Comey: Administrata Trump përhapi gënjeshtra dhe më diskreditoi mua dhe FBI-në

June 8, 2017 17:05

Comey: Administrata Trump përhapi gënjeshtra dhe më diskreditoi mua dhe FBI-në

Drejtori i shkarkuar i FBI-së, James Comey tha sot në dëshminë e tij se administrata e Presidentit Donald Trump përhapi “gënjeshtra për të” dhe “e diskreditoi” atë dhe FBI-në.

Ish-drejtori i FBI-së e hapi seancën e shumëpritur në Senat, duke thënë se motivacioni i administratës për shkarkimin e tij, e kishte bërë konfuz dhe e kishte shqetësuar atë.

Zoti Comey tha se kishte mbajtur shënime pas çdo kontakti me Presidentit Trump, sepse e dinte se mund të vinte një ditë që mund t’i duhet të vetëmbrohej.

Ai tha se nuk kishte ndjerë një nevojë të tillë me ish-Presidentin Obama.

Në deklaratën e shkruar që i dorëzoi Komisionit të Senatit për Çështjet e Zbulimit, zoti Comey tha se Presidenti Donald Trump i ka kërkuar atij besnikëri gjatë bisedave që të dy ata kanë patur në Shtëpinë e Bardhë lidhur me hetimet e kësaj agjencie për disa zyrtarë të tanishëm dhe të mëparshëm të administratës.

Klikoni këtu për të ndjekur dëshminë

Dje pasdite, Komisioni publikoi paraprakisht një kopje të deklaratës prej shtatë faqesh që zoti Comey do të paraqesë në hapje të një seance të shumëpritur të Komisionit. ((https://www.intelligence.senate.gov/sites/default/files/documents/os-jcomey-060817.pdf)).

Deklarata u bë publike dje pasdite, pak orë pas një seance të mëparshme të Komisionit të Zbulimit, në të cilën Drejtori i Zbulimit Kombëtar dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Inteligjencës refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve të senatorëve rreth zotit Comey dhe hetimeve për Rusinë.

Në deklaratën e tij, zoti Comey jep hollësi befasuese për pesë biseda që ai ka patur me Presidentin Trump. Mes të tjerash ai lë të kuptohet se Presidenti i ka kërkuar të ndryshojë rrjedhën e hetimeve të FBI-së për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Trump: “Pres besnikëri nga ju”

Siç tregon zoti Comey, në një bisedë në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i tha: “Unë kam nevojë për besnikëri, pres besnikëri nga ju”. “Nuk lëviza, nuk fola dhe as ndryshova shprehjen e fytyrës gjatë heshtjes së vështirë që pasoi,” shkruan ish-shefi i FBI-së. “Ne thjesht nisëm të shihnim njëri-tjetrin në heshtje”.

Në deklaratën e tij me shkrim, zoti Comey tregon se i kishte thënë tri herë Presidentit se ai nuk ishte objekt i hetimit të FBI-së, që synonte të sqaronte nëse bashkëpunëtorët e zotit Trump kishin patur kontakte të papërshtatshme me zyrtarët e qeverisë ruse.

Në një pasazh tjetër, zoti Comey dëshmon se Presidenti Trump i kishte kërkuar më 14 shkurt të hiqte dorë nga hetimi për gjeneralin Michael Flynn, i cili ishte shkarkuar si këshilltar i sigurisë kombëtare një ditë më parë. “Shpresoj se ju mund të gjeni mënyrën për të hequr dorë nga kjo, për ta lënë çështjen Flynn,” i kishte thënë Presidenti, gjithnjë sipas deklaratës së zotit Comey. “Ai është njeri i mirë. Shpresoj se mund ta kaloni çështjen e tij.”

Muajin e kaluar, Presidenti Trump mohoi kategorikisht se i kishte bërë presion ish-shefit të FBI-së që të mbyllte çështjen Flynn ose të hiqte dorë nga hetimi i saj. Presidenti hodhi poshtë gjithashtu pohimet se bashkëpunëtorët e tij janë marrë vesh me Rusinë që ajo të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, duke e quajtur këtë një “gjueti shtrigash”.

Komentojnë përkrahësit e zotit Trump

Pas publikimit të deklaratës së zotit Comey, mbështetësit e Presidentit Trump thanë se aty nuk kishte asgjë që lë të kuptohet se Presidenti ka bërë ndonjë shkelje.

Avokati Marc Kasowitz, këshilltar privat i zotit Trump për hetimin e çështjes së Rusisë tha se presidenti “ndihet plotësisht i shfajësuar”.

“Presidenti, – tha zoti Kasowitz, – është i kënaqur që zoti Comey më në fund ka konfirmuar publikisht se presidenti nuk është nën hetime, në asnjërin prej hetimeve rreth Rusisë.” “Ai mezi pret të vazhdojë punën për të vënë në jetë axhendën e tij si president”.

Kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan Ronna McDaniel theksonte të njëjtën gjë në një deklaratë në faqen e internetit të këtij Komiteti: “Presidenti Trump kishte të drejtë. Deklarata e drejtorit Comey rikonfirmoi atë që presidenti ka thënë gjatë gjithë kohës, se ai kurrë nuk ka qenë nën hetime”.

