Çudia britanike !

September 21, 2016 16:27

Çudia britanike !

Edhe pse me një këmbë jashtë BE, me këmbën tjetër britanikët do të refuzojnë në mënyrë kategorike çdo tentativë, për krijimin e Evropës ushtarake. Avancimi me projektin evropian të mbrojtjes, ishte një nga pikat e diskutuara në Samitin e Bratislavës, ku Britania e Madhe për herë të parë që pas rezultatit të referendumit, nuk merrte pjesë në mbledhjen e krerëve të shteteve dhe drejtuesve të vendeve evropiane. Por, projekti konkret në lidhje me mbrojtjen evropiane, ka sjellë edhe reagimin e fortë të Sekretarit britanik të Mbrojtjes, që ka deklaruar se “Kjo nuk do të ndodhë! Ne jemi anëtarë të plotë të BE dhe do t’i rezistojmë çdo përpjekjeje për të krijuar një rival të NATO”  

Në fakt, deklarata për refuzim të avancimit në fushën evropiane të mbrojtjes dhe vënies së vetos ndaj çdo tentative për avancim, është e pamundur të mos shikohet, në optikën e një pozicionimi aspak komod britanik.

Nga njëra anë, teksa qytetarët e saj vendosin të braktisin Unionin, një situatë që e ka gjendur tërësisht të papërgatitur klasën politike britanike, Evropa organizon mbledhje të krerëve të shteteve, duke përjashtuar pjesëmarrjen e Britanisë së Madhe, dhe për më tepër në vend që të konfigurohen dhe të shfaqen shenja dobësimi politik, Evropa pas vendimit për dalje të Britanisë, po shfaqet e sigurt në bashkëpunimin dhe avancimin e projektit të mbrojtjes.

Nga ana tjetër, bashkëpunimi dhe projekti franko-gjerman në fushën e mbrojtjes, është tashmë i skicuar në mënyrë të qartë, duke përfshirë jo vetëm bashkëpunim të plotë me NATO dhe strukturat e saj, por duke shmangur në mënyrë kategorike çdo përplasje të mundshme me Aleancën Atlantike. Një konfigurim që në vetvete, nuk ka asnjë arsye të krijojë shkas për t’u refuzuar, apo për t’u vendosur veto, nga politika e Britanisë së Madhe, si formë presioni. Nëse i referohemi Strategjisë Globale të Unionit Evropian, aty theksohet si vlera e rëndësishme e autonomisë në fushën e veprimit evropian, por edhe rëndësia e një partneriteti të shëndoshë transatlantik me SHBA.

“Përpjekjet evropiane të sigurisë dhe të mbrojtjes duhet t’i mundësojnë Bashkimit Evropian, që të veprojë në mënyrë autonome, duke kontribuar gjithashtu edhe në ndërmarrjen e veprimeve me NATO. Një mbrojtje më e besueshme evropiane, është thelbësore gjithashtu për hir të një partneriteti të shëndoshë transatlantik me SHBA.” (Strategjia Globale e Bashkimit Evropian, për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë, qershor 2016) 

Por, edhe raporti paraprak në kuadrin e hartimit të Librit të Bardhë mbi mbrojtjen evropiane, e përjashton në mënyrë absolute mundësinë e një përplasje të këtyre strukturave me NATO. Përkundrazi, vlerësohet se NATO dhe SHBA duhet të mbështesin një përforcim kolektiv të mbrojtjes në BE dhe se, Unioni vazhdon t’i qëndrojë formulimit që parashikojnë traktatet, duke e konsideruar NATO si institucioni kryesor në fushën e mbrojtjes në BE. Çka nënkupton se, do të evitohen dublimet dhe kontradiktat, duke përforcuar njëkohësisht objektivat e NATO. Dhe për më tepër, shmangia e tyre është lehtësisht e mundshme, pasi në redaktimin e Librit do të jenë pjesë përbërëse edhe strukturat përfaqësuese të NATO.

Por, presioni britanik, më tepër se sa një arsye e qenësishme për të shmangur përplasjen me NATO, duket se mbart dozat e një nervozizmi politik, që e sheh veten jashtë tavolinës së projektimit dhe pa mundësi influence në këtë proces.

Histori dështimesh dhe bashkëpunimi

Në fakt, historia e krijimit të Evropës ushtarake, ka njohur një sërë dështimesh të vazhdueshme. Vitet ’50, do të njihnin tentativa për skicim të Unionit ushtarak evropian, nën shtytjen amerikane, me iniciativën franceze dhe bashkëpunimin gjerman, siç do të ishte Plani Pleven. Por, ai do të dështonte sa me refuzimin që i bënë më pas francezët, por edhe nga ndryshimi i klimës së sigurisë dhe një lloj paqeje relative, që kishte bërë të mundur uljen e tensioneve.

Pas dështimit të Planit Pleven për krijimin e Komunitetit Evropian të Mbrojtjes, do të kemi nënshkrimin e Traktatit të Bashkëpunimit në Paris (1954), kryesisht ushtarak, mes të shtatëve, pra Francës, Britanisë së Madhe, Republikës Federale Gjermane, Italisë, Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut. Në thelb ishte një riaktivizim i Traktatit të Brukselit të 17 marsit 1948, i bërë në klimën e pasigurisë, që ofronte ndërhyrja e sovjetikëve në Pragë. Në kontekstin e Luftës së Ftohtë, synimi i këtij bashkëpunimi evropian ishte funksionimi si një strukturë paralele dhe mbështetëse e NATO, për të frenuar avancimin e mundshëm të sovjetikëve në Evropën lindore. Por, edhe ky organizim edhe pse ambicioz në formulim dhe vizion, nuk pati asnjëherë një rol efektiv.

Përgjatë mesit të viteve ’80, do të kemi sërish po me iniciativë të Francës, një vullnet për të riaktivizuar këtë bashkëpunim ushtarak mes të shtatëve, i njohur si Unioni i Evropës Perëndimore (UEP). Më 1987, kur amerikanët dhe sovjetikët rinisën negociatat mbi çarmatimin, të shtatë vendet evropiane, arrijnë të caktojnë një platformë konkrete mbi interesat evropiane në fushën e mbrojtjes. Një platformë, që filloi të konkretizohej me disa avancime të vogla në fushën e mbrojtjes dhe gjithmonë e inkuadruar si një shtyllë evropiane e mbrojtjes së Atlantikut. Gjithsesi, edhe ambicia e UEP, rezultoi e dështuar përgjatë krizave të viteve ’90, sa për hir të mungesës së mjeteve operacionale, po aq edhe për hir të vullneteve kombëtare, që nuk ishin të unifikuara për të pasur vendosmëri në kryerjen e një roli në skenën ndërkombëtare (si p.sh. ndërhyrja në Afrikë), por edhe në atë rajonale dhe konflikteve në Ballkan.

Ajo që konstatohet gjerësisht është se, presioni amerikan është shfaqur gjithmonë në periudha delikate tensionesh, duke kërkuar përforcim të Evropës së Mbrojtjes, siç do të ishte periudha e fillimit të viteve ’50 me Luftën e Koresë dhe rrezikun e zgjerimit sovjetik. Por, në periudha relativisht më të qeta, si ajo e fillimit të viteve ’90, me rënien e komunizmit, kemi një lloj shqetësimi amerikan ndaj përforcimit të vazhdueshëm, që po shfaqte Evropa e Bashkuar për mbrojtje. Tensione, që janë përkthyer më shumë në përplasje franko-amerikane, pasi objektivat e Parisit për përforcim të mbrojtjes, po shikoheshin si ringjallje e politikave goliste. Tensione, që u shuan gjatë viteve ’93-’94 me sigurinë e plotë që iu dha amerikanëve se çdo strukturë e re, që mund të krijohej nuk do të rivalizonte NATO, por do të shërbente në partneritet të plotë, dhe duke qenë në shërbim të strukturave të Aleancës së Atlantikut. Pra, në rast krize, evropianët do të bënin të mundur të kryenin operacione pa NATO, por me mjetet e saj. Të shtrira në kohë, veprimet franceze nuk i kanë shpëtuar kontekstit të përplasjeve, për rivalitet dominimi në këtë lloj bashkëpunimi. Veprime, që kanë pasur karakter të hapur për pavarësi veprimi dhe që janë veçuar gjithmonë nga veprimet e vendeve të tjera evropiane, që kanë insistuar më shumë për rol në kuadrin e NATO.

Ndërsa më vonë, me hapësirën që krijoi futja në fuqi e Traktatit të Mastritit, do të kemi edhe pranimin në vitin 1998, nga ana e Britanisë së Madhe, të organizimit të një politike të mbrojtjes në kuadrin e BE. Raporti i Toni Bler në tetor 1998, në Samitin e Austrisë, mbi domosdoshmërinë e krijimit të identitetit evropian të mbrojtjes, u shoqërua edhe me deklaratën franko-britanike në Shën Malo, vetëm dy muaj më vonë, si edhe me aprovimin gjerman në mbështetje të deklaratës së përbashkët. Nga ku kemi krijimin e Politikës Evropiane të Sigurisë të Përbashkët (PESC). Por, lufta dhe konflikti në Kosovë ishte terreni më i pastër, që e shfaqi politikën evropiane tërësisht në dështim, për të ndërhyrë, zgjidhur, administruar dhe menaxhuar konfliktin në terrenin e saj. Pa ndërhyrjen e amerikanëve, zgjidhja e konfliktit nga politika evropiane do të ishte e pamundur. Me kalimin e viteve, roli i politikave të përbashkëta të sigurisë dhe mbrojtjes evropiane, është i reduktuar vetëm brenda një kuadri misionesh humanitare dhe civile, kryesisht për administrimin e krizave, në rajone të ndryshme të botës.

Nëse projekti evropian i mbrojtjes do të arrijë të konkretizohet, kjo do të shënojë gradualisht edhe shndërrimin e BE në një aktor të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare dhe fuqizimin e sigurisë por vlerësohet se do të shërbejë gjithashtu si një faktor i rëndësishëm, që do të ndihmojë dhe do të inkurajojë në një integrim më të thelluar evropian.

I.T. / Dita

September 21, 2016 16:27