Cikli i mbijetesës

January 28, 2019 12:00

Cikli i mbijetesës

Moikom Zeqo 

AUSHVICI I LIBRAVE

Ca njerëzucë me pubertetin gëbelsian
Djegin librat e mi me gjest inkuizitor.
Prej ujit të pavdekshëm të oqeaneve jam,-
S’më djeg dot asnjë zjarr monstruoz!

Avionë në re, për ku jeni nisur?
Aeroportet – pista realiteti të ëndërrt!
Sa njerëz rrinë në karrige palëvizur
Si kufomat në arkivolin e heshtur !

Nocioni i Purgatorit-dinakëri e një shpikje !
Ca drerë flokëgjatë si Krishti janë.
Shpirtrat e akullzuar krisin dhe thyhen
Mes Fjalës dhe Heshtjes rri Gënjeshtra e Madhe !

Servus servarum ! Botë klienteliste !
Tek flakadani i Jan Husit ndizini cingaret !
Çdo ide lëviz si një mi i frikshëm
Në gjirizet e kolrerës urbane!

Kalërojeni ditën me jele ankthi
Drejt Aushvicit të librave në kremator!
Besomëni! Sa herë çezmat i hapni
Shpërthejnë sirenat e alarmit botëror!

RINGJALLJA

Ç’nene ndalimi s’u thanë në Sinaj?
Ç’rregulla ka poezia? Ç’silistikë?
Semaforët m’i shkelin sytë dinakë:
“Kujdes! S’të denoncojmë! Ik pa frikë!”

Ç’demonë më prangojnë me mashtretat
Për të më futur në burgje varri?
Ndoshta kjo urë e brishtë prej fluturash
Do të më ngrerë tek Jeruzalemi prej ajri!

Tempuj të reve si një Tao kineze,
Roja e pafundësisë s’ka moshë.
Guinpleni i Hygoit qesh dhe kur s’qesh,
Varrëmihësit hamletianë presin në llohë.

Tek damarët e gjetheve i kam nervat,
Mekanika e Njutonit e ndjen një infarkt.
Përgojojnë pas kaktuesve nimfat dhe sirenat
Satirët fallosngritur, të prapë!

Çdo kthim i Përjetshëm është mit,
Hapësirat mbyllen veç koha është e hapur,
Të vdekurit stërviten me intuitë
Me metaforat e mia për t’u ringjallur!

ELIKSIRI

Kush shiringën e drogës me herezi e mbushi?
Kush u arratis në periferinë prej ëndërre?
Karrig-ja ime në studio – gjitar druri,
S’lëviz, s’lëviz që prej dhjetë shekujve!

Reklamat e shkruajnë një epigram fatal!
Nga krimet e zeza sterroset kronika.
Sa ethe mbërthyer në kristal,
Fjalët – makina ajrore të prishura!

Blez Paskali tha: “Kallam që mendon
Është Njeriu!” Apo fyell tiranësh?
Njëmijë fytyra kam kaledoiskop,
Alternuar në alkimi ngjarjesh!

Shenjat mesianike kush dreqin i di?
Ç’zë i së Panjohurës më flet?
Si Don Zhuani i marrë e ftoj në gosti
Statujën e Moralit asket!

Sa njerëz humbin në vorbujt e shkrumbit!
Sa të tjerë ngecin në fjalëkryqin e rrugëve!
Ç’mari ma nga të plogështisë u thurrin
Mediokërve pezhishkat e truve ?

Kush e stolis me ligje Gënjeshtrën ?
Ç’tërmet estetik tek unë bëhet fir?
Si ta u kthej cianurin e tmerrshëm
Në nektar pranveror, – eliksir ?

REMEMBER

Remember ! Estomemor ! Kush e di Historinë ?
Ç’garderobë lëkurësh kronika përherë ngre?
Qytetet arkeologjikë të braktisur rrinë –
Gurë shahu, katrahurë, nën dhe!

Kriptograme yjesh! Ç’kumt sekret u shpall?
Pikturomi ëndërrat Van Gog mbi lëkurë!
Oxhakun e ndez mes acarit të madh
Me librat që s’i shkrova kurrë !

LAMUEL GOLIVERIT

Në sukën ku hesht vetmitare një palmë
Paruken prej Dielli e ve horizonti,
Aty ku kuajtë dardanë janë binjakë
Në muzgjet detare të Jonit.

Lamuel Guliver! S’ka më aventurë!
As liliputë, as gjigandë në bjerrakohën e hirtë!
Veç Hënën – çorape të arnuar
E ngjesh në këmbën time të ngrirë!

PEMA E NDALUAR

Eposi i dhëmbjes asnjëherë nuk u shter,
Plagoset në mjegull e Vërteta!
Në labirintin e eshtrave në Ferr
Fillin e Arianës kurrë nuk e gjeta!

S’di ç’thonë për fatin tim gjithë yjet,
Për perlat që nxorri vullkani i mendjes?
Flugerin e emrit tim e rrëmbyen
Stuhitë e papërballueshme të jetës!

Arti nuk është Bukuroshja e Fjetur,
Shpirti rilind tek ankthi i Enigmës.
Pemën e Ndaluar Zoti e ka mbjellur
Vetëm mbi det mes Skillës dhe Karidbës.

PA TESTAMENT

Fantazma e Eskilit në ekrane ngriu
Si acid damkues për maskat e ballos
Një fidan trandafili që ja mora Saadiut
Guxova ta shartoj tek Lisi i Milosaos !

Ç’pushtet i egër shtyp tastjerat e Krimit ?
Ç’viruse ma bren çdo germë të emrit?
Plagë në ballin e vetë njerëzimit
Shfaqet Vrima e Zezë e universit!

Do të ngjitem mes thepave në Karaburun –
Në Sinain tim – ku asnjë Zot s’u shfaq,
Pa testament do t’ja le post mortum
Shqisat e mia detit të madh!

KUJTESA OQEANI

Albatrosi ndrit si far tek kepi
Dhe era i këput vetëtimat-fre
Në një vdekje hipotetike poeti
Është dorëshkrim i pashkruar, pa zë.

Det o At! Ç’gene më dhe në origjinë?
Ç’qumësht i delfinëve m’u mëkua?
Drurët kushurinj e dinë kodin mirë
Të lidhjeve shpirtërore me mua!

Valanidhi i shenjtë gjelbëron tek kripa.
Ç’lembe ilire tek Harresa më mbarti?
Miliona peshqit e gjurmëve të mia
Shpërndahen në kujtesa oqeani!

YLLI QË VERBON

Bija ime Kurajo! Mos u bjerr! Mos u tremb!
Kurban i bëj fjalët – me shpirtin e bëj plojën!
Shtrëngatët – invalidë shekujsh të shenjtë
Me paterica ylberi çalojnë dhe rrëzohen!

Sibilat thonë profeci plot horror
Tek teatri “Globus” shekspirian mbi hon.
Në zenitin e dëshpërimit botëror
Ndrit ylli i çmendur, që verbon!

DRIDHEN TEMPUJT

Shqetësimi shpërthen me pasione të vrerit,
Orët ngecin të gjitha papritur.
Viruse të shenjta të Homerit
Mbart në gjakun tim të shprishur!

Ishuj të Thesarëve, mashtruta në ngrica,
Busullat dhe hartat i gëlltit një ëndërr.
Nën dallgët e rrudhave të mia
Dridhen tempujt e Atlantidës së fshehur!

MURET

Me sirena policie qyteti ulurin,
Në skaj landfildet janë si therrtore
Dhe ashensori zbret me rrëmbim –
Spiranca e një anije qiellore.

Përhapet stresi në ajër, me remba,
Era damarprerë ra mbi lumë,
Muret përreth i kam plot afreska
Të vegimeve të mia pafund!

VALIUM

Si fakiret hindianë përmbi maja tehu
Ngjarjet rrinë, – pika gjaku përhapen.
Beatriçja prostitutë Danten e gënjeu
Në shtëpi publike e ktheu Parajsën.

Pëlhura e meshëve nga Penelopa e shqepur
S’përtërihet më – s’ka Happy End, as epilog.
Unë kuajve u jap valium për të fjetur,
Mos çmenden nga streset në glob!

ARTI NË AJËR

Interneti s’e ka as gjeografinë, as mbritjen,
Lëvizje në vend, kuturu, pa rrebesh.
Trupin tim e braktis si detari anijen
E bëhem Robinson në një ishull idesh!

Të gjitha Gorgonat me kthetrën e bakërt
Do t’i shkrij në fonderi, në imagjinatë!
Dhe do të mbetet arti im në ajër
Si gjuhët e vdekura të popujve që s’janë!

Ç’YLL TË BETLEHEMIT

Ç’yll të Betlehemit panë barinjtë e dhenve?
Dhe retinat ju bënë pergamenë antikë.
Vjeshta ndez tek pishtarët e gjetheve
Zjarrin e saj të fshehtë, alkimik!

Pse i shkruan tani në ekranin e kaltër
Email-et e tij të habitshëm flladi?
Ca pulëbardha shekujsh lëvizin në ajër
Si duar virtuoze muzikanti !

ËNDËRRAT

Ëndërrat – atdheu i engjejve ! Ah, ëndërrat !
Me blice xixëllonjash çfarë mund të fiksosh?
Aty ku i kam tërë fjalët e pathëna
Si dhoma pritjeje të një pallati bosh.

Smogu i ka përmasat e Mollohut,
Dhe morsi i Titanikut ende pulson.
Handikapatë të botës, bashkohuni!
Ekologjia s’është revolucion!

DIÇKA E RRALLË

Kështjella ilire prej muzgu në Borsh.
Ullinjtë shekullorë kokrrat kanë ngjarje!
Do të ik, të udhëtoj si një xhind gazmor
Në labirintët nënujore detare!

Duket se sendet s’kanë më rëndesë,
Madje dhe gjelbërimi kaltërin
Diçka e rrallë dhe mrekullore feks
Si dëbora e Parajsës në Limb!

TEK MALI I TRANDAFILAVE

Hapësira më e ngushtë kohën s’e mban,
Ekuilibri mes tyre humbi, u tret.
Një zogth shkon të bëhet vigan
Tek Mali i Trandafilave në det.

Një gur pa shtytje lëvizi dhe ra,
Ç’duar të padukshme i dalin mjedisit?
Do t’i krishteroj tërë pyjet e mëdha
Për ikonat e ardhme të Apokalipsit!

GJURMA INKANDESHENTE

Delfinët i shpërndajnë lart cirkat
Si mrekulli digjitale të spotit!
Shikoj hartën e vendëlindjes – Currilat –
Gjurmën inkandeshente të Zotit!

Kuajtë atletë në pllaja, gëmusha,
Zigzaket e zogjve në zgrib, në lakore.
Kush i di farëzat e vockla të harruara,
Që do të bëheshin pyje madhështore?

SHANSI I HIRUSHES

Ç’pasion hedonist në errësirë më ndjell?
Ç’Carpe Diem reklama ndez dhe fik?
Shansi yt Hirushe ! Fute këmbën – monedhë
Tek këpuca e telefonit automatik!

Ç’lavdi e rremë i mbyt horizontet?
Ç’mankth i shumëfishtë vjen edhe shkon?
Mbase në Tej-jetë Migjeni martohet
Me Zhan D’Arkën për të lindur Rembonë.

PENDE KRYËNGJËLLI

Laringu i një honi me gurë i bllokuar,
Gjethet – nimfa fluturojnë mbi ujëra,
Më mbetën ca shpresa verbuese në duar –
Pendë kryeëngjëlli të shkulura!

Udhët për në Had janë në çdo skaj,
Shkrepi i ndryshkur thembrat m’i therr
Aty ku Harresa rrit bimët e saj
Me pezhishka të helmëta plot tmerr!

AKUAREL ELEKTRIK

E di si bëhet një akuarel elektrik,
Dita feston çdo mëngjes mbijetesën.
Kali Likorn më shfaqet në pritë
E në përrallë ma kthen vetë ëndërrën!

Trenat e gjakut më shkasin mbi shinë,
Stacione s’ka, – shkretëtirë pambarim.
Tek germa M e takoj shën Marinë
Tek Z-ja – fundi i kryqëzimit tim!

PORTA E ARTË

Hieroglifin e përroit si kyçin në xhep
Deti e ruan për Portën e Artë.
Në mijëvjeçarët e kripës në breg
Djalëroftë ky ulli patriark!

Ylli i Zenitit si bleta u mpiks
Brenda qelibarit të ngrirë të Amëshimit.
Gjon Bdek Buzuku vetë m’i qëndis
Me vetëtima arnat e shpirtit !

SINTAKSA E TËRMETIT

Ç’pe ashtu? Ç’të papritur ndjeve?
Ç’sintaksë formulon për ty një tërmet?
Se unë jam nga populli i rrufeve,
Shpirtrave u gjej shtëpi në internet!

Shekspirin e mbaj në shpinë si gungat,
E gungaçëve përrallorë të infinitit.
Mbas vdekjes eshtrat do të m’i ruajnë trupat
E kuajve inteligjentë të Swiftit!

PYETJET

Kush vallë kërkon të zbulojë më kot
Ç’ka brenda meje? Ç’ide dhe ç’shpirt?
S’ju përgjigjem dot ! S’ju përgjigjem dot !
Për mua pyetini detet eruditë !

Vërtitet rreth e qark paranoja,
Apoteoza e shytyruar e fundit.
Zemrën do ta nxjerr nga goja
Si luanin mbret nga shpella e triumfit!

PULËBARDHA E VERBËR

Si elektrovinxhi i peshave të rënda
I ngre dilemat tmerr të poezisë!
Pulëbardha e verbër përplaset tek Hëna
Grafikë e çuditëshme japoneze e gjithësisë!

Pitagorë! Muzika e sferave është rit!
Dhe lëvizja e atomeve thjesht frymë!
Dy zogj e sajojnë një Mozart lehtësisht,
Dhjetë engjej në qiell e bëjnë një film!

KËMBËZBATHURI I UNDËRGRAUND-IT

Me mua është e mahnitur vjeshta
Për gjestet intime prej magjistari.
Mbaj tërë vdekjet e atyre që desha
Si qostekë dhe sahatë ari!

Ç’pamje ka fytyra e Shpëtimtarit
Mes mjegulla profecish në horizonte !
Dhe unë këmbëzbathuri i undergraund-it
Ndjek me sy gjurmat e mia qiellore!

SHPIKJA E FILMIT

Poezia është dashuri pa martesë,
Me ëndërra bëj kudo akuarelë!
I gjallë jam tani, i vetmuar hesht,
Kur të vdes do të jem gjithandej!

Sa anije humben drejt Tulës së largët
Në agimet boreale pa fatin e kthimit?
Ngjyrat lëvizin, ashtu si ciganët,
Në gjenezën biblike të shpikjes së filmit!

KAPËRCIMI

I qetësoj shtrëngatat dhe i kthej në kripë,
Në kripë hyjnore për cjeptë në hon.
Çdo gjë më duket paradoks i vështirë
Sa dhe aporitë e filozofit Zenon!

Mjaft më ! Mjaft më ! S’kam ç’t’ju rrëfej !
Heshtni dhe ju ! Gojëkyçur në shi !
Nga ç’Vrimë e Zezë arrij të Kapërcej
Në galaktika të tjera që s’i di ?

NEKROLOGJIA

Unë them në ekstazë yshtjet e shamanit
Për imazhet e mendimit bredhës!
Tek provinca e proverbave të Bizantit
Do të nxjerr nga poret nikotinën e vehtes.

Duhani – bisha heraldike e planetit
Me çorkun e mushkërive të lidh dhe më lidh!
Era e athët e algave të detit –
Nekrologjia e funeralit tim!

VETËM E TASHME

Jeta absurde – karnaval brenda kishës,
Kohërat e kujtesës janë vetëm e Tashme.
Yjet m’i ngjizin si spermatozoidet
Fetuset e mëdha të imagjinatës !

E përherë jam kurioz të di ç’ka përtej
Dhe gjethet i lexoj si fjalë Ungjilli
Erenitë e Hakmarjes befas i kthej
Në flutura delikate prilli!

UNAZA

Tek sorkadhja e Llogarasë e gjej një kerubin,
Valëvitet Pisha Flamur mes shqotës
Sazanin do ta ngre – shën Gralin tim
Në altarin detar të Gjirit të Vlorës.

Kanë mërguar kuajt dhe çdo trandafil
Në trojet e metafizikës larg!
Ja, Vajza e Valëve që nga thellësitë
Ma dërgon unazën – të bëhem dhëndëri i saj !

NJËMIJË EKUINOKSE

Rrotullimi i çdo monedhe imiton planetin,
Bursa përhap një cens astrologjik.
Qentë molosë të mediave më ndjekin
Për të më shqyer si ujkun mitik!

Vesa ndoshta është e zotave djersë
Në ngrohjen globale në tretjen e poleve !
Derdhet gjak nga Kau i therrur i rrufesë,
Brenda heshtjes unë rri me njëmijë ekuinokse!

RRFANA E MJEDËS

Detet përjetojnë katarsin e thellë,
Por mjegull elektronike është media.
Këto re të ndritëshme i ve në bibliotekë –
Vëllime të edicionit të ri “Pranvera”.

Tingulli bulëzon në limfën e jetës,
Trupi dhe shpirti s’kanë asnjë ndarje.
Me rrfanën mitike të qershive të Mjedës
Bëj frerin e artë për llomotitjet letrare!

KOSGOMONI

Dhe në largësira unë ndihem kaq pranë
Si vetë Bing Bengu që bën kozmogoni!
Vetëtimat e prillit të trandafilta janë –
Kopështi Fluturues i poetit Rumi!

Ç’Qenie Pluskuese mund të gjente Chagalli
Në ujërat e Bunës, në pllajat me lule?
Do ta marr me qira një shtrëngatë Korabi
Për ta bërë atelje pikture!

NJERËZIMI

Meridianet i lidh dhe i bën litar
Personazhi kafkian i depresionit të thellë
Se s’erdhi asnjëherë Engjëlli Shpëtimtar
Në vetmitë marramendëse të njerëzve!

Krizat shumëfishohen në eter! O, ç’pleh!
Skizofrenia – deformim i pushtetit!
Zoti njerëzimin handikapat e sheh
Në karrocën prej invalidi të planetit!

VDEKJA PA TRUMPETA

Mjegulla zbardhi relievin e krastës,
Ngjarjet dlirësohen nga çasti intim.
Tezeu e ktheu fillin e Arianës
Me denator të eksplozivit agim !

Lisi deadian s’e ka rrëzuar hijen,
Por s’ka ujëra të reja për rinimin e detit
Se vdekje kur vjen trumpetat s’bijen
Në moshën e fundit si ndalja e ruletit !

PROTEZAT

Trafiku vërtitet si video-clip,
Por kitch-kultura në gjithçka na bren,
Tek lotët e Ajkunës ka kaq kripë
Për restorantet e metropoleve! Amen!

Dridhem i tëri dhe humbas në strese,
Çdo send tani më rrethon si fantazmë
I mbaj mbi komedinë ca universe –
Proteza të dhëmbëve që s’i kam!

HAIKU

Fjalë të pakta – boshllëk i papritur,
Mbretëri abstrakte metafizika
Kulla e Fildishtë e Mallarme-së ka krisur.
Ç’kultivues kristalesh Paul Valery-a!

S’dua t’ja di për VIP-a dhe modë,
Tërë jeta është një film horror!
Veç me një fllad, tre gjethe, dhjetë zogj
Bëhet haiku i shpirtit jugor!

RRUFEJA PESHK

Poezia thinjet në hiatuse mosardhjesh,
Ç’metaforë e re ka embrionin në pritje?
Gris Ungjillin Gnostik mijrafaqesh
Të fëminisë time naiv!

Aroma antike që çliron dafina
Frymëmarrje zotash është në çdo kohë!
Rrufeja ra tek këmbët e mia
Si peshku nga akuariumi i thyer në dhomë.

PLUHURI I PANTEONIT

Pikaso! Çfarë thonë, – pse ngërdheshen për dreq
Në botën e sfilatave Vajzat e Avinjonit?
Shfaqen disa kuaj të luanizuar krejt,
Afrojnë Ditën e Mbrame të Zotit!

Ç’pluhur bije në Panteonin e Artit?
Ç’kundërmim ka vdekja e fjalëve ?
Një Diogjen tek lokomotiva e Whitmanit
Mban fenerin në mjegulla shtrëngate !

SHPIRTI I BOTËS

Ç’teolog i thellë e kuptoi Zotin ?
Ç’katrahurë idesh e ka çdo gnostikë?
Zhan D’Arka kërkon në histori Kastriotin
Dhe gjen befas Nënë Terezën e brishtë!

Gazetat s’i lexoj, – por jo drurët në parqe,
Shqisoj i çliruar klorofilin shëronjës!
Me avionin prej yjesh të Arushës së Madhe
Zbres në pistat e Shpirtit të Botës!

ËNDËRRAT GRIFONË

Flamurthet e detarëve e kanë një alfabet
Për lirikat e mia – ç’kod kriptografik!
Dhe Heshtja e mban detin Jon përherë –
Unazë diamanti në gisht!

Era e rigonit në shpatet e vjeshtës,
Në ekstazë vertitet pulëbardha.
Pemë që nusërojnë me ylberët.
Vijnë ëndërra – grifonë nga Parajsa!

MAKINA E VJETËR E SHKRIMIT

Ajri mëngjezor është trans edhe paqe,
Gjestet e Hajavethës i përsëritin rrufetë.
Turtujt e gurit shpirtëra janë
Të Batos ilir që ishte dhe s’është!

Librat s’janë tjetër veç flitë e mendimit
Lexuesit nomadë humbasin në muzg
E prek makinën e vjetër të shkrimit –
Kalë përrallor i shaluar për rrugë…

AMËSHIMI, FLUTURIM PREJ MIZE

Amëshimi është ky fluturim prej mize,
Ç’kundërmon qelbëzimi i shpirtrave! Uf!
Kibernetika i ka ca viruse leuçemie,
Ngjyrat e imazheve dhe gjithçka bëhen shtuf!

Larg bujës fluturoj në abstragime,
Klandestin i epokës, nën përgojime vreri,
Ndonëse jam i shtrirë në Llogaranë e pishave
Me Akrokeraunet – çizme mosketeri!

HIJET E ZBRAZËTA

Lakrat e egra dhe këpurdhat në pyje
Klonohen në një transformim fatal
Dhe ndihem i vërtetë veç tek një botë alternative
Si imazhi i ëndërruar nga ky kalë!

Pyetjet – drapërinj më presin në shtjellë
Në genet e Njeriut kafshërisht të vjetër
Hijet e zbrazëta të të vdekurve dot s’i derdh
Në kallëpe ari të Eldorados Ëndërr!

REQUEM

Të Bukurën e përzënë! Shpagim kitsch-kulture!
Apoteozë satanike është spektakli!
Fluturat priftërojnë në meshat e luleve,
Dorëshkrimet e Buzukut janë relieve altari!

Të jesh apo të mos jesh është sa një klik!
Si kompjutri që ndizet dhe fiket kjo botë!
Nga sarkofagu bosh i Lazarit biblik
Si alibi e Njeriut del një robot!

Të jetosh duke ecur por pa lënë gjurmë
Mes prostitutash që bëhen shtriga në Salem!
Veç ca violinçelë – invalidë këmbëdrunjtë
Do të më vijnë çalë çalë në Requem!

ARTI TJETËRLLOJ

Dielli dhe Hëna si kopje digjitale,
Qeniet si mund t’i kthehen të Vërtetës ?
Tiktaku i orës – çekani i një farke
Kalit armët shpaguese të Vdekjes!

Se Rebelimi është Arti tjetërlloj,
Është epoka e re në çastin e zgjimit!
Ja ylberi – kamxhik! Me të e fshikulloj
Vetvehten si Francesku i Asizit!

ZBULESA E MADHE

Ç’shtrëngatë ka tek aorta zemra?
Si mund të udhëtosh në imagjinatë?
Pse të vdekurve u veshin këpucë të reja?
Udhëtimi i tyre s’është lëvizje aspak!

Ç’do të bëhet? Ç’mineral ka ky gur?
Kush formën e Historisë me poezi e mbush?
Zbulesa e Madhe ka mbritur qyshkur,
Po askush s’e priti! Askush! Askush!

METAFORA MË E MBRAME

Aksidente makinash tej në autostradë
Imitojnë groteskun mesjetar të karnavalit,
Ndigjoj në heshtjen time të pamatë
Këndezat prej bronzi të Hadit!

Mjerimi – ndotja e vetë universit.
Ringjallen valle shpresat edhe prej Venitjes!
Mbase shpiket Mbinjeriu i Migjenit –
Metafora më e Mbrame e estetikës!

PA APOGJE

Panta rei! Herakliti i Efesit në Koma!
Ç’është kjo lëvizje abstrakte pa ngjarje?
Uji i shekujve i mbyllur në amfora
Si këmba në këpucën fatale!

Shqiponja totem këlthet me llahtar,
Poshtë saj qe toka e tani s’është më!
E mua më ngrijnë lotët – gurë miliarë
Të Egnatjes së Dhimbjes pa apogje!

QIRINJTË E TORTAVE

Shëno orën e saktë të takimit me të Ardhmen,
Adresën virtuale të shpirtrave të kundërt
Dhe pastaj kupto më paradoksalen:
Tek koha pa kohë je i bllokuar!

Ka ngecur çdo sekondë sëbashku me vitin,
Kalendarët e planetëve pa flurudha.
Numrat prej fosfori të orës ndritin –
Qirinj mbi torta datëlindjesh të harruara!

206 LETRE I TRILLUAR

Deti i plas bubullimat si vezët
Mbi tiganin diellor për omeleta zotash !
Ca luanë nuhasin më kot tek shkëmbejtë
Zambakët anzhuinë në mosdukje kohërash!

Pagjumësia ime veç mbulohet me re
Në infermjerinë e ëndërrës si me garzë,
Ah poet! Poet! Zog i trilluar letre je,
Gjersa s’të pranojnë qiejtë realë!

BRENDA KURMIT

Brenda kurmit tënd çdo agim – “rendes vous”
Shuhet dalëngadalë dhe bëhet gur!
Ja Dielli i rrethuar nga delfinët blu
Dhe Hëna mbi flegra kuajsh të purpurt!

Nga fytyrat e shekujve bije grimi,
Xhokometi ato sërish i skalit!
Deti më duket imaterial si mendimi, –
Flet kaq shumë me gjuhën pa leksik!

SHFLETO DORËSHKRIME

Shfleto dorëshkrime dhe kode kriptike,
Ta ringjallësh dijen nga balsamosja prej riti!
Mbase kali i arratisur i Gjergj Elez Alisë
Tek Ylli Polar kullot petale miti!

Si lumenjtë e hutuar në kërkim të detit
Vërtitet arësyeja mes lajmesh dhe fleshesh.
Mos harroni ! Sistemi elektrik i qytetit
I lidhur është me nerva poetësh !

PËRJETËSITË

Gjeratore ujërash si zemrekë në ngecje,
Do gjithçka ta shohësh e në fakt s’di ç’të shohësh!
Dhe përplasesh në terr me kujtesën tënde
Si me pelikanin e balsamosur prej kohësh.

Mbas ngricës çdo gjë zbulohet nga zhdukjet
Dhe lulja efemere ftillëzon ultë zemrën !
Mbase vetë Zoti i mërzitur i ndruhet
Dhe i urren përjetësitë ashtu si zgjeben!

PA MESI

Kaosi mund ta mpijë çdo instinkt
Dhe klorofilën ta bëjë të bardhë.
Këmbëarti Pitagorë! Ç’argjendar të grabit?
Dhe bën me ty unaza dhe gjerdanë!

Shtrëngatat kanë detin – meshën e demonëve,
Ari biologjik i xixëllonjave bëhet hi.
Tërë netët i lexoj si dorëshkrime të motshme
Si Dhjatën e Vjetër pa Mesi!

DETI, VDEKJE PREJ AGAVIE
Flokë biblikë Samsoni rriten ullishtet, –
S’i pret dot askush në rëpira shpellash,
Meteorë që digjen në ajër dallëndyshet.
A është poeti tregëtar misteresh?

Ç’Mona Lizë e Duchamp-it fshihet pas perdes,
Ç’peizazh i Hopper-it në vetmi të skajëshme ?
Besoj te poezia si tek ringjallja e pemës,
Ku deti ëndërron një vdekje prej agavie !

BOTA E PASQYRAVE

Shkëmbej me drurë fat-thënës pa emra
Për natyrën e madhe një lloj parlamenti
Më tej një kopësht i vogël me kangjella
Si nimfë toke me gërsheta hekuri!

Fazanë të purpurt në pyll të portokajve,
Sajimi i ngjyrave – Kostum i arlekinëve!
Dhe futem i mahnitur tek shndritjet e dallgëve
Si Liza e vogël tek Bota e Pasqyrave!

AKSIDENTE FONETIKE

Paradoksi i ditës, heshtjet plot klithma,
Karaoket e natës si nokturne pa shije
Si poeti që i harron papritur gjithë rimat
E vdes i shurdhët në aksidente fonetike !

Lexoj ca sentenca të Ekleziastit
Por asgjë, asgjë s’më ngushëllon
Në Vaterlonë e epërme të yjeve të Fatit
Asnjë yllësi s’ka emrin Napoleon!

ZOTI I FSHEHUR

Si shahu i çmendur pa rregullat e lojës
Identitetet e ngatërrojnë vetveten !
Kërkimi – teatër ontologjik i njohjes, –
Iluzion i toreadorit të fitores mbi Vdekjen !

Dhe ngrihem kaq i madh në horizonte
Pa gravitacion, duke u endur
Çdo kufomë e ringjall me limfën hyjnore
Po agimi s’duket si Zoti i Fshehur!

January 28, 2019 12:00
Komento

1 Koment

  1. mirel January 28, 16:35

    Cikli I Mbijeteses do te thote te pakten nje orgazem ne jave per gruan o Moikom.
    Nuk e ke marre vesh akoma?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*