Demokratët e shohin ndryshe çështjen

Demokratët në Kongres e shohin ndryshe rëndësinë e dëshmisë së zotit Comey.

Kongresmeni Adam Schiff, demokrat i lartë në Komisionin për Inteligjencën në Dhomën e Përfaqësuesve, i quajti “shqetësuese” akuzat e zotit Comey. Në një deklaratë, zoti Schiff tha se bisedat e presidentit me zotin Comey “përfaqësojnë një tjetër përpjekje të papërshtatshme për të detyruar agjencitë e inteligjencës të shërbejnë si mjete të Shtëpisë së Bardhë për marrëdhëniet me publikun dhe për të minuar pavarësinë apo integritetin e komunitetit të inteligjencës”.

Disa kritikë të tjerë të zotit Trump thanë se pohimet e zotit Comey tregojnë se presidenti është përpjekur të ndërhyjë në mënyrë të papërshtatshme dhe se kjo mund të përbëjë pengim të drejtësisë.

Një ish-zyrtar i vjetër i FBI-së, i cili nuk deshi të identifikohej, i tha Zërit të Amerikës se “Zoti Comey ka vepruar korrekt për gjithçka.” Kjo ngjarje thjesht flet për një president që nuk e kupton se si funksionon qeveria dhe se e trajton qeverinë sikur të ishte një biznes.”

Kreu i FBI-së u shkarkua në muajin maj

Presidenti Trump e shkarkoi zotin Comey muajin e kaluar. Shtëpia e Bardhë në fillim lëshoi një deklaratë duke thënë se shkarkimi ishte bërë me rekomandimin e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili kishte dërguar një memo ku kritikonte mënyrën se si zoti Comey i trajtoi hetimet rreth çështjes së emailave të kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton.

Më vonë, vetë zoti Trump e hodhi poshtë këtë version. Ai i tha një gazetari se kur shkarkoi zotin Comey “kishte në mendje punën e Rusisë”.

Studiuesit e presidencës thonë se, nëse versioni i ngjarjeve i treguar nga zoti Comey konfirmohet, kjo do të paraqiste një sfidë të rëndësishme ndaj barrierave tradicionale që synojnë të ruajnë pavarësinë e institucioneve ligjzbatuese në SHBA.

“Mendoj se një nivel të tillë shqetësues ndërveprimi mes presidentit dhe FBI-së nuk e kemi parë që nga koha e Uotërgejtit,” thotë Dan Mahaffee, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Presidencës dhe Kongresit.

Të mërkurën, dy zyrtarë të lartë i thanë Komisionit të Senatit për Zbulimin se nuk kishin ndjerë ndonjë trysni të papërshtatshme nga presidenti për të deklaruar publikisht se nuk ka patur ndonjë koordinim të mundshëm mes ndihmësve të zotit Trump dhe Rusisë në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats dhe Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare Michael Rogers u thanë anëtarëve të Komisionit se nuk mund të flisnin publikisht mbi hollësitë e takimeve të tyre me Presidentin Trump në muajt e fundit. Ata refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve nëse zoti Trump u kishte kërkuar të ndërhynin për të frenuar hetimet rreth ndikimit rus në fushatën presidenciale të 2016-s./VOA

June 8, 2017 17:05
Komento

4 Komente

  1. komshiu June 8, 17:25

    Ahahaha patem kujtu se vetem ketu ne Tirane hapin gojen pasi bien nga fiku por qenka huq i perbotshem. Ky Comey ishte qe mbuloi karagjozlleqet e Hillaryt me ato e-mail . Po te fitonte Clinton do e mbante, fitoi Trump e largoi. Te shkoje tani ti sherbeje Hillaryt te shpia.

    Reply to this comment
  2. Arben June 8, 18:07

    E PO U BERE BREKE E BYTHE ME NJE PALE, PRANDAJ.

    Reply to this comment
  3. perkthyesi June 8, 19:39

    Kurse mua me duket akuze shume e rende, dhe, ne se rezulton e vertete, te ardhmen e Trump ne shtepine e bardhe e shoh krejtesisht te pasigurte!

    Reply to this comment
  4. Xha Braho June 8, 20:16

    @komshiu & Arben,
    Per fat te mire Demokracia amerikane funksionon mbi parimin e shenjte “check & balance”. Por ju mesa duket keni te drejte qe ne veprimet e Trump shihni veprimet e Sali Qoftelargut qe sa vinte ne pushtet banda e tij hiqte Kryeprokurorin. Trump eshte futur ne nje grope nga e cila as Perendia ska per ta nxjerre dot. Prisni se skeni pare gje akoma. Dhe per dijenine tuaj Comey eshte Republikan nuk eshte Demokrat por kjo nuk e pengoi Presidentin Obama ta emeronte ne krye te FBI-se ne Shtator 2013. Trumpi e do FBI “nen sume” ashtu sic mban Sala me Like Floririn Lalle djalin. Prandaj Trump po heq picirrin te gjeje zevendesin e Comey sepse dhe ai qe do te vije do te jete ne sherbim te Kushtetutes dhe jo te Presidentit te rradhes. Respekte.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim