Cili është definicioni për seksin?

September 27, 2018 09:03

Cili është definicioni për seksin?

Duke filluar nga dy ditë më parë, Dita boton një bisedë me sociologun e njohur Fatos Tarifa, zhvilluar me redaksinë e kësaj gazete, për një ndër subjektet më sensitivë e më tabu në shoqërinë tonë, siç është emancipimi erotik i shoqërisë. Pikëpamjet e shprehura në këtë bisedë Prof. Tarifa i zhvillon më gjerësisht në një studim monografik, që e ka titulluar “Erosi dhe Demokracia” dhe që pritet të botohet së shpejti.

Pjesa III

Intervistoi Erion Habilaj

Alfred Kinsey ka bërë për seksin atë që Kolombi bëri për gjeografinë. Raportet e tij ishin një udhëtim shkencor i suksesshëm për eksplorimin e një bote të panjohur, siç është seksualiteti human.

 Marcuse është disi më i njohur te ne, por Reich-in e njohin shumë pak. Ju e cilësuat këtë të fundit si një filozof (të seksit), ndërsa më parë e quajtët atë një “psikanalist frojdian”, ndërkohë që, nga sa po thoni, pikëpamjet e tij janë mirëfilli sociologjike…

E vërtetë. Kuptimi dhe pikëpamjet e tij mbi seksin e kishin zanafillën te psikanaliza, por ato përbëjnë edhe një botëkuptim filozofik, që synon të shpjegojë një prej enigmave më të mëdha të njerëzimit lidhur me raportin mes natyrores dhe shoqërores, biologjikes dhe sociales në jetën e individit e të shoqërisë. Ky problem është esencial edhe për sociologjinë. Ajo çfarë unë mund të them është se, pikëpamjet e formuluara nga Reich në vitet 1930 dhe 1940 për rolin e represionit seksual mbi individin gjetën mbështetje empirike për herë të parë në kërkimet e kryera nga Alfred Kinsey, i cili, në vitin 1947, krijoi Institutin për Studimin e Seksit (Institute for Sex Research), në Universitetin e Indianës, në Bloomington, në Shtetet e Bashkuara. Studimet e Kinsey-t dëshmuan kryesisht tri gjëra:

Së pari, se orientimi seksual, si te meshkujt, dhe te femrat, duhet kuptuar jo si një dikotomi, pra si një gjendje “ose-ose”, por si një kontinium sjelljesh dhe identitetesh seksuale dhe se homosektualiteti nuk është veçsenjë prej variacioneve normale të mundshme të orientimit seksual.

Së dyti, se në radhët e amerikanëve, në atë kohë, ekzistonte një injorancë e thellë lidhur me seksualitetin, dhe se tek ata mbizotëronin hezitimi dhe turpi për të folur hapur për seksin, për shkak të moralitetit seksual konservator mbizotërues dhe besimeve fetare.

Së treti, se pavarësisht vlerave të tyre morale konservatore, shumica e amerikanëve bënin një jetë seksuale shumë më të çlirshme nga sa besohej deri në atë kohë, duke u sjellë seksualisht në mënyra të tilla që, deri atëherë, konsideroheshin devijante.

 

Por, përtej këtyre konstatimeve, a mund të na thoni, me pak fjalë, se cilat ishin disa nga gjetjet kryesore të Kinsey-t?

Unë do të sugjeroja shumë një film që i është kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij, prodhuar në vitin 2004, në të cilin rolin e Kinsey-t e luan aktori i njohur irlandez Liam Neeson. Por, shkurtimisht mund t’ju them se Kinsey i publikoi rezultatet e kërkimeve të tij në dy vëllime, të titulluara: Sjellja seksuale te mashkulli (Sexual Behavior in the Human Male), botuar në vitin 1948, dhe Sjellja seksuale te femra (Sexual Behavior in the Human Female),botuar pesë vite vonë, më 1953), të cilat njihen zakonisht nën titullin e përbashkët The Kinsey Reports. Mbështetur në të dhënat e vëzhgimeve të drejtpërdrejta dhe në përgjigjet e intervistave të disa mijëra individëve, Kinsey analizoi frekuencën me të cilën meshkujt dhe femrat kryenin marrëdhënie seksuale në varësi të faktorëve të tillë, si mosha, statusi social-ekonomik dhe përkatësia fetare. Të dhënat e mbledhura prej tij dëshmuan se femrat ishin më pak aktive sesa meshkujt në çdo aspekt të jetës seksuale, por, megjithatë, ato ishin seksualisht më aktive sesa mendohej deri në atë kohë.

Rezultatet e kërkimeve në këtë fushë e çuan Kinsey-n në përfundimin se biologjia e seksit te meshkujt dhe te femrat është më e ngjashme nga sa mendohej më parëdhe se, seksualiteti, si ai i meshkujve, ashtu dhe i femrave, jo vetëm ishte i ndrydhur nga faktorët socialë e kulturorë, por edhe i formatuar prej tyre. Këto rezultate dëshmuan, gjithashtu, se ndryshe nga sa mendonin në atë kohë shumica e sociologëve dhe e psikologëve, femrat ishin më të interesuara për të kryer marrëdhënie seksuale përtej motivit riprodhues. Nëse ato ishin më të rezervuara sesa meshkujt për të kryer marrëdhënie seksuale para martesës, faktori kryesor që e shpjegonte këtë nuk ishte frika prej shtatzënisë së padëshiruar, por morali konservator sundues në shoqëri. Me pak fjalë, gjetjet e Kinsey-t hodhën poshtë një sërë mitesh mbi seksualitetin femëror.

 Ndërsa pikëpamjet e Reich-it kanë qenë vërtet si një tronditje sizmike në moralitetin dhe në politikën amerikane të kohës, gjetjet e Kinsey-t duhet t’i kenë zhvendosur pllakat tektonike të atij moraliteti dhe të asaj politike edhe më shumë.

Pa dyshim. Botimi i Raporteve të Kinsey-t ishte një ngjarje vërtet shokuese, por edhe emancipuese për publikun amerikan të atyre viteve. Reagimi ndaj tyre ishte sa entuziast në radhët e intelektualëve e të rinisë së arsimuar të kohës, aq edhe armiqësor në qarqet konservatore e fetare të shoqërisë amerikane, pasi, për të parën herë, publikut amerikan i flitej hapur për çështje që, deri atëherë, ishin konsideruar tabú. Kjo edhe bëri që ndikimi i veprës së Kinsey-t në ndryshimin e vlerave kulturore dhe morale të shoqërisë amerikane dhe asaj perëndimore, në përgjithësi, të ishte i madh dhe i drejtpërdrejtë.Raportet e Kinsey-t u bënë librat më të shitur në Amerikë dhe u përkthyen në shumë gjuhë. Ato konsiderohen ndër librat më me influencë në shekullin e 20-të. Admiruesit e tij shpreheshin në atë kohë se Kinsey “ka bërë për seksin atë që Kolombi bëri për gjeografinë”, pasi Raportet e tij ishin “një udhëtim shkencor i suksesshëm për eksplorimin e një bote të panjohur”, siç ishte—dhe unë do të shtoja, siç vazhdon të mbetet—seksualiteti human. Vepra e Kinsey-t, në fakt, jo vetëm që ndryshoi perceptimin e publikut amerikan mbi seksualitetin, por edhe hodhi bazat e seksologjisë, si një fushë e re studimi. Në njëkuptim shumë real të fjalës, mund të thuhet se mistika që rrethon seksualitetin njerëzor dhe interdikti që e ka penguar dhe kufizuar për shekuj me radhë shprehjen e lirë të tij do të kishin vazhduar t’i mbanin në pranga individin dhe shoqërinë po të mos kishin qenë Sigmund Freud, Wilhelm Reich, Alfred Kinsey, Simone de Beauvoir etj.

 Kundërshtimi ndaj zbulimeve të Kinsey-t dhe ndaj vetë kësaj fushe të re studimi duhet të ketë qenë shumë i madh në një Amerikë që sundohej—dhe vazhdon edhe sot të ndikohet shumë—nga e djathta fetare, evangjelistët dhe katolikët konservatorë.

