga ana tjetër mbetet problemi i krimit ordiner, që ndikon drejtpërdrejtë te perceptimi që qytetarët kanë për sigurinë e tyre.

“Para disa kohëve filloi me publicitet shumë të madh krijimi i forumeve qytetare të sigurisë. Filloi ministri i Brendshëm, doli në disa qytete, papritur u ndërpre. Pse? Njerëzit janë të shqetësuar dhe pyesin përse u la përgjysmë një nismë e tillë?”, thotë eksperti.

Nako shprehet se shqetësimet sociale që lidhen me ndjenjën e pasigurisë, ndiqen nga një fenomen i dytë social që lidhet me largimin dhe braktisjen.

s.a/dita

August 21, 2018 19:59