Çmenduria fiskale

Edlira Shehu April 24, 2013 09:26

Çmenduria fiskale

Në këtë prag fushate, shumë më fort se katër vjet më parë, qeveria ka vendosur që të ulë apo përgjysmojë një sërë taksash. E nisi me tatimin mbi të ardhurat personale, duke e hequr këtë taksë të sheshtë për pagat deri në 300 mijë lekë të vjetra në muaj. E vazhdoi me përjashtimin nga tarifat doganore për makineritë, mjetet, lëndët e para e produktet që vijnë nga importi për bujqësinë dhe sektorët e tjerë prodhues. Tani heq taksat mbi automjetet. Pse u kujtua kaq vonë për 800 mijë fermerët dhe zotëruesit e automjeteve dhe nuk e bëri këtë që në fillim të mandatit të vet, këtë e di vetëm qeveria. Çfarë dinë mirë ekspertët ndërkombëtarë dhe është e udhës ta dinë të gjithë shqiptarët është se kjo politikë dorëlëshuar fiskale paraqitet krejtësisht e papërgjegjshme, një aventurë dhe pothuajse çmenduri fiskale. Për specialistët e Bankës Botërore kjo është shumë e dëmshme për ekonominë, pasi për të balancuar humbjet, qeveria ose do të shkurtojë shpenzimet, ose do të rrisë nivelin e borxhit të pashlyer. Vetë krye-ekonomisti i kësaj banke, Indermit Gill është shprehur pak ditë më parë se “Ndryshimi i taksave në mes të vitit fiskal vetëm sa shton presionet në balancat fiskale të vendit, që duhet ta kompensojnë me uljen e të ardhurave buxhetore, ose duke shkurtuar shpenzimet, ose siç ka ndodhur në të kaluarën, duke rritur detyrimet e prapambetura të qeverisë. Kjo do të zhbënte çdo impakt të mundshëm pozitiv, i cili është synuar nga ulja e taksave”. Thënë me fjalë të tjera, këto “investime zgjedhore” që nuk janë asfalt dhe prerje shiritash, por shumë më keq, aventura fiskale, nuk është se realisht lehtësojnë biznesin. Shumë më tepër ato godasin ekuilibrat e brishtë makroekonomikë të vendit, duke e bërë gjendjen shumë të paqëndruar dhe perspektivën financiare të shtetit tonë pas 23 qershorit 2013 tejet të turbullt e të paparashikueshme. Në këto kushte, aventura fiskale humb arsyen e saj, kthehet në çmenduri fiskale.

Paketa fiskale e përçudnuar, ndryshuar disa herë në këto muajt e parë të vitit 2013, praktikisht i ul të ardhurat në buxhet në tërësi me rreth 17 miliardë lekë, ose mbi 130 milionë euro. Deri në fund të vitit bëhen 28 miliardë lekë të reja të ardhura të munguara, ose mbi 200 milionë euro. Nuk është e vërtetë që kjo ulje taksash do të gjallërojë biznesin në atë shkallë sa të prodhojë rritje ekonomike. Banka Botërore dhe sidomos Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikojnë një rritje ekonomike për këtë vit për Shqipërinë më pak se një përqind. Ose me bazën e vogël prodhuese që ka vendi, praktikisht qëndrim në vend, stanjacion. Në kushtet kur qeveria nuk pranon të ulë shpenzimet, pse është vit zgjedhor, ka vetëm një mënyrë për të kompensuar tkurrjen e të ardhurave, që është rritja e borxhit publik. Të gjithë e pranonim në këto tre vite që borxhi ynë publik pranë 60 përqindëshit të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të vendit ishte këmbana e alarmit, kufiri që nuk duhej prekur, zjarri përtej të cilit fillonte “ferri financiar”. Por qeveria jonë e kapërceu këtë prag.  Nëse borxhi vjetor, huamarrja e qeverisë që për këtë vit ishte parashikuar në buxhet 48 miliardë lekë të reja, me këtë skenar uljesh drastike taksash kërcen në mbi 65 miliardë lekë ose mbi 4.6 për qind e Prodhimit Kombëtar, Prodhimit të Përgjithshëm Bruto. Dhe kjo shifër nuk mban parasysh mosrealizimet e mëdha në mbledhjen e të ardhurave që mund ta çojnë defiçitin vjetor në nivele edhe më të larta. Ëndrra e qeverisë se ulja e taksave do të rigjallërojë ekonominë ka pak gjasa të ndodhë. Në fillim të këtij viti, Ministria e Financave parashikoi se borxhi publik do të shkojë në 63.8 përqind të Prodhimit të Përgjithshem Bruto të vendit. Por me uljen e re të taksave, shifra kërcën mbi 65 përqind. Nëse Qeveria që do dalë pas 23 qershorit nuk do të ndërhyjë me masa të forta, duke rritur taksat apo shkurtuar shpenzimet, rreziku që financat publike të vendit të dalin jashtë kontrollit është i lartë dhe i gjithëpranishëm. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore na kanë dalë borxhit. E nuhatën rrezikun përpara se qeveria të hapte fushatën e uljes së taksave dhe që më 15 shkurt 2013 deklaruan se kërcënimi më i madh për ekonominë shqiptare është zhbalancimi i financave publike. Çmenduria fiskale filloi, madje është në zhvillim të plotë. Ngelet të shohim pasojat shumë të rënda që do të vijnë paskëtaj.

Edlira Shehu April 24, 2013 09:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin