Clinton, akuza Kinës për vjedhjen e sekreteve administrative

July 6, 2015 10:26

Clinton, akuza Kinës për vjedhjen e sekreteve administrative

Kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton, shpërtheu kundër Kinës në një event fushate ku akuzoi gjigantin aziatik se ka vjedhur sekrete të kompanive dhe të dhëna të administratës amerikane. Clinton kërkoi një rritje paqësore të Kinës, por gjithashtu theksoi se SHBA duhet të jetë vigjilente.

“Dua të shoh një rritje paqësore për Kinën. Kam punuar shumë mbi këtë çështje kur isha Sekretare e Shtetit dhe do të vazhdoj të bëj të njëjtën gjë.

Por, ne duhet të jemi gjithashtu tejet vigjilentë ndaj faktit se ushtria e Kinës është duke u rritur me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe se ata po krijojnë baza ushtarake, të cilat kërcënojnë vazhdimisht vendet që kanë traktate bashkëpunimi me ne, si për shembull Filipinet, sepse janë duke ndërtuar nëpër ishuj me pronësi të kontestueshme”, tha ajo duke iu referuar ndërtimit të një ishulli artificial nga ana e Kinës në ujërat e diskutueshëm të detit të Kinës Jugore.

Kjo është një prej deklaratave më të ashpra deri më sot në lidhje me sulmet kibernetike të Kinës nëpër kompjuterët e SHBA-ve. Kina është e dyshuara kryesore e vjedhjes së fundit të të dhënave personale të rreth 18 milionë punonjësve aktualë, disa ish dhe disa të pritshëm në administratën federale, të cilët janë prekur nga shkeljet kibernetike të Zyrës së Menaxhimit të Personelit.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar, James Clapper, tha gjatë një konference mbi këtë çështje se kinezët janë “të dyshuarit kryesorë” në sulmet masive kibernetike të zyrës së sipërpërmendur. Clinton tha se përgjigjja e Amerikës ndaj rritjes së vazhdueshme të Kinës do të përcaktojë shumë në lidhje me të ardhmen e vetë Shteteve të Bashkuara, por edhe të të gjithë botës.

Në fjalën e saj kandidatja demokrate gjithashtu iu referuara marrëdhënieve me Rusinë dhe paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë shumë më të zgjuara në marrëveshjet e tyre me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Prandaj duhet të jemi shumë më të zgjuar në mënyrën se si trajtojmë Putinin”, argumentoi ajo. “Nuk është një njeri i lehtë, por nuk mendoj se ka alternativë se sa kompromisi i vazhdueshëm”. Përsa i përket Iranit dhe mundësisë për të kulmuar negociatat për programin nuklear, Clinton vuri theksin tek një marrëveshje e fortë dhe të verifikueshme, edhe pse paralajmëroi se agresiviteti iranian nuk do të përfundojë.

July 6, 2015 10:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*