Nga Bedri Islami
Për disa ditë me rrallë ishulli i Sazanit u bë kryefjala e politikës, mediave dhe analizave pa fund. Zakonisht çudirat zgjasin tri ditë, por, duke qenë se në lojë ishte futur dhëndri i ish presidentit amerikan Trump, shkoi edhe pak më shumë , dhe, si duket, do të rikthehet herë pas here në agjendën e debateve publike.
Ishte si një gur i hedhur në ujë, radhët e të cilit hapin cikle të vazhdueshme.
Askush nuk e dinte surprizën e papritur të dhëndrit presidencial. I vetmi ishte shefi i qeverisë. Të tjerët, që më pas u bënë pjesë e debatit, ishin aq të paditur, sa që heshtën në fillim, për të bërë më pas rolin e mbrojtësit apo të mohuesit të plotë të nismës që erdhi përtej Atlantikut, dhe, befas, për të qenë në faqet e para të shtypit botëror.
Pamjet e digjitalizuar duken mbresëlënëse , suitat e së ardhmes, gjithnjë nëse do të jenë ndonjëherë konkrete, të joshin, por edhe të trembin, duke lënë pas enigmën se cilët do të jenë pushuesit e ardhshëm atje.
Shqiptarët? Pak e vështirë, duke përjashtuar klasën e oligarkëve dhe të politikës! Njerëzit e zakonshëm, jo, se jo.
Çfarë do të përfitojë Shqipëria nga e gjithë kjo? Ka disa përparësi, më të shumtat lidhen me jehonën e një investimi madhor, me emrin e investitorit, luksin që do të mund të sjellë, familjen presidenciale, të fshehtat që mban në vete ishulli i dikurshëm i mbrojtjes, ku kishte më shumë makineri luftarake, se sa njerëz, etj.
Një resort i tillë të josh, ai, më shumë se gjithçka tjetër, mbetet misteri i së ardhmes së turizmit shqiptar që, do të mund të sjellë në këtë vend klasat e pasura të gjithë botës.
Unë besoj se resorti nuk ndërtohet për shqiptarët. Ndoshta nuk do të ndërtohet në shumësinë e tij as nga shqiptarët. Ai do të jetë në një truall shqiptar, ku vetë shqiptarët do të jenë të huaj. Do të jetë vendi i pa arritshëm i tyre, ëndrra televizive që nuk do të mund të bëhet realitet.
Pronarët e ardhshëm, cilëtdo qofshin, nuk do jenë këtu për sytë e bukur të shqiptarëve dhe as për të ngritur nivelin e jetesës së shqiptarëve të varfër. Si çdo tregtar tjetër ato do të shohin fitimet e tyre, do të sjellin klientët e tyre, do të afrojnë mënyrën e tyre të jetesës dhe të bërit biznes, do të kenë kujdes për të rifituar në një kohë të shkurtër çfarë kanë shpenzuar, duke mos hequr dorë as nga qindarka e tyre.
Kjo është bota e tyre dhe nga kjo botë nuk ndahen as nga protestat budallaqe të opozitës, as nga mirëdashja e shefit të ekzekutivit.
Shqiptarët kanë përvojën e tyre të hidhur nga këto investimet ku përzihen emra të mëdhenj. Kanë sjellë disa përparësi dhe kanë marrë me vete mrekullitë që u ka afruar legjislacioni i shtetit shqiptar, mirëdashja e qeveritarëve dhe fshehjen mashtruese të asaj që realisht kanë bërë.
Ne kemi thirrur “urra” ende pa e kaluar urën. Jemi zgjuar në mëngjes për të parë se çfarë ka ndodhur në natën e shkuar, pa e menduar se kemi ditën para.
Jemi hutuar nga emrat e mëdhenj, shpesh herë pas tyre janë fshehur të njëjtët e lidhur me politikën, dhe kemi harruar se pasuria e tokës, e nëntokës dhe e detit është mbi të gjitha për shqiptarët.
Kështu ka ndodhur me naftën, që, edhe pse jemi të pakët në rajon që e nxjerrim atë nga nëntoka jonë, përsëri kemi çmimin më të rritur. Në Kosovë, ku nuk ka asnjë burim nafte çmimi është 30 për qind më lirë, në Maqedoninë e Veriut edhe më i thellë është ndryshimi.
