Dade: Berisha, përplasje me partnerët strategjikë

Redaksia Online April 19, 2013 11:40

Dade: Berisha, përplasje me partnerët strategjikë

Deputetja e PS-së, Arta Dade, tha sot se Berisha dhe qeveria e tij po luajnë rol negativ në këtë situatë parazgjedhore, si për vendin, ashtu edhe për sytë e ndërkombëtareve. Në një deklaratë për mediat nën moton “100 arsye për të mos votuar Berishën, ish-ministrja e Jashtme tha se kostoja e papërgjegjshmërisë së Berishës bie mbi shqiptarët.

Dade komentoi kolapsin që ka përfshirë institucionin kryesor të zgjedhjeve, një çështje për të cilën ajo tha se “Berisha nuk iu bind rekomandimeve të SHBA-së dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe refuzoi kërkesat e tyre për moscenim të KQZ-së”.

Sipas deputetes socialiste manovrat e Berishës nuk janë gjë tjetër veçse tregues i panikut të tij për humbjen e sigurt në 23 qershor. “Berisha është përfshirë nga ethet e humbjes dhe ka frikë gjenetike për të pranuar humbjen. Por ajo që ka rëndësi për ne është rikthimi i besueshmërisë te institucioni i KQZ-së dhe rivendosja strategjike e marrëdhënieve me ndërkombëtarët”, theksoi Dade.

Në fund, deputetja socialiste shprehu bindjen se opozita do t’i fitojë zgjedhjet e 23 qershorit dhe nuk do t’i lërë Berishës asnjë mundësi manipulimi.

 

Deklarata e plotë:

Vetëm 65 ditë na ndajnë nga 23 qershorit, dita kur shqiptarët me votën e tyre të bashkuar e të lirë do të largojnë njëherë e përgjithmonë Sali Berishën, kryeministrin e rrënimit të vendit.

Berisha ka dështuar në marrëdhëniet me partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe ka dobësuar profilin e vendit që në rrafshin rajonal priret nga strategjia e bashkëpunimit dhe e stabilitetit; ai dështoi në ndërtimin e Shqipërisë Europiane; ai dështoi në garantimin e lirive që janë thelbi i demokracisë; ai nuk garantoi zgjedhje të lira e të ndershme.

Me mendjengushtësisë e tij politike po asgjëson dita ditës hapësirat për dialog dhe bashkëpunim politik.

Sali Berisha dështoi me Kosovën, jo vetëm që nuk e ndihmoi procesin e njohjes së mëtejshme të shtetit të pavarur por e vuri në rrezik këtë proces për shkak të retorikës së nacionalizmit primitiv, pas së cilës rreket të fshehë dështimet e njëpasnjëshme që po rrënojnë vendin. Koston e papërgjegjshmërisë së tij e paguajnë shqiptarët dhe Shqipëria përkundrejt rajonit e Europës.

Sali Berisha zbehu rolin e Shqipërisë si partner serioz i botës demokratike, i Shteteve të Bashkuara dhe i Bashkimit Europian, të cilët shprehën shqetësime serioze se kjo retorikë primitive përbënte kërcënim për klimën e bashkëpunimit dhe stabilitetit demokratik rajonal.

Kjo retorikë dhe kjo qasje,gjithashtu bie ndesh me interesat rajonal të partnerëve tanë të NATO-s dhe vendin e çon në një kurs përplasje me partnerët tanë strategjik.

Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian janë tashmë problematike

Sali Berisha refuzoi mesazhet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, kërkesat dhe paralajmërimet e tyre për të mos cënuar pavarësinë e KQZ-së. Ai është gjithnjë e më i izoluar, për shkak të frikës gjenetike për të pranuar humbjen, humbjen që vjen prej vullnetit të lirë të qytetarëve, të shqiptarëve të bashkuar.

Shqipëria nder vite ndërtoi një politikë të jashtme rajonale në harmoni me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, në mbrojtje të Kosovës dhe të faktorit kombëtar në rajon.

Partia Socialiste është e bindur se partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian është strategjik dhe Shqipëria duhet dhe do te jetë një shtet demokratik për të ndjekur në vijimësi një politikë të jashtme me kontribute konstruktive në veçanti në rrafshin rajonal.

Partia Socialiste thekson se rivendosja e ekuilibrave me partnerët tanë strategjik, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, fuqizimi i rolit të faktorit shqiptar në rajon, kalon domosdoshmërish nëpërmjet konsolidimit të shtetit të së drejtës, fuqizimit të institucioneve demokratike, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore dhe luftës efikase ndaj korrupsionit.

Redaksia Online April 19, 2013 11:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*