Cuculi: Nuk duhej të pësonim aq shumë gola, Suso problematik por Kessie…

August 19, 2017 16:35

Cuculi: Nuk duhej të pësonim aq shumë gola, Suso problematik por Kessie…

Shkëndija e Tetovës ka qenë në qendër të vëmendjes së mijëra tifozëve mbarëshqiptarë me paraqitjet e saj në Europa League.

Skuadra kuqezi nuk e pati fatin të kishte një kundërshtar më të lehtë në play-off, por nga ana tjetër iu dha mundësia të sfidonte një ekip të madh si Milan në “San Siro”.

Në takimin e parë, tetovarët pësuan një humbje të thellë 6-0, e megjithatë ecin para me kokën lart për të marrë një rezultat pozitiv në shtëpi për tifozët e tyre të palodhur.

Lideri i mbrojtjes së Shkëndijës, Ardian Cuculi në një intervistë për eduasportin.com ka rrëfyer emocionet e ndeshjes ndaj shtatë herë kampionëve të Europës.

Lojtari 30-vjeçar ka treguar gjithashu bisedën me trajnerin dhe presidentin pas sfidës dhe duelin me lojtarët milanezë.

Ardian, si ishte të luanit në “San Siro”?

Një ndjenjë e mirë dhe arritje e madhe, ku ndoshta dikush e ka ëndërr të shikojë një ndeshje në “San Siro”, ndërsa ti e ke mundësinë që të luash. Mund të them që ishte një stadium gjigant që dhuronte një atmosferë të zjarrtë.

Milan është një emër i madh. Ju vjen keq që pësuat gjashtë gola ?

Sigurisht që Milan është një emër i madh në futboll, shtatë herë kampionë Evrope. Normalisht që na vjen keq, sepse edhe mund t’i evitonim disa gola. Por ja që fati deshi të ishte kështu dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Gjashtë gola janë në të vërtetë shumë, duke pasur parasysh me atë çfarë treguam në fushë. Mendoj se nuk e merituam atë rezultat, por tani le të shpresojmë se ndeshjen e kthimit të tregojmë fytyrë tjetër.

Çfarë ju tha trajneri pas ndeshjes? Po presidenti?

Trajneri pas ndeshjes na tha që duhet të tregojmë fytyrë tjetër në sfidën e kthimit, kjo ndodhi tashmë dhe duhet të vazhdojmë përpara!

Presidenti na inkurajoi dhe na dha mbështetje maksimale pavarësisht rezultatit. Ishte i kënaqur që arritëm deri aty, do të vazhdojë të na mbështesë maksimalisht!

Keni marrë ndonjë mesazh nga tifozët pas takimit…

Do të vazhdojnë të na mbështesin dhe janë krenarë për ne.

Çfarë duhet të presim nga Shkëndija në ndeshjen e kthimit?

Do të mundohemi të tregojmë fytyrë tjetër nga ndeshja e parë. Do të japim gjithçka nga vetja që tifozët të ndihen krenar dhe t’i shprehim falënderimet tona, që na kanë mbështetur në çdo kohë, në çdo ndeshje pavarësisht rëndësisë së saj dhe në këtë periudhë me temperatura kaq të nxehta. Sidomos për mbështetjen e madhe që treguan në Milano.

Do kishit preferuar një kundërshtar më të lehtë për të kaluar fazën e grupeve?

Normalisht që po, por fati deshi kështu, të përballemi me Milan. Por, do të vazhdojmë para duke shpresuar se vitin e ardhshëm të bëjmë hapin për t’u futur në grupe.

E dinit që edhe në Shqipëri ka pasur një interes të jashtëzakonshëm për Shkëndijën?

Po e dinim dhe me këtë rast dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë tifozët dhe sportdashësit shqiptarë që na kanë mbështetur.

Cilin nga lojtarët e Milan e kishit më të vështirë për t’a markuar?

Mendoj që Suso. Të gjithë ishin të vështirë për t’u markuar, por ai ishte lojtari që vertikalizonte dhe pasonte topa në korridore për sulmuesit, lojtar i jashtëzakonshëm.

Cili ju bëri më shumë përshtypje nga Milan?

Kessie, mesfushor shumë i fuqishëm.

Keni frikë nga ndonjë goleadë në ndeshjen e kthimit?

Tani frika egziston çdoherë, pasi bëhet fjalë për një ekip si Milan. Besoj se do të luajmë shumë më mirë në ndeshjen e kthimit dhe do të bëjmë çmos që të paktën të marrim ndonjë rezultat pozitiv.

Të ndalemi pak te Partizani. Ju erdhi keq që nuk e arriti objektivin as këtë vit?

Shumë, por më e rëndësishmja për Partizanin është që po ndërton themelet e klubit në aspektin e infrastrukturës dhe po ndërtohet një ekip i ri nën kupolën e italianëve. Tani mbetet të shpresojmë që të arrijnë të bëhen kampionë.

Egziston një rikthimin i mundshëm, duke qenë se keni pasur eksperiencë pozitive dhe jeni i mirëpritur dhe nga tifozeria e kuqe?

Futbollit nuk i dihet asnjëherë dhe as se si vjen puna. Unë kam vetëm kujtime të mira atje! Kaq.

Intervistoi: Eva Marku

/E DUA SPORTIN/

August 19, 2017 16:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*