Ndryshon shporta e matjes së inflacionit

February 10, 2016 12:23

Ndryshon shporta e matjes së inflacionit

Çmimet në janar u rritën 1.5% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, raportoi INSTAT, i cili prezantoi dhe shportën e re të mallrave, mbi të cilën është është llogaritur Indeksi i Çmimeve të Konsumit.

Sipas INSTAST, Indeksi i çmimeve të konsumit në muajin janar 2016 arriti 100.9 %, kundrejt muajit dhjetor 2015.

Në muajin janar 2016 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1.5 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 1.3%. Në këto nivele, inflacioni është shumë poshtë objektivit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej rreth 3%.

Sipas INSTAT, rritja vjetore në muajin janar është ndikuar kreysisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me +1.55 pikë përqindje. Çmimet e grupit “shërbimi arsimor” kanë kontribuar me 0.19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0.16 pikë përqindje.

Çmimet e grupeve “Hotele, kafene e restorante” dhe “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me nga 0.03 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “ Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me -0.27 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0.16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “shëndeti” kanë kontribuar me -0.06 % dhe Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me -0.03 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore:

Krahasuar me muajin janar 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “shërbimi arsimor” me 4.8 % pasuar nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me 4.3 %, grupi ‘Pijë alkoolike dhe duhan” me 3.3 % etj.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit fruta u rritën me 24.7 %, pasurar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet” me 19.3 %, nëngrupi “sheqer, reçel dhe ëmbëlsira” me 1.4 %, nëngrupi “vajra dhe yndyrna” me 0.8 % etj.

Çmimet e nëngrupit “qumësht, djath, vezë” u ulën me 5.5% pasuar nga nëngrupet “kafe, çaj e kakao” me nga 1.3 %, mish me 0.8 %. Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “veshje dhe këpucë” me 3.7 %, pasuar nga transport me 2.5 % dhe shëndeti me 1.6 %.

Burimet nga INSTAT shpjeguan për “Monitor”, se nuk ka ndryshim të metodologjië por vetëm të peshave të shportës së mallrave mbi të cilat llogaritet inflacioni, prandaj treguesi është njësoj si të ishte matur me metodologjinë e vjetër.

Sipas shportës së re, që mat strukturën e shpenzimeve familjare mujore, është ulur pesha e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike nga 39.3% në 36.1%, çka nënkupton që shqiptarët shpenzojnë më pak në muaj për ushqime.

Është rritur pesha e pijeve alkolike dhe duhanit nga 3.6% në 5%.

Në ulje janë dhe shpenzimet për kafe e restorante nga 4.2% në 2.6%. Më pak shpenzohet dhe për mobilim e pajisje shtëpie, veshje e këpucë.

Rritje të ndjeshme kanë shënuar shpenzimet për shërbimin arsimor nga 1.4% në 3.9%. shpenzohet më shumë edhe për shëndetin, transportin, qiratë e energjinë.

 

 

 

February 10, 2016 12:23
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*