“Çirakët” e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare që duhet t’i njohë historia…

November 26, 2017 13:39

“Çirakët” e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare që duhet t’i njohë historia…

Bashkim Koçi

Sa herë që kam parë e shoh filmin “Nëntori i dytë”, një nga personazhet më simpatikë, ai i karrocieri që përcjell Ismail Qemalin për në Vorë, Hakiut, të cilin e luan mrekullisht “Artisti i Popullit”  Robert Ndrenika,  më ka bërë të dashurohem me të,  madje  të më vërë në sedër për “ta gjetur”, për të hulumtuar se kush ka qenë personi i vërtetë, si dhe qysh u gjend  ai si karrocier “qeraxhi” për të shoqëruar Ismail Bej Vlorën, i cili në atë nëntor të trazuar do të shpallte  mëvetësinë e Shqipërisë.

Ashtu siç ndodh ndonjëherë, që madhështinë e njerëzve  të “vegjël”, të zakonshëm e pa “shenjë” në mesin e njerëzve të tjerë, i nxjerrin në pah ngjarje të mëdha, edhe me Haki Halil Tafën, karrocierin  nga Luzi i Vogël i Kavajës, e bëri të jetë personazh historik, i pavdekshëm,  28 Nëntori i vitit 1912, dita e Shpalljes së Pavarësisë në qytetin e Vlorës.

Nëse ky veprim, pra shpallja e mëvetësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane do të bëhej në qytetin e Durrësit, ashtu si edhe e kishte piketuar e menduar Ismail Beu, emiri i karrocierit Haki Tafa nuk do të  përmendej gjëkundi. Ai, e shumta, do të qëndronte  në krah të emrave të pjesëtarëve të tjerë të familjes Tafa, të dy vëllezërve të tij, Aliut dhe Kasëmit, të cilët dhanë jetën  në luftimet që u zhvilluan pas formimit të Qeverisë së Vlorës, midis forcave tona dhe atyre serbo-malazeze për të mbrojtur qytetin e Shkodrës e ku, në këto luftime, mori plagë edhe ai.

Fati për  Hakiun, djalin e vogël të Halil Tafës, që të bëhej pjesë e kavalerisë shoqëruese të Njeriut të Shenjtëruar  për  Shqipërisë, erdhi krejt ndryshe. U desh të ndryshonte plani i lëvizjes të Ismail Qemalit drejt Vlorës, për shkak të bllokimit të rrugës automobilistike nga forcat e regjimit, nga një tabor turkoshakësh, të cilët kërkonin arrestimin e tij. Ishte ky informacion që bëri të merrej një vendim tjetër i shpejt dhe në konspiracion për shkak të rëndësisë që kishte:   nga Durrësi drejt  Vlorës do të lëvizej nga  rrugë dytësorë, në rrugë që mund të shkeleshin vetëm me karrocë të tërhequr nga kuaj. Ai që dispononte një të tillë karrocë, të fortë e të fisme, si për personalitete  të mëdhenj, siç ishte Ismail Qemali dhe për ngjarje të mëdha, siç ishte Shpallja e Pavarësisë, ishte Haki Tafa.

Por nuk mjaftonin vetëm këto kushte për realizimin e këtij misioni të ardhur befasisht. Fati, për të arritur te deri tek ky djalë i zakonshëm fshati, duhet të kalonte edhe brenda kushteve që krijonte  karakteri i tij. Duhej të ishte pinjoll i një familjeje me rrënjë të thella patriotike, të ishte trim dhe besnik. E, që të gjitha këto ishin “pronë” e patjetërsueshme për Haki Tafën, karrocierin qiraxhi, i cili punonte me tregtarë të suksesshëm në qytetet Lushnje, Fier, Berat, Peqin, Elbasan e gjetkë.

Ai kishte për baba një nga burrat më me emër të Luzit të Vogël, kryeplakun e fshatit, Halil Tafën, i cili e mbajti gjatë këtë funksion “të bezdisur” sepse nuk lodhej kurrë për të ndihmuar bashkëfshatarët e tij dhe, për më shumë, sepse ishte i pari që jepte shembull kur ishte fjala për fatet e vendit.

Këto “dobësi” të babait, besnikërinë dhe korrektësinë, djali i vogël, Hakiu, e kishte  me më zemër. E dinin edhe bashkëfshatarët, të gjithë,  të cilët kur u duhej të kryenin një punë të ndershme, pa hile, shpirti u gjente rehat tek Haki Tafa. Këtë gjë të virtytshme ia dinte edhe burri i mençëm e patriot kavajas,  mjeshtri i lëvizjes së karvanëve nëpër rrugë të gjata, Qazim Mërhori.

Unë dua të të njoh më një vendim që kemi marrë sot, i paskësh thënë, ulur në një kafe në periferi të qytetit, Qazimi Mërhori Haki Tafës. Është vendim jo dosido.  Nuk është as për transport mallrash e as për muhabete komitësh. Na duhet të shoqërojmë  një burrë të madh, një burrë që e ka emrin Ismail Qemali. Ke dëgjuar, ti Haki, që këto ditë do të ngrihet flamuri në Vlorë, do të shpallet mëvetësia e Shqipërisë? Ke dëgjuar me domosdo. Do të ta ketë thënë yt atë, Halili. Këtë vendim kemi mare: që të shoqërojmë Ismail Beun në rrugën drejt Vlorës. Do ta lëvizim karvanin në rrugët që dimë ne, në rrugët që nuk i dinë ata të paudhët. Kupton?!

Ndërsa Qazim Mërhori fliste, duke shikuar drejt  në sy karrocierin Haki, Hakiu fantazonte për të zbukuruar karrocën, për  të përgatitur e ushqyer kuajt për udhë të vështirë e të gjatë. I duhej të kujdesej për t’i krijuar kushte sa më komode njeriut që kish marë udhën drejt Vlorës  për të shpallur pavarsinë e Shqipërisë. Atij nuk po i kërkohej të transportonte mollë, rrush, perimet e stinës, siç bëntë përditë, por i duhet të krijonte  kushte,  siguri e garanci për të lëvizur me dhjetra kilometra Ismail Qemalin. Barrë e rëndë, vriste mendjën Hakiu, nuk e di sesi do të ndjehet në karrocën time ku njeri që ka shëtitur Evropën.

Aty përpara filxhanit të kafesë u skicua edhe itinerari i lëvizjes drejt Vlorës. Qazimi i tregoi vendin ku do të prisnin mikun e jashtëzakonshëm, por edhe orën, pozicioni i qëndrimit të karrocës, të gjitha “vogëlitë” e përkujdesjet për një udhëtim kaq të pazakontë, historik. Ai do të zbresë në kripore, tek Skela – kujdesej të sqaronte Qazim Mëhori Hakiun, të cilit, për shkak të moshës dhe autoritetit që gëzonte në të gjithë rrethinat e Kavajës, i binte përgjegjësi e madhe për të realizuar me sukses  mbërritjen e Ismail Qemalit në Vlorë. Pastaj ia hodhi si në një hartë luftarake të gjithë vendkalimet: Karpen – Bago – Çorrum – Zhabjak – Ballaj – për të kaluar në Vahun e Shënbashtovës. Më pas udhëtimi merrte drejtim po kaq të maskuar  drejt Çërmë-Seman, duke përfunduar në Vlorë.

Nuk ka inteligjencë pa emocione. Mund të ketë emocion pa inteligjencë, por kjo nuk i përkiste njerëzve si karrocieri Haki Tafa. Ai e priti Ismail Beun, ia shoqëroi lëvizjet në çastet kur  ngjitej në karrocë, vrojtoi tinëz rehatimin e tij në ndenjësen e përgatitur enkas për këta udhëtarë të veçantë, duke treguar kujdes për t’u prezantuar në sy të tyre si njeri serioz, si njeri që e dinte mirë rëndësinë e misionit që i ishte besuar. Ndoshta ka qenë ky fakt mbresëlënës për Ismail Qemalin, të cilin data emociononte për t’u thënë në shenjë mirëbesimi: jam tepër i kënaqur, pasi këtu u gjeta ju, sokola kavajas, që do të vini me ne të ngrjemë Flamurin në Vlorë.

Tigrin nuk mund ta mbysësh dot me duar, duhet të gjenden mjetet e duhura për ta mbytur. Por këtë logjikë të shëndoshë prej burra kapedanësh mund ta kenë vetëm njerëz të rrahur me jetën, të sprovuar  në përpjekje e në luftëra  me kundërshtarë të egër, jo të zakonshëm. Kjo taktikë u ndoq edhe nga luftëtarët që shoqëruan kolonën ku udhëtonte Ismail Qemali. Sepse ndër ta kishte autoritete që dinin ç’bënin, kishte luftëtarë të sprovuar në përpjekje me turqit. Qazim Mërhori dhe Bajram Xhani ishin si dy luftëtarë që nuk ua bënte  syri tërr, të përgatitur e të armatosur ashtu si dinin ata për t’i bërë ballë çdo prite, çdo të papriture që mund të ndodhte në atë udhëtim historik. Ngjarjet e atyre ditëve sollën, ashtu si edhe pritej, përplasje dhe përballje me bashibuzukë dhe forca të errëta regjimit, por “hija” e Ismail Qemlit, autoriteti, fjalët e tij si një shqiptar e madh, i detyruan të tërhiqeshin, madje disa prej tyre iu bashkuan kolonës për marrë pjesë në shpalljen e Pavarësisë.

Haki Tafa, mjeshtri për të udhëhequr karvanë, e kishte menduar gjatë për ndonjë vështirësi që mund t’i dilte gjatë udhëtimit. Ishte fund nëntori, mot  i lagësht dhe shanset ishin për të patur pengesa aty ku nuk pritej. Në moçalet e Çermës ndodhi ajo që do ta trondiste shumë. Dështim fatal, i tha vetes karrocieri, kur pa që kuajt mbetën në vend dhe karroca, për shkak të dëmtimit në rrota, nuk mund të shtyhej më tej. Por nga babai, Halili, i kish mbetur në mendje një porosi që ai ia kishte dhënë në një moment humbjeje. Ti je i ziti, i paskësh thënë babai, ndaj, sido që të rrëzohesh, nuk duhet të qëndrosh ulur. Dështimi nuk është fatal, duhet të guxosh për të ecur përpara.

Në këto çaste të ardhura befasisht, Ismail Beu  ia kishte blerë mendjen karrocierit Haki. Madje ndërhyri, ia preu shkurt hamendjes që sillej rrotull për të vijuar më tej udhëtimin: Zoti Haki! Në këto kushte ne nuk mund të lëvizim më tej. Ti nuk duhet të dëshpërohesh, sepse ne mund të lëvizim edhe me kuaj. Kthehu, duke të të falënderuar për këtë shërbim të madh që na bëre.

Njeriu i thjeshtë, por me zemër të madhe tha vetëm kaq: Ne dhe njerëzit e mi, Ismail Bej, këtë karrocë e kemi vënë në shkërbimin tuaj.

Pas dy ditësh Ismail Qemali, bashkë me shokët që e shoqëronin, mbritën në Vlorë, në qytetin ku do të ngrihej Flamuri i Pavarësisë. Me shumë vështirësi, por me mendimin se ai dështim nuk ishte fatal, veçse donte guxim për ta çuar misionin deri në fund, edhe Haki Tafa ia arriti orës kur do të ngrihej Flamuri. Madje trupin ia pushtuan mornica gëzimi. Iu duk sikur edhe ai kishte kontribuar për atë çka po përjetonte populli i Vorës dhe i gjithë Shqipërisë.

Mirënjohja duhet njohur dhe duhet thënë. Burri i mençëm Ismail Qemali, edhe pse ishte gati e pamundur për t’u marrë me gjëra “të vogla” në atë ditë të madhe, me veprime që nuk ishin fare “në protokoll”, gjeti kohë të takonte dhe t’u shprehte mirënjohjen e tij kavajasve që e shoqëruan, midis tyre edhe Haki Tafës. Në fillim Ismail Beu bëri një përpjekje për t’i shpërblyer, por kur pa në sytë e tyre që kjo gjë nuk mund të ndodhte kurrë, ai bëri një gjest të lartë, shumë fisnik, duke iu dhënë secilit nga një napolon flori. Merrini, do t’ju duhen për rrugë, u tha ai burrë, Ai  që para disa çasteve kishte shpallur Pavarësinë e Shqipërisë.

Për kuriozitet të lexuesit na duhet të themi se Haki Tafa jetoi gjatë, 85 vjeç. E kaloi jetën si invalid, për shkak të një plumbi që mori në përpjekjet për ruajtjen e Shkodrës nga ushtria sërbo-malazeze në fillim të vitit 1913, pak muaj pas Shpalljes së Pavarësisë. U nda nga jeta në vitin 1969, duke mos arritur të shikonte dot filmin “Nëntori i dytë”, i cili u realizua në vitin 1982, me rastin e 70-vjetorit të Pavarësisë e ku rrolin e tij e luan “Artisti i Popullit” Robert Ndrenika. Por ky njeri i virtytshëm, atë çka përjetoi në udhëtimin gjatë shoqërimit të Ismail Qemalit për në Vlorë, nuk e harroi kurrë. Ai ndjehej mirë kur e tregonte, kur bënte komente rreth asaj ngjarje të madhe, duke lënë amanet për ta përcjellë edhe në brezat që do të vinin më pas. I biri i tij, Nazim Tafa, nisur nga ajo që amanetin nuk e tret as dheu, i ka hedhur në letër atë çka i ka treguar babai, jo thjesht për “të treguar histori”, por për të ruajtur të freskët, të gjallë, ashtu si ka ngjarë, qoftë edhe kjo copëz  rrugë që e shpuri këtë vend në Shpalljen e Pavarësisë.

November 26, 2017 13:39
Komento

1 Koment

  1. demo November 28, 10:00

    Ku ka pasur rruge automobilistike,Durres-Kavaje-Lushnje-Vlore,ne 1912,or Bashkim Koci!?Do na zbulosh nje Marigo tjeter qe ka 50 vjet qe me shume permendet Marigoja se Lef Nosi dhe ne fund doli,qe Flamurin e pavaresise e kishte nxjerre nga senduku Eqrem bej Vlora.Vjet lexova nje shkrim qe karrocjerin e nxirrte nga Durresi.Dhimiter Shuteriqi qe ka shkruar skenarin e filmit ka shkruar qe karrocjer i Ismail Qemalit ka qene Cen Jolldashi nga Elbasani.Ky Tafa nga Luzi do kete qene ke karroca tjeter.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*