Për statistikat e shtetit dhe pagjumësinë e shqiptarëve

April 13, 2016 09:34

Për statistikat e shtetit dhe pagjumësinë e shqiptarëve

I nderuar z.Thano

Në lagjen tonë në zonën që njihet si Komuna e Parisit, ndodhi vjedhja e radhës. Hajdutët i hynë në shtëpi një fqinjit tonë pasi i kishin studiuar oraret e mungesës së familjarëve.

Pak ditë më parë, e njëjta gjë me një tjetër fqinj.

Policia erdhi 2 orë e gjysëm pas telefonatës dhe ishin aq të qetë dhe aq të avashtë sa e kuptuam që këto vjedhje që po shtihen në Tiranë janë rutinë e përditshme për ta.

Por për ne, si taksapagues e rrjedhimisht si punëdhënës të policisë dhe shtetit, janë shumë shqetësuese

Rrëfen një i mençur se dikë e kishin pyetur se ç`është më e fortë në këtë botë?

“Më i fortë është zjarri! Ai djeg e shkrumbon ç`gjen përpara” – ishte përgjigjur tjetri, e dialogu kishte vijuar më tej në këtë formë:

-“Po a ka më të fortë se zjarri?

-“Po, është uji! Uji e fik zjarrin. Mjaft që zjarrit t`i lëshosh ujë, e ai fiket, shuhet”.

-“Po a ka më të fortë se uji?”

-“Po, është era! Era e çon ujin përpjetë, sikur janë dallgët përshembull”.

-“Po a ka më të fortë se era?”

-“Po, ka më të fortë se era! Janë kodrat e malet. Sado që të jetë erë e fortë, ato nuk luajnë vendit”.

-“Po a ka më të fortë se kodrat e malet?”

-“Po, janë tërmetet! Ato i tundin kodrat e malet, e nganjëherë dhe i trasformojnë ato”.

-“Po a ka më të fortë se tërmetet?

-“Po, është gjumi! Keni dëgjuar besoj për ndokënd që e pyesin nëse i ndjeu lëkundjet natën, e ai thotë që jo, se po flija top”.

-“Po a ka më të fortë se gjumi?”

-“Po, janë hallet! Thotë tjetri: Mbrëmë gjithë natën pa gjumë!”

E jo veç për hallet, por dhe prej merakut se pronën mos ia dëmtojnë, makinën mos ia vjedhin, në shtëpi mos i hyjnë nga avllia e dritaret.

Pra, mbi të gjitha ato forca që u përmendën më sipër, ligësia njerëzore doli më e fortë; e duke iu qasur realitetit tonë të përditshëm, është ajo që po dërmon, shkatërron e mbyt çdo çdo mirësi e çdo virtyt ende të mbetur ndër njerëz, duke bërë që të jetohet më tepër se sa me frikë: Me ankth!

A nuk është pagjumësia e sa e sa shqiptarëve të tjerë ajo e keqja e madhe, para së cilës, pyetja nëse shteti është më i fortë, nuk ka kurrfarë vlere kur është fjala për t`u përballur me “të fortët”!

Në një vend, ku çdokush nuk e ka për hiç të mendojë se është më i fortë se shteti, e më pas të bëjë atë që i shkrepet me lehtësinë më të madhe, të merresh me shifra e bilance tregon thjesht se sa i dobët je. Si shtet.

April 13, 2016 09:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*