“Check-up parandalon 450 vdekje të parakohshme. Kontraktori merr më pak para”

January 25, 2016 10:33

“Check-up parandalon 450 vdekje të parakohshme. Kontraktori merr më pak para”

Në vargun e akuzave të shumta nga opozita, Ministria e Shëndetësisë sqaron përfitimet që sjell kontrolli shëndetësor i grupmoshave nga 40 deri në 65-vjeç, i quajtur ndryshe edhe Check-up.

Ministria e Shëndetësisë duke u bazuar tek rasti britanik, thekson se me Programin e Kontrollit Bazë Pa Pagesë 40-65 vjeç, do të arrihet të kursehen kosto për shpenzime shëndetësore rreth 125 milionë dollarë në 10 vjet, si dhe do të parandalohen 450 vdekjeve të parakohshme.

“Kursimi do të vijë, së pari, nga kostoja më e ulët me të cilin e ofron këtë shërbim partneri privat, së dyti, nga parandalimi i sëmundjeve të rënda të kushtueshme, dhe së treti, nga ofrimi i këtij shërbimi pranë mjekut te familjes, i cili ka qenë një shërbim tërësisht i munguar në shërbimin shëndetësor parësor”, sqaron Ministria.

Një kontroll bazë shëndetësor përfshin vlerësimin e riskut shëndetësor për 7 çështje të rëndësishme të shëndetit të çdo qytetari. Ato janë: 1) Hipertensioni arterial; 2) Obeziteti; 3) Duhanpirja; 4) Kolesteroli; 5) Dieta e varfër; 6) Inaktiviteti fizik; 7) Përdorimi i alkoolit. Gjithçka që evidentohet gjatë kontrollit regjistrohet në dosjen elektronike shëndetësore, dhe më tej, në varësi të vlerësimit të riskut, bëhet komunikimi i tij, dhe fillon procesi i menaxhimit të riksut.

Për kontrollin e një personi 40-65 vjeç, Fondi i sigurimit shëndetësor i paguan kontraktorit 1537 lekë (pa përfshirë TVSH e cila transferohet në buxhetin e shtetit). I njëjti protokoll i kontrollit pa pagesë në sistemin publik kushton rreth 5200 lekë, ndërsa në sistemin privat kushton rreth 8000 lekë.

 “Kontraktorit i garantohet pagesa për 475 mijë kontrolle në vit, në qoftë se në një vit të caktuar, numri i kontrolleve nuk e tejkalon këtë kufi. Por, bazuar në përvojën botërore të OBSH-së, pritet që pas vitit të parë të programit, numri i kontrolleve të jetë mbi 520 mijë në vit”, sqaron më tej.

Kostoja totale e programit pritet të jetë 64 milionë dollarë në 10 vjet dhe jo 120 milionë euro, siç është pretenduar nga zëra publikë. Ndërsa përfitimet totale nga programi pritet të jenë 189 milionë dollarë. Pra, kursimi neto pritet të jetë 125 milionë dollarë në 10 vjet (1 dollar = 125 lekë).

Pas fillimit më 1 prill 2015, dhe një periudhe konsolidimi dymujore, në periudhën qershor–dhjetor 2015, kontrollin e kanë bërë 210 mijë vetë (mesatarisht 30 mijë në muaj). Në vitet në vazhdim, pritet që kontrollet t’i kryejnë mbi 43 mijë persona në muaj.

Të dhënat e deritanishme tregojnë se 18% e personave që kanë bërë kontroll vuajnë nga tensioni i lartë arterial pa e ditur këtë gjë. Ndërkohë rreth 4% e pacientëve që ishin me diabet, nuk e dinin se e kishin këtë sëmundje. /Dita/

January 25, 2016 10:33
Komento

1 Koment

  1. birbo January 25, 11:14

    pra kursim quhet kur harxhon 12o milion euro e kursen 120 milion dollare ne 10 vjet hahahahahahahahah

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*