“Duan pazarin e radhës. 27 vjet, e keqja më e vogël na futi në këtë gropë”

February 23, 2019 10:11

“Duan pazarin e radhës. 27 vjet, e keqja më e vogël na futi në këtë gropë”

Edhe pse e rendit veten si pjesë opozitare e qeverisjes aktuale, Gjergj Bojaxhi e quan aktin e opozitës me mandatet të papërgjegjshëm.

Në zgjedhjet e 2017-s unë aderova në partinë Sfida dhe u futëm në procesin zgjedhor që kishte afate, rregulla kushtetuese, por Partia Demokratike dhe Partia Socialiste ndryshuan datën e garës, sikurse edhe rregullat, duke thyer praktikisht të gjithë atë që ka të bëjë me standardin normal të një gare të ndershme.

Ata bënë kompromiset e tyre, e ndanë qeverisjen teknikisht apo politikisht. Sot një nga këto dy parti thotë që kjo nuk ishte loja e saj, nuk e ndërtoi ajo këtë lojë apo skemë, ajo nuk është pjesë e sistemit politik ku votat i numërojnë po këta. Çdo mekanizëm ligjor dhe institucional është i përbërë nga këto parti, ndërsa tani hiqen sikur janë një parti jashtë sistemit, nuk është produkt i këtij sistemi. Një absurditet”, deklaroi Bojaxhi në emisionin Top Talk.

Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin dhe kreun e PS, Rama që bëri pazar “në shkelje të frymës demokratike sesi duhet administruar një vend, ndërkohë që tani hiqet sikur do të mbrojë rendin kushtetues”.

Ai shton se ende tentojnë pazarin e radhës.

“Jam i bindur që ata kanë bërë aktin e parë, atyre që i kishin mandatet, por kanë ende mundësi ta ndërpresin këtë proces, këtë marrëzi, sepse kanë ende njerëz në lista që mandatet të qëndrojnë brenda partisë. Në këtë moment, krijojnë një rrëmujë politike, një krizë artificiale politike. Por nuk zgjidhin asnjë problem konkret për qytetarët shqiptarë”, deklaroi Bojaxhi.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë nuk duan rotacion politik, por duan ndryshim të modelit qeverisës dhe modelit politik të partive tona.

Bojaxhi shton se 28 vitet e tranzicionit kanë qenë tepër të vuajtura dhe janë naivë ata që ecin me shpresën se “mbase” apo “padashje” do të dalë një gjë e mirë nga një marrëzi.

Bojaxhi theksoi më tej se opozita duket e pasinqertë kur thotë se nuk kërkon pushtet në tavolinë, por krijimin e një mundësie për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Në zgjedhjet e 2017-s ne patëm dy partitë kryesore që nënshkruan një marrëveshje, krijuan një qeveri teknike dhe ja kush është rezultati. Tani po kërkojnë një tjetër qeveri teknike, këtë herë pa Ramën kryeministër. Dakord jam që të ikë Rama, çështja është si do e zgjidhim problemin si shoqëri, kur qeveria teknike përsëri do të caktohet dhe kontrollohet nga këta?

Janë këto parti që kanë krijuar sistemin politik në Shqipëri, që e kanë futur vendin në këtë gropë ku ndodhemi aktualisht, jo thjesht për krizën e momentit, por për nivelin e varfërisë, në kuptimin e mungesës së shpresës, me njerëzit që duan të ikin nga ky vend sepse nuk shohin të ardhme, as për vete dhe as për fëmijët e tyre.

Kemi 27 vite që përpiqemi të ecim përpara duke zgjedhur të keqen më të vogël. E keqja më e vogël na ka futur në këtë situatë ku jemi sot, si shoqëri dhe si shtet”, thotë Bojaxhi.

Pas dorëzimit të mandateve të opozitës, duket se skenarë të rinj do të lindin dhe në renditje ka edhe parti të tjera që nuk janë pjesë e kësaj opozite, por që kanë qenë në opozitë. Përmendim këtu partinë Libra, apo atë Sfida. A do të futet në Parlament Bojaxhi, nëse i vjen radha?

Nëqoftëse ne pranojmë rregullat e lojës në politikën që kanë ndërtuar këta, për militantët nëse merr mandatin i bie që je patericë e qeverisë, nëse nuk e merr mandatin je palë me Lulin dhe Monikën. Por për mua çdo mundësi që do të na jepej, të paktën mua personalisht, për të goditur të keqen që është ndërtuar, do ta shfrytëzoja me shumë kënaqësi”, deklaroi Bojaxhi.

I pyetur për rolin e ndërkombëtarëve, Bojaxhi thotë:

Sa u takon ndërkombëtarëve mendoj se ka nevojë të rishprehen, pasi deklaratat e deritanishme kishin të bënin me situatën para se PD-LSI dhe opozitarët e tjerë të digjnin mandatet.

Ata u shprehën kundër këtij procesi, ndërsa tani është momenti i së vërtetës: A do të vazhdojnë ndërkombëtarët të pranojnë të njëjtin pazar si në vitin 2017, që i shtyn palët drejt kompromisit në kurriz të demokracisë shqiptare dhe alternativave të tjera? Apo komuniteti ndërkombëtar do të pranojë që bëri gabim në vitin 2017, duke ndërmjetësuar një kompromis, tashmë do të qëndrojnë me gërmën e ligjit dhe të Kushtetutës dhe nuk do të pranojnë asnjë lloj kompromisi jashtë sistemit politik?”, u shpreh Gjergj Bojaxhi.

Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet tona duke u përpjekur të gjejmë gjithmonë “zgjidhje të përkohshme teknike” – thotë ai.

o.j/dita

February 23, 2019 10:11