Ç’ndodhi me dekoratën e Medar Shtyllës në Presidencë

November 30, 2014 15:23

Ç’ndodhi me dekoratën e Medar Shtyllës në Presidencë

Shumëkush që e takon për herë të parë Dr. Ylli Shtyllën, oftalmologun (mjek okulist) e famshëm të Tiranës, do të gabojë me moshën e tij, duke i dhen pa mëdyshje nja dhjetë vjet më pak. Pra nuk i japin më shumë se 70-vjeç, nisur nga sportiviteti dhe energjitë që ai tregon në ecje dhe gjatë bisedës me të. Por ai pas afro dy muajsh mbush 81 vjeç. Ai nuk e fsheh këtë fakt, pasi për të nuk ka shumë rëndësi. Për të e rëndësishme është tema për të cilën i kemi kërkuar takim: Incidenti me Presidentin Bujar Nishani, i cili refuzoi pardje, më 28 nëntor, dekoratën që ishte menduar t’i akordohej babait të tij, Dr. Medar Shtyllës. Me të drejtë, Doktor Ylli ndihet sa i fyer, aq dhe i indinjuar nga ky fakt. Por jo i turpëruar. Të turpëruar, sipas tij, janë ata që e kurdisën këtë farsë, thotë ai dhe tregon se kush fshihet pas këtij akti të turpshëm. Me këtë rast, një ditë më pas, ai rrëfen par gazetën ‘DITA’ gjithçka ka ndodhur dhe ashtu si ka ndodhur, duke bërë edhe refleksionet për atë që ka ndodhur…

 

Doktor Ylli, ka dy ditë që emri juaj lakohet ndërsa u fol për një dekorim të mundshëm të babit tuaj, Medar Shtylla. A e konsideroni një skandal atë që ndodhi me historinë e dekorimit të babit tuaj, Dr. Medar Shtyllës dhe anulimin që iu bë në momentet e fundit?

Nuk është skandal. Është më shumë se skandal që tregon një sërë problemesh që dolën në këtë kremtim të jubileut të 70-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Dhe këto probleme mendoj se kanë të bëjnë me politikanët tanë dhe me një president që e vërtetoi botërisht se nuk përfaqëson unitetin e kombit, nuk është garant i Kushtetutës dhe se nuk ka as kurajën më të vogël për të bërë qoftë dhe dekorimet, pa pyetur e pa marrë miratimin e atyre që e urdhërojnë. Pra ai ka mbetur një partiak i bindur dhe ky është një problem i madh i demokracisë shqiptare. Ai nuk i ndihmon progresit, por regresit.

Doktor, le të ndalemi tek ajo që ndodhi pardje më 28 nëntor. Ne kemi botuar diçka në gazetë, por dje na kanë telefonuar plot njerëz të cilët duan të dinë diçka më shumë. Si ndodhi pra që u anulua dekorimi i Medar Shtyllës në momentet e fundit?

Në radhë dua të falënderoj gazetën ‘DITA’ për atë informacion shumë të saktë për atë që ka ndodhur. Kjo tregon se jeni profesionistë të vërtetë, pasi deri në këtë moment unë nuk kisha folur me asnjë nga ju dhe as me një media tjetër. Nuk kam folur me asnjë, pasi u ndjeva shumë keq kur kam dalë nga Pallati i Brigadave. Isha i fyer dhe i indinjuar së tepërmi me atë që ndodhi. Nuk doja të flisja me askënd. Mirëpo sot jam i kthjelluar, jam qetësuar dhe kuptoj të gjithë skenarin. Prandaj dhe po flas. Me pak fjalë ju e keni thënë në gazetë dhe ju falënderoj për korrektesën dhe për shpejtësinë me të cilin e keni marrë këtë informacion.

Gjithsesi, Doktor, lexuesit tanë duan të dinë diçka më shumë? Pra diçka për atë se si ju lajmëruan për dekorimin dhe për anulimin në minutat e fundit?

2

Ylli Shtylla

Kini të drejtë. Nja dy javë më përpara më morën në telefon nga Presidenca dhe më thanë se Dr. Medar Shtylla është dekoruar nga Presidenti i Republikës dhe dekorata do të më dorëzohej në datën 28 nëntor, në ditën e
Shpalljes së Pavarësisë kombëtare. Të them të drejtën u gëzova. E po, thashë, paska ndryshuar qëndrimi i Presidentit për luftën dhe për ata që kanë luftuar realisht për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Madje, ai që më mori në telefon, më porositi që të vishesha si për një ceremoni zyrtare, siç e meritojnë raste të tilla. Mirëpo, prapë, seç më hante një merak përbrenda dhe nuk e përhapa lajmin deri ditën e fundit. Më thanë të paraqitesha në Pallatin e Brigadave në orën 6 pa një çerek të pasdites së 28 nëntorit. Rreth orës 5 e një çerek porosita një taksi që erdhi e më mori tek shtëpia këtu ku banoj në krye të rrugës Don Bosko. Rrugës për në Pallatin e Brigadave më bie telefoni dhe shoh që më merrte kunati im nga Italia. E dini kush është kunati im? Kreshnik Tartari, ai trajneri i famshëm i ‘Dinamos’ në volejboll për femra nja tridhjetë vjet më parë. Urime, më tha Kreshniku, Presidenti po dekoron doktorin me ‘Nderi i Kombit’. Si për t’u shfajësuar i thashë se atje jam nisur, më kanë thënë se do ta dekorojnë, por më tej nuk di gjë. As çfarë dekorate do t’i japin dhe as kush dekorohet tjetër, i thashë. Sidoqoftë urime, më tha Kreshniku dhe bashkë me të ime motër që, të them të drejtën, ndiheshin të gëzuar nga lajmi që, siç më thanë, e kishin dëgjuar nga mediat shqiptare që ata i ndjekin me vëmendje në Itali, ndoshta dhe më mirë nga ne që jemi këtu.

Po anulimin si e morët vesh, kush ua tha?

Më lini të vazhdoj atë që ndodhi. Vajta në Pallatin e Brigadave fiks në orën që më kishin thënë. Hyra brenda, lashë pallton në garderobë, mora numrin e caktuar e futa në xhep dhe hyra në sallën ku do të bëhej ceremonia. Shoh atje ca fytyra që nuk më pëlqyen dhe ndjeva trazimin e parë. Pse? Sepse ishin ca pinjollë ballistësh e zogistësh me të cilët im atë i kishte qëruar hesapet që në kohën e luftës. Sidoqoftë, qëndrova. Nuk po përmend emra, por po të lexohet lista e dekorimeve kuptohet se për kë e kam fjalën… Kur papritur më bie telefoni. Më mirrnin nga Presidenca dhe një person që nuk ma tha emrin, më tha të dal pak në korridor. Me sa duket nuk më njihte për fytyrë. Dola. Më pret aty një burrë tullac dhe më thotë se është bërë një gabim teknik me dekoratën e babit tuaj dhe nuk do ta japim sot. Po çfarë gabimi teknik është ky?, pyeta ndërsa mendja filloi të më punonte me shpejtësi te të gjitha opsionet e mundshme, tek ato fytyrat që pashë brenda, tek mëdyshja e Nishanit dhe tek ndonjë urdhër që mund të kishte marrë në momentin e fundit. Ai personi i Presidencës që nuk ia mësova dot emrin nuk më dha asnjë shpjegim. Por shtoi se ja, kështu më thotë dhe shefi im, dhe më tregoi një djalë tjetër që sapo ishte afruar. U krijua një gjendje e nderë. Si për të dalë nga kjo gjendje, personi i autorizuar më tha se “megjithë gabimin teknik, ju jeni i ftuar dhe qëndroni në darkën që do të shtrohet me këtë rast”. Faleminderit, iu thashë, unë nuk kam ardhur për të ngrënë këtu. U ktheva krahët, shkova te gardëroba, mora pallton dhe ika. Tek hyrja e Pallatit të Brigadave pashë të hynte Nishani, i cili u drejtua nga një hyrje tjetër dhe nuk u përshëndetëm. Duke përshkuar ato nja 800 a 1000 metra deri te dalja, porosita një taksi që erdhi e më mori për të më kthyer në shtëpi. Kjo ishte e gjitha. Megjithatë ju e kishit përshkruar me pak fjalë shumë mirë dje në gazetë.

Më thatë se nuk dinit gjë për emrat e atyre që do të dekoroheshin bashkë me babain tuaj, megjithëse ju lajmëruan dy javë më përpara. Sikur ta merrnit vesh se në atë ceremoni do të dekoroheshin edhe bashkëpunëtorë të fashistëve, si do të reagonit?

Nuk e di. Nuk më kishte shkuar mendja deri aty, pra deri te marrëzia që në një përvjetor të shënuar të çlirimit të dekoroheshin nga Presidenti i Republikës bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashistë. Sinqerisht nuk ma merrte mendja. Po ta kisha marrë vesh, mbase do ta refuzoja menjëherë. Por meqë nuk e dija, meqë nuk bëra asnjë veprim para se të ndodhte kjo që ndodhi, nuk mund të mburrem tani e të them do kisha bërë këtë e atë.

Po tani që e morët vesh gjithë vërtetën, ç’do të thoni?

Po, tani e kam më të lehtë për të folur. Nuk do ta kisha pranuar atë dekoratë. Do ta ndieja veten të fyer që im atë, një antifashist i vendosur dhe një atdhetar që ia kushtoi gjithë jetën e tij punëve të mira për këtë vend e për këtë popull, të futej në një listë dekorimesh së bashku me tradhtarët e këtij vendi dhe me bashkëpunëtorët e fashizmit. Nuk po futem në emrat konkretë, pasi tashmë ata emra bashkëpunëtorësh të fashizmit dhe kuislingëve që morën dekoratën e Nishanit, i njohin të gjithë. Sidoqoftë, ky është turpi i këtij presidenti që kemi. Koha e ka dhënë verdiktin e saj dhe ky popull e di shumë mirë se cili meriton të nderohet dhe cili jo. Kështu që më duken të tepërta komentet lidhur me këtë çështje.

Ju pak më sipër, në hyrje të kësaj bisede thatë se kemi një president që as për dekorimet nuk vendos dot vetë, po merr urdhra nga të tjerët. Për kë e kini fjalën se ka urdhëruar Nishanin të veprojë në këtë mënyrë?

Shiko, ju në gazetën ‘DITA’ kini thënë shumë gjëra të vërteta për këta njerëz na vazhdimësi. Unë po ua them: Ky, pra Nishani, nuk është president i shqiptarëve po i asaj pjese që e zgjodhi dhe që sot është në minorancë. Nga i merr urdhrat Nishani? Gabojnë atë që thonë se i merr nga Partia Demokratike. Pse e them këtë? Sepse edhe Partia Demokratike komandohet nga dikush dhe ky nuk është askush tjetër, por ish-studenti im Sali Berisha. Jo se Nishani është i pavarur nga PD-ja, ai ka mbetur një partiak i palëkundur dhe vepron në të gjitha aktet e tij njëlloj si atëherë kur ishte ministër dhe në strukturat drejtuese të asaj partie. Në të gjitha veprimet e aktet e tij si president e ka treguar këtë. Por ky 70-vjetor i çlirimit e nxori më shumë zbuluar dhe ia hoqi plotësisht maskën Nishanit. Nuk po e them këtë për ju si gazetë ‘DITA,’ pasi ju jeni shumë të qartë dhe kini bërë një punë të shkëlqyer në këtë drejtim, por këtë e them për mazhorancën aktuale qeverisëse, e them për Edi Ramën dhe Ilir Metën që të mos flenë mbi dafina po ta dijnë se nga u vjen rreziku aktual dhe real. Jo për pushtetin e tyre, po për Shqipërinë.

Megjithatë, Doktor, kanë kaluar 70-vjet nga çlirimi i Shqipërisë dhe mbase janë disa gjëra që duhen korrigjuar. Ndaj dhe është marrë nisma për rishkrimin e historisë. Ju kini besim se historia do të rishkruhet dhe të vërtetat historike do të zënë vendin e merituar?

Nuk mund ta kundërshtoj nismën për rishkrimin e historisë. Por jam skeptik. Pse e them këtë? Mora vesh se historinë e luftës antifashiste dhe atë të periudhës së socializmit do ta shkruajnë dy historianë të huaj. Pse të vijnë të huajt të na shkruajnë historinë tonë? Nuk paskemi ne historianë të zotë që ta shkruajnë historinë tonë ashtu si ka ndodhur? Kemi. Historianët tanë me siguri do të ndihen të fyer nga ky gjest. Të huajt do ta shkruajnë sipas oreksit të tyre, sipas interesave të vendeve të tyre, por të vërtetën nuk do ta thonë deri në fund. Ja, mora vesh se historiani Paskal Milo paska kundërshtuar disa teza të historianit amerikan Bernd Fisher. Me të drejtë. Paskali ka të drejtë, pasi është një historian i zoti dhe flet me argumente. Sidoqoftë, unë nuk shqetësohem shumë në këtë pikë, pasi e vërteta mund të manipulohet për një farë kohe, ndoshta dhe me vite, kështu si po bëjnë Nishani dhe ish-studenti im Berisha, por për gjithnjë ajo është e pamundur të fshihet. Turpi mbetet për ata që përpiqen ta manipulojnë dhe ta fshehin.

***

1

Medar Shtylla


Kush ishte Medar Shtylla (1907-1963)

Medar Shtylla është një emër i spikatur në historinë e Shqipërisë moderne. Ai ka mbaruar studimet për veterinari në Tuluzë të Francës në vitin 1933 dhe, pavarësisht ofertave për të punuar në Francë dhe Itali, ai zgjodhi të punonte e të jetonte në Shqipëri. Ja çfarë shkruhet për të në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar:

Veprimtar shoqëror e shtetëror, patriot antizogist e antifashist, pjesëmarrës aktiv në Luftën ANÇ dhe ndërtimin socialist të vendit. Nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë. Lindi më 28.2.1907 në një familje me ndjenja patriotike antizogiste. Mbasi kreu studimet e larta për veterinari dha ndihmesë të çmuar për organizimin e shërbimit zooteknik e veterinar në Shqipëri. Pas themelimit të PKSH u hodh në veprimtari antifashiste, veçanërisht për krijimin e këshillave nacionalçlirimtare. Konferenca II NÇ e Labinotit (1943) e zgjodhi anëtar të Këshillit të Përgjithshëm ANÇ; në Kongresin e Përmetit (1944) u zgjodh anëtar i kryesisë së KANÇ me detyrën e përgjegjësit për sektorin e ekonomisë. Në mbledhjen e KANÇ në Berat u emërua ministër i ekonomisë (1944-1946). Anëtar i PKSH në vitin 1949. Pas Çlirimit ka kryer detyra të rëndësishme shoqërore e shtetërore. Ministër i Shëndetësisë (1955-1963), kryetar i Kuvendit Popullor. Dha ndihmesë sidomos për zhvillimin e mjekësisë shqiptare dhe për përgatitjen e kuadrove shëndetësore. Deputet në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat (1945-1963).

 

Intervistoi: Xhevdet Shehu

November 30, 2014 15:23
Komento

9 Komente

  1. snobi November 30, 19:02

    Mos e çaj koken!Nuk vlen gje medalja e Nishanit,duke krahasuar kontributin e Medar Shtylles!Medalje sakati eshte!Ku ai,e ku Medari!

    Reply to this comment
  2. Pëllumb zaimi November 30, 21:43

    Më mirë që nuk e more doktor Ylli ? Përse do të kishte vlerë ai titull ku kolaboracionistët do të peshoheshin në të njëjtin kandar me tët’atë!? Përse do ta doje me firmën e një presidenti marionetë e kolaboracionizmit? Përse do ta doje nga një president që nuk përfaqëson shqiptarët!? Përse do ta doje nga një tutkun dhe majmun i saliut!? Me firmën e nishanit,unë nipi i zonave përreth Shtyllës së babait tuaj nuk do ta quaja atë titull nder por turp!? Bën mirë që ju tërheq vëmëndjen majtistëve oportunistë për të qënë vigjilentë por aha,- “ata dëgjojnë vetëm kur t’ju venë në shtëpi si Salvador Alendes”!? Ata janë të molepsur nga oportunizmi dhe kompròmisi jo parimor!? Ata janë vetë absurdi politik!? Nderime! Titullin e lartë që meriton Medar Shtylla e ka populli të vendosur në zëmër!!? Nderime Xhota për këtë shkrimintervistë që demaskon e damkos hipokrizinë dhe pabesinë presidenciale!

    Reply to this comment
  3. mireli November 30, 22:52

    Familja shtylla duhet te nderohet me dekoraten ”NDERI I KOMBIT”.Veprimi i qelbesires president me emrin e urryer kapter JARI nuk ule dhe nuk perdhose ne asnje menyre kontributin e madhe te DOKTOR MEDAR SHTYLLES dhe familjes se tije te nderuar,si gjate luftes per liri dhe ne vitet ne vazhdim.POPULLI I ka ndare miellin me krundet ne 29-NENTORIN e 1944-es.

    Reply to this comment
  4. Damiano Damiani December 1, 03:31

    Respekt per Dr. Medar Shtyllen dhe pasardhesit e tij.

    Reply to this comment
  5. Patrioti December 1, 17:37

    Saliu, keshtu i lufton patriotet e vertete shqiptar. Lexoni veprimtarine e dr. M. Shtylles edhe komunist e bene ne vitin 1949. Kurse vdekja e tij e papritur ne vitin 1963 ka lene shume dyshime….

    Reply to this comment
  6. lpli December 1, 22:56

    Une te i sha aty do ta beja publike ne mes te gjithe atij publiku qe si ka mundesi qe njerzit te fyen punen historine si dhe kete shkrim dhe kete interviste tja besh presidentit bile te dale edhe ne medjat qe ja cfare politikane te rendomte kemi ne krye qe mohojne luften sepse e gjeten shqiperine te gateshme te cliruar te virgjer dhe e ben han me dy porta nje turp i madhe per vete ata qe bejne keto felliqesira ,dok Ylli kerkoje publikisht kete katraure si dhe diskreditoi politiken qe akoma mbajne peng njerez me vlera

    Reply to this comment
  7. Nukedipse December 1, 23:15

    “Dhe vjen nje dite” eshte film i kohes se ndritur te MONIZMIT!
    Do te vije nje dite, shume afer, qe dekoratat e akorduara nga Para-tetraplegjiku Jar nishanfaqeziu ne 28/11/2014 duhet TE SHFUQIZOHEN!

    Reply to this comment
  8. pushkin sula December 2, 05:16

    I nderuar doktor Ylli me vjen keq qe je nisur per te mare nje dekorate te ndryshkur nga nje president qe eshte i vdekur ai rron se nuk vdes dot respekti dhe mirnjoja per babane tuaj eshte edhe i brezit tone populli i jep drkoraten nderi i kombit respekte nga amerika familja pushkin sulatel 1734 629 2121 usa

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*