Ç’po vajton bilbili!

Arben Duka January 27, 2016 11:39

Ç’po vajton bilbili!

(Pjesa III për vitin 2016)

Ç’po ja thotë bilbili,
në fusha-në male,
herë me zhurmë e bujë,
herë dalë-kadale!

Dhe pyet bilbili,
me një ton të ulur:
“Përse qeverisë,
të gjithë i janë sulur?!”

Të gjithë i janë sulur,
të gjithë i janë turrur,
ndaj kërkon bilbili,
një gjë-për ta mburrur!

Kërkon e kërkon,
po lodhet më kot,
një gjë-që ta mburri,
nuk gjen-që s’gjen dot!

Bilbil këngëtarin,
e këput të qarët,
tani na janë qepur,
dhe ndërkombëtarët!

FMN-ja u zgjua,
fiks në këtë stinë,
dhe thotë-se ky vend,
po shkon në greminë!

FMN-së një presje,
BE-ja s’i heq, thotë:
“Është bërë çdo gjë,
keq edhe më keq!”

Qeverisë në tokë,
i kanë rënë poturet,
po s’e ka problem,
të dalë e të mburret!

Ndaj bilbil mavria,
s’e ndal dot vajtimin,
dhe ngul këmbë si mushka,
s’e pranon dështimin!

O bilbil i shkretë,
s’e kam për romuz,
po fshati që duket,
nuk do kallauz!

Dhe unë-si bilbili,
shoh çdo ditë replikat,
dhe me shumë dëshirë,
nuk i bëj kritikat!

Po realiteti,
më mbush me mërzi,
po veç e vërteta,
këtu bën dobi!

Po gënjeva unë,
po gënjeve ti,
këtu do të bëhet,
zi edhe më zi!

Ndaj po ulëras:
“O moj Shqipëri,
t’u nxi më keq jeta,
nga kjo qeveri!”

Pyesim me ankth,
që të gjithë sa jemi,
pyesim: “Ç’të bëjmë?!”,
pyesim: “Ku vemi?!”

Kështu tha Lenini,
kur ora po binte,
po Ai-të dyja,
përgjigjet i dinte!

Ndaj vajton bilbili,
me vaj e me ligje,
se edhe ai,
s’ka ndonjë përgjigje!

Situata është,
shumë e kokolepsur,
dhe njëmijë probleme,
komb mbi komb janë pleksur!

Rrugët e mundimit,
janë ende të gjata,
po Nishan nishani,
shpërndan dekorata!

Kundra komunizmit,
Nishani ndez flakët,
antikomunist,
nga më qesharakët!

Ai tash po korr,
atë që ka mbjellë,
ndaj kur e dëgjoj,
më vjen për të vjellë!

Bëni ndonjë punë,
o njerëz të mjerë,
antikomunizmi,
sot s’ka asnjë vlerë!

Nëse kini ende,
dhe një fije nderi,
bëni një të qindtën,
që bëri Enveri!

Një ditë të vetme,
për popull punoni,
pastaj marmalatë,
hani sa të doni!

(Vijon nesër pjesa e katërt)

Arben Duka January 27, 2016 11:39
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*