Civilizimi kundër Barbarisë 

July 13, 2017 21:11

Civilizimi kundër Barbarisë 

100 vjet më parë, SHBA do të kryente një prej kthesave të mëdha të saj, në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke dalë nga gjendja e neutralitetit, për t’i ardhur në ndihmë kontinentit të vjetër, Evropës. E pozicionuar në neutralitet në nisjen e konfliktit më 1914, SHBA do të përpiqej të ruante sa pozicionin e saj të favorshëm në furnizimin industrial dhe agrikulturor të bllokut të Antantës, po aq edhe paqen dhe kohezionin e brendshëm social, të një kombi të përbërë nga imigrantë të palëve tashmë të përfshira në konflikt. Por, a ishte e mundur një fitore e Aleatëve në kontinentin evropian, pa ardhjen në ndihmë të SHBA ?

Dalja nga gjendja e neutralitetit do të kryhej gradualisht përmes një seri ngjarjesh, që do të bënin të mundur ndryshimin strategjik të qasjes politike amerikane, por edhe përmes evoluimit të nevojshëm të opinionit të brendshëm publik. Zgjedhja e Uillsonit në nëntor të vitit 1916, do të bëhej pikërisht nën sloganin e rëndësishëm se, ai kishte arritur t’i mbante amerikanët larg luftës. Por, konflikti i nisur në Evropë, kishte trazuar nga pikëpamja sociale shoqërinë amerikane, edhe pse SHBA ishin neutrale. Një sërë aktesh dhune dhe ksenofobie, sidomos ndaj popullatës me origjinë gjermane do të ngriheshin deri në nivel shtetëror, me politika të tilla vëzhguese për armiqtë e brendshëm, që kulmuan me përndjekje dhe akuza, sidomos pas përfshirjes amerikane në luftë.

Raporti i Komisionit britanik mbi masakrat e kryera nga ushtria gjermane, i publikuar në pranverë të vitit 1915, ku përfshiheshin kryesisht vrasjet e rreth 6 mijë e 500 civilëve në Belgjikën neutrale të pushtuar dhe në veriun e Francës, do të kishte një ndikim të konsiderueshëm në opinion publik amerikan. Publikimi i tij do të koincidonte me mbytjen e tragetit britanik Luzitenia, e goditur nga nëndetëset gjermane afër brigjeve irlandeze, ku gjetën vdekjen 128 shtetas amerikanë. Edhe pse gjermanët do t’i premtonin qeverisë amerikane, se nuk do të merrnin më në shënjestër anijet që transportonin pasagjerët civilë, aktet e provokimeve nuk do të ndaleshin, duke ndikuar në përshpejtimin e krizës diplomatike dhe rritjen e tensionit.

Më 16 janar 1917, ministri i punëve të Jashtme gjermane, Artur Zimerman, i dërgon ambasadorit të tij në Meksikë një telegram, ku i jep instruksione për t’i propozuar qeverisë meksikane një aleancë kundër SHBA-ve. Telegrami arriti të kapej nga Britania e Madhe. Ndërkohë premtimet gjermane mbi mossulmimet dhe goditjet e anijeve civile thyhen. Goditjet pa paralajmërim fillojnë sërish. Katër anije dhe tragete amerikane, fundosen duke shkaktuar vdekjen e rreth 70 personave të ekuipazhit.

Goditja strategjike e mjeteve detare të Aleatëve, synonte të dobësonte apo të arrinte një mposhtje ekonomike të tyre, ndërkohë që Fuqitë Qendrore gjykonin se nëse SHBA do të vendosnin të futeshin në luftë, kjo do të merrte të paktën disa muaj kohë, duke përllogaritur këtu faktin që ushtria amerikane ishte relativisht e dobët dhe jo e modernizuar.

Më 3 shkurt 1917, SHBA vendos prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë. Më 19 mars, nëndetëset gjermane godasin tre anije amerikane dhe bindja për futjen në luftë përforcohet, duke u bërë e pashmangshme. Më 6 prill, Kongresi amerikan voton në shumicë futjen në luftë në kontinentin e Evropës, në anë të Aleatëve.

Përpara se trupat amerikane, të ishin në gjendje të ndërhynin, Fuqitë Qendrore ndërmarrin një ofensivë të madhe, për të bërë të mundur thyerjen e frontit. Më 21 mars 1918, mes Aras dhe Uaz në veri të Francës, do të niste në të gdhirë ofensiva gjermane “Majkëll”. Në këtë moment ushtarët amerikanë do të ishin ende në faza trajnimi. Edhe pse trupat gjermane avanconin gradualisht, ofensiva nis të ngadalësohet për shkak të mungesës së përforcimeve me trupa, materiale dhe me artileri.

Në muajin qershor 1918, fillon kundërofensiva e Aleatëve. Duke nisur nga muaji korrik janë 250 mijë amerikanë, që zbarkojnë çdo muaj në portet franceze. Raporti i forcave fillon gradualisht të përmbyset dhe vetëm tre muaj më vonë numri i ushtarëve amerikanë shkon në 1 milionë e 850 mijë dhe rreth 2 milionë në momentin e armëpushimit, duke përmbysur ndjeshëm rrjedhën e konfliktit.