Sigurisht që po. FBI krijoi një dosje për të. Reagimi negativ që shkaktoi publikimi i Raporteve të Kinsey-t ishte i madh, jo vetëm në rrethet konservatore të kohës, por dhe në radhët e një pjese të elitës akademike, përfshirë dhe disa prej sociologëve më të njohur. Më i shquari prej tyre ishte Pitirim Sorokin, i cili, i ardhur në Shtetet e Bashkuara nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1923, kishte themeluar, në fillim të viteve 1930, Departametin e Sociologjisë në Universitetin e Harvardit. Në vitin 1954, Sorokin botoi një artikull të titulluar “Rasti kundër lirisë seksuale” (The Case Against Sex Freedom), dhe dy vite më vonë botoi librin Revolucioni seksual në Amerikë (The American Sex Revolution), në të cilin argumentoi se çdo ndryshim i rëndësishëm në marrëdhëniet intime dhe ato martesore do të kishte pasoja të mëdha për shoqërinë.Ndërkohë, duke filluar nga fundi i viteve 1950 dhe gjatë viteve 1960, William Masters and Virginia Johnson iniciuan një varg kërkimesh laboratorike mbi anatominë dhe fiziologjinë e reagimit seksual te njerëzit, si dhe u morën për një kohë të gjatë me diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve seksuale te shumë individë të të dyja sekseve. Rezultatet e kërkimeve të tyre konfirmuan konkluzionet në të cilat kishte arritur Kinsey më parë. Së bashku, ata botuan dy vëllime, që tashmë janë bërë tekste klasikë në fushën e seksualitetit human: Reagimi i seksualitetit njerëzor (Human Sexual Response), dhe Natyra inadekuate e seksualitetit njerëzor (Human Sexual Inadequacy).Masters dhe Johnson u kushtuan më shumë vëmendje problemeve të seksualitetit te femrat, veç të tjerash edhe për shkak se seksualiteti femëror kishte qenë deri atëherë më pak i studiuar. Këta autorë ishin, gjithashtu, të parët që studiuan reagimet seksuale te njerëzit e moshuar, duke ardhur në përfundimin shokues se, në kushtet e një gjendjeje shëndetësore të mirë dhe në praninë e një partneri të pëlqyer, pavarësisht ndryshimeve specifike në format e reagimit seksual te meshkujt ose te femrat, nuk ekziston një moshë absolute, në të cilën aftësia seksuale humbet. Ky përfundim është konfirmuar nga shumë studime epidemiologjike mbi funksionimin seksual që janë kryer më vonë. Në një kulturë si kjo e sotmja, të cilën David Bennett e quan “Viagra culture”, dëshira seksuale, pavarësisht moshës së njeriut, është bërë e mundur të “shitet dhe blihet” si një mall i dëshirueshëm.

Ju vetë, a keni një definicion tuajin për seksin?

Seksi është një gjë po aq njerëzore dhe e domosdoshme për njeriun, sa edhe çdo gjë tjetër në jetën e tij—frymëmarrja, të menduarit, të ushqyerit, të ushtruarit fizikisht, të bërit art. Çudia është që, edhe pse ne, të gjithë, nuk mund të bëjnë dot pa seks, ende ngurojnë ta bëjnë seksin subjekt të bisedave të përditshme, si çdo subjekt tjetër—mendimet që kemi, ushqimin që hamë, veprimet që kryejmë, punët që bëjmë, gjërat që duam. Për mua, seksi nuk është thjesht seks; ai është lojë, ëndërr, muzikë, marrëdhënie, virtyt, energji, emocion, ndjenjë, armë, humbje, shpresë, kënaqësi, gëzim, të gjitha këto së bashku dhe, shumë herë, një liman i këndshëm, në të cilin njeriu vazhdimisht e ka të nevojshme të tërhiqet përkohësisht për t’iu shmanguar aktiviteteve të rëndomta dhe shqetësimeve të jetës së përditshme. Aq e vërtetë mendoj se është kjo, sa mund të them se, nëse ka një fenomen të vetëm në jetën shoqërore, të cilin as materializmi dhe as idealizmi—dy shkollat kryesore në filozofi—nuk kanë arritur dot ta shpjegojnë deri më sot, ky është seksi. Sepse në seks kombinohen në një mënyrë sa organike, aq edhe të pashpjegueshme, dy elementë primordialë: elementi material dhe ai mistik. Në një kuptim real të fjalës, seksi gjithmonë ke qenë dhe mbetet misticizmi i materializmit, ndërkohë që ai mund të konsiderohet si e vetmja fe universale e mundshme në një shoqëri materialiste e teknologjike si kjo e sotmja.

 Ju faleminderit! Kthehemi sërish në vitet 1960. Duke se ajo dekadë u bë vërtet pragu i një epoke të re në historinë kulturore të njerëzimit dhe fillimi i ndryshimeve të mëdha në të kuptuarit tonë mbi seksin dhe në qëndrimin ndaj tij. Përveç sa kemi dëgjuar dhe ndonjë dokumentari që kemi parë, ajo periudhë mbetet thuajse krejt e panjohur për të rinjtë e sotëm në Shqipëri, madje edhe për brezin e prindërve të tyre. Do të doja të mësoja më shumë për të. Çfarë ishin vitet 1960 për Amerikën dhe çfarë ndryshuan ato në shoqërinë amerikane?

Ky është një subjekt shumë i gjerë dhe unë nuk besoj se mundem ta shuaj kuriozitetin tuaj. Sidoqoftë, puna ma ka dashur, sidomos kur jetoja e punoja në Shtetet e Bashkuara, që të lexoj shumë libra e studime për atë periudhë. Sidoqoftë, meqenëse më pyetët, mund të përpiqem ta shpjegoj atë periudhë me pak fjalë, ashtu siç unë kam arritur ta kuptoj atë.

Si një periudhë lëvizjesh të fuqishme radikale, besoj. Sepse, përveç revolucionit seksual, vitet 1960 njohën, gjithashtu, edhe disa lëvizje të mëdha sociale, siç ishin lëvizja për çlirimin e gruas, lëvizja për të drejtat e zezakëve, lëvizjet studentore, lëvizja për të drejtat e homoseksualëve etj. Të gjitha këto lëvizje i përkasin asaj dekade, apo jo.

Sigurisht, por vitet 1960 ishin për Amerikën një dekadë e mbushur edhe me shumë ngjarje politike, të cilat, gjithashtu, e tronditën jetën e atij vendi dhe kanë lënë gjurmë të thella në konshiencën e amerikane. Vitet 1960, ose “the sixties”, siç quhet ndryshe ajo periudhë, mund të thuhet se nisën me vrasjen e presidentit John F. Kennedy, më 1963, dhe mbaruan me dorëheqjen e Richard Nixon-it nga posti i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, më 1974. Viti 1968 mund të thuhet se u bë qendra vullkanike e asaj dekade. Ai vit shënoi një kthesë 180 gradë në jetët e dhjetëra milionë amerikanëve. Ai vit njohu shumë tërmete politikë, disfata për ushtrinë amerikane në Vietnam, dy vrasje tragjike (Martin Luther King, Jr., në pranverën e atij viti, dhe Robert Kennedy, vëllai më i ri i JFK, dy muaj më vonë). Këto dy vrasje politike shkaktuan protesta të mëdha në të gjithë vendin, sidomos në qytetet e mëdha, sulme ndaj autoriteteve dhe protesta ndaj luftës në Vietnam, si dhe një lëvizje të gjerë studentore, e cila, herë-herë, mori trajta të dhunshme. Lëvizja e hipive, që kishte nisur qysh në fillim të viteve 1960, u zgjerua dhe u përhap si një kundërkulturë në mbarë vendit. Ethosi i asaj lëvizjeje, siç mund të keni dëgjuar, ishin të jetuarit në komunitet dhe në harmoni me natyrën, dashuria e lirë, eksperimentimi artistik, veçanërisht në muzikë, dhe përdorimi gjerësisht i substancave narkotike. Revolucioni seksual në Amerikë nuk mund të kuptohet pa mbajtur parasysh këtë atmosferë revolucionare të viteve 1960.

Duhet të ketë qenë vërtet një dekadë tronditëse për shoqërinë amerikane dhe askush nuk mund t’ia përcjellë frymën dhe përmbajtjen e asaj epoke publikut tonë më mirë se ju, si sociolog, dhe si dikush që ka jetuar, studiuar e punuar për një kohë të gjatë në Shtetet e Bashkuara.

