Copëza jete në shkretëtirë

Ermir Hoxha April 5, 2013 09:20

Copëza jete në shkretëtirë

Florian Çobani dhe Dritan Mehmeti janë dy emra shqiptarë që nuk të thonë asgjë. Këtë e dinë dhe ata vetë, deri në çastin kur dikush ndalet para punës së tyre dhe ua fikson me shkrepjen trak-shrak të një aparati fotografik, zellin në trajtë gjelbërimi. Ata, si shumica e shqiptarëve të papunë, fort mirë mund t’i kishin kaluar orët kotësisë e zdërhalljes monumentale të këtij vendi, duke plotësuar lloto, ngrënë pangopësisht fara, marrjes në gojë të miletit shkak e pa shkak, kruajtjes së hundëve e allateve gjithë ditën e lume në pamundësi organike për t’i shfrytëzuar duart për punë të hajrit e kështu me radhë. Por ata, edhe pse askushi në raport me dikushët e mëdhenj që prodhon në seri fabrika e madhe mediatike, kanë vendosur t’i japin një kuptim prore frymëmarrjes së tyre shqiptare: të ndërtojnë ca oaze të vogla jete në shkretëtirën e mizerjes së paanë të këtyre anëve.

 

Floriani

Në afshin e zjarrtë të dashurisë për pak truall e një ndërtim, karakteristikë patologjike kjo për banorët e Sarandës në dhjetë vitet e fundit, mu në zemër të qytetit, Floriani ka vendosur të  ecë kundër rrymës: të shfrytëzojë ca pak metra katrorë anës shtëpisë së tij për të ndërtuar një baby-lulishte, që në kushte “normale”, do ish një zgëq plehrash e mbeturinash. Dhe ashtu ka qenë në fakt. I kthyer nga vite të gjata në emigrim, Florian Çobani, një denbabadenas i qytetit, i është përkushtuar punës për të bërë diçka ndryshe; që në vend se të vrasë miza, të mbjellë ca lule, të ujisë një pemë, të krasisë një degë, të vendosë një stol apo të dizenjojë një vazo. Duke qenë për vite emigrant, thotë se ka parë botë me sy; dhe se ajo çfarë ndodh në Shqipërinë e tij, është absurde. Nuk ka shkollë e as ndonjë aftësi artikuluese të veçantë mbi fenomenet, por më ca pak fjalë, të thotë se ky vend nuk po arrin të prodhojë gjëra të bukura. Qoshkut e tij të lulëzuar i afrohen herëpasherë dhe vizitorë të huaj që, siç thotë ai, tërhiqen pas asaj çfarë shohin, në një vend ku ka vetëm plehra, inerte e beton. Floriani ka të lexueshëm në sjelljen e tij krenarinë e një qytetari që nuk dorëzohet para asnjë tundimi për të mbetur i tillë jo me fjalë, por me vepra. Nuk i druhet hiç ndonjë damke prej budallai që mund t’ia ngjisë  gjindja rreth e rrotull. Vetëm një gjëje i druhet: ndonjë “kafshe prej hekuri” që mund të mbijë një ditë aty për ta kafshuar e përpirë atë copëz jete, duke pjellë në vend të saj ndonjë ciklop betoni tërësisht të verbër, pa sy e zemër bashkë.

 

Tanusha

Pak kilometra larg Florianit, në Delvinë, sikur të njiheshin me njëri-tjetrin e ta kishin bërë më fjalë, Dritan Mehmeti ose i njohur ndër bashkëqytetarë si Tanusha, një “Leo Mesi” i ekipit të futbollit të Bistricës, ka vendosur të bëjë të njëjtën gjë: një hapësirë djerrë e të ndytë para pallatit ku jeton, e ka ujdisur për merak, duke e pastruar, shtruar me bar, mbjellë pemë e lule. E ka rrethuar më pas me ca parmakë të drunjtë, krejtësisht të harruar si aksesorë simpatike të një bashkëjetesë të shëndetshme në komunitet. Si besimtar i thekur, di të thotë se frymëzimin për këtë punë ia ka dhënë Zoti. “Unë di një gjë, që duhet të bëj punë të mira. Dhe kjo punë që kam bërë, është një gjë e mirë që e kam detyrim nga Zoti: që ta mbajë pastër ambjentin e ta përmirësojë atë me sa mundem e ku të mundem”, thotë Tanusha.

Ka mbjellë një peme bliri, një mollë, një kumbull, një limon, ca kualitete lulesh të njohura e të veçanta. Është kopshti i tij i Edenit ku endet çdo ditë. Ka zgjedhur pra këtë mënyrë për t’i vendosur një çmim vetes, t’i japë një kuptim frymëmarrjes pa shkak që ta imponon jetesa e degraduar shqiptare, sidomos në provinca.

 

***

Floriani e Tanusha, këta dy shqiptarë të thjeshtë e të zakonshëm, janë endësit e pashoq të një tjetër rrobe që i duhet këtij vendi. Nuk janë fjalëmëdhenj, as talente që suprizojnë; janë thjesht ca kokëshkretë të urtë, që preferojnë t’i japin gjak nga gjaku i tyre trupit të drobitur e gjakprishur atdhe, në një transfuzion të domosdoshëm për t’u mbajtur në jetë.

Ermir Hoxha April 5, 2013 09:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim