ÇUDIA / Trump i anullon vetes gabimisht certifikatën e sigurisë

August 23, 2018 16:05

ÇUDIA / Trump i anullon vetes gabimisht certifikatën e sigurisë

UASHINGTON – Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur para dy ditësh në Shtëpinë e Bardhë, pohojnë burime bardhezi.

Dëshmitarë të surprizuar kanë parë Presidentin Donald Trump te dera e jashtme e Shtëpisë së Bardhë, duke iu lutur rojes së sigurisë ta linte të hynte brenda.

“Ore zotri, jam presidenti, ngrije traun se kam një hale punë,” i thoshte Trumpi oficerit me ngjyrë që çonte supet në shenjë pamundësie.

“Ju njof, zoti Trump, po s’kam ç’bëj, shtëpia me tjegulla, shteti me rregulla,” ja ktheu oficeri. Ai i shpjegoi se në kompjuter i rezultonte që zyrtari i lartë Donald Trump nuk e gëzonte më çertifikatën e sigurisë, pasi ajo i qe revokuar me urdhër të Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

“Ore vlla, do ja kem hequr vetes gabimisht. Kam anulluar një mal me çertifikata javën e kaluar, kushedi si ka ndodhur. Ça mendon ti, se e kam bërë me dashje?” u ankua Presidenti, “ja, më lër sa të hyj në zyrë të marr vulën, se e anulloj direkt, hë të keqen”.

Por roja nuk dëgjonte nga ai vesh.

 Në vijim, dëshmitarët panë Trumpin t’u telefononte me rradhë gjithë anëtarëve të stafit të ngushtë, këshilltarëve dhe vetë zv.presidentit Pens. Por secili prej tyre i tha se nuk mund të shkelte urdhrin zyrtar presidencial.

“Dëgjo Don,” i tha zëvendësi i tij Majk Pens, “shok të kam, por unë nuk mund t’ja jap vulën presidenciale kujtdo që më del tek dera e jashtme. Le të bëhemi seriozë…”

Ndërkohë filloi shiu dhe Trump u bë qull, por sedra nuk e linte të largohej nga kangjellat e Shtëpisë së Bardhë.

Dikur Pens e merr në telefon dhe i thotë:

“Po dërgoj dikë të të ndihmojë”.

“Rrofsh vlla,” i tha i emocionuar Trump. Pas pak, një agjent sekret iu afrua, i dha një çadër dhe iku…

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike pa çertifikatë sigurie 

August 23, 2018 16:05
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*