Sot, vlerësohet se është e vështirë të imagjinohet se, kush mund të ishte fundi i Luftës së Madhe, pa ndërhyrjen e amerikanëve.

Por, siç edhe konfirmon historiani francez Kabane: “Një gjë është e sigurt, kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fitoren përfundimtare ishte sa psikologjik, po aq edhe ushtarak. Vetëm disa javë pas armëpushimit, një ushtar francez shënonte në një prej letrave të tij: “Kajzeri, duhet të mallkojë çdo ditë e më shumë, zbulimin e Kristofor Kolombit!”

Përpjekje për bashkim

Mbarimi i Luftës së Parë Botërore, do të shënonte dhe futjen e Evropës në një periudhë depresioni ekonomik.

Nga pikëpamja politike, vendet evropiane kaluan një prej luftërave më të përgjakshme të historisë së tyre, e paraprirë kjo nga një sërë konfliktesh të mëdha, siç do të ishin lufta gjermano-franceze e vitit 1870, por edhe luftërat napoloniane.

Nga pikëpamja ekonomike, Lufta e Madhe, copëtoi shtetet e vjetra të mëdha, siç do të ishin Perandoria e Austro-Hungarisë, do të shumëfishonte vendet, kufijtë, monedhat, ndërkohë që përtej Atlantikut, tejlorizmi dhe fordizmi po zhvilloheshin, për të përshpejtuar zhvillimin dhe efikasitetin ekonomik të Amerikës. Siç kujton edhe Milhaud: “ Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbi një territor si Evropa, ka një monedhë të vetme, një vend dhe s’ka dogana.” Për të zhvilluar një sistem ekonomik efikas si në SHBA, vendeve evropiane iu nevojitej një treg i integruar, i konsideruar madje edhe më i rëndësishëm se, sa vetë territori i tyre.

Dhe do të jetë pikërisht kjo rënie e Evropës, që do të nxisë zhvillimin e idesë evropiane.

Ngritja, që imponohet nga rënia!

Shumë personalitete politike, si historiani dhe filozofi austriak Kalerzhi apo politikani dhe diplomati francez Aristid Brijo, dëshironin t’i jepnin një shans paqes duke u përpjekur të zhvillojnë një integrim të nevojshëm evropian.

Evropa nuk ka veçse një alternativë, vlerësonte Kalerzhi në vitin 1922, ose të bashkohet, ose të fundoset. Ai do të niste lëvizjen PanEvropa në vitin 1923. Një projekt, i ndarë në 9 pika për të bërë të mundur krijimin e një lloj shteti, apo bashkimi federal dhe që duhej të realizohej në tre etapa. Por, projekti, nuk do të mund të realizohej dot, pasi terreni evropian kishte filluar të dominohej pak e nga pak nga fashizmi.

Nga këto 9 pika, vlen të theksohet se disa prej tyre do të arrijnë të plotësohen, në një tjetër kontekst dhe shumë më vonë në kohë, me Bashkimin Evropian. Ndër të cilat: një Gjykatë Federale, me autoritet mbi-kombëtar, që sot është Gjykata e Drejtësisë në BE; krijimi i Unionit doganor; krijimi i monedhës së përbashkët; respektimi i identiteteve kombëtare, si edhe i minoriteteve në gjirin e shteteve anëtare. Realizim, që e gjejmë edhe tek tre etapat e parashikuara edhe pse me nuanca të padiskutueshme, siç janë bashkëpunimi ndërqeveritar, i ndjekur nga unioni doganor për të arritur drejt krijimit të Shteteve të Bashkuara të Evropës.

Në mënyrë paradoksale, tërheqin vëmendjen pikat e parealizuara të planit Kalerzhi, që duket se po njohin disa nuanca interesante zhvillimi, ndoshta të pamenduara vetëm disa kohë më parë, siç janë krijimi i një konfederate me objektiva të përbashkët ushtarakë, si edhe kundërshtimi i Kalerzhit që Britania e Madhe të ishte pjesë e këtij bashkimi evropian.

Një sërë idesh dhe projektesh do të propozoheshin pas Luftës së Parë Botërore, për të bërë të mundur bashkimin e Evropës, siç do të ishte edhe Plani Brijan, i propozuar në vitin 1928, apo edhe Memorandumi i Kellogut, që do të braktiseshin përfundimisht në vitin 1932.

Por, kontinenti Evropian, po hynte në një tjetër etapë të historisë së tij, duke i shndërruar planet idealiste për bashkimin e Evropës dhe krijimin e paqes, në një dështim të pa-ekuivok. Kriza ekonomike dhe fuqizimi i ideologjisë naziste do të bënte që vendet evropiane, t’i riktheheshin proteksionizmit. Madje edhe tentativat për integrim rajonal, apo nën-rajonal do të zbeheshin thuajse plotësisht. Brenda dy dekadave, pas mbylljes së Luftës së Parë Botërore, Evropa po shkonte drejt një tjetër konflikti të përgjakshëm, nisjes së Luftës së Dytë Botërore. Konflikt, pasojat e të cilit, imponuan në mënyrë të pashmangshme bashkimin gradual të Evropës duke mundësuar 6 dekada paqe në kontinent.

DITA

July 13, 2017 21:11