Cilat janë programet më të lira dhe më të shtrenjta të televizioneve shqiptare

October 8, 2017 15:21

Cilat janë programet më të lira dhe më të shtrenjta të televizioneve shqiptare

 

Programet e televizioneve kryesore, audienca e synuar, gara në oraret më të ndjekura. Cilat janë programet më të lira dhe më të shtrenjta për të reklamuar. Flasin drejtuesit e programacioneve të tre televizioneve kryesore në vend: Top Channel, TV Klan, Vizion Plus…

Nga Nertila Maho

Është e vështirë të mbash këdo mbërthyer pranë ekranit. Kjo varet nga ajo që ti ofron, por sigurisht varet shumë edhe nga pritshmëria dhe interesi që një teleshikues specifik ka.

“Lufta” mes televizioneve nuk bëhet për një, dy apo pak më shumë teleshikues, ajo kërkon shumicën, sepse kjo garanton edhe suksesin. Por po bëhet gjithmonë e më vështirë të mbash pas vetes këtë shumicë. Kjo sepse audienca po evoluon në shije, e nxitur nga zhvillimet brenda dhe jashtë vendit, ku aksesi i saj është thjeshtuar.

Për ta mbërthyer pranë ekranit do të të duhet të ruash suksesin e menusë ekzistuese, por mbi të gjitha do të të duhet të servirësh edhe pjesën “ekstra”, menunë e re. Ky sezon i ka gjetur televizionet në një punë intensive për të sjellë risi, për të ndjekur tendenca, për t’u bërë të veçantë. Padyshim që të gjithë kanë ruajtur bazën e tyre më të mirë, por i kanë shtuar apo janë në proces, elemente të reja kësaj baze, që kërkon të fitojë atë pjesë audience që nuk e ka gjetur veten, nuk ka parë interes ose shijet e saj janë shumë më përzgjedhëse sesa shumica.

Baza mbetet, e njëjtë pa modifikime

Monitor bisedoi me të paktën tre prej drejtorëve respektivë që kujdesen për programin në Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus. Në thelb janë disa emisione që kanë gjetur vendin e tyre në treg dhe në vëmendjen e audiencës dhe pikërisht ata janë kolona që nuk do të ndryshojë. Bëhet fjalë për emisionet e aktualitetit, që trajtojnë ngjarjet më të rëndësishme politike, kronikë dhe ekonomi.

Emri i emisioneve dhe prezantuesve përveçse është i konsoliduar është edhe përfaqësues për secilin prej televizioneve.

Në këtë grup hyjnë Top Story i Sokol Ballës, Opinion i Blendi Fevziut apo Dritare e Rudina Xhungës. Të gjithë kanë ruajtur të njëjtën tendencë të sezonit të mëparshëm, përveç emisionit të Ballës, i cili do të ketë një shpeshtim të takimeve me publikun, duke ju përshtatur deri diku intensitetit që kërkon tregu. Po kështu, një pjesë e mirë e emisioneve mbeten të pandryshuara si Exclusive, Zonë e Lirë apo Oktapod. Tre emisione përfaqësuese për tre ekranet e marra në analizë.

Për shumicën e televizioneve nuk ka shkurtime të emisioneve ekzistuese, ka vetëm shtim të programeve të reja. Këto të fundit ndjekin logjikën e konkurrencës përtej Shqipërisë, audiencës që kërkon më shumë argëtim dhe kërkesës për më shumë cilësi.

Tendencat e kohës kërkojnë vëmendje

Jo rastësisht të gjithë po shtojnë programe gatimi. Top Channel tashmë ka konfirmuar se edhe në këtë sezon, “Në shtëpinë tonë” do të vazhdojë të jetë prezent, madje Anjeza Maja dhe Florian Agalliu e kanë nisur tashmë këtë maratonë. Ajo që vihet re është promovimi i ushqyerjes së shëndetshme por edhe produkteve shqiptare. Por duket se edhe Klan, këtë sezon ka vendosur të përfshijë një emision që në bazë ka një formulë të thjeshtë dhe që gjithçka rrotullohet tek gatimi. “‘Kush vjen për drekë’ një formulë e jona, nuk është shpikje e jashtëzakonshme, është një formulë e thjeshtë ku personazhe VIP bëjnë “një konkurs”, por konkursi nuk është qëllimi, por është mënyra e gatimit, promovimi i produkteve të vendit, ngrënies së shëndetshme, bio, dietiket, që janë trendet e kohës”, shprehet Armand Shkullaku, drejtor i programit në TV Klan.

Flitet aq shumë për të bukurën, përsosmërinë, ndërhyrjet plastike dhe duket se në këtë linjë do të vijë një tjetër emision që reflekton pikërisht një tendencë. Kjo jo pa shkak, pasi numri i atyre që interesohen për një ndërhyrje ka qenë në rritje të vazhdueshme dhe po në lulëzim edhe biznesi që e ofron këtë shërbim. Një tjetër tendencë e shqiptarëve është ajo e udhëtimeve. Ofrimi i disa linjave më ekonomike edhe pse jo totalisht low cost, njohja me mundësi të reja rezervimi hotelesh ekonomike, por edhe ofrimi i paketave interesante turistike po kthen udhëtimet dhe eksplorimet në një kulturë edhe pse ende në numër të vogël. Emisione argëtimi me fokus aventurën dhe eksplorimin pritet që t’i shtohen televizioneve shqiptare, edhe kjo në ndjekje të trendit.

Telenovela? Po me shumicë dhe nga të gjitha!

Telenovelat janë një nga pjesët e programeve më të dashura për shumicën e audiencës shqiptare. Këtë konfirmojnë të gjithë televizionet të cilët nuk ngurojnë të dalin në treg për të blerë prodhimet më të mira. Top Channel do që të mbajë fort standardin e tij me prodhime ndërkombëtare, por fokusin e saj do ta ketë tek serialet aq të dashura amerikane dhe italiane, me të cilat audienca e tij është mësuar vit pas viti, duke kërkuar gjithmonë vazhdimin. “Në lidhje me blerjet e filmave artistikë e serialë, po punohet për një paketë të plotë të re me filma seriale si ‘Gomorrah’, ‘Empire’, ‘Billions’, etj., si dhe vazhdimësinë e sezoneve të reja të serialeve ‘Homeland’, ‘Amerikanët’, ‘Downton Abbey’, ‘Skuadra Antimafia’, ‘Nder e respekt’”, – pohon Vjollca Dedei nga Top Channel.

Klan, nga ana tjetër, ka vendosur që të mbetet tek audienca që tërheqin telenovelat turke.

“Serialet turke do të vazhdojnë të jenë pjesë e grilës programore këtë sezon, sepse vazhdojnë të rezultojnë shumë të suksesshme dhe me shifra të kënaqshme në audiencë. Në 2017, Turqia është renditur në vend të dytë në botë si eksportuese e prodhimeve televizive pas SHBA. Serialet turke tashmë kanë depërtuar edhe në Europën Perëndimore si për shembull në Itali në Canale 5 apo në Sky Italia. Pa harruar edhe faktin tjetër të brendisë së tyre, e cila është jetësore, e vërtetë dhe shumë afër mentalitetit tonë.

Janë të vetmet prodhime të cilat konkurrojnë me seriale të tjera por edhe me programe të prodhuara nga televizionet konkurrente. Prandaj gërshetimi i tyre me strukturën tonë programore, është absolutisht një zgjedhje e suksesshme në shifra audience. Gjithashtu seriali indian do të vazhdojë të shfaqet gjatë pasditeve, pasi ka rezultuar i suksesshëm, sepse janë seriale për të gjithë familjen, që nga fëmijët e deri tek mosha e tretë. Në këto seriale trajtohen tema familjare si familja, martesa, zakonet, traditat dhe është gjithmonë një dritare më shumë, për të zbuluar kulturën indiane nëpërmjet këtyre programeve”, – shprehet Albert Dumani, Drejtor i Programacionit në TV Klan, i cili ka nën varësi edhe departamentin për blerjet që lidhen me serialet dhe telenovelat.

Sipas tij, teleshikuesi shqiptar ka krijuar një lloj afeksioni për aktorët që luajnë në seriale, kryesisht ato turke dhe në çdo serial të ri, që shfaqen duket se ka një sukses të garantuar. Kjo histori duket se do të përsëritet me blerjen e radhës. Nga kompania, që prodhoi Ezel, Kuzey Guney, Diamante dhe Dashuri apo Dashuri e Ndaluar, vjen seriali më i përfolur i vitit 2017,

Xhesuri dhe e bukura’. Dy aktorët më të preferuar dhe më të suksesshëm turq Kıvanç Tatlıtu dhe Tuba Bujykystyn bashkohen në serialin e vitit që premierë në tetor në TVKLAN”, thotë Dumani.

Më i shtrenjtë dhe më i lirë! Pak surpriza te tarifat

Jo pa qëllim tërheqja e audiencës dhe ruajtja e një pozicioni të fortë në treg kërkohet nga televizionet në mënyrë të vazhdueshme. Kjo sigurisht përkthehet në të ardhura më të mira në portofolin e tyre nga buxhetet e marketingut që dedikojnë bizneset. Për vitin 2017, televizionet duket se kanë bërë pak ndryshime në tarifat që aplikojnë për reklamat që transmetohen para programeve të caktuara, apo në mes të programit.

Top Channel për janar-dhjetor 2017 ka vendosur të mbajë pak a shumë të njëjtat tarifa për publicitetin me dy përjashtime. Transmetimi i një reklame para ‘Procesit Sportiv’ është 1150 lekë/s më lirë sesa një vit më parë.

E njëjta situatë paraqitet edhe për “Top Show” me një ulje të tarifës para emisioni me 1150 lekë/sek, por edhe një ulje të tarifës në ndërprerjen e dytë gjatë emisionit me 785 lekë/sek. Për transmetimet para “The Voice of Albania” ka rritje me 400 lekë/sek më shumë kurse “Në shtëpinë tonë” me 200 lekë/sek. Ky i fundit ka shënuar rritje të tarifave edhe për ndërprerjet publicitare gjatë transmetimit me 150 lekë për sekondë, duke arritur në 750 lekë/sekondë. Rekordin për tarifën më të kripur e mban “Portokallia” me 4410 lekë/sekonda para nisjes së programit dhe me 8400 lekë/sekonda gjatë ndërprerjeve të programit.

Tek Televizioni Klan, tarifat që aplikohen për reklamat kanë ndryshime të vogla në total 4, nëse krahasimin e bëjmë me ofertën e 2017 dhe 2016. Reklamimi para ‘Aldo Morning Show’ kushton gjatë këtij viti 1 euro më shumë për çdo sekondë duke e çuar tarifën finale në 8 euro/sekonda. Për ndërprerjet publicitare gjatë emisioneve, rritje të tarifës kanë pasur emisioni ‘Opinion’ (të hënë, të martë dhe të mërkurë, por përjashtuar të enjten) nga 20 euro/sek në 23 euro/sek për 2017, si dhe ‘Zonë e lirë’ e ‘Dance with me’ që kanë rritur me nga 10 euro/sek tarifën për reklamat që transmetohen në mes të transmetimit. Tarifa më e shtrenjtë për reklama në Klan para emisioneve aplikohet gjatë ‘Opinion’-it të së enjtes, ‘Zonë e Lirë’, ‘Xing me Ermalin’, ‘Dance with me’, ‘Your Face Sounds Familiar” me 25 euro/sek, kurse për ndërprerjet gjatë emisionit, tarifa që aplikohet për shumicën prej këtyre emisioneve është 50 euro/sek.

