Ç’po vajton bilbili.. (IV)

Arben Duka January 28, 2016 14:00

Ç’po vajton bilbili.. (IV)

Ç’po vajton bilbili,
në Qafë-në Muzinë,
vajton opozitën,
edhe qeverinë!

Që tani po shfaqen,
si engjëj të Zotit,
ndaj vajton bilbili,
me kokërr të lotit!

Duket-do shpëtojmë,
nga kohët e zeza,
se tani po ulen,
tok nëpër tryeza!

Pavarësisht sa vota,
në votim kanë marrë,
përfaqësimi është,
kudo barabar!

Një reformë të re,
do fillojnë prore,
fill pas drejtësisë,
reforma zgjedhore!

Jo se drejtësia,
mbaroi për një muaj,
por tani e kanë,
ekspertët e huaj!

Ajo në Venecia,
tash po maturohet,
po s’e dimë aspak,
nëse do votohet!

Mendohet votimi,
i vështirë vërtet,
se gjithkush do mbrojë,
variantin e vet!

Reforma zgjedhore,
është më me vlerë,
po ajo është bërë,
këtu disa herë!

Në fakt zgjedhjet tona,
i ka marrë dreqi,
se Ligji Zgjedhor,
sot është më i keqi!

Qe shumë më i mirë,
ligji në fillim,
sepse realisht,
kishte konkurrim!

Të mëdhenjtë e hoqën,
atë ligj-o shokë,
se e kanë frikë,
votën kokë për kokë!

Ndaj është shumë vështirë,
ligj’ i ri zgjedhor,
sepse kryetarët,
nuk do heqin dorë!

Nuk do ta dorëzojnë,
listën-monopol,
ndaj vajton bilbili,
më keq në Mifol!

Dhe vazhdon vajtimin,
në Gurrë-te Poçemi:
“S’ka reformë zgjedhore,
po s’ndryshoi sistemi!”

Pastaj thotë bilbili,
tutje në Zëmblak:
“Kuvendi të ketë,
nja dyzet më pak!”

Jo se tash Kuvendi,
ka shumë byk e kashtë,
po se gjysmë e vendit,
tani jeton jashtë!

Gjysma jeton jashtë,
me vite mërguar,
dhe shumicë e tyre,
janë integruar!

Po dhe pse janë,
në çdo cep të Botës,
ata prapë e kanë,
të drejtën e votës!

Nëse do votonin,
do të qe shumë mirë,
por kjo teknikisht,
është e vështirë!

Po kjo mund të ketë,
zgjidhje natyrisht,
se mund të votohet,
elektronikisht!

Ndikimi i tyre,
do jetë i fuqishëm,
por për ata vlen,
sistem’ i tanishëm!

Reforma zgjedhore,
është e koklavitur,
por prapë jemi vonë,
s’ka kohë për të pritur!

Ndaj pyet bilbili,
mbi degën e dardhës:
“A do jemi gati,
për zgjedhjet e radhës?!”

(Vijon nesër pjesa e pestë)

Arben Duka January 28, 2016 14:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*