Kompanitë e naftës që na u duk se erdhën nga Teksasi kishin qenë hija e fshehur e Taçit, një biznesmen i afërt me familjen Berisha, aq sa kishte qenë i anatemuari i saj. E njëjta lojë me emra të tjerë ndodh sot. Miliona e miliona tonë naftë të përkthyer në valutë, përfunduan dhe vazhdojnë të përfundojnë në xhepat e disa njerëzve të panjohur, që, pasi e shkatërruan industrinë përpunuese, e shitën më tej për skrap. Si nuk ndodh askund në botë.
Notojmë mbi naftë, por hairin nuk ia shohim. Përkundrazi. Çfarë fituan naftëtarët, edhe pas dekadave pune, që, një ditë të bukur, të mbetur pa bukë, u detyruan të marshonin rrugëve për të marrë rrogat e prapambetura, ndërkohë që bosët e ardhur nga larg dhe bosët e fshehur të vendit merrnin paga multi-milionëshe?
Kromi dhe bakri është fushë tjetër e mafies. Bulqiza ecën mbi flori, por është e varfër. Njerëzit vdesin galerive. Askush nuk kujtohet për të. As shteti. Biznesmenët u dërgojnë familjeve një thes miell, një letër ngushëllimi dhe…kaq ishte. E gjithë industria nxjerrëse, përpunuese e bakrit përfundoi sapo ua besuan firmave “famoze”.
Uzinat mbaruan, nuk u duket më as shenjë e as nishan. Një uzinë moderne, si ajo e telave dhe kabllove të hollë e shumë të hollë, në Shkodër, me më shumë se dy mijë punëtorë është sot një karakatinë e shëmtuar. Shteti e kishte më të lirshme të thërriste në ndihmë biznesmenë për të grabitur, se sa për të ndërtuar. Ne e shesim kromin thjeshtë si mineral, bakrin, po ashtu.
A do të ndodhë kjo edhe me enigmën “Sazani”? Askush nuk e di, por një gjë është e sigurt: dhëndri presidencial, arabët apo kushdoqoftë pas tij dhe para tij vështirë se do e mbështetin turizmin e tyre në produktet shqiptare. Vështirë se të punësuarit e shumtë do të jenë shqiptarë, nëse të gjitha këto nuk rregullohen sipas një kontrate të veçantë.
Qeveria sot dhe kushdo të jetë në një ditë të ardhshme në qeveri duhet të bëjë pyetjen themelore: çfarë përfiton Shqipëria në të gjithë këtë investim?
Sepse, një investitor, sado i pasur të jetë, rend të arrijë i pari në një vend ku toka, mali apo deti i jepet falas, por qeveria është për njerëzit e saj. Të joshë të huajt, mirë bën por t’i josh për ta bërë jetën e banorëve të saj më të frytshme dhe më të bukur. Ndryshe asnjë investim nuk ka vlerë. Të gjitha mund të jenë në standarde të larta, por kurrë për shqiptarët.
Askush që do zhvillimin e vendit nuk është kundër investimeve madhore në Shqipëri. Do të ishte budallallëk i madh. Për më tepër do të ishte kundër interesave kombëtare.
E mbani mend Berishën? Vinin bosët e larguar nga politika, si ndërmjetës të biznesit amerikan dhe u jepej gjithçka, ndoshta edhe thjeshtë për të siguruar një vizitë në Shtëpinë e Bardhë.
Sot duket ndryshe, por unë ndjej një frikë kur vijnë emra të njohur, sidomos të botës së politikës apo të biznesit në Shqipëri.
Vjen Dua Lipa, mirë se vjen – dhe pastaj mësojmë lajmin për ndërtimin e një resorti në oborrin që i shkëputet Butrintit.
Vjen kryeministrja italiane, Meloni, puthemi dhe qeshemi, e shpallim motër të madhe dhe shkrihemi, por të nesërmen mësojmë se do i jepet fusha e Gjadrit.
Vjen dhëndri dhe bija e ish presidentit amerikan, gëzohemi për jahtet e tyre dhe deklaratat “e mahnitura” nga trojet tona, pastaj mësojmë se në tri vizita u jepet ishulli i vetëm i Shqipërisë.
Kush do të vijë pas tyre dhe çfarë do u dhurohet? Askush nuk e di veç shefit të qeverisë. Dhe pikërisht kjo, nuk është mirë.
*****
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016