Vizion Plus përsërit të njëjtën panoramë sikurse edhe dy televizionet e tjera. Tarifat e saj për 2017 lidhur me reklamat nuk kanë ndryshuar. Më shtrenjtë edhe këtu kushton argëtimi ku tarifa më e kripur është për emisionin ‘Dancing with the Stars’ me një vlerë 7700 lekë/sek, kurse ‘Al Pazar’ dhe ‘Apartamenti 2XL’ aplikojnë një tarifë 6600 lekë për reklamat që transmetohen gjatë ndërprerjeve.

Programet shtohen, cilësia rritet, por biznesi ende buxhete anemike

E ndërsa vit pas viti portofoli i programeve për televizionet, shtohet, ka lamishmëri në profil, në trajtim dhe cilësi duket se ka diçka që mbetet në vend. Tarifat që marketingu aplikon për reklamat. Këto të fundit kanë shumë pak ndryshime dhe kjo lidhet edhe me një stepje të biznesit për të reklamuar. Post-kriza dhe vështirësitë e ekonomisë kanë reflektuar tek buxhetet e marketingut, të cilët edhe pse jetikë, në disa raste kalojnë të parët në gërshërë dhe jo në mënyrë të moderuar.

Për drejtorin e Programit në Klan Armand Shkullaku, kjo lidhet me faktin se ende nuk ka një matje të saktë audience dhe bizneset që përballojnë tarifat e prime time zgjedhin këtë fashë duke pasur siguri për efektin. Pjesa tjetër preferon të presë gjatë për të parë ndikimin që një program ka tek audienca. Ka dhe të tjerë që nuk e gjejnë veten në asnjë nga programet dhe pikërisht, ndjekja e tendencave dhe ofrimi i sa më shumë alternativave është një mundësi më e mirë për të kapur edhe këtë kontingjent.

“Nuk vë re ndonjë ndryshim të madh. Vazhdon të ndihet kriza e biznesit dhe shkurtimi i buxheteve. Problemi është që bizneset nganjëherë i bien shkurt, duan emisionet e prime time, ato që ata kanë një lloj sigurie, ngaqë mungon kërkimi, studimi i tregut dhe marketingu i profesionalizuar. Unë mendoj që kjo gjë do të ndryshojë dhe jam i bindur që dhe audienca do të reagojë ndaj emisioneve dhe them që dhe biznesi do të orientohet ndaj tyre”, – shprehet Shkullaku.

Drejtorja e Programacionit në Top Channel, Vjollca Dedei, nënvizon se biznesi shfaq qasjen e tij ndaj reklamave në disa mënyra. “Ka disa lloje qasjesh të biznesit. E para ka të bëjë me fashën e orarit që natyrisht dominon prime time. E dyta ka të bëjë me cilësinë e shikueshmërinë e programit. E treta ka të bëjë me produktin që kërkon të reklamosh në varësi të audiencës që ndjek programin”, – thekson Dedei.

Marrë me shkurtime nga Monitor

October 8, 2017 15:21
Komento

2 Komente

  1. Nausika October 9, 08:09

    Me falni, po do te ishte me interes te dinim, se cili stacion televiziv, ka dhe nje program për shkollimin e femijeve, te rinise apo te mases se popullit?
    Programet shqiptare jane shume coriditese, te percipta dhe te konsumojne vetëm kohën.
    Agresiviteti dhe te qenurit i parrespekshme eshte i tej masesh…

    Reply to this comment
  2. perkthyesi October 9, 09:39

    Duke e transmetuar shpesh, dhe pa asnje kriter nje reklame, domosdoshmerisht bie ne menyre drastike shikueshmeria e nje programi. Keshtu ndodh sidomos me reklamat e News 24, te cilat pa asnje dyshim jane kthyer ne marketing gjigand, duke e kthyer kete kanal televiziv, nga me te shikuarit qe ishte, ndoshta ne piken me te dobet te ndjekjes! Mendoj se transmetimi i spoteve publicitare, duhet te jete sa me i rralle, por te jepen ne pika kyce te emisionit, pa zgjetur shume, ndryshe, e keni humbur shikuesin!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*