Çudia: Nishani prononcohet në CNN për masat anti-terror në Sinai të Egjiptit

December 11, 2017 20:02

Çudia: Nishani prononcohet në CNN për masat anti-terror në Sinai të Egjiptit

Mund të duket e pabesueshme, por ja që ka ndodhur. Ish presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani i ka dhënë ditët e fundit dërrmën terrorizmit islamik në gadishullin e Sinait në Egjipt. Madje ai premtuar se në këtë rajon të trazuar jo vetëm që do të rrafshohet çdo fole terroristësh, por do të lulëzojë edhe një herë turizmi elitar dhe pikat dikur aq grishëse turistike si Sharm el Sheikh do të gëlojnë nga vizitorët.

Gojët e Liga mësojnë se zanafilla e ngjarjes, që u zbulua rastësisht, nisi nga aeroporti i Vjenës, ku ish presidenti Nishani ishte duke kaluar tranzit gjatë një udhëtimi kulturor Podgoricë-Antalia me ndalesë në kryeqytetin austriak. Befasisht një mesoburrë që iu afrua dhe u prezantua si gazetar i CNN, shprehu lumturinë që mundi ta haste zotin president duke udhëtuar inkonjito dhe pa eskortë. “Ehhh, po ç’president tani…” bëri të flasë Nishani. Por tjetri e ndërpreu:

“Shhttttt. Unë di ta mbaj sekretin. Thjesht dua një prononcim ekskluziv për krizën në Sinai. Çfarë rruge duhet ndjekur kundër terrorit sipas jush?”

Nishani u step për disa çaste. Në mendje po i vinin turli lloj hamendjesh. Mos po tallet ky gringoja? Është vërtet i CNN-it? Ç’ne unë me Sinain dhe Egjiptin?

“Ok, – i thotë më në fund me një anglishte hec mo, – por më tregoni kredencialet”. Tjetri nxjerr kartën e punës në CNN dhe pasaportën, dhe Nishani pasi merr frymë thellë, fillon nga ç’mbante mend nga uikipedia:

“Egjipti është një nga qytetërimet më të lashta të botës. Siç dihet, kryeqyteti është Kajro, por nuk ka qenë gjithmonë ashtu. Egjipti ka pas edhe mbretëresha të bukura si Kleopatra, paçka se ka qenë pak bishtpërdredhur…”. Bujari vazhdoi me vrasjen e Mark Antonit dhe Kleopatrës, me pushtimet e Saladinit, me kryqëzatat dhe ardhjen e francezëve të Napoleonit, pastaj me ngritjen e shtetit të Mehmet Aliut. “Ky ka qenë shqiptar,” tha gjithë gaz Bujari, por tjetri ja preu, “s’më intereson, mos ndërroni temë. Vazhdojmë”.

“Nejse, ta thashë që ta dish për kulturë. Dhe dalim te terrorizmiiiii”, vijoi ish presidenti. “Po të jetë për mua, ne duhet t’i shkatërrojmë ata. T’i rrafshojmë, edhe sikur të më duhet të dal vetë me një pushkë gjysmë automatike model 56 në dorë, që është një armë e fuqishme në duart e ushtarit të Republikës sonë”. Nishani sqaroi gjerë e gjatë sesi po të varej prej tij, do t’i bënte def terroristët dhe do rikthente turistët e huaj.

Dikur gazetarit iu sos durimi dhe e mbylli: “Po sigurisht që shumëçka varet edhe prej jush. Ju faleminderit për këtë prononcim, zoti El Sisi”. Dhe u largua.

December 11, 2017 20:02
Komento

1 Koment

  1. Nik December 12, 21:41

    Mor po nuk paska pat faj ai gazetari. Ky qenka tepke si al Zizi

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*