Ju faleminderit, edhe pse mendoj se ka edhe të tjerë që mund ta njohin atë periudhë po kaq mirë sa unë. Përfytyroni për një çast atë kohë: Kur Beatles zbritën në Amerikë, në vitin 1964, Rock and Roll ishte bërë ndërkohë muzika e rinisë amerikane. Muzika e këtij grupi legjendar nga Liverpool-i ndryshoi shumëçka. Me rebelizmin e tyre, bitëllsat jo vetëm e ndryshuan pejsazhin kulturor të Amerikës, por edhe e trullosën rininë amerikane më shumë sesa kushdo nga idhujt e mëparshëm të saj. Abbie Hoffman shkruante, më 1968: “Lërini Bitëllsat t’ju mbyllin gojën dhe t’ju hapin mendjen!”. Ndërkohë, Bob Dylan, Mick dhe Rolling Stones, Jim Morrison, Jimi Hendrix, Paul Simon, Janis Joplin etj., sollën në muzikën dhe në kulturën amerikane ankthin dhe shqetësimet e brezit të ri të Amerikës. Nga ana tjetër, ndërsa amerikanët dërguan të parët njerëz në Hënë, në korrikun e vitit 1969, mijëra të rinj amerikanë vriteshin çdo ditë në një luftë të padrejtë dhe shumë të kritikuar në Vietnam, ndërsa të tjerë protestonin me parrullën “Cuba Si, Yankee No” dhe kishin Che Guevara-n heroin e tyre.

Vitet 1960 tronditën të gjitha institucionet dhe marrëdhëniet shoqërore në Amerikë: politikën, komunitetin, familjen, universitetin, korporatën, kishën, ligjin. Asnjë prej tyre nuk mbeti siç kishte qenë më parë. Asgjë nuk ishte më e padiskutueshme; gjithçka mund të debatohej e të ndryshonte.Një gazetar i njohur amerikan, Tom Brokaw, e përshkruan atmosferën e atyre viteve me këto fjalë: “Autoriteti humbi pozitën e tij të privilegjuar thuajse brenda natës. Figurat autoritare—baballarët, nënat, policët, gjykatësit, mësuesit, senatorët dhe vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara—tani u gjendën në një pozitë kur u duhej të shpenzonin po aq kohë për të mbrojtur qëndrimet e tyre, sa edhe për të ushtruar pushtetin e tyre. Presidentët dhe dekanët e universiteteve u përzunë fizikisht nga zyrat e tyre. Flamujt digjeshin dhe policët thirreshin rëndom ‘derra’”.

Edhe më mirë e përshkruan atmosferën e atyre viteve Abbie Hoffman, në librin e tij Revolution for the Hell of It, botuar më 1968. Në këtë libër, i cili mund të konsiderohet si manifesti i kundërkulturës së viteve 1960 në Amerikë, Hoffman shkruante: “Ne s’duam rregulla, fjalimet nuk shërbejnë për asgjë, udhëheqësit janë të gjithë maskarenj. Zhvishu. Make Love, Not War, godit një oficer, hyp mbi një mur, kërce, këndo një këngë, shkarravit një ndërtesë, hidhe në erë”. Dhe më tej: “Ne nuk dëshirojmë të projektojmë një të ardhme të qetë e të sigurt. Ne jemi shqetësim. Ne jemi të nxehtë….Ne jemi shqetësim për Amerikën, sepse ne jemi të pashpjegueshëm për të….Ne jemi të tjetërsuar…Dashnorë ekzistencialë në një shoqëri plastike. Vetë ekzistenca jonë është shqetësuese. Flokët e gjatë dhe veshja jonë e shkujdesur janë informacion total. Nuk është e domosdoshme të themi se ne kundërshtojmë….Këtë e di kushdo….Ne shfrytëzojmë konfliktin mes brezave. Ne dalin rrugëve. Fëmijëve u pëlqen kjo. Atë e kuptojnë këtë në një nivel personal. Ne jemi reklamë e gjallë televizive, filma. Yippie! Ne s’kemi program. Një program do ta sterilizonte lëvizjen tonë. Ne jemi kontradikta të gjalla. Unë s’mundem dot ta shpjegoj këtë. Unë as vetë nuk e kuptoj këtë”. “Mesazhi ynë”, shkruante Hoffman, është gjithmonë: “Bëj ç’të duash. Provo shanset. Shtriji kufijtë e tu. Thyeji rregullat. Protesto për çdo gjë nëse mund t’ia dalësh. Mos u tremb….Ne jemi një bandë brohoritësish teatralë, që bërtasim Jepi! Jepi! Jepi! Ne shërbejmë si simbole të çlirimit”.

(vijon nesër)

September 27, 2018 09:03

Njoftim

Njoftim