CoVid-19 / Si të ndërpresim ankthin nga lajmet?

March 25, 2020 18:33

CoVid-19 / Si të ndërpresim ankthin nga lajmet?

 

Nga Fiorela Shalsi*

Ndiheni ankthioz për CoVid-19? Kush nuk është? Mes një uragani ku nuk arrijmë të perceptojmë plotësisht morinë e informacioneve që vërshojnë çdo minutë është e natyrshme të ndihemi ankthiozë. Por ndërsa duhet të kuptojmë çfarë po ndodh, pse është po aq e rëndësishme të pakësojmë kontaktin me lajmet dhe median sociale? Çfarë mund të bëjmë konkretisht?

Një gjë është e sigurtë: ankthi nuk do ta shërojë virusin! Përkundrazi mund të ndikojë në aftësinë tonë për të gjykuar dhe ruajtur një shëndet të mirë në këto kohë që është edhe më kritike. Ne mund të kuptojmë dhe kontrollojmë mendjen në mënyrë që ta kthejmë në aleat për përballimin e situatës.

Fiorela Shalsi

Fiorela Shalsi

A e keni gjetur veten këto ditë duke kontrolluar lajmet apo median sociale më shpesh se më parë? Ja pse ndodh. Truri ynë është i programuar të planifikojë të ardhmen duke mbajtur mend se ku ndodhet “burimi i ushqimit”. Shekuj më parë, në momentin kur gjenin ushqim, truri i paraardhësve prodhonte dopaminë, përbërës kimik që ofron ‘shpërblim’ duke dhënë kënaqësi. Kjo i ndihmonte të mbanin mend se çfarë hëngrën dhe ku e gjetën. Por me kalimin e kohës truri u përshtat dhe nuk lëshonte dopaminë vetëm në momentin kur gjendej ushqimi por edhe kur mendonin se do të shkonin të gjenin ushqim. E keni parasysh sot ndjesinë kur mendojmë për restorantin e preferuar? Truri përjeton kënaqësi shumë më përpara se ne praktikisht të ulemi dhe të hamë realisht (shpërblimi konkret). Pra prodhimi i dopaminës në kohë është zhvendosur nga thjesht momenti kur hamë ushqim që kur fillojmë të mendojmë se do të ushqehemi. Ky cikël është pjesë e strukturës se si i krijojmë zakonet, pse kemi neps apo dëshirë për të ngrënë ushqime të caktuara, çfarë si rrjedhim na motivon të shkojmë ‘ta gjejmë’ atë ushqim.

Si lidhet kjo me zakonin e shfrenuar të kontrollit të lajmeve apo medias sociale? Informacioni është ‘ushqim’. Na ndihmon të mbijetojmë! Nëse nuk kemi kontrolluar lajmet, atëherë sa shohim titullin e radhës patjetër çlirojmë dopaminë dhe nxitemi të lexojmë. Sa më bombastik titulli aq më i fortë çlirimi i dopaminës (çelësi që përdor media për të fituar vëmendjen tonë). Sidomos në një gjendje të tillë kur lajmet prodhohen nga gjithë bota dhe zhvillimet janë shumë të shpejta, ne nxitemi më shumë për të kontrolluar më shpesh lajmet apo median sociale. Dhe me kontrollin tonë të shpeshtë ne vazhdojmë çlirojmë dopaminë e sjellja përsëritet e përsëritet dhe kthehet gradualisht në zakon. Kur fitojmë një zakon, sjelljet kthehen në automatike dhe pothuaj ne as nuk jeni të ndërgjegjshëm që po i kryeni këto veprime. Kjo është struktura bazë se si krijohen varësitë siç është për shembull edhe luajtja bixhoz apo kumar.

Çfarë mund të bëjmë? Është shumë e rëndësishme që ta ndërprisni këtë sjellje sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të mos krijoni varësi nga kontrolli i lajmeve apo medias sociale. Duke kuptuar se pse ndodh një gjë e tillë, si fillim mund të kuptoni që jeni përgjegjësi i vetëm që ose mund ta përkeqësoni këtë sjellje ose mund ta kontrolloni dhe kufizoni duke ndihmuar dhe në reduktimin e ankthit qoftë të vetes, qoftë edhe të të tjerëve.

Së pari, monitoroni veten sa herë në ditë dhe për sa kohë i shikoni lajmet? Sa gjatë televizori, kompjuteri, telefoni qëndrojnë në kanalin e lajmeve? Mbani shënim për të paktën dy deri tre ditë me radhë. Ju mund të kuptoni se i shikoni lajmet shtatë herë në ditë, për rreth dy orë ose i ndiqni dy herë në ditë, por mbeteni aty për rreth katër orë ose i mbani ndezur gjithë ditën.

Së dyti, reflektoni p ër nevojat tuaja reale për të parë lajmet. Kur të ndiheni të qetë, pyesni veten: sa shpesh e kam realisht të nevojshme të lexoj apo marr informacion? Kuptohet kjo përgjigje mund të variojë nga profesioni që ushtroni apo interesat imediate. Por mundohuni të jepni një përgjigje sa më realiste dhe të dobishme për ju.

Së treti, vendosni për një shifër dhe/ose kohëzgjatje të re më të ulët se ajo që monitoruat dhe sa më realiste për ju. Pyesni veten se pse ju nevojitet kaq shpesh dhe gjatë? Çfarë do të ndryshojnë në ditën apo planifikimin tuaj për të ardhmen nëse i shihni më rrallë dhe më shkurt? Sa realiste është kjo shifër/kohë për ju? Kur vëmë re një sjellje të gabuar do donim që ta korrigjonim brenda natës, por në fakt jo shpesh vendimi ekstrem kthehet në bumerang. Kjo sepse truri është mësuar të marrë dopaminë nga ajo sjellje dhe do përdorë të gjitha ‘hilet’ e mundshme për t’ju kthyer ta përsërisni atë sjellje. Pra nëse vendosni një kufi shumë të lartë dhe jo realist sapo keni rënë dakord që do të dështoni, çka është dhe mekanizmi që përdor mendja juaj për t’ju detyruar që të mos ndryshoni sjellje.

 Së katërti, qëndrojini vendimit dhe përsërisni sjelljen derisa të krijoni një zakon të ri ku të shikoni gjithmonë e më pak lajme dhe të ndërprisni ankthin që merrni prej tyre. Mbasi filloni të praktikoni shifrën dhe kohëzgjatjen realiste që keni vendosur, pas çdo here që shikoni lajmet pyesni veten: çfarë përfitova nga ky lajm? Apo thjesht humba kohë? Ky lajm më qetësoi apo më shumë më shqetësoi? Vazhduat të kërkoni e të lexoni më shumë lajme? Nëse shikoni që numri dhe kohëzgjatja vazhdojnë ju sjellin stres dhe ankth, reduktoni numrin deri në përfitimin e një sjelljeje të re që ju bën të merrni informacionin e nevojshëm dhe nuk ju shkakton gjendje të vazhdueshme ankthi.

Së pesti, nëse ende e keni të vështirë t’i qëndroni vendimit kërkoni ndihmën e familjarëve ose përdorni aplikacione që kontrollojnë kohëzgjatjen tuaj online ose sa shpesh hapni TV për të ndjekur lajmet.

Duke parë gjithmonë e më qartë shpërblimin real të ndjekjes së lajmeve dhe medias sociale gradualisht fillojmë të kuptojmë se deri ku duhet të lejojmë ndikimin e tyre për të marrë informacionin e nevojshëm por mbi të gjitha për të kufizuar ekspozimin ndaj infektimit social të ankthit dhe panikut. Në këtë mënyrë ne mund të ndërpresim zinxhirin e ankthit për veten dhe të tjerët.

 

*Psikologe

March 25, 2020 18:33
Komento

1 Koment

  1. Shkrim kuptimplote - informative March 27, 12:08

    Eshte shume pozitive qe te rrepsektojme prezenten ,

    dhe i kushtojme gjithe vemenndjen e duhur asaj ,

    me shkrime te tilla qe i vijne ne ndihme shoqerise .

    Un mendoj se ne Shqiperi edhe pse eshte nji vend aq i vogel ,

    eshte e domosdoshme informimi ,puna e psikologut ,

    keshtu shoqeria behet me e vetedijeshme dhe di si

    te perballet me te papriturat e jetes .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Tirana Bank