Çmimi Nobel BE-së: medalje për të shkuarën dhe shpresë për të ardhmen

Nga ELTON XHANARI December 15, 2012 13:24

Çmimi Nobel BE-së: medalje për të shkuarën dhe shpresë për të ardhmen

“Bashkimi Europian dhe anëtarët e tij, për më shumë se 6 dekada, i kanë shërbyer progresit, paqes, bashkëpunimit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Europë.” Me këtë motivacion, të hënën e shkuar, komiteti norvegjez nderoi BE-në me çmimin Nobel për paqen. Mbretëresha Sonia, pothuajse e përlotur, u dorëzoi çmimin kryetarëve të tre institucioneve më përfaqësuese të Unionit (Barroso, Van Rompy, Schulz) ndërkohë që rëndonte mungesa e kryeministrit anglez Cameron, lideri më euroskeptik dhe planprishës i momentit.

Gjashtëdhjetë vite paqeje nuk janë pak, sidomos për një kontinent si ai europian ne trupin e së cilit janë akoma të dukshme plagët e shkaktuara nga “shtizat, heshtat, shpatat, pushkët dhe tanket”. Në Europën e përçarë dhe të martirizuar nga dy Luftëra Botërore (dhe akoma më parë nga fushatat pushtuese të Napoleonit) nuk ishte më e mundur heshtja e armëve nëpërmjet poshtërimit të kundërshtarit. Duke filluar nga Komuniteti Europian i Karbonit dhe Çelikut, synimi i themeluesëve të Europës së Bashkuar ishte ndërlidhja aq e ngushtë e interesave ekonomike sa lufta të bëhej “praktikisht e pamundur”.

Nëse paqja gjatë perandorisë romake u imponua nëpërmjet dhunës së më të fortit, arma e BE-së është interesi dhe vartësia ndaj njëri tjetrit. Tregu i përbashkët, legjislacioni i përbashkët, dogana të përbashkëta: tanimë konflikti i armatosur është i paimagjinueshëm. Integrimi tinzar nëpërmjet “hapave të vogla” dhe lëshimeve vetëm në dukje “teknike”, janë çelësat e suksesit të një organizate ndërkombëtare që mban aromë Shteti Federal.

Por, për fat të keq, ritmi i integrimit europian nuk eci krah për krah me demokratizimin e institucioneve të BE-së dhe efikasitetin e vendimarrjes së saj. Tashmë aktet e adoptuara në Bruksel hyjnë aq thellë në jetën e gjithësecilit sa që nuk mjafton fija e hollë (zgjedhja e Parlamentit europian) që lidh qytetarët me istitucionet politikbërëse. BE-ja ka një pushtet të ngjashëm (dhe në disa raste superior) me shtetet anëtare, por nuk ka akoma një Popull në gjendje të emërojë dhe të mbajë nën kontroll përfaqësuesit e vet. Është një qënie hibride që po ecën në shtigje të parrahura dhe si pasojë ndalon herë pas here ngaqë i shket e këmba.

Është e dukshme që problemet e Europës së Bashkuar janë kyçe dhe kërkojnë vendime politiko-kushtetuese të cilat mund të kushtëzojnë të ardhmen e më shumë se 500 milionë personave. Në këtë ring ndeshen euroskeptikët, që synojnë të frenojnë një integrim europian të mëtejshëm i cili do ta shndërronte në një zgaver boshe sovranitetin e shteteve anëtare dhe federalistët që dëshirojnë që BE-ja të “kapërcejë më në fund ylberin” dhe të rilindi si Shtet Federal.

Sidoqoftë, mes njëmijë e një problemesh politike dhe mes një krize ekonomik që po tendos frikshëm nervat dhe nyjet e trupit shoqëror europian, BE-ja ka garantuar paqe dhe prosperitet për një kohë relativisht të gjatë në një kontinent grindavec dhe gjakatar. Nobeli duket si një medalje e dhënë për të kaluarën dhe si një lutje që vështirësitë ekonomike aktuale të lihen pas për hir të paqes. Sepse paqja është si ajri: kur e thith nuk ka aromë dhe shije por kur mungon, vdes.

Elton Xhanari  / PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona

Nga ELTON XHANARI December 15, 2012 13:24
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim